Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    automotive Maska e ClaY_MorE
    Anëtarësuar
    16-05-2004
    Vendndodhja
    Deutschland
    Postime
    4,456

    Lajmet më të çuditshme të vitit 2007!

    Një drekë te Gorbaçovët? 160 mijë USD

    Një çift amerikan pagoi 160 mijë dollarë për të ngrënë një drekë me ish-presidentin sovjetik, Mikhail Gorbaçov, në shtëpinë e tij. Gjatë një ankandi të organizuar më 2 qershor në Londër kishte një ofertë: një drekë me familjen Gorbaçov në Moskë. Një çift amerikan pagoi 160000 dollarë. "Çfarë të bëjmë, do të nxjerrim lakër, harenga dhe votkë", gjellët tradicionale ruse, deklaroi Mikhail Gorbaçov. Ankandi në Londër u organizua nga Fondacioni Raisa Gorbaçov, sipas emrit të bashkëshortes së Gorbaçovit, që vdiq në 1999 pas një kanceri, për të ndihmuar fëmijët e prekur nga kanceri. Katër milionë dollarët e mbledhur gjatë këtij ankandi do të ndahen meS dy qendrave onkologjike për fëmijët në Moskë dhe Shën Petersburg (veriperëndim).


    Gjobë kirurgut, piu cigare gjatë operimit

    Një mjek urolog italian u dënua me 4500 euro gjobë pasi piu cigare ndërsa ndodhej në sallën e operacionit në spitalin e Pescias, në Toskana (qendër), njoftoi agjencia ANSA. Janarin e kaluar, mjeku ishte kapur në befasi duke pirë duhan në sallën e operacionit nga disa karabinierë që po bënin një kontroll sanitar. Ata i vunë një gjobë prej 55 eurosh, pasi kishte shkelur rregulllin e ndalimit të duhanit në një vend publik. Gjykata hapi më pas një proces kundër mjekut, i akuzuar se kishte dëmtuar imazhin e institucioneve të shëndetit publik, në përfundim të të cilit ai u dënua t‘u paguajë 4500 euro gjobë sigurimeve shoqërore.


    Cila fjalë përmbledh shekullin XX? 11 Shtatori

    Cila frazë përmbledh deri tani shekullin XXI? Për një në katër persona, përgjigjja është "11 Shtatori". Sondazhi u krye për të përkujtuar publikimin e "Raportit të gjuhës" të Susie Dent, përmbledhja vjetore për fjalët e reja që futen në gjuhën angleze. "Fuqia e shprehjes ‘11 Shtatori‘ është se do të përdoret gjithmonë si shenjë stenografie për të përcaktuar një moment të vetëm në kohë", tha Dent për sulmet e 11 Shtatorit kundër SHBA-së. "Kjo shprehje shfaq në mënyrë të përkryer sesi historia mund të konservohet në një fjalë apo shprehje të vetme", shtoi Dent.


    Britanikët: Euro në bazat ushtarake në Qipro

    Britania e Madhe e ka kot që tregohet skeptike lidhur me monedhën unike evropiane, pasi bazat e saj ushtarake sovrane në Qipro do të miratojnë monedhën e përbashkët më 1 janar, me hyrjen e ishullit mesdhetar në zonën euro. Në mënyrë ironike, këto baza ushtarake nuk bëjnë pjesë zyrtarisht në Bashkimin Evropian, edhe pse pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar ka hyrë në organizatë në 1973. Por bazat ushtarake në Dhekelia dhe Episkopi-Akrotiri, që mbulojnë një sipërfaqe prej 255 km2, do të fusin përdorimin e euros më 1 janar. "Jemi plotësisht gati, një numër i madh personash e kanë përdorur më parë në Gjermani, pra përdorimi i euros nuk do të jetë një shok", deklaroi zëdhënësi i forcave britanike në Qipro, kapiteni Nik Ulvert. Afro 10000 qipriotë banojnë në bazat britanike dhe mund të përfitojnë atje nga plazhet, restorantet dhe kafenetë. Përdorimi i monedhave të ndryshme do të kishte qenë një telash i madh, sipas ushtarakut. Të gjitha çmimet e prodhimeve dhe shërbimeve janë afishuar aktualisht në euro dhe në paundë qipriotë, si në pjesën tjetër të ishullit. Qiproja fitoi në 1960 pavarësinë, por Britania e Madhe ka ruajtur aty dy baza ushtarake sovrane.


