SKANDAL/ Shtohen dosjet. Prokuroria dyshon se në tenderët e Bashkisë së Burrelit është abuzuar deri edhe me qumështin e çajin e fëmijëve në kopshte e çerdhe
BURREL - Mes institucione shtetërore në Burrel është rritur tensioni, për shkak se deri dje shkoi në 11 numri i urdhër-sekuestrimeve për dosjet e tenderëve në këtë bashki. Prokurorët kërkojnë të hetojnë tenderët e zhvilluar në këtë bashki nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2007, ndërkohë që drejtuesit vendorë kërkojnë të hetohen nga prokuroria e një rrethi tjetër. Mësohet se katër oficerët e Policisë Gjyqësore nuk arritën të tërheqin të gjitha dosjet e kërkuara nga prokuroria e rrethit, pasi drejtuesit e Bashkisë së Burrelit nuk pranuan, pa paraqitur arsyet e këtij bllokimi. Prokurorët e Matit janë shprehur një ditë para se të nisnin urdhër-sekuestrimet dhe hetimet për tenderët në këtë njësi vendore, se kanë marrë edhe pëlqimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Kundërshtimi i vendorëve për të penguar hetimet ka sjellë reagim tjetër të prokurorisë së rrethit. Kryeprokurori i Matit, Arben Dyla, tha dje se “askush nuk mund të pengojë hetimet e nisura nga ana jonë. Jemi të vendosur t’u shkojmë deri në fund hetimeve në lidhje me tenderët e zhvilluar në Bashkinë e Burrelit. Nëse dikush do të tentojë të pengojë punën e organit të akuzës, do të ketë veprime të tjera ligjore, për zbardhjen e të vërtetës”. Burime të rezervuara thonë se në 11 dosjet që kërkohet të hetohen, bëjnë pjesë edhe ajo e ushqimeve të çerdheve, kopshteve e konvikteve. 46 punonjës, pjesëtarë të administratës së bashkisë, si dhe persona që kanë lidhje direkt me investimet dhe tenderët në bashki, janë urdhëruar kohë më të parë të zhdëmtojnë dëmin e shkaktuar në vlerën 11.004.153 lekë të rinj. Mirëpo shkeljet nuk janë thjesht administrative. Sipas organit të akuzës, kemi të bëjmë me shkelje ligjore të rënda. Sot do të shihet mundësia e ndërhyrjes forcërisht, për të bllokuar dhe ruajtur me forca rendi të arkivit ku janë “magazinuar” dosjet e tenderëve të Bashkisë Burrel, pasi mendohet se mund të vihet dorë mbi to.
Ajo që bie në sy, është fakti që po hetohet jo vetëm për shkelje të zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe në lidhje me qumështin e çajin e përdorur në çerdhe, kopshte e konviktin e shkollave të mesme. Në një material që prokuroria e disponon thuhet se: “Llogaritja e fondit limit për artikujt “qumësht dhe çaj” është bërë në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 1, datë 01.01.1996, kap. 1, pika 3, “Për çmimet e parapublikuara, caktimi i fondit limit të bëhet në mbështetje të përvojës së mëparshme të entit prokurues”, kjo për faktin se për këto artikuj çmimet për njësi të ishin respektivisht 58 lekë/kg dhe 800 lekë/kg, çmime të ofertave të vitit 2003 dhe jo 60 lekë/kg dhe 1000 lekë/kg, çmime këto që ka aplikuar Bashkia e Burrelit”.
"Korrieri"
Ps....Ja dhe ketu duhet te vjedhin,edhe te femijet....ja qeveria dhe padrejtesite dhe vjedhjet e saj,ne kurriz te femijeve dhe te popullit.
Krijoni Kontakt