Lëvizja e Berishës në 2005, si plani për të marrë Kryesinë në 1992
Drejtuesit e KOP-it, shokët e Argitës për shtetin nepotik
17 vite pas Lëvizjes së Dhjetorit dhe themelimit të Partisë Demokratike, pedagogu Arben Meçe, njëri prej anëtarëve të Komisionit Nismëtar për themelimin e të parës parti opozitare në vendin që vuante diktaturën komuniste, sqaron disa detaje se si hyri dhe mbeti në krye të partisë doktori, Sali Berisha. Në një intervistë për “Shekullin”, ku flitet për makinacionet për të uzurpuar partinë në krijimin e saj, por edhe për makiazhin KOP, për t’u rikthyer sërish në pushtet në 2005, pedagogu Meçe vlerëson se ishte përvoja e kulisave e fituar në Partinë e Punës, loja me bazën, si dhe mbështetja mediatike nga TVSH-ja e asaj kohe, ajo që i dha mundësi Berishës që të dilte në krye të partisë së parë opozitare dhe të mbetej “peshqesh” në krye të partisë që sot ka pushtetin.
Z.Meçe, ju ishit në Dhjetor 1990 ndër anëtarët e Komisionit Nismëtar për themelimin e PD-së, deputet i saj, pastaj u dënuat prej PD-së, megjithatë qëndruat. Pse qëndruat në një parti që nuk ishte më e juaja?
Në vitin ’90 unë kam qenë anëtar i Komisionit Nismëtar të themelimit të PD-së, por në shkurt 1991 unë u largova nga PD-ja me vullnetin tim. Në proceset e mëvonshme, pas një muaji e gjysëm në kryesinë e PD-së, diku nga 18-20 shkurti, në katin e katërt të Pallatit të Kulturës u bë mbledhja, ku po përflitet shumë për ardhjen e Sali Berishës në krye të PD-së. Ishte një votim i trefishtë, i përsëritur, kur fillimisht u zgjodh Meksi, pastaj u fut në lojë Neritan Ceka dhe përfundimisht që nga ajo ditë Berisha njihet zyrtarisht si kryetar i PD-së. Unë u futa aktiv nga data 10 dhjetor 1990 në Lëvizjen Studentore. Më 12 dhjetor bëhem aktiv në Komisionin Nismëtar të themelimit të PD-së dhe më datën 3 shkurt 1991 unë largohem nga Kryesia e PD-së, sepse nuk e ndjeva veten aspak si person politik. Nga ai moment, unë nuk kam qenë asnjëherë pjesë e strukturave politike të PD-së.
Pse u larguat në shkurt 1991?
Unë u futa në mënyrë idealiste në lëvizje, dhe u largova kur e ndjeva se misioni im mbaroi. Në shkurt 1991, PD-ja kishte marrë formë organizative dhe në këtë linjë unë isha jashtëzakonisht aktiv, sepse kaluam nga një lëvizje popullore, te një strukturë politike. Në shkurt, strukturat organizative e PD-së arriti të depërtonte gati-gati në të gjithë Shqipërinë dhe ne ishim të gjithë të papërgatitur për të bërë jetë partie.
Pse pikërisht u larguat ju, ndërsa pedagogë të tjerë mbetën në PD?
Normale, bile desha të kujtoj se në këtë është tërhequr edhe pedagogu Edmond Budina, apo Zef Brozi.
Si erdhi PD-ja te zgjedhja e Berishës?
Për aq kohë sa isha në PD unë jam marrë me organizimin. Procesi eci në mënyrë të natyrshme, por edhe si përvojë e re dhe e panjohur për ne dhe në një periudhë kohore, ky nuk u pa si një proces organizativ, por si një luftë klanesh për të kapur drejtimin e partisë. Kishte një grup që e njihte praktikën e organizimit politik dhe që kuptonte se masivizimi dhe karizma do të ishte faktori që do t’i jepte pushtetin. Një grup njerëzish brenda kryesisë, luftonte për të konsoliduar pozicionin jashtë kryesisë, ku me karizëm filloi të prodhojë individë dhe grupime që filluan ta përkrahnin dhe në shoqëri filloi të prezantohej si lider i grupimit. Dhe ky ishte Sali Berisha. Ai ishte shumë energjik dhe aktiv në debat, deri edhe imponues dhe karakteri i tij ishte i papërballueshëm nga karakteret e tjera që e shihnin Saliun, jo si ai që do merrte frenat, sepse askush në atë grupim nuk mendonte se do të merrnin pushtetin dhe do të ishin liderët e grupimit. Sot është ndryshe, por në atë periudhë këndvështrimi ynë ishte i pastër, idealist. Ne nuk luftonim për të kapur pushtet. Berisha erdhi i formuar politikisht brenda grupimit dhe e kuptonte se çdo të thoshte të kapte kreun.
