Vera, një stinë për të bërë pushime, por edhe për njohje të reja natyrisht. Fakti që kemi kohë në dispozicion por edhe të stimuluar nga stina e nxehtë, me të drejtë bën që stina e verës të pagëzohet si stina e dashurisë. Gjatë verës të gjithë ata që janë beqarë kanë mundësi të bëjnë njohje të reja, por edhe ata që e kanë një lidhje, e cila nuk funksionon si duhet ka të ngjarë që pikërisht gjatë pushimeve të marrin vendimin për t’i dhënë fund një lidhjeje me paterica e për të filluar një tjetër histori të nxehtë si vetë vera. Në verë hormonet janë më të stimuluara, takimet bëhen më pasionante, por sipas eksperiencave shpesh këto lidhje janë të destinuara të mbarojnë sapo mbarojnë pushimet. Por mos harroni, ka shumë të ngjarë që mbase te njëri nga partnerët kjo histori të përjetohet shumë intensivisht, pasi bëhet fjalë gjithsesi për një lidhje dashurie.
Kur pas kthimit në jetën normale kupton se gjithçka duhet harruar, ajo nuk ka qenë dashuri, por thjesht një aventurë vere. Sipas studimeve, thuhet se edhe njerëzit që bëjnë një jetë shumë të qetë private, në verë iu shtohet dëshira për më shumë intimitet. Madje, në disa vende evropiane janë në rritje numri i historive të dashurisë në breg të detit edhe te moshat mbi 50 vjeç. Pra në këtë rast duhet bërë mirë dallimi mes një dashurie me shikim të parë, e cila mund të ndodhë kudo (e pse jo edhe në pushime) dhe dëshirës për t’u zbavitur, duke e konsideruar lidhjen si pjesë e kënaqësisë që të japin pushimet, por që gjithçka duhet të marrë fund me mbarimin e pushimeve.
Pikërisht për këtë temë do të diskutojmë në forumin e sotëm; kemi të bëjmë thjesht me një flirt në breg të detit, apo me një dashuri e destinuar të zgjasë? Fjala është për ju.
Ermira Shpëtimi - Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt