Alban Bushi është kthyer pas shumë kohësh në Greqi, pas një përvoje të shkurtër me Apollonin e Athinës e karrierës së bujshme në Turqi dhe tashmë mbron ngjyrat e Levadhiakósit, që përpiqet të shpëtojë rënien nga Kategoria Kombëtare e Greqisë.Vërtet emri i Bushit është bërë protagonist në arenën politike botërore për shkak të konfliktit Iran - SHBA, por futbolli shqiptar dhe ai grek, kanë “bombarduesin” e tyre që rastësisht ka të njëjtin mbiemër, kur bëhet fjalë për golashënuesin e parë në historinë e kombëtares shqiptare, Alban Bushi. Me pjekurinë e duhur si në fushë ashtu edhe jashtë saj dhe me përvojën shumëvjeçare në sportin më popullor, “Mr. Bush” i jeshilëve e ka përvetësuar një herë e mirë rolin e protagonistit me golat e shënuar. Këtë e vërteton më së miri edhe përkrahja që ka gjetur në klubin e qytetit modest të Levadhiásë, si nga tifozët e nga bordi drejtues, ashtu edhe nga stafi teknik i skuadrës, me në krye Takis Lemonis. Këtë e kupton më së miri nga biseda që zhvilluam posaçërisht me futbollistin e Levadhiakos dhe skuadrës përfaqësuese Shqiptare. Gjatë gjithë bashkëbisedimit, ishtë shumë e lehtë të dallosh në karakterin e tij zgjuarsinë dhe maturinë, pa asnjë hezitim në përgjigjet ndaj pyetjeve.
Fillimisht Alban, nuk mund të mos ju urojmë për golin e shënuar ndaj një kampioni si Olimpiakosi dhe për paraqitjet e mira.
Ju faleminderit, por besoj se thjesht kam bërë detyrën si çdo profesionist dhe për këtë jam i kënaqur.
Në mbarë shtypin shqiptar vihet re një trumpetim dhe kënaqësi për arritjet tuaja, por vetë Albani, a e ka pëlqyer Bushin e sezonit 2005-2006?
Ky sezon nuk nisi mirë për shkak të marrëdhënieve jo të mira me trajnerin Takis Lemonis. Por javët e fundit jam në gjendje shumë të mirë dhe ndihem i aftë për të ndihmuar skuadrën. Kjo si rezultat i përpjekjeve të mia dhe stërvitjes intensive. Mendoj se golat e tregojnë këtë gjë dhe premtoj edhe më tepër për tifozët. Por mos të harrojmë që rol të rëndësishëm luan edhe skuadra dhe taktikat e përgjithshme, të cilat më kanë dhënë edhe më shumë shtysë për të luajtur mirë.
Si mund të ndihej një shqiptar në Levadhia?
Nuk do doja ti referohesha aspak problemeve sociale të përgjithshme në Greqi, sepse nuk më përket, por di të them për veten që askund nuk do të gjeja mikpritje më të mirë, siç e kam gjetur këtu. Kjo më jep një kënaqësi të veçantë.
Besoni në shpëtimin e skuadrës nga rënia në B Ethniki?
Për mua do të ishte habi që një skuadër si Levadhiakosi, e cila ka qëndruar përgjatë gjithë sezonit mbi zonën e rënies dhe me ekip jo më të keq se Atromitos, Ionikos, e më të mirë se rivalët OFI dhe Panionios, të humbiste qëndrimin. Me të vërtetë kjo më shkakton çudi, se si arritëm deri këtu, madje edhe me fitore ndaj kampionëve, duke na u dashur patjetër barazimi në ndeshjen me OFIn në Kretë. Mundësitë janë 50 me 50, por kam besim se një barazim do mundemi ta marrim. Ekipi është i mirë dhe kjo më ka ndhmuar edhe mua. Në fushën tonë kemi fituar, por jashtë fushe mendoj se ka qënë pika jonë e dobët.
Si mund ta krahasoni kampionatin grek, pasi keni luajtur në Gjermani, Hungari, Bullgari, Turqi dhe sigurisht në Shqipëri?
Shqipërinë më mirë mos ta përmend fare, pasi dihet se sa prapa është. Më ka bërë përshtypje të veçantë organizimi i shkëlqyer që kam gjetur në Turqi, të cilin nuk e kam parë në asnjë vend. Akoma edhe personi më i fundit për nga rëndësia në një ndeshje apo në stërivitje, ishte përherë i gatshëm dhe korrekt në punën e tij. Çdo gjë të kujton një mekanizëm të kurdisur mirë, pa asnjë të metë. As që mund ta krahasoj me Greqinë, që vazhdon e vuan shumë probleme edhe pas kaq vjetësh. Një ndryshim që kam vënë re, është edhe ai i tre skuadrave kryesuese, që në Turqi janë Gallatasaraj, Beshiktash dhe Fenerbahçe, të cilat nuk largohen kaq shumë sa ktu nga i katërti i renditjes. Në Greqi, diferenca është shumë e madhe dhe kjo e largon interesimin e publikut.