I formuar nga shkolla e Partisë së Punës?
Nuk ka rëndësi. Hiqe pjesën ideologjike, që është shkolla e Partisë së Punës, lufta për të menaxhuar një ambient politikisht është gati-gati e njëjtë, sepse skema është e njëjtë. Gati 90 për qind e njerëzve që drejtonin PD-në, ishin profanë përsa i përket përgatitjes politike, siç ishin Pashko, Ruli, Imami, Meksi etj., dhe synimi kryesor ishte organizimi i partisë. Ndërsa në shkurt ishte kristalizuar strukturimi organizativ i PD-së, me Kryesi, Këshill Kombëtar etj., dhe këtu fillon lufta për pushtet.
Si ishte votimi, ku u zgjodh kryetar Berisha?
Ishte një votim që për kohën kur u bë, kishte brenda të gjitha manipulimet. Një pjesë u fut me idenë që duke qenë anëtarë të Kryesisë e kishin situatën nën kontroll. Berisha bëri një veprim tjetër. Mbështetja e tij brenda kryesisë ka qenë minimale. Por kur të gjithë u futën nëpër zyra dhe shkëputën marrëdhëniet me partinë jashtë zyrave, Berisha doli në media, identifikoi veten si personi më i fuqishëm brenda kësaj kryesie dhe u bë në planin figurativ më i fuqishmi. Brenda nuk kishte pushtet, por jashtë ai prodhoi figurën e vet.
Në cilat media, sepse në atë kohë ishte vetëm RD-ja, organ i PD-së.
Ishte RD-ja, por ishte edhe Televizioni Shtetëror i asaj kohe.
Por ai jepte shumë pak për opozitën?
Po, por jepte Berishën, ndërsa pjesën tjetër nuk e jepte. Dikush thotë se ishte i inskenuar. Nuk është i inskenuar. Ai ishte shumë aktiv dhe arriti të përdorte mekanizmin e kapjes së medias, që të tjerët nuk e përdorën. Arriti të prodhojë figurën e vet. Pra nuk është si bie fjala Lulzim Basha, që është figurë e prodhuar. Berisha e kuptoi se duhej të fitonte përkrahje jashtë kryesisë. Jashtë godinës, PD-ja identifikohej me Berishën, brenda në kryesi nuk ishte Berisha. Këtu fillon i pari konflikt institucional, se kush do ta zgjidhte kryetarin. Meqë nuk kishte përvojë politike pyetja jonë atëherë ishte nëse kryetarin do ta zgjidhte kryesia, që ishte prodhuar në mënyrë spontane dhe që nuk e kishte zgjedhur njeri. P.sh., unë u futa në Kryesi, kur u futa në lëvizje. Kur shkova unë Lëvizja Studentore ishte e organizuar, pra Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ishte i organizuar, dhe unë u futa më 10 Dhjetor 1990. Më 11 dhjetor, kur vajtëm te ish-presidenti Alia, personat që shkuan atje kishin një mandat të pashkruar. Studentët më morën mua sepse qëllova aty dhe u ekzaltuan sepse unë isha pedagog. Iu hoq mandati njërit prej pesë studentëve dhe shkova unë. Kështu, unë u bëra pjesë e lëvizjes. Kështu ndodhi edhe me disa pedagogë të tjerë. Dhe përfaqësimi ynë ishte gati-gati spontan. Më tej, nuk na zgjodhi askush anëtarë të kryesisë. Berisha nuk ishte pjesë e lëvizjes, por u dërgua nga Alia, ashtu siç nuk ishin pjesë e lëvizjes as Lisien Bashkurti, Genc Ruli, Mitro Çela etj.
Komisioni Nismëtar arriti të organizonte Partinë Demokratike, arriti të prodhonte struktura të cilat në mënyrë institucionale, pra me votë, do të zgjidhnin Kryesinë. Ky është momenti i kapjes së PD-së. Dhe në këtë kuadër, duke qenë që gjithçka ishte e këtij niveli, pra ishte spontan, Saliu me një krah dhe krahu tjetër, filluan të bënin luftën e brendshme: Kush do ta zgjidhte në mënyrë institucionale kryetarin?
Kush e drejtonte PD-në në atë kohë?
Deri në këtë moment nuk ka kryetar të zgjedhur, por ka një figurë, që ishte Azem Hajdari që drejtoi lëvizjen dhe moralisht duhet të ishte ai kryetar i Komisionit Nismëtar, por dhe i PD-së në kuptimin institucional. Nëse embrioni i themelimit të PD-së ishte ky komision nismëtar, kryetari i tij ka qenë vetëm Azemi dhe ky komision nismëtar nën drejtimin e Azemit dhe bashkëpunimin e të gjithëve arriti të prodhonte trupin real të PD-së, i cili filloi të jetësohet vetëm pas shkurtit të ‘91.
I ndjeri Gramoz Pashko mos kujtoni se shihej si themelues i PD-së, sepse vinte nga një origjinë e kryeprokurorëve. Ndërsa Berisha arriti me karizmën e vet, tashmë të formuar prej kohësh, që të formonte dhe prodhonte grupet mbështetëse rreth e rrotull tij, të cilët përbënin një bazë të mirë, që nëse zgjedhja nuk bëhej në komision, por jashtë saj, atëherë në këtë moment ai mund të fitonte jashtëzakonisht shumë. Lufta u zhvillua pikërisht në këtë plan, këtu fillon konflikti i parë, që u trash aq shumë dhe mori përmasa të debateve gati të drejtpërdrejta dhe të dy grupimeve që filluan të kristalizoheshin në PD. Në seli Berisha ishte një minorancë brenda një strukture të vogël, por ishte mazhorancë jashtë kësaj strukture.
Kur PD-ja fitoi zgjedhjet, Berisha u zgjodh President dhe në këtë moment mori akoma më shumë pushtet dhe rrethet e mbështetjes së tij bëhen shumë të fuqishme aq sa, përfundimisht, personat të cilët erdhën si inerci nga themelimi i PD-së dhe që përbënin një grup filluan ta kishin konfliktin shumë të ashpër, deri dhe parimor. Këtu lindi Aleanca Demokratike, e cila është ndarja e parë e PD-së, që erdhi si rrjedhim i kësaj lufte institucionale. Drejtuesit e PAD-së, gjatë gjithë kohës kanë qenë kundërshtarë të Berishës dhe kundërshtarë të drejtpërdrejtë të tij dhe në momentin kur Berisha u fuqizua, bëri goditjen dhe i spostoi.
Kapërcejmë 14 vite më pas, tek KOP-i. Si erdhën figurat e tij në PD?
Në momentin kur u krijua KOP-i mund të them që kam qenë aktiv në pozicionin teknik, ku kam denoncuar disa investime të shumicës së majtë qeverisëse. Pavarësisht se nuk kam qenë anëtar i KOP-it dhe pse në një moment ndjeva këtë element që është një xhelozi e brendshme, sepse dikush e sheh në fund të fundit si një motivim, si një shpërblim të punës së bërë dhe unë thosha me veten time, a nuk kam bërë aq sa PD-ja të më shpërblente minimalisht dhe të thoshte, “Arben, ti je një person teknik, që mund të jesh pjesë KOP-it”. Unë e kam vlerësuar KOP-in sepse në thelb ai nuk është gjë tjetër veçse një akt-marrëveshje ku një grupim politik bën marrëveshje me botën teknike akademike dhe shkencore, për të organizuar platforma të reja qeverisjeje, pra thith mendimin. Thithja e mendimit teknik brenda një grupimit politik bëhet me shumë mekanizma, bëhet me tavolina të rrumbullakëta, me struktura të organizuara brenda PD-së, të cilat në mënyrë permanente qëndrojnë brenda partive, thithin mendimin dhe thithin edhe njerëz që bëhen pjesë të lëvizjes politike. Në vitin ‘95 ne organizuam të parën lëvizje intelektuale dhe prodhuam grup-seksionin teknik të PD-së, që përbëhej nga 9 Seksione, ku organizoheshin vetëm struktura teknike, të cilat kishin për detyrë të prodhonin programe që i jepeshin politikisht PD-së dhe të krijonin oponencën e brendshme, për të ratifikuar dhe për të mbajtur nën kontroll ministrat në sektorët përkatës. U krijua Seksioni i Ndërtuesve, që përbënin oponencën e ministrit të Ndërtimit, apo edhe të Shëndetësisë, kjo oponencë e brendshme kishte dy elementë: e para, ratifikonte veprimet politike; e dyta, e bënte qeverinë që të identifikonte personazhe intelektuale pozitive brenda gjirit politik dhe këto grup-seksione nuk kishin detyrime qeveritare dhe ishin mjaft të lirshëm e në pjesëmarrjen dhe debatit në formë klubi, ishe në gjendje të identifikohej personi me ide. Në vetvete këta ishin inkubatorë që prodhonin ide të reja, por edhe njerëz të rinj, të gatshëm për t’u hedhur në këndvështrim tekniko-politik. Ky inkubator do të prodhonte brenda PD-së, të ashtuquajturën konkurrencë të brendshme të ideve dhe njerëzve. Kuptohet, kjo që u materializua, u godit menjëherë dhe grup-seksioni brenda PD-së u asgjësua.
