Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218

    Zilia në shoqëri

    Për vuajtjet e ziliqarëve…


    Nga Dr. Adriana Anxhaku*
    14-12-2007 Shekulli



    Teksa rilexoja "Këshilla për jetën" të Shopenhauerit, më del para syve thënia: "Qysh në kohën e Senekës njihej e zotërohej mirë arti "i bukur" i zhvlerësimit të meritave me një heshtje keqdashëse, duke i fshehur publikut arritjet e mira të mendjes njerëzore thjeshtë me anën e injorimit të tyre. E kopukët e asaj kohe përdornin me aq shkathtësi mjete të tilla, si dhe maskarenjtë e sotëm. Është gjithmonë zilia që kërkon të të mbyllë gojën".

    Nuk ka dyshim se demokracia na ka mësuar tashmë të flasim pa doganë, e të përdorim më shumë fjalët sesa punët, por kjo prirje e thurur me ferra thashethemesh dashakeqe i helmon marrëdhëniet tona jo fort bashkëpunuese edhe kështu siç janë. Kur e qëmton më afër zilinë, duhet dalluar faktikisht qartë ndërmjet dy pikëvështrimeve të ndryshme. Zilia është një element regresi në shoqëri, një lloj ndryshku që harxhon shumë energji mendore e psikike që mund të përdoreshin në mënyrë pozitive krijuese e frytdhënëse jo vetëm për individin, por edhe për shoqërinë. Ajo ndryshon prej ambicies profesionale që respekton rregullat e lojës dhe ia del mbanë punëve me origjinalitet e përkushtim. Prandaj thënia: "Kam zili, pra jam", do të duhej të përkthehej në një shoqëri demokratike me rregulla loje: "Kam aftësi për të kryer disa gjëra, pra jam". Por nuk ndodh kështu realisht. Zilia ushtrohet vertikalisht e horizontalisht, fillon prej "luftës brenda llojit", për të vazhduar me smirën konsumiste, pa pyetur njëherë se a ka nevojë njeriu vërtetë të konsumojë diçka, thjesht sepse e konsumojnë të tjerët?

    Përpjekja për të kuptuar fillon me shtrimin e pyetjes: Pse janë ziliqarë disa njerëz? Për të vazhduar me pyetjen tjetër po aq jetike: A ka fusha të jetës të lira prej zilisë e smirës, me gjithë interesat konkurruese?

    Pa mohuar shpjegimet që i jep kësaj ndjenje psikologja, të tipit: Zilia mund të tregojë se sa i vogël është uni ynë e se sa i mbivlerësojmë ne të tjerët, ose hipoteza psiko-analitike se mund të vijë nga problemet e akumuluara në të pavetëdijshmen tonë për shkak edhe të jetës së varfër seksuale, (në këto raste ndihma psikologjike, por edhe njëfarë konfesioni a rrëfimi se jemi ziliqarë e lehtëson problemin, sepse thjeshtë evidentimi i tij ndihmon për të nxitur mekanizma mbrojtës), më duket më me interes një shpjegim filozofik i thjeshtë, për "të qetësuar" pak plagët e hapura të ziliqarëve.

    Paradoksi i njeriut që e mendon veten si qendra e botës e Zot, luan një rol të rëndësishëm në shtjellimin e tezës sonë. Në njëfarë mase jemi të tillë, për të gjitha vendimet që marrim ndaj problemeve të ndryshme që kanë lidhje me ne. Jo më kot Sartri ia jepte përgjegjësinë për atë çka bëhet njeriut në jetën e tij, aftësive të tij për të vepruar me vullnet të lirë në botë. Kaq e vërtetë është kjo, sa ndonjëherë duke pasur një pafundësi mundësish (parimisht, në një shoqëri demokratike me rregulla loje), na duket se mund të bëjmë çdo gjë. Ky tipar është më karakteristik për të rinjtë, të cilët mund të duan njëherësh të mësojnë disa gjuhë të huaja, të jenë mirë me shkollën, të bëjnë sport, por edhe të mos humbasin asgjë prej qejfeve të jetës etj. Megjithëse kjo ndjesi shfaqet edhe te njerëzit e tjerë deri në moshë të thyer, vetëm se me pjekuri njerëzit nuk mendojnë se janë "zotër" në kuptimin se mund të bëjnë çdo gjë me jetën e tyre si kur ishin më të rinj, por se të paktën kanë akoma mjaft zgjedhje përpara. Në hullinë e këtij arsyetimi egocentrik disa njerëz e "harrojnë" ose thjeshtë nuk duan ta kujtojnë se janë të kufizuar në hapësirë, në trupin e vet, i cili i lë në baltë ndonjëherë, por edhe në kohë, (dihet se sa zgjat jeta jonë përafërsisht). Atëherë, duke qenë të detyruar të zgjedhim ndërmjet këtyre mundësive, e të braktisim mjaft të tjera, zgjedhin t'i kushtojmë më tepër kohë nga 24 orët e përbashkëta që kemi karrierës ose familjes, prindërve ose fëmijëve, miqve ose disa pasioneve dhe doemos do kemi lënë pa përmbushur mjaft mundësi të tjera. Një ndjesi e tillë mund të në bëjë të ndjehemi "fajtorë" se ta zëmë, nuk i kemi kushtuar aq kohë sa duhet prindërve tanë, të cilët një ditë largohen nga kjo botë, ose se nuk kemi dhënë aq dashuri sa duhet e se nuk kemi qenë aq të përsosur në disa zgjedhje. Të gjitha këto situata janë tek çdo qenie njerëzore. Vetëm se, ajo që i ndryshon ato është vetëdija optimiste sartriane, se sa herë që zgjedhim ne kemi zgjedhur më të mirën e mundshme për momentin. Kjo mund të ngushëllojë disi.

