Në harkun kohor të dy viteve, Shqipëria ka eksportuar 8 milionë dollarë armatime
Një nga eksportet që ka pësuar rritje edhe në vitin 2007 është edhe ai i armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, municioneve, etj., që kanë pasur destinacion vendet e tjera. Sipas një raporti të publikuara nga Qendra Shqiptare për Tregtinë (ACIT), bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave del se vetëm gjatë 6 muajve Shqipëria ka eksportuar rreth 2.8 milionë dollarë armatime të kategorive të ndryshme. Duke mos përfshirë në këtë llogaritje, 3-mujorin e fundit të vitit 2007, në harkun kohor të dy viteve Shqipëria ka eksportuar rreth 8 milionë USD armatime të llojeve të ndryshme. Tregtimi i këtyre mallrave, që sipas bilancit tregtar kapin një vlerë rreth 8 milionë dollarë në vitin 2006 dhe 2007, është me një rritje të ndjeshme nëse krahasohet me vitet e tjera të tranzicionit. Referuar të dhënave tregtare në vite, zëri "Armë dhe municione" me gjithë artikujt e tjerë ndihmës të makinës ushtarake ka pësuar një rritje edhe në vitin 2007, krahasuar me vitin 2006. Trendi i eksporteve të kësaj kategorie mallrash ka një ndryshim të madh në harkun kohor të 3-mujorëve, nëse ata krahasohen me vitin 2006.
***
Shqipëria ka eksportuar armë edhe gjatë viteve të tjera të tranzicionit, por sasitë e eksportuara kanë qenë në nivele të ulëta. Referuar bilancit tregtar të vendit në vitin 1996, eksportet e kësaj kategorie të mallrave rezultojnë në vlerë 500 mijë euro, gati 6 herë më pak se një 6-mujor i viti 2007. Përsa i përket viteve të tjerë deri në 2000, Shqipëria nuk ka kryer tregti armësh, të paktën përsa i përket zërit të eksporteve të kësaj kategorie. Në vitin 2000 referuar të dhënave të tregtisë me jashtë kemi një eksport të këtyre mallrave, që shkon në një vlerë 800 mijë euro. Nga viti 2001 deri në 2005-ën, vazhdimisht ka pasur eksport jashtë vendit të materialit ushtarak, por në shifra, që luhaten nga 300.000 euro, në vitin 2003, në 700.000 euro, në vitin 2002. Me një mesatare prej 550.000 eurosh në vit.
Kjo tendencë duket se ka ndryshuar ndjeshëm në vitin 2007. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, Shqipëria ka kaluar në një shifër shumë më të lartë të eksporteve të saj të materialit ushtarak, që arrin 7 herë më shumë nivelin e një viti më parë. Nëse i referohemi raporti të publikuar nga Qendra e Tregtisë me Jashtë (ACIT), eksporti i armëve gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2007 është një nga mallrat që ka pësuar rritjen më të madhe.
***
Viti 2007 ka shënuar një rritje të ndjeshme edhe në shpenzimet për importe armësh dhe municionesh, krahasuar me vitin 2006. Megjithëse shifra mbetet e ulët, rreth 1.2 milionë dollarë përsa i përket 9-mujorit të parë 2007, ajo ka pësuar një rritje të konsiderueshme në vitin 2006. Rritja e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, është bërë në kuadër të anëtarësimit të vendit në NATO dhe ka qenë edhe një nga zërat që ka pasur fatin për të marrë më shumë fonde edhe në vitin 2008. Në "Ligjin për Buxhetin e Shtetit", për vitin 2007 përcaktohej një shifër prej dy përqindësh të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për shpenzime për qëllime ushtarake. Viti në të cilin shpenzimet për importe kanë qenë në këto nivele, ka qenë 1999. Shteti shqiptar në këtë vit ka blerë armatime, municione e pajisje ushtarake, në vlerë të përgjithshme prej 1 milion e 700 mijë eurosh. Gjatë vitit 2005, qeveria shqiptare ka shpenzuar 1 milion euro për këtë qëllim. Por, në 2006, vihet re një ulje 30 për qind në këtë zë të shpenzimeve buxhetore.
***
Vlerat e eksportit të këtyre mallrave, që vlerësohen edhe si "tregtia e vdekjes" janë në nivele të ulëta përsa i përket vlerës, megjithëse raportet e tregtisë me jashtë që jepen nga ana e doganave nuk japin sasinë e këtyre mallrave, që nuk dihet se për ku e kanë drejtimin. Nga ana e autoriteteve shqiptare është bërë e ditur, për këto raste, se armët që regjistrohen si eksporte në vlerë, në të vërtetë nuk shiten, por dhurohen. Një nga të dhënat që ka ndryshuar shumë gjatë dy viteve të fundit, në fakt, është vlera e këtyre mallrave që ka ardhur në rritje të ndjeshme, gati 10 herë më shumë seç kanë treguar të dhënat e viteve para 2006.
Shekulli
Krijoni Kontakt