Kjo skemë organizative tentoi të bëhej pjesë edhe e partive të tjera dhe për mua kjo është skema më e mirë e implementimit të mendimit teknik. Nëse kjo është njëra nga format për të tërhequr këtë mendim, ka dhe një skemë tjetër, që është tavolina e rrumbullakët, dhe këtu del përballë një opinionit më të gjerë teknik dhe medias ministri përkatës dhe hedh një tezë që diskutohet nga të gjithë, dhe të gjithë shprehin mendimin e tyre ndoshta joprofesional, por midis këtyre të jesh i sigurt që do të gjesh edhe oponencë, edhe ide. Kjo nuk u zbatua ndonjëherë dhe është bërë në mënyrë demagogjike vetëm gjatë fushatave elektorale, kur Kryeministri i sotëm dhe Kryetari i Partisë për efekte mediatike prodhonte tavolina te Hotel “Tirana” ku njëri nga anëtarët hidhte idenë, pastaj në mënyrë demagogjike disa persona bënin dy-tre pyetje dhe këtu mbyllej. Efekti mediatik i jepte idenë popullit që, “shiko, se po bëhen këto tavolina!”.
KOP-i ishte një aksion politik pozitiv dhe ideja për të thithur mendimin profesional është shumë progresive. Por KOP-i kishte dy probleme serioze, që dolën më vonë. PD-ja për 8 vite në opozitë krijoi një staf luftëtarësh, që u quajtën “qëndrestarë” dhe me të cilët ajo kapërceu situata të vështira…
Me qëndrestarë keni parasysh zyrtarë të PD-së, si Shaban Memia?
Nuk ka rëndësi, nëse është Shaban Memia, Jemin Gjana dhe Vili Minarolli. Ata janë pjesë qëndrestare, që në fund të fundit i qëndruan pranë PD-së në ditë të vështira. Brenda këtyre strukturave ishin edhe grupet paramilitare, të cilat më 14 shtator 1998 ishin pjesa e PD-së, ashtu siç janë edhe sot.
KOP-i u prodhua në mënyrën më artificiale të mundshme. Ideja qëndron, por mekanizmi jo. Individët erdhën me emra shkollash të mëdha, por asnjëri nuk ishte i testuar. Një pjesë e KOP-it ishin teknicienë që prej viteve 1992-1996 ishin pranë PD-së, si Selami Xhepa, Përparim Dervishi, Genc Juka etj., të cilët ishin testuar dhe janë njerëz me vlera dhe edhe sot kanë efekte pozitive në punën e tyre. Çuditërisht në skenën e KOP-it futen individë anonimë, të cilët u bënë figura politike, siç ishin Lulzim Basha, Majlinda Bregu, Aldo Bumçi etj. Lulzim Basha p.sh., vjen nga një shkollë, që unë edhe sot e kësaj dite nuk e gjej se ku e ka mbaruar. Nëse e pranojmë të mirëqenë shkollën e tij në Holandë, ai është specializuar për të Drejtën Ndërkombëtare, dhe ndërsa hap faqen e ministrisë, ai thotë se ka mbaruar Masterin për të Drejtën Ndërkombëtare, pra shumë larg njëra-tjetrës, sepse Masteri bëhet pas shkollës së lartë. Pra shumë e dyshimtë, për një njeri që u shpall Kryetar i KOP-it. Por pas fitores së zgjedhjeve ky njeri që mund të ishte i aftë për Ministrinë e Jashtme, instalohet pranë një sektori teknik që s’ia ka idenë fare, siç është Sektori i Punëve Publike.