    Druaj se ndokush mund të rrudhë buzët nga ky shtrim filozofik i problemit, prandaj po theksoj se ky lloj shtrimi presupozon një farë barazie të mundësive në nisje gjë zakonisht garantohen nga institucione të caktuara shoqërore, sidomos në shoqërinë demokratike e cila ka si parim bazë të saj shpalosjen e individualitetit të veçantë dhe jo bërjen e të gjithë njerëzve njësoj si barazitizmi diktatorial. Dallimi kryesor këtu është kantian: Në rast se këto zgjedhje na i imponon shoqëria, për shkak të statusit tonë social, si ta zëmë, jeta në një fshat të humbur, lindja në një familje me shumë fëmijë ose lindja rom nuk e lenë njeriun të ketë mundësi parimisht të njëjta me individë të tjerë, kjo nuk puqet gjëkundi me parimet bazë të të drejtave njerëzore e parimet e demokracisë që synojmë (që, për hir të së vërtetës nuk duhet të jenë vetëm një slogan, por një realitet i prekshëm për këto shtresa, falë edhe politikave të rishpërndarjes sociale). Në rast se këto zgjedhje i bëjmë vetë, paçka se mund të dështojmë në ca prej tyre, atëherë kemi të bëjmë realisht me një shoqëri të mirëfilltë demokratike që synon t'u ofrojë të gjithë qytetarëve të saj, pa përjashtim, mundësi të barabarta për arsimin, dije, biznes etj.

    Rollsi, ky partizan i parimit kantian të barazisë në "Një teori për drejtësinë" është i detyruar të pohojë se smira nuk mund të eliminohet krejtësisht prej shoqërisë demokratike. Kjo vjen sepse njerëzit i vlerësojnë si të padrejta e aspak transparente shumë mundësi që u ofron shoqëria demokratike. Një gjë e tillë vërehet edhe në mjaft raste edhe këtu tek ne si shkak për zilinë. Dyshimi se rregullat e ligjet krijojnë privilegje është një ndër shkaqet e kësaj ndjenje që shprehet në mentalitetin: "Ose i ka bërë me drogë ose me tjetër gjo ato pare!". Kaq larg shkon zilia dashakeqe këtu saqë shpesh nuk mund të pranohet as puna me orar të zgjatur, as përkushtimi, as zelli i dikujt për të ngritur në këmbë një biznes a sipërmarrje si bazë e fitimeve më të mira për ziliqarët e konsumit. Përmirësimi i rregullave të lojës në përgjithësi e përmbushja e atyre standardeve të provueshme në jetë, që i kërkon me të drejtë ai komuniteti ku po trokasim të hyjmë, do ta shfuqizonte këtë burim të zilive të kota.

    E megjithatë natyra njerëzore nuk ndryshon, do të mendonte ndonjë pesimist i pandreqshëm, zilia do të jetë gjithnjë prezente në marrëdhëniet tona. Ajo është e minimizueshme po themi ne, domethënë, mund të reduktohet vetëm ndër njerëzit që janë patologjikisht të tillë, e për to, si për çdo sëmundje tjetër duhet mjeku, ose psikologu: E rëndësishme është që, së pari, ajo nuk duhet nxitur dhe përligjur, siç ndodh rëndom, duke i maskuar prirjet e saj si "drejtësi shoqërore". Dhe, së dyti, duhet trajtuar sipas fjalëve të Millit, "si prirja më antishoqërore e më e keqe" në shoqërinë demokratike. Meqë shkatërron konkurrencën e ndershme, e shoqëruar shpeshherë prej intrigës, zilia përbën kësisoj një burim helmues për demokracinë, sepse lejon çdo mjet për të arritur qëllimin. Sa i përket pyetjes, nëse ka fusha të lira prej zilisë e smirës, ka mjaft të tilla edhe në realitetin tonë të përditshëm, ndeshim gjithnjë njerëz aq të mençur që kuptojnë se ka mjaft vend për të gjithë në këtë diell, e se secili prej nesh mund të gjejë atë fushë të interesave ku të shprehë veten e tij. Që kuptojnë gjithashtu se edhe në pastë disa njerëz që kanë interesa si ne, aq më mirë, kjo mund të nxisë secilin prej nesh të shkojë më përpara e jo të harxhojë atë kohën e vockël të jetës së tij, duke i vënë stërkëmbësha të tjerëve.

