Panorama, 26.10.2007 (Futboll)
Rritet interesimi për dyshen shqiptare të Vorsklas
Roi Kin do Dallkun e Currin te Sanderlendi
Agjentët anglezë, të shtunën zbarkojnë në Ukrainë
Jetmir Halilaj
Debatik Curri e Armend Dallku, janë në planet e klubit anglez të Premier Ligës, Sanderlend, skuadër që drejtohet nga ish-ylli i Mançester Junajtid, Roi Kin. Dy nga menaxherët e kësaj skuadre do të ndjekin nga afër ndeshjen e Vorsklas kundër Dinamo Kievit në fundjavë. Lajmi është bërë i ditur të enjten nga menaxheri i futbollistëve, Nexhmedin Haxhiu. “Menaxheri i Sunderlandit do të shikojë ndeshjen e Vorsklas kundër Dinamos. Klubi anglez ka shfaqur interes për Dallkun e Currin. Të shohim se çfarë do të ndodhë, fjalë ka shumë, por të presim”, - është shprehur Haxhiu për të përditshmen kosovare “Koha Ditore”. “Fatkeqësisht, Curri nuk do të luajë në këtë ndeshje, për shkak të kartonëve të verdhë, por nuk do të jetë problem, pasi zyrtarët e Sanderlendit nuk po vijnë të shohin cilësitë e tyre, por të prezantohen dhe të nisin bisedimet. Për cilësitë e tyre, ata i kanë tashmë informacionet e duhura, sepse i kanë vëzhguar nëpërmjet videokasetave”. Sanderlend bën gara në Ligën Premier të Anglisë. Skuadra këtë edicion është kthyer në elitë, pas disa stinorëve të kaluar në një rang më të ulët. Njëri nga dy futbollistët, Armend Dallku, ka konfirmuar interesimin e klubit anglez. “Menaxherët e kësaj skuadre na kanë ndjekur në dyja ndeshjet e fundit të Kombëtares, kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë. Kemi biseduar me ta para ndeshjes me Slloveninë. Është ëndërr jo vetëm imja dhe e Currit, por e çdo futbollisti të luajë në Premier Ligë”, - është shprehur Dallku para pak ditësh, edhe Dinamo e Zagrebit ka shfaqur interes për ta, sikurse edhe disa skuadra turke. Dinamo është tepër e interesuar për ta, madje oferta e tyre është më e mira aktualisht, në aspektin financiar. Por deri në fund të vitit nuk do të ketë asgjë. Natyrisht, edhe vetë Vorskla po bën të pamundurën të rinovojë kontratat me ta, pasi ato skadojnë në qershor. Vorskla e bën këtë që të përfitojë ndonjë lek nga lojtarët, pasi nuk dëshiron që ata të largohen gratis”, - ka thënë Haxhiu. Curri në Vorskla luan prej tre vitesh, kurse Dallku u transferua gjashtë muaj më vonë. Dy ish-futbollistët e Prishtinës, tani janë pjesë e rëndësishme edhe e Kombëtares shqiptare.
1 milion euro
kërkoi klubi i Vorskla Polatvës për dyshen shqiptare që luan në këtë skuadër, kur Verderi u përgatit seriozisht për të marrë shërbimet e dy futbollistëve kuqezi. Pas kësaj kërkese, gjermanët i ndërprenë tratativat.
Dëshira
Dallku edhe Curri po bëhen gati për të bërë hapin e madh të karrierës së tyre, pra për t’u transferuar në një skuadër të madhe. Lojtarët janë në tratativa me disa klube dhe nuk e kanë fshehur dëshirën për t’u larguar nga Vorskla, klub me të cilin luajnë prej disa sezonesh. Sanderlendi është një mundësi e mirë.
Berisha
Një kalim i mundshëm i Dallkut e i Currit në kampionatin anglez do të shtonte numrin e kuqezinjve që luajnë në kampionatin britanik. Aktualisht në kampionatin anglez luan vetëm Besart Berisha me Bërnlein, por që e humbi sezonin për shkak të një dëmtimi të rëndë.
Dinamo Zabreb
Drejtuesit e klubit kroat, prej kohësh kanë në shënjestër dyshen shqiptare që aktivizohet tek ukrainasit e Vorskla Poltavës. Lojtarët kanë pohuar tratativat, madje kanë thënë gjithashtu, se mund të arrihet një parakontartë që në janar me këtë skuadër.
Verder
Në janar të vitit të kaluar ishte skuadra e Verder Bremenit, ajo që shfaqi interes për Debatik Currin, një prej lojtarëve më të mirë që ka Kombëtarja aktualisht. Kalimi i tij në Gjermani nuk u bë i mundur pasi Vorskla nuk e lejoi lojtarin të ikte.
Volfsburg
Një tjetër skuadrër gjermane që shfaqi interes për Debatik Currin ishte edhe Volfsburgu, por lojtari nuk u bind nga oferta dhe iu tremb faktit se mund të qëndronte për një kohë të gjatë në stolin e rezervave, gjë që Curri nuk e dëshiron aspak.
Gallatasaraj
Turqit e Gallatasarajit shfaqën interes për Armend Dallkun, mbrojtësin e djathtë të Kombëtares shqiptare, i cili gjatë dy sezoneve të fundit ka bërë paraqitje shumë të mira me skuadrën e Vorsklas dhe në përfaqësuese.
Krijoni Kontakt