KOP-i që prej fitores së PD-së në zgjedhje nuk është mbledhur asnjëherë dhe PD-ja thotë se KOP-i është implementuar pranë qeverisë. Këta njerëz ishin ata që Sali Berisha i afroi pranë vetes së tij, për t’i hedhur në treg. Kryetari i PD-së e bëri këtë për të rregulluar imazhin e vet, sepse në ’97-ën ai doli si njeri destruktiv, që organizoi shtet të centralizuar dhe një njeri, për të cilin ka dyshime se si do ta drejtojë shtetin, në mënyrë demokratike apo bajraktare, ndaj dhe atij i thanë që të rregullojë imazhin. Për mua KOP-i ishte një imazh. Mënyra se si u futën në politikë Lulzim Basha me të tjerë vuri në dyshim realitetin nëse po bëhej një revolucion për të tërhequr një grupim me një mendim teknik, apo ishte një mekanizëm populist për të thithur brenda PD-së grupime klanore që deri më sot kanë qenë inekzistente në PD.
Nga ana tjetër mënyra më e mirë për të prodhuar stafe nepotike, është t’i futësh në emër të një morali. Këtu vijmë te debati nëse këta kanë lidhje me vajzën e Kryetarit të Partisë dhe të Qeverisë?
Realisht, çfarë lidhje kanë Lulzim Basha etj., me Argita Berishën?
Mënyra se si ata u futën në politikë vuri në dyshim faktin se, vërtetë po bëhej një revolucion për të tërhequr mendimin politik, apo ishte një mekanizëm populist? Vijmë në një moment, kur brenda KOP-it shohim persona që deri atë herë ishin inekzistentë dhe nuk i përkasin as jetës teknike, por janë të gjithë të rinj dhe që të gjithë kanë lidhje të ngushtë me vajzën e Sali Berishës. Të gjithë vijnë nga Jurisprudenca dhe implementohen në sektorë që nuk kanë lidhje me Jurisprudencën dhe ç’është më kryesorja, kanë kapur pikat më kyçe të shtetit. Për mua KOP-i ishte një ide, në zbatim ishte plani i Sali Berishës për të prodhuar individë, që në një moment të dytë do të përbënin kapjen nepotike të shtetit. Këtë mekanizëm Berisha e përdori edhe në vitin 1992. Atëherë ai e kishte situatën brenda kryesisë së PD-së, gati-gati kundërshtare, por futi idenë e kooptimit, pra futjes pa votë të të persekutuarve dhe të ish-pronarëve. Automatikisht, pranë kryesisë u futën tre persona, Ali Toto, Tomor Dosti dhe Blerim Çela, që nuk u zgjodhën nga kryesia, por nga baza që kishte përgatitur Berisha. Pas kësaj, situata kthehet nga “kundër” në “pro” Berishës. Një lëvizje kaq e thjeshtë që përmbante moral, se të persekutuarit duhej të ishin pjesë e strukturave të PD-së, u bë për të manipuluar njerëzit, për t’i kthyer ata si strukturë pranë PD-së, si njerëz të besuar të Saliut. Efekti i kësaj lëvizjeje erdhi deri aq, sa pjesa kundërshtare kur kuptoi lëvizjen ishte shumë vonë. Mbi mekanizmin e kooptimit funksionoi edhe KOP-i. Edhe sot pyetet, kush i zgjodhi këta njerëz, cili institucion partiak i zgjodhi, nga çfarë burimesh u arritën të seleksionohen këta njerëz, dhe në të gjitha rastet rezulton që këta njerëz i zgjodhi Berisha. Dhe këta u kooptuan në PD në emër të moralit.
(Në numrin e nesërm do të lexoni, si u manipulua politikisht nga qeveria “Berisha” goditja e investimeve të bëra nga Bashkia e Tiranës, si u shpërblyen firmat që ndërtuan “vullnetarisht” Zogun e Zi, denoncimi i abuzimeve në rrugën Durrës-Kukës-Morinë dhe shqetësimet e prokurorëve për të marrë të pandehur ish-ministrin e MPPTT-së, Lulzim Basha).
Shekulli
Krijoni Kontakt