• Arben Llalla
Për krijimin e shtetit të ri grek, shqiptarët ose arvanitasit kanë kontribuar në të gjitha drejtimet për ecurinë përpara të Greqisë. Arvanitasit ishin profesorët e parë që themeluan Akademinë e Athinës. Që në vitet e para të Revolucionit të 1821, luftëtarët e lirisë kishin dëshirë të themelonin Akademinë, sepse besonin se arma më e fuqishme ndër të gjitha ishte ndriçimi i trurit. U bënë shumë përpjekje për të hapur Akademinë e Athinës, por dështuan. Vetëm në vitin 1926 ministri i atëhershëm i arsimit Dhimitër Egjiniti, arvanitas nga Egjina, raportoi dhe më pas u botua “Urdhëresat Kryesore” më 18 mars 1925. Kësisoj bëhet realitet Akademia e Athinës me pamjen e brendshme dhe misionin e sotëm shkencor.
Ndërtesa ku strehohet Akademia ka një histori interesante pasi edhe kjo ndërtesë si shumë ndërtesa gjigante në Greqi është financuar një shqiptar ose arvanitas.
Më 1856 tregtari shumë i pasur nga Voskopoja e Korçës në Vjenë të Austrisë, Simon Sina, dëshironte ti bënte një dhuratë të madhe Greqisë, brenda në Athinë. Simon Sina ishte djali i Gjergj Sinës ish-Konsull i Përgjithshëm në vitin 1834 i qeverisë greke në Austri. Familja Sina ishin me origjinë nga Vithkuqi i Korçës, por që andej ishin ngulur në Voskopojë dhe më vonë u vendosën në Vjenë. Simon Sina trashëgonte emrin e gjyshit të tij Simonit të vjetër i cili kishte lindur në Voskopojë më 1753 dhe vdiq më 22 gusht të 1822. Simoni i vjetër ruante në shtëpinë e tij me fanatizëm një veshje popullore shqiptare. Për bamirësitë e mëdha që bënë familja Sina sot bëhet garë nga disa shtete për të privatizuar prejardhjen e tyre duke u mohuar origjinën e tyre të vërtetë shqiptare.
Sinajt u morën në fillim me zhvillimin e tregtisë midis Austrisë dhe Perandorisë Otomane. Më vonë themeluan fabrika të penjëve dhe të stofrave të pambukta dhe janë themeluesit e Bankës Kombëtare të Austrisë. Familja Sina bënë shumë dhurata bamirëse, midis së cilave urën e varur të Budapestit e cila kushtoi atëhere 500 mijë stërlina angleze. Gjergj Sina ishte nënkryetar i Bankës Austriake, kryetar i shoqërisë së hekurudhave në Austri, pronar tokash në Austri, Bohem, Moldavi, Rumani, Serbi etj. Sinajt janë dekoruar nga qeveritë Ruse, Turke, Greke për bamirësitë e tyre në këto vende. Gjergj Sina vdiq më 18 maj 1856 dhe kështu djali i tij Simon Sina ndoqi gjurmët e të atit duke bërë edhe ky dhurata të mëdha bamirëse. Sinajt nuk harruan kurrë atdheun e tyre Shqipërinë, ata dërguan shumë bij shqiptarësh për të studiuar me bursa në Universitetet e Europës. Simon Sina për dhuratën që dëshironte të bënte në Athinë e bisedon me ambasadorin e Greqisë në Austri, z.Skina dhe ai menjëherë i diktoi të ndërtojë pallatin e Akademisë së Athinës. Sina e pranoi dhe i paraqiti planet inxhinierit Theophil Hansen (1813-1891), i cili na dha kryeveprën që është akoma sot ndërtesa e Akademisë. Natyrisht punuan shumë artistë, mjeshtër ndërtimi, skluptorë dhe piktorë, por çelësi ishte Theophil Hansen.
Më 1859 filluan punimet e para, por më 1863 Simon Sina i ndërpreu ato, sepse erdhi në front mbreti Oton. Pas disa vitesh, më 1868, ky bamirës vendosi të rifillojë punimet e lëna përgjysmë. Më 15 prill 1876 Simon Sina vdes pa e vizituar asnjëherë Greqinë, duke lënë trashëgimtar vetëm dy vajza dhe, në bazë të testamentit të tij, e vazhdoi dhe e mbaroi veprën gruaja e tij Ifigjenia Gjika-Sina më 1885. Kur u hapën portat e Akademisë më 1885, Ifigjen Sina i dha si dhuratë kryeministrit Delijani 800.000 mijë dhrahmi, por ai nuk e pranoi dhuratën.
Në të vërtetë hapja e Akademisë së Athinës u dedikohet edhe dy arvanitasve të mëdhenj, Teodor Pangallos, që ishte atëhere në brendësi të punimeve, dhe arvanitasit tjetër Dhimitër Egjiniti, që ishte atëherë ministër i Arsimit.