    Krishtlindje para kohe në një qytet amerikan

    Banorët e një qyteti të vogël pranë liqenit Erie, në verilindje të SHBA-së, morën një dhuratë para kohe për Krishtlindje: një donacion anonim prej 100 milionë dollarësh. Donatori, që u identifikua si një "mik anonim", ia bërë këtë dhuratë një fondacioni ku bëjnë pjesë disa shoqata bamirësie të qytetit të vogël të Eries, sipas "Pittsburgh Tribune-Review". Dhuruesi nuk dha asnjë të udhëzim për mënyrën sesi duhen shpenzuar paratë, ndërkohë që sipas shtypit lokal, ndër përfituesit e kësaj dhurate bujare do të jenë një bankë ushqimore për të pastrehët, një qendër pritjeje për gratë dhe një shoqatë në ndihmë të verbërve.


    Një gjerman... drejt e në gojën e ujkut

    Një polic gjerman, që ndiqte prej disa muajsh një të kërkuar, e përfundoi me sukses hetimin falë një aksidenti rrugor: i kërkuari u përplas rastësisht me makinën e policit në Këln. "E njihja këtë fytyrë, por nuk arrija të kujtoja se nga e njihja", shpjegoi polici, i cili kishte parë vetëm një fotografi të të dyshuarit, mbi të cilin hetonte që në verë, bashkë me zyrtarë të tjerë të policisë në të gjithë vendin. Keqbërësi 27-vjeçar, arratia e të cilit mori fund në një kryqëzim në qendër të qytetit të Këlnit, kërkohej në të gjithë Gjermaninë. Ai akuzohet ndër të tjera së ka përdorur një pasaportë portugeze të falsifikuar për të tërhequr para nga një llogari që nuk ishte në emër të tij.


    Ora e ish-gruas së Bonapartit, 900 mijë euro

    Një orë e perandoreshës Josefine u shit për 1505000 franga zvicerane (913.810 euro) gjatë një ankandi në Gjenevë, njoftoi shoqëria Christie‘s. Kjo shumë është sa 7 herë vlerësimi fillestar prej 200 000 frangash zvicerane i bërë nga shoqëria e shitjeve në ankand. Blerësi nuk u bë i ditur. E realizuar në 1800 me flori, diamant dhe smalt, objekti me ngjyrë blu të errët është një nga mostrat e para të "orave me prekje", e shpikur nga Abraham Louis Breguet rreth viteve 1790. Ky sistem mundësonte të lexohej ora me një të prekur të thjeshtë, për të shmangur nxjerrjen e orës nga xhepi për mirësjellje. Sipas shtëpisë Breguet, fusha e orës u porosit në 1799 nga Josefine për 3 000 franga. Në 1804, pak pas kurorëzimit të Napoleonit, medaljoni u zbukurua me diamante dhe më pas u zbukurua me një kurorë. Josefine ia ofroi më pas orën të bijës, Hortense de Beauharnais dhe kapaku u gdhend me një "H" me gurë xhevahiri. Josefine de Beauharnais (1763-1814) u martua me gjeneralin Bonapart në 1796, por u nda në 1809, pasi nuk lindi dot një trashëgimtar


    Kur shefi i opozitës "ngjan" si hidraulik

    Shefi i opozitës konservatore britanike u ndie i vlerësuar fillimisht kur modelja, Kate Moss i kërkoi numrin e telefonit, përpara se të kuptonte që ajo e kishte ngatërruar me një hidraulik. David Cameron u shpreh për televizionin "ITV1", se ishte takuar me top modelen gjatë një evenimenti bamirësie. Për një arsye që ai nuk e shpjegon, biseda kishte vazhduar rreth dëmeve të shkaktuara nga uji në shtëpinë e politikanit. "Dhe vazhdova më pas të flas e flas kur ajo më tha: ‘Zot, ju dukeni si dikush që mund të jeni tepër i dobishëm, mund të kem numrin tuaj të telefonit?‘ Kur u riktheva në tavolinë tek të ftuarit e tjerë, u thashë: kam një lajm të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë është se takova Kate Moss dhe më kërkoi numrin e telefonit. Lajmi i keq, mendoj se ajo beson që unë kam të bëjë me profesionin e hidraulikut".


    Hetime për Babagjyshin: Ku e ka shtëpinë?