    *Pedagoge e Filozofisë në UT

  2. #2
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218
    Artikulli i zonjës të sipërpërmendur më dha mendimin e hapjes së kësaj teme dhe më ndezi t'i jap një koment. Nuk e di nëse filtrat virtualë të Shekullit do e publikojnë komentin tim megjithatë po e sjell këtu më poshtë me qëllim që të ngacmoj disi edhe anëtarët e tjerë rreth temë që preket më sipër.

    flm

  3. #3
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218

    koment

    Meqënëse tema prek zilinë domosdo kritika është e përkufizueshme sepse nga njëra anë kundërshtimi shpjegohet si mbrojte e vet ziliqarit dhe nga ana tjetër është detyrë për çdokënd t'i thotë jo zilisë për hir të egosë që të imponon të thuash "s'kam zili askënd jam vetja ime gjeniale".

    Nuk është koinçidencë përmendja e disa filozofëve të Liberalizmit në këtë artikull ose interesimi i këtyre filozofëve mbi zilinë. Liberalizmi synon produktivitetin e gjithëanshëm shoqëror dhe frymëzohet nga naiviteti protestant se ekziston një Zot i mirë dhe i drejtë me të gjithë dhe se ky Zot ndihmon kryesisht ata që mundohen dhe shpresojnë.

    Në fazë të parë çdo gjë duket në rregull dhe e drejtë. Por meqënëse askush nuk mund të vendosi kush janë ligjet e përparimit personal fillojnë disa keqkuptime. Ky keqkuptim rritet midis atyre që zotërojnë dhe atyre që nuk zotërojnë pasuri.

    Të parët kurorëzohen me triumfin e suksesit dhe të dytët me damkën e ziliqarit dështarak.

    Po të thoshim psh. se Shqiptarët dështuan dhe kanë zili komshijtë europianë, si parim i vetkritikës nuk dëgjohet keq.

    Vetkritika nuk i bëri keq askujt vetëm se në këtë rast duke u frikësuar nga damka e ziliqarit apo në rast të radhë duke u fikësuar nga vet Zoti dalim në ekstremin tjetër: "unë nuk e kam zili filanin se unë mund të bëhem vet si ai apo edhe më mirë".

    Pra do punoj me çdo kusht të arrij suksesin liberalo-protestant dhe nëse nuk e arrij nuk është faji i atyre që zotërojnë dhe që vëjnë ligjet e lojës është vetëm faji i im (aq më tepër kur pionierët e modernizimit liberalist nuk përmendin askund hetapat e "dështimit" por vetëm ato të "suksesit")!

    Egoja ime "gjeniale" më imponon të ndjek pasivisht rrugën që të tjerët përgatitën për mua! Ky është faktkisht themeli i suksesit liberalist dhe realieti i modernitetit tiranas ku do i japësh edhe shpirtin qenit për të arritur suksesin valutor!



    Shprehja e tyre e dashur : mundesh edhe ti, puno akoma më tepër!

  4. #4
    l'aquila tornera a volare Maska e brandon
    Anëtarësuar
    07-04-2006
    Postime
    622
    Zakonisht pasuria eshte ajo qe shkakton me shume zili.
    Ndryshe nga vendet e tjera te Europes ( si Itali, France etj , ku pasuria shihet si objekt smire provinciale dhe prvokon deshire dhe urrejtje te pajustifikuar qe ushqehet nga kultura e te dyshuarit),
    ne Angli ,pasuria shikohet si cmim per nje pune te forte , si dicka e merituar qe vleresohet me respekt.
    Ziliqari thote :"Cfare ka ai me shume se mua".- kjo zakonisht ne shoqerite ku barazia ka vlere ( Egalite, fraternite, liberte) , por duket qarte urrejtja per njerezit e vertete.
    Ziliqarit nuk i pelqen puna,priret nga konservimi , , nuk e do sakrificen (se mos e ze paraliza ),dashurine per rrezikun , tensionin, por pretendon avantazhe duke ndenjur rehat, me turp ,por ama rehat.
    Kur njeriu punon nuk ka kohe per tu bere ziliqar.
    Per te patur dicka duhet punuar dhe luftuar.Edhe prifterinjte (qe te kesh , dhe te kerkosh te ecesh perpara , nuk ka asnje vlere-), jane me ziliqare se ziliqaret.
    La vida es un carnaval

Tema të Ngjashme

  1. Prinderit tuaj deshirojne qe ju te keni me shume shoqeri shqiptare apo te huaj?
    Nga strawberrygirl_ në forumin Grupmoshat e komunitetit
    Përgjigje: 49
    Postimi i Fundit: 17-07-2010, 05:55
  2. Partite Dhe Sektet
    Nga abdurrahman_tir në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 17-02-2009, 13:25
  3. Bursa
    Nga Gerrard në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 09-04-2007, 13:42
  4. Amerika, kjo shoqëri që sheh nga e ardhmja
    Nga Brari në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 21-05-2006, 06:09
  5. Barazi midis mashkullit dhe femres
    Nga skerdi në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 27-06-2004, 08:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •