Shefi i qeverisë shqiptare pohon ekzistencën e një marrëveshjeje me qeverinë greke per dhënien e nënshtetësisë greke për minoritarët dhe për të gjithë shqiptarët që kanë Kartën e Homogjenit
Kryeministri Berisha “bekon” dhënien kolektive të nënshtetësisë greke për minoritarët dhe për të gjithë shqiptarët që kanë siguruar Kartën e Homogjenit. Por jo vetëm. Duhej të kalonte një vit që shefi i qeverisë shqiptare të pohonte ekzistencën e një marrëveshjeje me qeverinë Karamanlis për këtë çështje. Ndonëse në 8 dhe 9 nëntor 2006 shefi i qeverisë shqiptare në dy prononcime të ndryshme për mediat deklaroi se nuk kishte dhënë pëlqimin paraprak për këtë vendim, tani mburret për të kundërtën. Madje aso kohe Berisha, duke iu kundërvënë medias dhe zërave brenda politikës që aluduan se pas këtij vendimi fshihej tendenca e greqizimit të Jugut të Shqipërisë, pretendoi se dhënia e nënshtetësisë bëhej për emigrantët që jetojnë në Greqi, dhe jo për shtetasit shqiptarë brenda kufijve tanë territorialë.
Livadhja
Zbardhja e “prapaskenave” që çuan në marrjen e vendimit të qeverisë greke për të pajisur me nënshtetësinë greke minoritarët, është bërë dje gjatë një takimi të zhvilluar në Livadhja, mes strukturave lokale të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të etnisë greke. Në këtë aktiv, të iniciuar nga Grigor Pasko, ish-kandidati për deputet në zonën nr.100 prej këtij të fundit, është argumentuar se e mira e minoritetit është duke u afruar në PD, pasi kjo është forca që sipas tij në platformë dhe në praktikën e saj ka treguar se është në mbrojtje dhe në përmbushje të interesave të tij. “Kam mbështetjen e kryetarit të partisë dhe Kryeministrit Berisha për këtë dialog që ndërmarr me ju”, - u ka thënë Pasko në gjuhën amtare të pranishmëve në takim. Pas kësaj ai ka renditur një varg arsyesh pse jo vetëm demo-kratët, por edhe pjesa tjetër e minoritetit grek duhet të afrohet dhe të shohë tek PD-ja realizuesen e aspiratave të tyre dhe të të drejtave reale të pakicës kombëtare. Dhe arsyeja kryesore është se sipas tij, Kryeministri shqiptar arriti të bënte realitet dhën-ien e nënshtetësisë greke për ta. “Ishte Berisha që erdhi dy vjet më parë këtu dhe ju premtoi dyshtetësinë, gjë të cilën e bëri realitet falë një përkujdesje konstante të tij dhe të PD-së”, - theksoi Pasko.
Tedi Blushi
http://www.balkanweb.com/sitev4/index.php?id=13549
Krijoni Kontakt