Durrës Emigrantët në portin e Durrësit kanë pritur me orë të tëra në radhë për shkak të detit të trazuar që dje shkonte 5-6 ballë. Ata kanë pritur për rreth 20 orë në këtë port në temperaturat e larta. Fluksi i madh i emigrantëve, që kthehen për në vendet e punës ka vënë në vështirësi autoritetet portuale, të cilat, edhe pse kanë shtuar sportelet, nuk kanë arritur të përfundojnë në kohë imbarkimin e pasagjerëve dhe automjeteve nëpër tragete. Vetëm 6 tragete kanë mundur të nisen një ditë më parë drejt portit të Barit, ndërkohë që të tjerë janë nisur në orët e para të mëngjesit të së dielës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, mësohet se nga ky port kanë kaluar mbi 10 mijë veta dhe 3000 automjete.