    Qeveria e Kirgistanit urdhëroi nisjen e një hetimi për të vërtetuar se babagjyshi i Vitit të Ri banon në këtë republikë të vogël të Azisë Qendrore, pas një raporti bërë publik këtë javë në Suedi dhe për të zgjidhur në këtë mënyrë një nga enigmat e fundit në botë. "Agjencia shtetërore e Turizmit ka qenë gjithnjë e bindur se babagjyshi i Vitit të Ri banonte pranë nesh dhe së fundmi shkencëtarët suedeze e kanë vërtetuar këtë fakt", deklaroi kryehetuesi i Agjencisë shtetërore për Turizmin, Akbar Djigitov. "Një punë e madhe na pret, pasi Kirgistani e ka përzemër të njihet si shtëpia e vërtetë e babagjyshit të Vitit të Ri", shtoi ai, duke këmbëngulur mbi rëndësinë e këtij operacioni. Kirgizët kanë afat deri më 20 dhjetor për të dërguar çdo dokument, që mund të ketë lidhje me vendbanimin e babagjyshit të Vitit të Ri, një operacion kërkimor që parashikohet tepër i vështirë në këtë vend me terren të thyer malor ku në mjaft fshatra është e vështirë të futesh në dimër. "Për një kohë të gjatë, mendohej se babagjyshi i Vitit të Ri banonte në Polin e Veriut, por tani e dimë se për të përmbushur detyrën dhe për t‘i thënë "Gëzuar" gjithë botës, ai duhet të nisë turneun në Kirgistan", kujtoi nga ana e tij drejtori i Agjencisë kirgize për Turizmin, Turusbek Mamachov. Një studim i shoqërisë së këshilltarëve inxhinierë Sweco zbuloi javën e kaluar se babagjyshi i Vitit të Ri duhej të përshkonte Tokën për 5800 kilometra në sekondë dhe të bënte 2,5 miliardë ndalesa në mënyrë që të gjithë fëmijët e botës të merrnin dhurata. Shkencëtarët suedeze vërtetuan se vetëm duke u nisur nga Kirgistani babagjyshi i Vitit të Ri mund të kryente të gjitha zhvendosjen në mënyrë optimale dhe do të humbiste më pak kohë. Një çmim, padyshim në dhuratë, do të jepet për atë që do të gjejë shtëpinë e babagjyshit të Vitit të Ri, i njohur në Kirgistan me pseudonimin "babagjyshi Akull"


    Prifti vret veten: Rikthehem pas 2 ditësh

    Një prift hindu, në Indinë Qendrore, vrau veten me premtimin se do të rikthehej në jetë pas dy ditëve, njoftoi policia. Manoxh Bagel, i përshkruar si njeri tepër i dhënë pas fesë, u helmua në prani të një turme të vogël njerëzish në një tempull në Raigar, në shtetin Çatisgar. Ai u dërgua në spital, por vdiq menjëherë pas mbërritjes atje. Policia regjistroi vdekjen si vetëvrasje, por nuk mundi ta marrë trupin e 25-vjeçarit, pasi ithtarët e tij kishin këmbëngulur në kthimin e trupit të viktimës në tempull për të parë se çfarë do të ndodhë pas dy ditësh.


    Bashkia punëson shoferë ... pa patenta

    Bashkia e Palermos ka punësuar "110 shoferë autobusësh", por që nuk janë të pajisur me patentë. "Tani për tani me ta nuk mund të bëhet gjë. Për sa kohë që ata nuk do të marrin patentën ata do të paguhen‘‘, shpjegoi bashkia, që i punësoi këta persona në prag të zgjedhjeve bashkiake.


    Kalimtarët e dehur, më shumë aksidente

    Në Lima, këmbësorët në gjendje të dehur shkaktojnë dy herë më shumë aksidente vdekjeprurëse se shoferët e bërë tapë, thekson një raport i policisë. Në kryeqytetin peruan, ku qarkullimi është i rënduar dhe i rrezikshëm, gjysma e shoferëve të taksive kanë patenta false. Ndërsa këmbësorët, edhe kur nuk kanë pirë, pa menduar për jetën e tyre, kapërcejnë rrugët ku lejohet që makinat të udhëtojnë me shpejtësi, edhe në autostrada.


    Kërkon divorcin për ... një program në TV

    Një saudit kërkoi divorcin pas kapi të shoqen duke ndjekur në televizion një program që drejtohej nga një burrë. Burri mbështet doktrinën shumë strikte të Islamit, që ndalon gruan të qëndrojë vetëm me një burrë që nuk është anëtar i afërt i familjes.


    Arkë kursimi që shpërthen, po s‘e mbushe

    Një prodhues lodrash japoneze ka shpikur një kumbara kursimi që shpërthen dhe i shpërndan të gjitha monedhat nëse pronari i saj harron ta mbushë brenda një kohe të caktuar. "Bomba kumbara" është e destinuar t‘i detyrojë përdoruesit e saj të kursejnë, thotë krijuesi i saj, Takara Tomy.


    Nuk i duronte erën, ndahet nga i shoqi

    Një egjiptiane, që nuk e duronte dot më "erën kundërbuese" të të shoqit, arsimtar, 39 vjeç, arriti të merrte divorcin pasi bindi një gjykatë për kalvarin e saj të përditshëm. Megjithë këmbënguljen e bashkëshortes, burri refuzonte me këmbëngulje të lahej, duke bojkotuar sapunin dhe furçën e dhëmbëve.


