Xhemal Ahmeti
SVP doli në opozitë. Çka don të thotë kjo për ne emigrantët në Zvicër? Çka don të thotë kjo për imigracionin shumënumërsh shqiptar? Nga përvoja e dimë se shtylla kryesore e politikës populiste bloheriane është: sulmimi i të huajve, respektivisht atakimi i komuniteteve “të pambrojtura”. Ndër ato komunitete vazhdimisht të fyera e atakuara kemi qenë ne shqiptarët. Arsyet se pse SVP “delen e zezë” e ke gjetur vazhdimisht te ne, është fare e qartë: E para: ne si komunitet, nuk na mbron asnjë shtet amë (për interesa të njohura e të panjohura). E dyta: ne si komunitet, nuk kemi ndonjë institucion kompetent që do t’i bënte ballë një propagande të tillë, si dhe nuk kemi asnjë lloj ndikimi në asnjë organizatë vendëse, e cila me gjithë mend do të dilte publikisht që të na mbrojë nga fyerjet, diskriminimet dhe akuzat e pabaza.
***
Situata tani do të ashpërsohet edhe më shumë. Kryetari i SVP, Ueli Maurer e tha dje në një intervistë se lufta do të jetë e ashpër, se miliarderi Christof Bloher do të bëhet shefi partisë, se do të dalë një gazetë e përditshme nga kuzhina ideologjike e kësaj partie dhe se Bloher ka vendosur që pasurinë e tij ta derdhë në pllakate dhe mediume tjera, me qëllim të përhapjes sa më masive të së “vërtetës”. Përveç Bloherit qenka paraqitur edhe një pasanik tjetër që paska premtuar deri më 20 milionë franga. Domethënë, miliona franga do të vihen në disponim të politikës dhe propagandës ksenofobe të partisë SVP.
Nga kjo është e qartë se në të ardhmen do të jemi të konfrontuar edhe me më shumë pllakate, si ato “Kosovo Albaner Nein!”, do të fyhemi edhe më shumë sesa vetëm në gazetën “Schweizerzeit” të deputetit famëkeq, Ulrich Schlüer, i cili në çdo numër shpikte teori për gjenet kriminale të shqiptarit dhe të do të fyhemi më haptas dhe në mënyrë shumë më agresive. Në përditshmëri, do të ndeshemi edhe me më shumë përbuzje, fyerje, përjashtime dhe akuza. Integrimi jonë në këtë shoqëri do të bëhet edhe më i rëndë dhe më i “pamundshëm”.
***
Troç: ditët e ardhshme, për ne imigrantët do të bëhen shpesh të padurueshme. Aq të padurueshme saqë nuk do të mungojnë individë dhe grupe që nga frustrimi (siç ka ndodhur më parë) do të sillen jo konform rregullave dhe zakoneve të vendit ku jemi duke jetuar. Ku do të na shpinte një sjellje e tillë? Në atë ku don edhe SVP: në një imazh edhe më të përdhosur, më të padenjë dhe më dezintegrues saç e kemi. Ndërsa SVP do të mburrej para publikut, në stilin e njohur: “Ja, ne kemi gjithmonë të drejtë!”.
Është koha që shqiptarët në Zvicër t’i krijojnë mekanizmat e duhura mbrojtëse nga atakët që do të pasojnë. Ne duhet të mobilizohemi ndryshe nga deri tani. Imigracioni shqiptar duhet të dalë sa më parë me një institucion dhe më një strategji programatike të qartë, për të mbrojtur veten karshi tendencave të tilla. Një institucion që do të kishte synim bashkëpunimin me të gjitha organizatat aktive anti-ksenofobe në Zvicër. Një zë i qartë dhe legal, duhet patjetër. Nuk duhet të lejojmë, që partitë ksenofobe të bëjnë politikë në kurriz të dinjitetit tonë. Nëse ne nuk vendosim ta mbrojmë veten, as të tjerët nuk do të kenë interes ta bëjnë një gjë të tillë.
*Autori është emigrant shqiptar në Zvicër
Krijoni Kontakt