Dihet që elefantët kanë tru të madh, gjë që mund t‘u shtojë kapacitetin për të mbajtur mend si edhe në krijimin e më shumë sjelljeve të komplikuara. Është e vështirë të përllogaritet me saktësi aftësia që ka një elefant për të memorizuar fakte; shumë elefantë që përdoren për punë arrijnë të mësojnë dhe të kujtojnë një numër të konsiderueshëm komandash. Gjithashtu duket se janë në gjendje të njohin shumë njerëz, si edhe individë të species së tyre - edhe në raste kur i kanë pasur larg për dekada.

Në jetën e egër, tufat e elefantëve priren të ndjekin për vite të tëra të njëjtat zakone, gjë që bën të mendohet se kujtimet u kalohen brezave të rinj në formën e trashëgimisë. Thuhet se elefantët kanë vende të veçanta që i përdorin si varreza dhe se si i ndihmojnë individët e sëmurë të arrijnë atje për të vdekur. Mbetjet e elefantëve shpesh janë gjetur të grupuara pranë burimeve ujore; gjithsesi kjo mund të ndodhë pasi elefantët e pafuqishëm e të sëmurë, në çastet e fundit të jetës, të kërkojnë ujë për të përmirësuar gjendjen e tyre shëndetësore. Elefantët e moshuar vërtiten rreth burimeve me ujë në çastin kur humbasin dhëmbët, duke qenë se bimët pranë ujit janë më të buta dhe më të lehta për t‘u përtypur. Mund të ndodhë kështu që tufat ngulin në kujtesë burimet e ujit, por jo pasi aty ndodhen mbetjet e një elefanti tjetër.

Disa elefantë kanë kujtesë më të mirë se të tjerët. Në vitin 2001, një skuadër studiuesish, e drejtuar nga Karen mek Komb, studioi 21 familje elefantësh, për një periudhë shtatëvjeçare në Parkun kombëtar Amboseli të Kenias. Zbuluan se femrat që udhëhiqnin tufat zhvillonin kujtime të forta "sociale" që u jepnin mundësinë të dallonin miqtë nga armiqtë falë nuhatjes dhe thirrjeve; sa më e moshuar të qe femra, aq më shumë zhvilloheshin këto aftësi. Studimi konfirmoi se sa më mirë femra kryetare e kopesë t‘i njihte miqtë, aq më shumë kohë pjesëtarët e tjerë të familjes kishin në dispozicion për t‘u ushqyer e për t‘u kujdesur për veten, si edhe për t‘u shumuar.

Kështu, mund të ndodhë vërtetë që elefantët kanë kujtesë më të mirë se kafshët e tjera? Një shpend që konkurron me elefantin porsa i përket kujtesës është zogu Klark, që jeton në zonat malore të Amerikës Perëndimore, i cili grumbullon ushqim për dimër. Gjatë vjeshtës, secili nga këta zogj heq veç më shumë se 100 mijë stika pishash, të cilat i siguron nëpër mijëra vende të ndritshme, ku vendos vetëm pesë deri në dhjetë fara për të minimizuar rrezikun e vjedhjeve. Vendet e fshehta gjenden në një zonë rreth 20 kilometra katrorë. Rreth gjashtë muaj më pas, zogu i gjen që të gjitha këto "magazina", megjithëse shpesh gjenden nën një metër dëborë.

Mendojmë se mund të biem dakord që elefantët - sidomos femrat kryetare - kanë kujtesë të mirë. Nuk mund të themi me siguri nëse e meritojnë statusin e ekspertëve të kujtesës në botën e kafshëve: zogu Klark përbën një konkurrent shumë të fortë. Fjala "truzog" që lidhet me inteligjencën, në fund të fundit, mund edhe të mos rezultojë fare fyerje.

Në rast se kujtesa ju bën shaka, ngushëllojeni veten duke ditur se mund të mos jetë shumë avantazhuese zotërimi i një kujtese të shkëlqyer në dëm të funksioneve të tjera të trurit. Duhet ditur me siguri se harrimi është një pjesë thelbësore e jetës; ata që nuk janë në gjendje të harrojnë mund të kenë po aq shumë probleme sa ata që nuk janë në gjendje të kujtojnë. Për fat të keq, këtë mund të mos arrini ta mbani mend.

Bëmë baba të të ngjaj

Përse kur rriten djemtë u ngjajnë baballarëve dhe vajzat nënave, duke qenë se mbi këtë pikë ekziston edhe një proverb tepër i përhapur? Sipas teorisë së mësimit, kjo ndodh pasi ata mësojnë përmes imitimit dhe observimit. Djemtë kopjojnë sjelljen e etërve dhe marrin "shtysa përforcuese" në rast se janë të suksesshëm. Psikologu kanadez Albert Bandura tregoi se fëmijët kanë prirje shumë të fortë të kopjojnë sjellje që vërehen si të përshtatshme për gjininë ku bëjnë pjesë: djemtë motivohen kur tregojnë pavarësi, forcë karakteri dhe reagime të forta emocionale. Shprehja "Bëmë baba të të ngjaj" mund të shpjegohet gjithashtu nga teoria e sistemit familjar, sipas të cilit talenti i një fëmije vërehet si adaptimi i tij/saj në tërësinë e ndërveprimeve familjare. Ndikimi familjar shfaqet jo vetëm përmes të afërmve, por gjithashtu edhe nga faktorë si rendi i lindjes, mosha e prindërve, gjinia dhe etiketa familjare; efekti i kombinuar i këtyre faktorëve është një fëmijë që ndjek hapat e prindërve.

