Një copëz Çamërie në dokumentarin francez
Jeta dhe vepra e Bernar Lorta Zhakobit është si një enciklopedi në të cilën do t’i duhej të zhytej kujtdo që do të njihej me të, ndonëse në Shqipëri do të mjaftonte tragjedia çame që etnomuzikologu francez të bëhej i njohur.
Çështja e popullit çam, kalvari i vuajtjeve të tyre dhe kultura tradicionale në fushën e këngës e muzikës polifonike, do të ishin tërheqje e dukshme për këdo. Të gjitha këto shërbyen si nxitje për Lorta Zhakobin dhe kjo i mjaftoi këtij francezi të dashuruar më polifoninë shqiptare që më në fund të realizonte një film dokumentar. Filmin dokumentar “Këngë të një vendi të humbur” që trajton çështjen e dhimbshme çame, të parin e këtij lloji, ka pasur mundësinë ta shohë më në fund edhe publiku shqiptar në kinemanë e Muzeut Historik Kombëtar.
Filmi i realizuar nga Zhakob, nuk është fryt i një kineasti të madh, por përpjekje e një njohësi dhe adhuruesi të kulturës dhe traditës muzikore të një populli ballkanas.
Bernar Lorta Zhakob është njohur me historinë e dhimbshme çame, duke projektuar këtë realizim shumë më parë se ai të konkretizohej. “Unë nuk jam historian, - thotë ai, - por pavarësisht kësaj, me anë të leximeve e kërkimeve që kam bërë, jam njohur me këtë histori, e gjithashtu me traditën muzikore të këtij populli”.
Dhe kjo ka qenë edhe ajo që i ka dhënë shtytjen themelore, muzika e kënga polifonike çame. “Kjo ishte dëshira ime, - pohon etnomuzikologu francez, - dhe përveç kësaj, asgjë nuk mund të bëhej pengesë në këtë rrugë që ka si qëllim njohjen e traditës kulturore çame.”
Pikërisht muzika është edhe themelore në këtë dokumentar. “Jam munduar të sjell sa më reale, ashtu siç edhe është në të vërtetë, kulturën e këtij populli. Ajo që unë trajtoj këtu është identiteti i njeriut dhe tradita muzikore e përcjellë prej tij brez pas brezi”, - thekson realizuesi i filmit.
Filmi dokumentar i autorit francez është shfaqur në Francë, ku edhe është pritur me mjaft vlerësime. Ndërsa një tjetër çmim iu akordua në Kongresin e Muzikologëve në Lisbonë. Realizuesit shpresojnë që ai të shfaqet në sa më shumë vende. Së shpejti pritet që filmi të promovohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Promovimi i këtij realizimi, – tregon Lorta Zhakob, - është mbi të gjitha një sipërmarrje me karakter moral. Më e pakta që mund të bëhet për të bërë të njohur historinë dhe tragjedinë e këtij populli, është të promovosh nëpër botë kulturën dhe traditën që përcjell ai. Dhe muzika polifonike e traditës së Çamërisë është një vlerë e madhe e kulturës së këtij populli”, - përfundon Zhakob.
Zhakob dhe historia "në errësirë"
Pavarësisht mbajtjes “në errësirë” të historisë së popullit çam, Bernar Lorta Zhakob ka mundur të njihet me të nëpërmjet studimeve dhe kërkimeve të tij. Ai është autor i dhjetëra librave, artikujve, eseve e parathënieve në të cilat janë derdhur pasioni, përvoja dhe talenti prej shkencëtari dhe letrari.
Vepra e tij shkencore, letrare dhe publicistike është fryt i viteve të një sërë studimesh e kërkimesh. Lorta Zhakob ka kryer studimet e larta në Universitetin e Sorbonës, ku nisi të thellonte edhe më tej pasionin që kishte për etnomuzikologjinë. Studimet mbi harmoninë, kontrapunktin, historinë e muzikës, etnologjinë, gjuhësinë dhe sociologjinë, ndikuan së tepërmi në udhën që ka ndjekur veprimtaria e tij profesionale. Që nga koha kur Bernard Lorta Zhakobi u bë pjesë e kërkimeve e studimeve mbi etnomuzikologjinë, janë kryer me dhjetëra misione studimi në vende të ndryshme të botës. Prej disa vitesh këto misione janë shtrirë në jugun e Shqipërisë, ku ai studion me pasion këngën polifonike shqiptare. Ai ka realizuar gjithashtu shumë filma me temë etnomuzikologjinë, që përtej përunjësisë së tij proverbiale, dëshmojnë për talent e pasion në këtë fushë. Vepra e tij e fundit kinematografike është pikërisht filmi “Këngë të një vendi të humbur”, një film që evokon me pasion e dashuri dramën e dhimbshme të Çamërisë. Marre nga : Gazeta Metorpol
Krijoni Kontakt