Një tragjedi e rëndë është shënuar në Gjykatën Italiane të Rexho Emilias, ku një seancë për kujdestarinë e fëmijëve, pas ndarjes së çiftit shqiptar, është kthyer në një arenë masakre. Bilanci tragjik: tre të vdekur dhe tre të plagosur. Mes viktimave dhe "personazhi" kryesor i ngjarjes, 40-vjeçari nga rrethi i Durrësit, Çlirim Fejzo. Ky i fundit ka qëlluar për vdekje ndaj ish-bashkëshortes Vjosës (e cila ka pësuar vdekje klinike) dhe vëllait të saj, madje ka plagosur edhe avokaten italiane të 37-vjeçares dhe një avokat tjetër, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. Ndërsa pas vrasjes ai është përpjekur që të largohet dhe aty është përballur me një agjent policie, me të cilin ka shkëmbyer zjarr. Nga ky shkëmbim ka mbetur i vdekur në vend 40-vjeçari Fejzo dhe është plagosur agjenti italian.
Vrasjet
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në orën 10.45 minuta, në Gjykatën e Rexho Emilias në rrugën Paterlini, në sallat ku zhvillohen gjyqet civile. Autori i masakrës ka qenë 40-vjeçari nga Sukthi, Çlirim Fejzo. Ndërsa e gjithë skena është parë nga vajzat e tyre, 16 dhe 12 vjeçe, të cilat kanë mbetur të shtangura, pa mundur të bëjnë gjë. Fillimisht ai ka qëlluar ndaj të shoqes Vjosa Fejzo Demçolli, 37 vjeçe, me të cilën ishte duke u ndarë dhe më pas ka qëlluar vëllain e saj, Arjan Demçolli, 32 vjeç. Ky i fundit ishte përpjekur për t‘i hequr nga dora armën ish-kunatit të tij. Plot 25 plumba ka derdhur ai në sallë të gjyqit, duke lënë të vdekur ish-gruan dhe vëllain e saj. Dy ish-bashkëshortët kishin dy fëmijë dhe në gjyq do të përcaktohej edhe kujdestaria e dy vajzave. Menjëherë pas vrasjes së dyfishtë 40-vjeçari ka tentuar të largohej. Pasi ka pësuar vdekje klinike, 37-vjeçarja shqiptare është transportuar në spital, ndërsa trupat e pajetë të Demçollit dhe Fejzos janë dërguar për në morg, ku do t‘i nënshtrohen edhe një autopsie. Ndërsa për nënën e dy fëmijëve, burime të ndryshme thonë se ajo ka pësuar vdekje klinike, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Krijoni Kontakt