Në rubrikën sportive të kanalit Alfa, u përmend emri yt nga drejtuesi jo vetëm për paraqitjen e mirë, por edhe për kartonin e kuq. U tha se Bushi jo vetëm nuk duhet të kërkojë rinovimin, por edhe mos të kalojë më as jashtë stadiumit të Levadhiasë...
Si? Më vika keq që ky gazetar nuk qenka i informuar. Unë e kisha humbur të drejtën e pjesëmarrjes në ndeshjen tjetër pas kartonit të parë të verdhë dhe i kuqi të paktën më jep mundësinë të luaj në rast se shkonim në barazh. Por kështu si erdhën rezultatet nuk do të ketë barazh dhe e kemi të qartë se do na duhet vetëm barazimi ose fitorja në Kretë.
Meqënëse fjala tek rinovimi. Cila është situata aktuale me kontratën? Mendoni se do të qëndroni edhe në rast se bini një kategori më poshtë?
Kontrata më skadon në qershor dhe drejtuesit më kanë ofruar rinovimin me shumë dashamirësi. E vërteta është se jam i kënaqur dhe dua të rri sidoqë të venë punët. Kam oferta nga klube të ndryshme, por mosha 31 vjeçare nuk ofrohet për karrierë të madhe dhe stabilizimi në këtë ambjent do të ishte zgjidhja më e mirë për mua. E mendoj seriozisht rinovimin. Këtu më duan shumë dhe më respektojnë. Ndoshta jo vetëm për shkak të emrit që kisha tek Apolloni, por edhe nga paraqitja e mirë. Për marrëdhëniet e paqëndrueshme në fillim të sezonit, kisha dhe unë faj sepse isha me dy mendje dhe për fat të keq ia kisha thënë edhe trajnerit. Gjeta vështirësi dhe ofertat nga Gjermania më kishin lëkundur mjaft.
Cilat janë ofertat që keni nga Greqia?
Aris, Larisa dhe Ionikos janë më tërheqëset. Është folur edhe për PAOKun, por këtë nuk e shoh me shumë perspektivë.
Shumë komente negativë në këtë fitore kaq të madhe për klubin tuaj... 3-2 ndaj një Olimpiakosi të madh.
E di dhe jam shumë i mërzitur me këto komente. Okas dhe Anatolakis ishin shumë provokues gjatë gjithë ndeshjes dhe kjo nuk na e bënte aspak të lehtë punën, sidomos Okas që më provokoi derisa mora kartonin e verdhë, në dalje e sipër nga fusha e lojës. Më bëri përshtypje sepse nuk ta jep njeri 3-0 ndeshjen, që në minutat e para. Neve i befasuam kampionët me vrullin e fillimit dhe kjo na dha avantazhin e thellë që në nisje. Nuk mund të përmenden gjëra të tilla, por tregoj mirëkuptim pasi në të gjitha kampionatet e botës ndodhin këto fenomene, kur i kemi dëgjuar edhe për Realin e Barcelonën. Nuk ishte hera e parë që Levadhiakosi shënonte herët, madje me Larisën ishim 2-0 në favorin tonë që në minutën e pestë.
Mund të veçonit ndonjë gol tuajin, si më të bukurin e sezonit?
Goli me Panionisin, në fushën tonë i shënuar me kokë në zhytje. Ishte me të vërtetë i bukur dhe më ka pëlqyer.
Jeni aktualisht golashënuesi i parë i historisë së kombëtares shqiptare. Si e kini çmuar shortin e evropianit?
Shorti është i vështirë ashtu si çdo short. Kurrë Shqipëria nuk ka patur short të lehtë dhe besoj se nuk do të ketë. Kjo për vetë faktin se edhe Bjellorusia, që gjendet poshtë nesh, është e vështirë. Ekip shumë i mirë, të cilin e kam ndjekur edhe nga ndeshjet me Italinë. Do ta kemi pisk me ta. Për Luksemburgun ndoshta do të thoja që është i vetmi i lehtë, por do të preferoja edhe një tjetër kundërshtar të tillë, që të mund të kishim të garantuara 6 pikë. Ajo që më shqetëson më shumë është se nuk kemi fat me ballkanasit, që janë Rumania dhe Bullgaria. Do të duhet shumë përpjekje. Vendi i parë duket i prenotuar padyshim nga Holanda.
Deri ku mendon se i ka mundësitë Shqipëria në futboll?
Kam besim tek ne, sepse të gjithë do ta kenë të vështirë në Shqipëri. Akoma edhe Holanda favorite, ashtu si e kanë patur dhe Danimarka, Greqia, Ukraina, etj. Por me përpjekje mendoj se maksimumi që mund të kapim është vendi i tretë. Aspak e parealizueshme.