Për të qenë më realist për të vërtetën dhe për ta mbrojtur atë po sjelllë shkurtimisht biografitë e disa akademikëve grekë që ishin me origjinë shqiptare, natyrisht numri i akademikëve grekë me origjinë shqiptare është më i madh. Dhe besoj se do të jetë më e pëlqyeshme kështu se sa të mbahet në heshtje dhe ky fakt i vërtetë i kontributit shqiptar për krijimin dhe ecurinë e Akademisë së Athinës.
Dhimitër Egjiniti (1862-1934) rrjedh nga një familje e lavdishme detare arvanitase, që ishte vendosur në Egjina. Babai i tij quhej Dionis Panajotu. H. Haxhi, që e ndryshoi në Egjiniti mbiemrin e familjes. Pothuaj gjithë pasurinë e tij ia fali shtetit grek duke lënë në testamentin e tij të hollat që u ndërtua spitali “Egjiniot”, pra edhe ndërtesa e këtij spitali është dhuratë e shpirtit bamirësie arvanitasve. Bir i këtij mjeku të madh është Dhimitër Egjiniti, që lindi në Athinë më 1862. Pas mësimeve në gjimnaz, u regjistrua në seksionin e matematikës të Insitutit Filozofik të Universitetit të Athinës dhe mandej me bursë të këtij universiteti, studioi për Astronomi në Sarbonë dhe në Londër. Më 1896 Dhimitër Egjiniti u bë profesor i Astronomisë në Universitetin e Athinës. Asteroskopi i Athinës ia dedikon ekzistencën dhe formën e tij e deri sot Dhimitër Egjinit aq sa mundë ta quajnë atë me emrin Dhimitër Egjiniti. Dhimitër Egjiniti është themelues i Akademisë së Athinës dhe një nga të parët autorë të saj. Në vitin 1929 ishte kryetar i Akademisë së Athinës dhe më 1933-1934 sekretar i përgjithshëm i Akademisë. Vdiq më 1934.
Angjelo Gjini (1859-1928) është një tjetër anëtarë i akademisë së Athinës me origjinë shqiptare dhe lindi në Athinë më 1859. Gjinët janë familje e madhe arvanitase që ishin vendosur në ishullin Speca. Angjelo Gjini studioi në Gjermani, në Universitetin Politeknik të Oresdenit. Ai është krijuesi i vërtetë dhe organizuesi i Universitetit Politeknik Meçovio, që mban edhe sot trajtën që i dha ky shkencëtar i ndritur arvanitas. Mund të themi pa frikë se Universiteti i Athinës, siç është sot, është vepër e Angjelo Gjinit, që veç të tjerave, dha mësim deri më 1928, kur vdiq.
Sotiri Skipi (1881-1952) është nga familja arvanitase, Skipidët, dhe ishin kryengritës. Në luftën për liri vepruan kudo duke marrë pjesë në daljen nga Mesologjia, në Rumeli, me arvanitas nga e njëjta farë e Karaiskaqit, në Peloponez, në Neokastro dhe kudo ku i thërriste detyra për lirinë e atdheut. Nga këta Skipidë (Shqipë) ishte Sotir Skipi që lindi në Athinë më 1881. Fatkeqësitë në jetë e sollën në Paris, ku jetoi për shumë vjet. Atje u shoqërua me shkrimtarë të njohur dhe ndoqi mësimet estetike dhe letërsi. Ishte mik i ngushtë i Zhan Moreasit, i Pol Farit. Më 1922 u nderua me Laurentin e Letrave dhe Arteve dhe më 1929 e emëruan sekretar i përgjithshëm i shkollës së Arteve të Bukura. Më 1946 u zgjodh Anëtar i Akademisë së Athinës. Vdiq më 1952 në Francë, ku kalonte zakonisht stinën e verës.
Gjeorgjio Sotiriu (1880-1965) lindi në një familje arvanitase në ishullin e Specas më 1880. Pas shkollës, studioi në Fakultetin Teologjik në Universitetin e Athinës. Më tej shkoi në Gjermani dhe Austri, ku u muar me historinë e artit bizantit dhe mbishkrimet. Më 1926 u bë Akademik dhe më 1941 u zgjodh kryetar i Akademisë së Athinës. U bë anëtar i Akademisë së Rumanisë, i Akademisë Dei Lincei të Romës, i Fakultetit Arkeologjik të Berlinit, Vjenës dhe Pragës. U nderua me shumë medalje dhe vlerësime. Vdiq më 1965 në Athinë.