    Ha mish qeni në formë proteste

    Një artist britanik hëngri në transmetim direkt në një radio londineze një qen të rracës Korxhi, raca e preferuar e mbretëreshës Elisabeta II, për të protestuar kundër vrasjes së dhunshme në janar të një dhelpre nga një grup gjuetarësh, përfshi edhe bashkëshortin e sovranes, princin Filip. Mark McGowan, i njohur për këto praktika, pasi gjatë një performance të mëparshme artistike kishte ngrënë një mjellmë, hëngri në shoqërinë e Yoko Onos, vejushës së ish- Beatls-it, John Lennon, një qen që kishte ngordhur në një qendër kafshësh, dhe saktësoi se kishte një shije "me të vërtetë shumë, shumë të neveritshme". "Disave mund t‘ju duket ky gjest tronditës dhe pa shije, por unë po e bëj për të ndërgjegjësuar njerëzit për paaftësinë e Shoqërisë Mbretërore për Parandalimin e Mizorive ndaj Kafshëve (RSPCA) për të paditur princin Filip dhe miqtë e tij pasi kishin qëlluar mbi një dhelpër në fillim të vitit dhe e kishin lënë të përpëlitej për pesë minuta, përpara se ta qëllonin me shkop deri sa të ngordhte", deklaroi artisti. RSCPA, e ngarkuar me paditjen dhe ndjekjen e autorëve të dhunës ndaj kafshëve, njoftoi se nuk kishte "asnjë provë" për një keqtrajtim të mundshëm të dhelprës, "ndërsa autopsia kishte zbuluar se kafsha kishte ngordhur pasi ishte qëlluar me plumb dhe nuk kishte as trauma dhe as plagë në trup". Mbretëresha e Anglisë ka patur më shumë se 30 qenë të racës Korxhi që pas ardhjes së saj në fron në 1952, ndërsa aktualisht ka katër të tillë.


    Makinisti, pasagjerëve: ta shtyjmë trenin

    Qindra pasagjerëve të një treni në Indi iu kërkua shumë më tepër nga sa mund të mendohet, kur makinisti u tha të zbrisnin dhe të shtynin trenin. U desh më shumë se gjysmë ore për të lëvizur 4 metra trenin elektrik që kishte ngecur në vend, në mënyrë që të bënte kontaktin me telat ajrorë dhe të fillonte sërish udhëtimin, thanë zyrtarët. Incidenti ndodhi në shtetin lindor të Biharit, pasi një pasagjer tërhoqi zinxhirin e emergjencës dhe e ndaloi trenin në një zonë "neutrale", në një pjesë të shkurtër të trasesë, ku mungonte energjia në telat ajrorë. "Në kaq shumë vjet shërbim në hekurudhë, nuk kam ndeshur kurrë në një incident të tillë, kaq të çuditshëm", tha zëdhënësi i Hekurudhës Indiane, Kumar Jha. Shpejtësia e një treni i lejon atij zakonisht të vazhdojë udhëtimin edhe në zonat neutrale. Rrjeti hekurudhor indian transporton më shumë se 15 milionë njerëz në ditë, më shumë se popullsia e Norvegjisë dhe Suedisë së bashku, por siguria e tij le shpesh vend për kritika.


    Makina e Papës, në shitje për bamirësi

    Për herë të dytë në dy vjet, një makinë që më parë i përkiste papës Benedikti XVI, është në shitje. Në maj 2005, kazinoja e Teksasit "Golden Palace" i pagoi 250000 dollarë një 21-vjeçari gjerman për makinën "Volkswagen Golf", prodhim i vitit 1999, ngjyrë gri dhe tani e shet atë për bamirësi. Kazinoja tha se do t‘i dhurojë të ardhurat e ankandit, që filloi në fundjavë, filialit britanik të organizatës së ndihmave "Habitat for Humanity".


    Prishin muret e tualetit për ta nxjerrë

    Një grua, e cila peshonte 318 kilogram, u arrit të nxirrej nga tualeti nga zjarrfikësit, pasi këta të fundit hoqën një mur të jashtëm si edhe një dritare, njoftoi një zyrtar i zjarrfikësve. Gruaja, e identifikuar si Patty Brown, telefonoi shërbimet e emergjencës në Trenton, Nju Xhersi, pasi u rrëzua në tualet dhe nuk ishte në gjendje të ngrihej. Shërbimi mjekësor nuk arriti ta lëvizte, kështu që thirri në ndihmë zjarrfikësit, të cilët dërguan 25 persona për t‘i ardhur në ndihmë gruas.