Trajneri kuqezi është tema e ditëve. A e meriton Brigeli rinovimin?
Është trajner që solli një frymë të re dhe kjo duket qartë nga rezultatet. Ka bërë punë të mirë dhe e ngriti Shqipërinë një vazo më lart në sallat e shortit të Uefës. Por sidoqoftë, nuk është në kompetencat e mia të them nëse është trajneri i duhur ose jo.
Futbolli bashkëkohor po zhvillohet përditë e më shumë drejt sulmit. Kombëtarja jonë të jep përshtypjen se interesohet vetëm për mbrojtjen...
Nuk jam aspak dakort me këtë tezë. Kemi ndryshuar vitet e fundit dhe dalim shumë më tepër në sulm. Zhvillojmë lojëra më të bukura. Është e kotë të kujtoj që më parë kemi qënë katastrofë e vërtetë. Të mbyllur në mbrojtje dhe mendoj se nuk shiheshim dot. Sot kombëtarja ka fituar shumë personalitet dhe sulmon vazhdimisht.
Një gol fantastik me kokë në Kazakistan, i barazvlefshëm me tri pikë. Të presim sërish gola të tillë nga Bushi?
Nuk e imagjinon dot askush kënaqësinë që më ka dhuruar ai gol. Jo vetëm se arrita në 14 gola me kombëtaren, por edhe për tri pikët e fituara. Dhe kam shumë besim në forcat e mia se do të vazhdoj të shënoj. Por ja që vitet e fundit shënoj shumë pak, sepse edhe grumbullimet dhe aktivizimet kanë qënë më të pakta.
Si i kujtoni fillimet e karrierës në Shqipëri?
I mbaj mend mirë, që kur luaja me skuadrën e pionerëve, siç quhej në atë kohë. Me Tiranën apo 17 Nëntorin jam aktivizuar vazhdimisht, që nga klasat sportive, e deri në pjesëmarrjen me skuadrën e parë. Me këtë ekip mu dha rasti të qëndroj në Hungari që në moshën 17 vjeçare dhe të njoh Evropën e futbollit. Në Hungari qëndrova vetëm një vit. Më tej luajta dy vjet në Gjermani me skuadra të Bundesligës 2 dhe pastaj u ktheva tek Flamurtari. Apolloni ishte skuadra e parë që luaja në Greqi, për të vajtur më vonë në Bullgari ku dola dy herë kampion me Liteksin, si dhe golashënuesi më i mirë, po dy sezone. Në Turqi luajta me Instabulsporin dhe Trabzonsporin dhe ruaj kujtime shumë të mira, para se të kthehesha tek Dinamo për gjashtë muaj dhe të përfundoj në Levadhia.
Sa e rëndësishme është mosha për një lojtar?
Për mendimin tim në futboll ska të bëjë fare mosha, ashtu siç trajtohet nga opinioni në Shqipëri. Për këtë i jap të drejtë, sepse më kujtohet, që nuk kishim as ujë gjatë lojës dhe për këtë arsye një 25 vjeçar në vendin tonë quhej “i plakur”. Por unë e shoh tek vetja që me regjim të mirë ndjehem si 27 vjeç dhe dua të vrapoj edhe më shumë. Për këtë ka të bëjë dëshira e futbollistit dhe fuqia më pak, pasi kjo nuk të largohet. Futbollistët që largohen herët nga karriera e bëjnë për shkak të veljes që ndjejnë nga profesioni dhe kjo është e gjitha. Me regjimin e duhur një lojtar mund të luajë edhe 40 vjeç. Do të vijë një kohë që futbollistët do të jenë në fushë në moshën 37-38 vjeçare dhe do të quhet më se normale.
Cilin keni patur përherë idhullin e sulmit shqiptar?
Agustin Kolën nuk e ndërroj me askënd. Gjuajtje preçize, i fortë në ajër, i shpejtë në sprint dhe sigurisht kudo pranë golit. Sulmuesi perfekt për mua.
Trajner?
Sulejman Memën. Trajneri i duhur për çdo skuadër dhe mendoj se po të kishte mbështetjen e duhur do ia dilte me sukses akoma edhe në Itali. Tek Partizani dhe tek Tirana u duk qartë dora e tij në paraqitjet e mira dhe me tipare të theksuara të futbollit modern. Mjaft i mprehtë në pankinë edhe gjatë lojës.
Por sigurisht që keni adhuruar edhe futbollistin dhe trajnerin në rang ndërkombëtar...
Batistuta nuk ka kundërshtar akoma edhe sot e kësaj dite. Ndërsa arritjet e Kapelos dihen nga të gjithë dhe do të ishte i tepërt çdo koment për vlerat e tij.
Ju falenderojmë Alban për këtë intervistë dhe ju urojmë suksese!
Faleminderit dhe jeni kurdoherë të mirëpritur.
Krijoni Kontakt