Një studim krahasonte të ardhurat e fëmijëve dhe prindërve kur ishin në moshën 40-vjeçare dhe zbuloi një lidhje të fortë pozitive mes prindërve dhe fëmijëve në këtë pikë. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për njerëz me të ardhura shumë të larta dhe shumë të ulëta, dhe në mënyrë të spikatur vërehej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndoshta rezulton e papritur, por megjithëse amerikanët krenohen se e kanë bazuar tërë ekzistencën te "meritokracia", influenca familjare mbetet tepër e fortë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që janë shënuar dy çifte at e bir presidentë të vendit (Xhon dhe Xhon Kuinsi Adams dhe Xhorxh e Xhorxh W Bush). Aq të dëshpëruar qenë këta prindër në përpjekjet që të bijtë t‘u ngjanin në çdo pikë, sa u vunë edhe emrat e vet.

A rezultojnë bijtë të ngjashëm me etërit kur bie fjala te seksualiteti? Ç‘ndodh me një bir që rritet pa praninë e të atit? Studiues në Belgjikë krahasuan fëmijë që ishin rritur nga prindër heteroseksualë me ata të rritur nga çifte lezbikesh. Mes dy grupeve nuk u vërejtën dallime lidhur me shëndetin psikologjik apo me seksualitetin e fëmijës. Studiuesit mendojnë se dashuria dhe stabiliteti janë faktorët kyçë në rritjen e një fëmije, jo gjinia apo seksualiteti i prindërve.

Kështu, në ç‘rrugë bijtë u përngjanë prindërve? Në përgjithësi studimet kanë treguar se sa më të afërta të jenë lidhjet gjenetike mes dy njerëzve, aq më të afërta janë edhe rezultatet e tyre në testet e zgjuarsisë IQ. Në ç‘shtrirje mund të thuhet një gjë e tillë lidhur me raportin baba-bir? Kësaj pyetjeje është e vështirë t‘i gjendet një përgjigje e saktë, duke qenë se njerëzit e lidhur gjenetikisht priren të ndajnë ambiente të ngjashme, kështu që ndryshimet zor se mund të vihen re me vërtetësi. Megjithatë përgjigje të kënaqshme mbi këtë pyetje mund të marrim duke shqyrtuar rastet e fëmijëve të birësuar. Aty ku korrelacioni 1.0 tregon se të gjithë bijtë dhe baballarët kanë rezultate identike në testet e IQ, një studiues zbuloi korrelacionin 0.48 mes prindërve të adoptuar dhe prindërve të tyre biologjikë - dhe 0.19 mes bijve të birësuar dhe baballarëve që i kishin adoptuar. Kjo bën të mendohet se nivelet e zgjuarsisë së fëmijëve janë të lidhura më shumë me ato të prindërve biologjikë.

Edhe personaliteti dhe mënyra e sjelljes së baballarëve duket gjithashtu se reflektohet te fëmijët, por në një shkallë më të ulët; në këtë pikë, lidhjet baba-bir duken më pak të forta se lidhjet nënë-bijë, ndoshta duke pasqyruar dallimet në lidhjet e femrave dhe të meshkujve.

Shumë studime kanë konfirmuar se proverbi "Bëmë baba të të ngjaj" nuk duhet marrë parasysh në rastin e kriminalitetit. Gjithsesi rezultatet tregojnë se sjellja jo e mirë e babait nuk përcakton sjelljen në të ardhme të të birit; shumë djem të rritur në rrethana familjare tepër depresive nuk bëhen si etërit në moshë të rritur. Me shumë gjasa luajnë rol të konsiderueshëm edhe faktorë të tjerë ambientalë - për shembull, përmasat e familjes, statusi socio-ekonomik dhe të ardhurat familjare.

Në rast se babai pi duhan, me shumë gjasa edhe i biri do të veprojë njësoj, megjithëse lidhja dobësohej kur bijtë arrinin moshën madhore. Nuk janë zbuluar lidhje mes nënave e vajzave për sa i përket zakonit të duhanpirjes. Është zbuluar gjithashtu se përdorimi i drogës nga baballarët rrit gjasat që edhe bijtë (në moshën e adoleshencës) ta përdorin.

Në fakt, ndikimi i prindërve krahasuar me atë të shokëve duket se është më i madh nga ç‘marrim me mend. Në një studim të kryer te disa studentë universitarë, zakonet e tyre të të pirit gjatë dy viteve të para më shumë vareshin nga ndikimi prindëror, ndërkohë që ndikimi i shokëve bëhej më i fortë në periudhat pasardhëse.

