Samiti i kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së, i zhvilluar fundjavën e kaluar, do të mbahet mend si mbledhja e nivelit të lartë, në të cilën u arrit konsensusi më i gjerë i deritanishëm i vendeve të BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Qendrimit të 22 shteteve për mbështetjen e Planit të Ahtisarit iu afruan më shumë se kurrë, në nje forme apo tjetër, katër shtetet e grupit të deritanishëm kundërshtues të këtij plani. Vetëm një shtet mbeti në pozicionin intransigjent proserbo-rus për çështjen e Kosovës dhe ai vend ishte Qipro. Nuk është se kundërshtimi i Qipros nuk dihej, por për herë të parë në një mbledhje të nivelit të lartë të BE-së, Qipro mbeti e vetme në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Në qetësinë olimpike të pas dyerve të samitit, zukati vetëm kundërshtimi i atij shteti, që quhet shtet-mizë në konfidencat e darkave solemne të udhëheqësve europianë. Presidenti i Qipros, Tassos Papadopullos, deklaroi më 15 dhjetor pas samitit, me një ton joproporcional me peshën e shtetit të vet, se: “Ne nuk do të ndryshojmë mendim edhe sikur të jemi vetëm. Nuk besoj se ka një qipriot, që do të pranonte një deklarim të pavarësisë së Kosovës”. Emocioni qeveritar i Qipros kundër pavarësisë së Kosovës ka tejkaluar çdo mase logjike. Zëdhënësi i qeverisë, Vasilis Palmas, deklaroi më 10 dhjetor se: “Zoti e ndalon Qipron të bjerë dakord me pavarësinë e Kosovës, edhe nëse gjithë pjesa tjetër e BE-së do të njohë pavarësinë e Kosovës”.
I dashur lexues, mos u habit, kjo është riprodhim në ligjëratë të drejtë dhe ato janë fjalët zyrtare të një zëdhënësi qeverie. Nuk është prift dhe nuk e dimë nëse në ndonjë manual udhërrëfyes fetar qëndron porosia se Zoti ndalon Qipron të njohë pavarësinë e Kosovës. Mendojmë se është e tepërt një polemikë, ku të pyesim përse Zoti ka lejuar SHBA-në, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë dhe nja 20 shtete te tjera të BE-së të jenë të gatshëm ta njohin këtë pavarësi. Por ethja fetaro-diplomatike e Qipros kundër Kosovës meriton një vëmendje.
Qeveria e Qipros i është ngulur një politike dhe qëndrimi, që jo vetëm kundërshton vetë, por kërkon keqpërdorojë të drejtën e konsensusit dhe të pengojë edhe Bashkimin Europian në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Steinmejer, njoftoi në publik se Qipro po i reziston një konkluzioni europian, sipas të cilit nuk ka kuptim për bisedime të mëtejshme për çështjen e statusit dhe se Qipro mbështeti këmbënguljen e Serbisë dhe të Rusisë që bisedimet duhet të vazhdojnë.
Kureshtja të shtyn të analizohen motivet politike, strategjike, kombëtare, shtetërore, etj. që i diktojnë qeverisë së Qipros, që për Kosovën të mos ecë në një linjë me shtetet e tjera të BE-se, ku ajo u pranua me gjysmë zemre dhe me gjysmë shteti në vitin 2004.
Shpjegimi më i rëndomtë, që haset ne qarqe diplomatike dhe mediatike është se Qipro ka frikën e komplikimit të problemit të saj me komunitetin turk të Qipros, i cili siç dihet ka shpallur Republikën Turke të Qipros Veriore. Një shpjegim i tillë nuk duket se ka shumë bazë. Çështja qipriote nuk ka asnjë ngjashmëri, as në histori e as në problematikë, me çështjen e Kosovës. Ish- Jugosllavia ka qenë një federatë artificiale popujsh, e krijuar me dhunë, e cila nisi të shkërmoqej pas shembjes së komunizmit në vitin 1991 dhe u krijuan gjashtë shtete të rij, nga popuj, disa prej të cilëve, janë edhe më të vegjël në numër se sa shqiptarët në ish-Jugosllavi. Është e drejta e natyrshme e popullit shqiptar të Kosovës të krijojë edhe ai shtetin e vet të pavarur. Çështja qipriote ka ekzistuar tre dekada përpara se të niste kriza në ish-Jugosllavi dhe mbi katër dekada përpara së të niste diskutimi i statusit të Kosovës. Nuk është Kosova që mund të ndikojë në ecurinë e zgjidhjes së çështjes qipriote e që të kenë frikë udhëheqësit e Qipros. Me Kosovën, qoftë dikur pjesë konstituive e Jugosllavisë, dhe qoftë së shpejti e pavarur, çështja e Qipros ka e do të ketë dinamikë dhe modalitete krejt të ndryshme. Kjo do të thotë se frika e precedentit nuk ekziston, por ajo shprehet për të fshehur diçka tjetër më të thellë, të cilën qeveritarët e sotëm të Qipros nuk guxojnë ta thonë hapur.