Spiridon Doda (1878-1958) është nga familje luftëtarësh të ishullit të Hidrës. Janë të njohura bëmat heroike të gjyshit të Spiro Doda, që luftoi rreptë turqit e ngujuar në Akropoli. Spiridon Doda lindi në Athinë më 1878 dhe, pas gjimnazit, vazhdoi Universitetin e Athinës dhe më pas ndoqi studimet në Gjermani dhe Holandë. Më 1925 u bë profesor i Farmakologjisë Eksparimentale, dhe më 1927 u bë profesor i Fiziologjisë Eksperimentale, dhe dha mësim deri më 1947, kur u tërhoq. U zgjodh anëtarë i Akademisë së Athinës më 1913 dhe kryetar i saj më 1943-1944. Vdiq më 19 nëntor 1958.
Kostandin Horemi (1889-1966) është arvanitas nga Klementi i Korinthias. Pas gjimnazit studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Athinës. Më 1923, shkoi në Berlin, ku punoi mjek në kopshtin Bashtiak të fëmijëve dhe më 1929 u bë drejtor i këtij kopshti. Më 1935 zgjidhet pedagog i rregullt i Universitetit të Athinës, dhe më 1958 u bë anëtarë i Akademisë së Athinës. U muar me tuberkulozin tek fëmijët, me anemikë në Greqi dhe ndërmori drejtimin e kërkimeve të rëndësishme me qëllim verifikimin e shëndetit të fëmijëve. U ekzaminuan 65.000 fëmijë dhe punimi u ndërpre sepse Horemisi u kap nga nazistët gjermanë. Vuri qëllim publikimin e studimeve pediatrike. Nuk arriti ta plotësoj veprën e vet. Vdiq më 1966.
Aleksandro Diomidi (1875-195) është nga familje e madhe e pasur arvanitase, që zbriti nga Epiri dhe u vendos në ishullin Speca. Familja Diomidi ushtruan detarinë, dhe bënin tregti në Mesdhe. Mbiemri fillestar ishte Qiriako dhe e ndryshuan që të ruhen emrat klasikë grekë. Në kryengritjen e 1821 dhanë të gjithë pasurinë. Është fjala për një familje të ndritur. Vazhdoi Fakultetin Juridik në Universitetin e Athinës dhe, në vazhdim, në Francë dhe Gjermani. U bë ministër i Ekonomisë më 1913, ministër i Drejtësisë më 1918, ministër i Jashtëm më 1922, drejtor i Bankës Kombëtare, Kryetar i Këshillit të lartë ekonomik etj. Më 1945 u bë anëtar i Akademisë së Athinës. Vdiq më 1950.
Vasil Egjiniti (1875-1959) Pas studimeve në Fakultetin e Filozofik të Athinës, vijoi studimet në Paris. Më 1904 u caktua profesor i matematik-fizikë në Universitetin e Athinës ku dha mësim deri më 1947. Studimet e tij në Mekanikë, Elektrik, Meteorologji dhe Astronomi janë shumë të rëndësishme. Zhvilloi një veprimtari të vyer drejtuese administrative në Universitetin e Athinës, kryesisht në sektorin ekonomik. Ia doli të ndërtojë sallën e laboratorit dhe të rregullojë çështjen ekonomike të Universitetit në periudhën e vështirë të pushtimit gjerman. Më 1952 u bë Akademik i Akademisë së Athinës. Vdiq në vitin 1959.
Maksim Miçopulos (1897-1968) është nga familje e mirëfilltë arvanitase. Mbiemri i mëparshëm i familjes ishte Rizos. Familja Miçopulos u shpërngul nga Epiri dhe me familjet e tjera arvanitase u vendos në Peloponez, që atëherë ishte plotësisht i banuar me arvanitas. Është biri i Konstandin Miçopulos që themeloi Muzeun gjeologjike mineral të Universitetit të Athinës. Studioi shkenca natyrore në Universitetin e Athinës dhe u specializua në Mynih të Gjermanisë për gjeologji dhe paleontologji. Më 1955 bëhet Akademik. Vdiq më 1968.
Vasil Malamos (1909-1973). Studioi në fillim për mjekësi në Athinë dhe më vonë në Hamburg. Punoi në Universitetin e Hamburgut, të Frankfurtit, pranë zbuluesit të penicilinës A. Fleming. Shkoi në Brazil për kërkimet në fushën e sëmundjeve tropikale. Më 1953 u bë pedagog në Universitetin e Athinës dhe drejtor i Spitalit në Athinë. U bë Akademik më 1970, dhe vdiq më 1973.
Teofili Voreas (1873-1954). Është nga familje arvanitase të Marusit. Pasi mbaroi studimet e fakultetit ku u dallua, u caktua ndihmës i Prof. Dhimitër Egjinitit në Asteroskopin e Athinës. Studioi në Fakultetin Filozofik-Teologjik në Universitetin e Athinës. Më 1912 u caktua pedagog i Filozofisë në Universitetin e Athinës ku dha mësim deri në vitin 1939 dhe si pedagog nderi deri më 1946-1949. Më 1926 u bë Akademik dhe më 1936 kryetar i Akademisë së Athinës. Vdiq më 1954.
http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=27925
Krijoni Kontakt