Duke parë rezultatet e të gjitha këtyre studimeve, duket se është shumë e rëndësishme zgjedhja me kujdes e prindërve. Zgjidh një baba që është i shëndetshëm, i pasur dhe i mençur, dhe me shumë gjasa edhe ti do të jesh i tillë.

Mungesa i afron njerëzit

Në ditët tona, shumë lidhje përballen me largimin: shpesh të punësuarve u duhet të përshkojnë distanca të gjata dhe është shumë e vështirë të gjesh një punë pranë vendit ku banon. Largimi mund të përbëjë shqetësim, duke qenë se dihet që lidhjet në distanca të gjata shfaqin vështirësi. Mund të gjejmë ngushëllim te shprehja "Largësia i afron njerëzit", apo është më e saktë shprehja "Larg syve larg zemrës"?

Rezultatet duken të përziera. Mungesa mund t‘i afrojë njerëzit nëse bëhet fjalë për ndarje të shkurtra dhe kur lidhja është e fortë. "Mungesa dobëson pasionet mediokre dhe rrit pasionet e mëdha, ashtu si era fik flakën e qirinjve e gjallëron zjarrin e fareve", shkruante Fransua Roshfoko. Kështu që përpara se të vendosësh për të qëndruar larg partnerit, kupto nëse lidhja juaj është qiri apo far.

Studimet kanë treguar se komunikimi përmes telefonave apo emaileve është më pak i efektshëm se komunikimi ballë për nallë; kontakti pamor është me rëndësi jetike dhe pa të shfaqen lehtë keqkuptimet. Gjithsesi, në rast se komunikoni çdo ditë dhjetë minuta përmes telefonit, gjërat nuk janë aq keq. Çiftet që përjetojnë largimin kanë më shumë prirje të diskutojnë lidhjen dhe planet e përbashkëta për të ardhmen se çiftet që e kalojnë gjithë kohën bashkë. Komunikimet e largëta bëjnë që gjithashtu partnerët t‘i shfaqin njëri-tjetrit gjendjen e tyre më të mirë. Ky "idealizim" i partnerit nuk është i lehtë kur shiheni përditë.

Proverbi "Mungesa i afron njerëzit" është më se i vërtetë për burrat që ushqejnë shumë interes ndaj seksit. Në një studim të vitit 1999, të kryer mbi 2 mijë individë heteroseksualë, u zbulua që sa më shumë rritej mungesa nga partnerja, aq më shumë rritej edhe dëshira seksuale për të. Kjo nuk ndryshonte në rast se çifti kishte kryer apo jo seks përpara ndarjes, gjë që do të thotë se rritja e dëshirës te meshkujt nuk është produkt i frustrimit seksual, por që është pasojë e qenies larg për një kohë të caktuar.

Ky fakt e ka origjinën në fenomenin e "kompeticionit të spermës", i vërejtur te shpendët, insektet dhe te primatët. Vërehet kur ekziston një mundësi që sperma e dy apo më shumë meshkujve të konkurrojë për fazën e riprodhimit të një femre. Koha e "mungesës" është ajo periudhë gjatë së cilës një mashkull nuk mund të dijë me siguri nëse femra ka bërë seks me të tjerë, gjë që do t‘i ulte shanset për sukses në riprodhim. Nga kjo mund të varet edhe zjarrmia e mashkullit pas një periudhe mungese.

Dhe kjo reflektohet në numrin e spermatozoideve. Numri mesatar për një burrë, i cili e ka kaluar 100% të kohës pranë partneres që pas herës së fundit që kanë bërë seks, është 350 milionë. Numri rritet në 800 milionë kur e sheh për vetëm 5% të kohës, pavarësisht kur kanë bërë seks për herë të fundit. Mungesa mund të sjellë në kujtesë dashuritë e dikurshme. Marrëdhëniet pasionale që i përkasin moshës 17-vjeçare zor se dalin nga mendja edhe kur kalojnë shumë kohë. Në fakt, dashuria e parë mund të jetë një minë me sahat në pritje për të shpërthyer. Kërkimet e kryera nga Nensi Kalish, ku u përfshinë 2 mijë dashuri të humbura e të rigjetura më pas, treguan se mundësia e rilidhjes qe 72%. Vetëm 1.5 e martesave të tilla nuk patën sukses.

Këto statistika i atribuohen pjesërisht trajtave specifike të trurit në moshën e adoleshencës, e cila karakterizohet nga prania në doza të mëdha e hormoneve testosteron dhe progjesteron - që të dyja të përfshira në sjelljen seksuale. Këto hormone krijonin ambientin që kjo lidhje e dikurshme intensive të mos shkulej nga vitet e gjata të ndarjes.

Një tjetër motiv që shpjegon intensitetin e lidhjeve të humbura dikur është "joshja e frustrimit". Dashuritë e para shpesh nuk aprovohen nga prindërit dhe/ose miqtë, dhe këto kërcënime ndaj lidhjes mund të shtojnë ndjesitë e përmallimit.

GAZETA SHQIP