Arsyeja e parë është lidhja e tyre e veçantë me Serbinë. Kjo lidhje e veçantë konsiston në fakt tek interesi i madh financiar i Qipros me Serbinë. Për Serbinë e Millosheviçit, Qipro ka qenë parajsa financiare e atij regjimi, i cili shkaktoi katër luftëra të përgjakshme në ish- Jugosllavi. Paratë e tregtisë së armëve, drogës, të krimit të organizuar dhe të burimeve të tjera okulte, nga Beogradi janë dërguar qetësisht dhe janë siguruar dhe “pastruar” në bankat dhe në kompanitë qipriote. Hetuesit e dërguar nga prokurorja e Gjykatës së Krimeve të Luftës në ish- Jugosllavi, Karla del Ponte, kanë zbuluar se në vitet 1992-2000 regjimi i Millosheviçit ka dërguar në 8 kompani të mëdha qipriote 1,23 miliardë sterlina angleze për t’i pastruar dhe ruajtur atje. Kjo është vetëm maja e ajsbergut e kësaj parajsë financiare. Ish-diktatori Millosheviç dhe klani i tij kriminal nepotik kanë dërguar sasi të mëdha parash në kesh në Qipro për t’i ruajtur nëpër banka qipriote. Personalitete të ndryshme demokratike dhe intelektuale të Serbisë vazhdimisht kanë kërkuar nga qeveritë, që kanë ardhur në pushtet në Beograd pas rrëzimit të Millosheviçit, që Serbia t’i kërkojë qeverisë së Qipros kthimin e këtyre parave, që klani i Millosheviçit ka vjedhur nga fondet shtetërore dhe i ka dërguar në Qipro. Në prag të një vizite që presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, zhvilloi në Qipro, ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë serbe, Vladan Batiç, i dërgoi atij një letër në të cilën i paraqet kërkesën që presidenti të ngrejë me udhëheqësit qipriotë çështjen e kthimit të 1,7 miliard dollarëve, që Millosheviçi ka dërguar kesh dhe i ka në depozita të fshehura në Qipro.
Ish-ministri serb i Drejtësisë jep një ndihmë të madhe në qartësimin e asaj se çfarë përmbajnë realisht relatat e ngushta zyrtare serbo-qipriote: “Ne nuk jemi të interesuar në mbështetjen e Qipros greke për të zgjidhur problemin e Kosovës. Ne jemi të interesuar vetëm të na kthejë mbrapsht paratë tona”.
Kjo përbën thelbin e marrëdhënieve dhe lidhjeve të posaçme dhe të qëndrimit të qeverisë qipriote kundër pavarësisë së Kosovës. Është marrëveshja okulte në bazë të së cilës Qipro nuk kthen paratë e vjedhura nga Millosheviçi dhe merr përqindjet e veta, kurse regjimi serb gëzon favoret e transferuara e këtyre parave. Ish-ministri serb i Drejtësisë shkruan se firma juridike e presidentit B. Tadiç është e përzier në këtë aferë të parave, që nuk po kthehen.
Arsyeja e dytë janë lidhjet e veçanta dhe ndikimi në rritje i Rusisë në Qipro. Në prag të samitit të BE-së, ministri i Jashtëm rus zhvilloi një vizitë dyditore (si shumë për një ministër të një shteti aq të madh si Rusia, në një shtet mikroskopik). Lavrovi evidentoi dy elemente të këtyre lidhjeve të posaçme: a- Deklaroi se në Qipro banojnë mijëra e mijëra rusë, që kanë shtëpinë atje, dhe b- Lidhjet fetaro-ortodokse, ku ministri i Jashtëm rus himnizoi “vlerat tona të përbashkëta ortodokse si një faktor unifikues”.
Trimërimi i mizës diplomatike qipriote në samitet e BE-së ka disa shpjegime të qarta, që janë larg atyre që pretendohen për të justifikuar kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Mendoj që është vendi të tërhiqet vëmendja se është rasti i dytë historik, që Qipro i kundërvihet kaq hapur interesave të kombit shqiptar. Anëtarëve të delegacionit të Shqipërisë në Konferencën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë, të zhvilluar në qershor të viti 1991 në Berlin, delegacion ku bënin pjesë edhe kryetarët e partive të reja politike opozitare të sapokrijuara në Shqipëri, duhet t’u kujtohet se një natë para sesionit zyrtar të pranimit të Shqipërisë në KSBE, Qipro doli kundër pranimit të Shqipërisë. Atëhere mjaftoi një telefonatë e ministrit të Jashtëm gjerman, H.D.Gensher që të ulte trimërimin e Qipros kundër Shqipërisë. Besojmë se do të jetë një telefonatë tjetër, që do të ulë edhe trimërimin e tanishëm të Qipros kundër Kosovës. Por dikush në Tiranë dhe në Prishtinë nuk duhet të harrojë se memoria shtetërore e ka detyrë të regjistrojë dhe të mendojë forma mbrojtjeje përballë qëndrimeve të shteteve dhe forcave, që i kundërvihen interesave jetike të kombit shqiptar në këtë apo në atë moment historik.
Balkanweb.com
Krijoni Kontakt