Nuk i tremben Partizanit
Ka ardhur koha që Partizani dhe Shkëndija t’i masin forcat në fushën e gjelbër, në një ndeshje që do të jetë më shumë se futboll. Serbët besojnë se kanë ekip shumë më të mirë se shqiptarët dhe presin fitore të mërkurën mbrëma. Por, kuqezinjtë nuk i tremben ekipit bardhezi, derisa me një rezultat pozitiv në Beograd mendojnë se mund ta eliminojnë Partizanin nga Liga e Kampionëve.

Tash e një kohë të gjatë dueli ndërmjet Partizanit dhe Shkëndijës, i cili do të zhvillohet në kuadër të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ka qenë më i përfoluri për dallim prej takimeve tjera të këtij rrethi, për faktin se pas një kohe të gjatë do të ndeshet një ekip shqiptar me një serb.
Kampioni serb, Partizani vlerësohet si favorit për ta eliminuar kampionin e Maqedonisë, Shkëndijën. Posaçërisht, bardhezinjtë shihen si favoritë absolutë për ta fituar ndeshjen e parë, pasi në Beograd do të ketë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve të vet‘Grobari’.
Po ashtu, serbët kanë një përvojë shumë më të madhe sesa tetovarët në gara evropiane, derisa buxheti financiar i klubit serb thuhet të jetë dhjetëfish më i madh sesa ai i klubit shqiptar.
“Duhet ta sulmojmë Shkëndijën, sepse ne jemi ekip më i mirë dhe kemi më shumë eksperiencë në Evropë. Maqedonasit mund të na shënojnë gol, por do ta kenë shumë vështirë ta mbrojnë rrjetën e portës së tyre. Ne duhet të shënojmë më shumë gola sesa që ata do të mund të shënonin ndaj nesh. Do ta japim maksimumin dhe pres përkrahje të madhe të tifozëve, por i lus ata që të jenë të durueshëm”, ka deklaruar trajneri i Partizanit, Aleksandar Stanojeviç.
Ndërsa edhe ekipi kuqezi paralajmëron se do ta sulmojë ekipin serb. Trajneri i
Shkëndijës, Qatip Osmani, thotë se skuadra e tij ka kapacitet për ta eliminuar nga kjo garë Partizanin
“Kjo është dalja e parë e jona në Evropë dhe duam të qëndrojmë sa më gjatë. Jemi të vetëdijshëm për punën e vështirë që na pret. Megjithatë, i dimë kualitetet tona. Nëse vazhdojmë të luajmë sikur në sezonin e kaluar, mendoj se mund të eliminojmë Partizanin. Për ta arritur këtë, na duhet rezultat pozitiv në Beograd, fitore, barazim ose humbje minimale me gol të shënuar nga ekipi ynë”, ka thënë Osmani për mediat serbe.
Ballafaqimi i parë mes beogradasve dhe tetovarëve zhvillohet të mërkurën prej orës 20:45 në kryeqytetin serb, kurse ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Shkup.
Shkëndija nuk frikësohet në Beograd
Skuadra e Shkëndijës të hënën mbrëma ka mbërri në Beograd. Kuqezinjtë janë vendosur në hotel ‘Prestige’, derisa për sigurinë e tyre po përkujdesen rreptë forcat serbe të rendit.
Edhe pse ndeshja mes Partizanit e Shkëndijës nga UEFA konsiderohet me rrezik të lartë, duket se tetovarëve nuk po u tremben sytë në Beograd, ku po ruhen prej forcave serbe të sigurisë.
“Ndjehemi të sigurt dhe nuk kemi arsye për t’u frikësuar. Nuk më intereson aspak politika. Vetëm se më vjen keq se për shkak të kësaj politike në ndeshjen në Beograd nuk do të mund të vijnë tifozët tanë”, ka thënë për mediat serbe futbollisti më i mirë i Shkëndijës, Ferhan Hasani.
Serbia i mbyll kufijtë për ‘Ballistët’
Ditë më parë, udhëheqësit e Partizanit dhe të Shkëndijës kishin marrë vendin të përbashkët që dy ndeshjet mes tyre t’i zhvillojnë pa tifozë mysafirë, me qëllim që t’i evitojnë përleshjet e mundshme mes tifozëve serbë ‘Grobari’ dhe atyre shqiptarë, ‘Ballistët’.
Mirëpo, këta të fundit, përkundër këtij vendimi, kanë paralajmëruar se të mërkurën prej orës 10:00 do të nisen drejt Beogradit për ta përkrahur Shkëndijën. Mirëpo, mediat serbe kanë raportuar të martën se me vendimin e Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme ‘Ballistët’ kot do të nisen drejt Beogradit, pasi nuk do të lejohen të hyjnë në territorin serb.
Ndërkohë, stadiumi i Partizanit pritet të jetë i vogël për t’i zënë gjithë tifozët e tij, ‘Grobari’. Zyrtarët e kampionit serb kanë pohuar se asnjë tifoz nuk do të lejohet të hyjë në stadium me pankarta provokuese siç është ajo ‘Kosova është Serbi’, apo diçka ngjashëm.
Skënderbeu, gati për Apoelin
Në kuadër të kualifikimeve për rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve, edhe kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu është gati për ndeshjen kundër ekipit qipriot Apoel Nicosia. Ndeshja do të zhvillohet në Korçë nga ora 20:00, derisa ekipi shqiptar beson në një rezultat pozitiv sikurse ai qipriot.
Krijoni Kontakt