    Kishte shumë fëmijë, e pushojnë nga puna

    Partia Komuniste e Kinës, e cila ka pushtetin në vendin e madh aziatik, pushoi nga puna një zyrtar lokal pasi ai kishte shumë fëmijë, çka do të thotë se ka shkelur rëndë politikat kombëtare për planifikimin familjar, njoftoi një gazetë. Qin Huaiwen, i cili drejtonte një zyrë ndërtimesh në provincën Shanxi, kishte tre vajza me bashkëshorten e tij si edhe një djalë dhe një vajzë me të dashurën, shtoi gazeta "Beijing News". Shumica e çifteve në zonat urbane në Kinë lejohen të kenë vetëm një fëmijë.


    Kryeministri, rrogë 5 herë më shumë se Bush

    Kryeministri i Singaporit, Li Hsien Lung, do të marrë një pagë sa pesëfishi i asaj të presidentit Bush, pas rritjes së saj në 2,05 milionë dollarë në vit. Një ministër i deklaroi Parlamentit se edhe ministrat e tjerë të qeverisë së Singaporit, të cilët janë më të paguarit në botë, do të shkojnë në 1,26 milion dollarë në vit. Li Hsien Lung deklaroi muajin e kaluar se pagat e ministrave dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë do të rriteshin ndjeshëm, pasi ato ishin shumë poshtë nivelit të pagave në sektorin privat. Njoftimi i kryeministrit shkaktoi irritim të madh, që solli peticione të shumta dhe kryeartikuj kritikë gazetash kundër këtij vendimi.


    Gazeta Shqip
    Ndryshuar për herë të fundit nga ClaY_MorE : 30-12-2007 më 06:33
    Jeta ime, mban emrin e saj..

  2. #2
    automotive Maska e ClaY_MorE
    Anëtarësuar
    16-05-2004
    Vendndodhja
    Deutschland
    Postime
    4,456
    Zhduket plaka, policia e gjen poshtë shtratit

    Policia daneze nuk la vend pa e kërkuar dy javë rresht një tetëdhjetëvjeçare, e cila gjatë gjithë kësaj kohe "pushonte" e vdekur poshtë shtratit të saj. "Shkuam disa herë në shtëpinë e saj dhe mendonim se kishim bërë kontroll të imtësishëm. Krenaria jonë profesionale mori një goditje", pranoi Niels Moeller i policisë së Gentofte-s, në veri të Kopenhagës, për kanalin televiziv TV2Lorry. Policia nuk i kurseu mjetet e kërkimit, duke përdorur helikopterë, duke u bërë thirrje zhytësve, duke organizuar kërkime me qen, njofton media daneze. Gruaja 82-vjçare, e cila ishte zhdukur më 22 mars, kishte vrarë veten.


    Prodi, më i varfri ndër politikanët italianë

    Kryeministri italian, Romano Prodi është një nga më të varfërit e politikës italiane, madje edhe zëdhënësi i tij fitoi më shumë se ai në vitin 2005. Prodi, i cili shpenzoi kohën më të madhe të 2005-s në fushatë, pati vetëm 89 514 euro të ardhura. Mesatarisht, ko shumë është më e vogël se taksat që Berluskoni paguan në një javë. Ndërkohë, Berluskoni fitoi 313 herë më shumë se Prodi, thënë ndryshe 27 905 205 euro.


    Popullsia kineze ka vetëm 100 mbiemra bazë

    Pothuajse 85 për qind e popullsisë kineze kanë vetëm 100 mbiemra, ku Wang, që fjalë për fjalë do të thotë "mbret", është mbiemri më i përhapur, njoftoi agjencia e lajmeve Hsinhua. Ka 93 milion persona në Kinë me mbiemrin Wang, të ndjekur nga 92 milionë të tjerë me mbiemrin Li dhe 88 milionë të quajtur Zhang, njoftoi Hsinhua, duke cituar një raport të ri të nxjerrë nga Ministria e Sigurisë Publike. Shtatë mbiemra të tjerë të zakonshëm, përfshirë Chen, Zhou dhe Lin, kanë të paktën 20 milionë pjesëtarë për secilin, shtoi agjencia. Mbiemrat e familjeve kineze e kanë origjinën mijëra vite më parë dhe njerëzit kanë zakonisht një lidhje të ngushtë me ata që kanë të njëjtin mbiemër. Por ekzistojnë disa mbiemra që përdoren nga pak njerëz, të tilla si Guo, që do të thotë "kryqëzim", dhe Mu, që do të thotë "nënë".


