Aris i Selaniku: Duam Edvin Muratin!
Tek Iraklis ndihen disi të qetë pas pohimit të trajnerit të tyre, Savas Kofidhis, se Murati mund t'i shërbejë ndonjë ekipi tjetër. Si për të mbështetur këtë deklaratë, gazeta "Sport Day" botonte këto ditë në listën e largimeve të klubit selanikas futbollistin tonë Edvin Murati. E vërtetë?. Askush nuk mund të thotë po ose jo. Futbollisti ynë ka një kontratë, të paktën edhe vitin e ardhshëm me Iraklis, dhe ndërprerja e saj është padyshim në dëm të klubit bardheblu.Eshtë interesant fakti se me Muratin po ndodh ashtu siç ka ndodhur edhe një vit më parë. Edhe atëherë gazeta greke "SportDay", duke iu referuar burimeve nga klubi selanikas, shkruante: "Shumë gjëra dëgjohen ditët e fundit për Edvin Muratin. Dëgjohet se do të shkojë tek PAOK-u, por edhe se disa skuadra qipriote interesohen për të".
Mirëpo, në tërë këtë histori ka një shteg daljeje për Muratin, gjithnjë nëqoftëse ai don të largohet nga klubi bardheblu. Drejtuesit e rinj kanë thënë se nuk janë në gjendje të mbajnë në gjirin e tyre një futbollist me një kosto të lartë sa ç'është Murati. Ndaj, ata kanë thënë se do të ulin diçka nga shuma që merr shqiptari. Mirëpo, kjo ulje e pagesës në kontratën e nënshkruar më parë mes të dy palëve i jep të drejtë futbollistit të bëjë zgjedhjen e tij. Sapo është publikuar lajmi i largimit të tij nga Iraklis, drejt futbollistit shqiptar kanë vërshuar kërkesat e shumta. Në Selanik dhe jo vetëm atje, të gjithë i njohin vlerat e Muratit. Ai ka qenë një nga futbollistët më të mirë të viteve të fundit në kampionatin grek. Ndaj, si i tillë, për të nuk kanë munguar edhe kërkesat e klubeve të ndyshme. Janë vërtetë disa skuadra qipriote që kërkojnë ta bëjnë pronë të tyre futbollistin tonë, por Murati ka kërkesa edhe jashtë Greqisë. E ndërsa kërkohet Murati, për t'u dhënë zgjidhje shumë problemeve, skuadra tjetër selanikase, Aris, ka shpallur publikisht kërkesën e vet për asin shqiptar. Sot, kjo kërkesë është bërë publike nepërmjet medias .
"Duam Muratin", shkruan një gazetë vendase, duke iu referuar drejtuesve të Arisit, të cilët e bëjnë këtë kërkesë, duke u nisur nga vlerat e tij si futbollist. Ata pranojnë se nuk kanë biseduar me futbollistin shqiptar, por thonë se e mirëpresin në gjirin e tyre. Aris, skuadra selanikase, nuk është e panjohur për futbollistët tanë. Për ngjyrat e saj kanë luajtur më parë edhe Sokol Kushta e Mirel Josa. Veçanërisht i madh ka qenë kontributi i futbollistit tiranas Artur Lekbello, i cili për disa vite ka qenë një ndër lojtarët më të mirë të kësaj skuadre. Aris është ringjitur sivjet në kategorinë A, pas dy sezoneve, që ka qëndruar në kategorinë B. Por, që Aris të marrë Muratin, duhet që ky i fundit të zgjidhë problemet që ka me Iraklis. Sipas klubit bardheblu, thuhet që ky ka shpallë divorc me shqiptarin, por ky i fundit ende nuk e ka thënë fjalën e tij. Nëse Murati pranon të largohet nga Iraklis, atëherë ai i ka dyert hapur tek Aris, ku aktualisht luan një tjetër futbollist shqiptar, 21 vjeçari Kristi Vangjeli.
Krijoni Kontakt