    Urinonte në lavaman, dentisti shpallet fajtor

    Një dentist britanik u shpall fajtor pasi dyshohej se urinonte në lavamanin ku kryente operacionet dhe përdorte mjetet dentare për të pastruar thonjtë, apo veshët e tij. Një gjykatë mjekësore deklaroi se ishte e kënaqur që faktet provuan se dentisti 51-vjeçar Alan Hutchinson, i cili "zakonisht" nuk përdorte doreza dhe nuk lante duart pas dhe gjatë punës, kishte rrezikuar "shëndetin e tij, të personelit të klinikës dhe të pacientëve" për më shumë se 28 vjet me radhë. Një infermiere, e cila punonte për Hutchinson prej 16 vjetësh, tha se më shumë se një herë kishte parë dentistin të urinonte në lavaman. Një seancë tjetër gjyqësore do të vendosë nëse "veset e papastra" të dentistit kishin ndikuar negativisht në aftësitë e tij për të trajtuar pacientët dhe nëse kjo provohet, atëherë ai nuk do të lejohet të ushtrojë profesionin e mjekut stomatolog.


    Një mysliman: Poligamia nuk është shaka

    Një saudit humbi një copë të hundës pasi ra pre e një sulmi fizik nga dy bashkëshortet e tij, të cilat i kërcënoi me shaka se do të martohej me një grua të tretë. Judaie Ibn Salem kishte menduar se "shakaja e tij pa kripë" do të ndikonte për të zgjidhur një mosmarrëveshje lidhur me ndarjen e shtëpisë midis dy bashkëshorteve. "U betova se do të martohesha sërish... pasi ato po tregoheshin të pasjellshme, por u gjenda përballë një sulmi më të furishëm", u shpreh Ibn Salem për gazetën "Shams", pasi i bëri shtatë qepje hundës në spital. "Nuk ma mori mendja se ato do të reagonin ashtu. Por, tani e vetmja mënyrë për të rifituar dinjitetin tim është që të martohem me të vërtetë me një grua të tretë. Tashmë nuk humb asgjë nëse veproj në këtë mënyrë", tha ai. Ligji islamik lejon burrat të martohen deri me katër gra dhe poligamia nuk është diçka e pazakontë në mbretërinë konservatore të Arabisë Saudite, vendlindja e Islamit.


    Një algjeriane lind ... 7 fëmijë

    Një algjeriane ka lindur shtatë bebe në një spital publik në Algjer, deklaroi një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë. Nëna lindi një djalë dhe gjashtë vajza në spitalin publik Kouba, deklaroi Slim Belkassem për agjencinë Reuters. "Nëna është në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo tregon aftësinë e mjekëve algjerianë dhe jemi të kënaqur me këtë ngjarje", deklaroi ai.


    Nuk sjell pajë të bollshme, burgoset nusja

    Policia në Indi liroi një 40-vjeçare, e cila prej 15 vjetësh mbahej e burgosur nga familja e bashkëshortit në një dhomë të errët, sepse ajo nuk kishte sjellë pajë apo të holla të mjaftueshme kur ishte martuar. Policia deklaroi se gruaja e quajtur Madhavi Das ishte e zhveshur dhe e mbyllur në një dhomë, kur policia ushtroi një kontroll në shtëpi, pas sinjalizimeve të komshinjve. "Ajo u dërgua në një spital psikiatrik pasi vitet e gjata të vetmisë dhe izolimit kishin ndikuar në shëndetin e saj mendor", deklaroi Siddhi Nath Gupta, një oficer i lartë i policisë. Tre anëtarë të familjes, përfshi edhe bashkëshortin e saj, u arrestuan. Forma më e zakonshme e dhunës në familje në Indi ka të bëjë me pajën, ku gratë rrihen dhe keqtrajtohen në mënyrat më të ndryshme, madje vriten nga të afërmit e tyre, për shkak se një pjesë e tyre nuk janë në gjendje të sjellin dhurata apo të holla të mjaftueshme për bashkëshortët, apo familjet e tyre me rastin e martesës.


    Rrahu një prej 107 grave të tij, dënohet

    Një indonezian 74 vjeç i njohur për martesën e tij me 107 gra, u dënua me burg pasi qëlloi njërën prej tyre, për të cilën dyshonte se nuk i qëndronte besnike, bëri të ditur shtypi në Xhakarta. Viktima deklaroi se ishte goditur nga bashkëshorti poligam, Abdurahman, që kishte reaguar në prani edhe të tre grave të tjera, saktësoi e përditshmja "Koran Tempo". Ngjarja ndodhi në ishullin Java, me shumicë myslimane. Poligamia është një praktikë e përhapur në Indonezi, vendi më i madh mysliman në botë, edhe pse statistikat mungojnë.


    Pjesë të "Titanikut" shndërrohen në orë luksoze

    Çelik dhe karbon nga anija e famshme "Titanik" do të tranformohen në një linjë të re orash dore luksoze, që "do të pretendojnë" të shfaqin esencën e transoqeanikut legjendar, që u fundos më 1912. Prodhuesi i njohur zviceran i orëve "Romain Jerome SA" ka nxjerrë në shitje koleksionin e orëve "Titanic-DNA". "Kjo orë është shumë luksoze dhe e paarritshme", thotë Yvan Arpa, shef ekzekutiv i kompanisë "Romain Jerome SA". Kjo kompani do të prodhojë 2012 ora të tilla, që përket me 100-vjetorin e mbytjes së anijes, në vitin 2012. Një orë e tillë kushton mes 7800 dhe 173000 dollarë.


    Feston lakuriq ditëlindjen e ... Hitlerit

    Një kanadez u arrestua pasi shëtiti lakuriq me një kryq të thyer të vendosur në trupin e tij për të festuar ditëlindjen e Adolf Hitlerit, njoftoi policia kanadeze. Policia u thirr në skenën e ngjarjes nga qytetarët, ndërkohë që njeriu lakuriq u thoshte atyre se po festonte ditëlindjen e Hitlerit. Ai u arrestua dhe iu nënshtrua një kontrolli psikiatrik.


    40-vjeçarja, not nudo në Fontanën e Trevit

    Një nëpunëse 40-vjeçare notoi nudo përballë një turme turistësh në fontanën Trevi, një nga kryeveprat e Rilindjes italiane. "Uji është i të gjithëve. Kisha vapë", tha Roberta, e cila nuk e tregoi mbiemrin, ndërkohë që fotografia e saj ishte në gazetat kryesore italiane të ditës. Të notuarit në shatërvan është i ndaluar dhe milanezja Roberta do të gjobitet rëndë për vepra të turpshme në publik.



    7,1 milionë USD për një gjerdan me perla

    Një gjerdan me perla natyrale, që më parë i përkiste një maharaxhahu, u shit në shtëpinë e njohur të ankandeve "Christie‘s" 7,1 milion dollarë, më shumë se dyfishi i rekordit botëror për çdo bizhuteri me perla natyrale, njoftuan burime të ndryshme. Shtëpia e ankandeve deklaroi se blerësi i gjerdanit me perla "Baroda", që dikur i përkiste maharaxhahut Kande Rao i Barodës, ishte një koleksionues privat aziatik, që blerjen e kreu me telefon. Shitja në ankand e këtij gjerdani u bë për vetëm tre minuta.


    Nëse do paguhej, 138 mijë USD një kryefamiljareje

    Nëse do të paguhej, një kryefamiljare duhej të merrte një pagë prej 138 095 dollarësh në vit për të gjitha orët që kalon duke kryer funksione të tilla që nga kuzhiniere deri te psikologe, mësohet nga një studim amerikan i publikuar së fundi. Paga mesatare vjetore, gjithashtu e hamendësuar e një nëne në familje, është rritur në vitin 2007 me 4 000 dollarë, ose 3 për qind në krahasim me vitin 2006, tregon studimi i institutit studimor amerikan Salary.com, që bazohet në intervistat e 40000 nënave. Nënat në familje, numri i fëmijëve nuk është përcaktuar, punojnë 92 orë në javë, prej të cilave 40 orët e përcaktuara nga kodi i punës dhe 52 orë shtesë, që teorikisht paguhen më shtrenjtë. "Nënat bëjnë detyra të shumëllojshme dhe rrallëherë bëjnë pushim, duke punuar mesatarisht 52 orë shtesë çdo javë", deklaroi Bill Coleman, zëvendëspresident i Salary.com. Jo më pak se dhjetë profesione përputhen me punën shumë të ndryshme të një nëne në familje dhe janë vlerësuar në studim: punëtore shtëpie, ndihmëse të nënave, kuzhiniere, teknike makinash larëse, portiere, operatore kompjuterash, administratore në një ndërtesë, shofere, presidente drejtore e përgjithshme dhe psikologe. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, një zyrtare marketingu fiton mesatarisht 89 200 dollarë në vit dhe një përfaqësuese tregtare 62 500 dollarë, bën të ditur Salary.com.


    Tavolina më e gjatë në botë 1,2 kilometra

    Tavolina më e gjatë e restorantit në botë, me rreth 1,2 kilometra, u vendos në një arterie tregtare të Vjenës, njoftuan organizatorët. Në 600 tavolina me mbulesa të vendosura njëra pas tjetrës, 30 specialistë të kulturës së tavolinës kishin vendosur 1 800 mbulesa me dekoracione, me një peshë të përgjithshme prej pesë tonësh. Me një gjatësi prej 1 175 metrash, organizatorët parashikojnë kështu të thyejnë rekordin e librit Gines, i përcaktuar tashmë në Austri, në Scharding në vitin 2006. "Eshtë fjala të reklamohet sektori i arteve të tavolinës austriake", njoftoi zëdhënësja Anita Koniger.


    Merr kokën e nënës së vrarë në kafe-internet

    Një 17-vjeçar, i dyshuar për vrasjen dhe prerjen e kokës së nënës së tij, shkoi më pas në një internet-kafe, me kokën në një çantë shkolle, dhe pa një DVD muzikore, përpara se të dorëzohej në polici. Adoleshenti, i arrestuar me dyshimin për vrasje, kaloi dy orë në internet-kafe dhe më pas mori një taksi për të shkuar në një rajon policie. Oficerët e policisë gjetën edhe një trup pa kokë në shtëpinë e tij. Adoleshenti deklaroi në polici se e kishte vrarë nënën e tij ndërkohë që ajo flinte.


    Të shprehësh dashurinë përmes një ... bombe

    Një australiane ishte e dashuruar aq çmendurisht saqë planifikon një atentat me bombë për t‘i vërtetuar ndjenjat personit me të cilin donte të martohej, mësohet nga burime policore. Jill Courtney, 27 vjeç, ishte e fiksuar pas Hussan Kalache, 28 vjeç. Emri i tij është bërë tatuazh në pjesë të ndryshme të trupit të saj. Kur ai i thotë se do të martohej me të nëse ai kryente një mision, e dashuruara nuk nguron. Ajo informohet pranë disa ekspertëve në prodhimin e bombave, blen materialet e duhura dhe vendos bombën pranë një makine në mes të Sidnejt, saktësohet në një raport të policisë para gjykatës. Në apartamentin e të dashuruarës u zbulua një detonator, produkte që shërbenin për prodhimin e lëndës shpërthyese, një paruke si dhe një listë të detajuar për misionin: "Të shkosh në vendngjarje, të instalosh bombën, të largohesh me makinën e marrë me qera, të ndërrosh veshje, paruke, të kthehesh në shtëpi.


    Gjendet i vdekur në shtrat pas 7 vitesh

    Trupi i dekompozuar i një gjermani u gjet në shtatin e tij pas afro shtatë vjetësh, njoftoi policia në qytetin perëndimor Essen. Policia bëri të ditur nëpërmjet një deklarate se burri ishte 59-vjeçar dhe i papunësuar në kohën e vdekjes. Ai mund të ketë vdekur nga shkaqe natyrore më 30 nëntor të vitit 2000, data kur ai mori një letër nga zyra e ndihmës sociale e gjetur në apartamentin e tij, deklaroi policia. Pranë shtratit të të vdekurit policia gjeti cigare dhe monedha të markës gjermane, që doli jashtë qarkullimit pas futjes së euros në vitin 2002. Apartamenti i burrit ishte në një ndërtesë me zyra dhe apartamente, pjesa më e madhe e të cilave janë bosh. "Askush nuk ia ndjeu mungesën. Nuk është paraqitur asnjëherë ndonjë lajmërim për një person të humbur", deklaroi policia.


    I përpiktë në punë, 14 mijë USD një kopshtari

    Sundimtari i Dubait i dha një kopshtari pakistanez 63-vjeçar një shpërblim prej 50 000 dirhmas (13 600 dollarë), pasi kishte qenë gjithmonë i përpiktë në orar gjatë 28 vjetëve punë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shpërblimi që mori Mohammad Nazier ishte i barabartë me 49 rroga mujore që ai merr në punën e tij në bashkinë e shtetit në këtë vend të Gjirit Persik, njoftoi gazeta "Emirates Today". "Më është dashur të marr borxh për të paguar për martesat dhe arsimimin e fëmijëve të mi. Tani do të shlyej borxhet dhe do të ruaj pak para për të ardhmen", deklaroi Nazier, i cili kishte marrë vetëm një herë një raport mjekësor për t‘iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. "Ky shpërblim është shumë domethënës për mua. E mora falë mirësisë së Zotit", deklaroi Nazier, një ish-ushtar.


    Gazeta Shqip
    Jeta ime, mban emrin e saj..

Tema të Ngjashme

  1. Lajme të përditshme nga Kosova
    Nga Qendi në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 230
    Postimi i Fundit: 09-10-2016, 18:40
  2. Cilat jane shijet tuaja te cuditshme
    Nga dardajan në forumin Kuzhina shqiptare dhe e huaj
    Përgjigje: 182
    Postimi i Fundit: 02-04-2012, 09:44
  3. Si mendoni; lajmet perdorin prapaganda apo jo?
    Nga s0ni në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 26-11-2011, 15:45
  4. “Trishtimi që më japin lajmet për zhdukje fëmijësh”
    Nga Genti^Itali në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-06-2004, 09:11
  5. Bashkëjetesë e çuditshme në Ishull-Lezhë.
    Nga Beqari002 në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 21-02-2003, 03:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •