Floriri i grabitur nga Mbreti Ahmet Zogu, kur u largua nga Shqipëria, në prill të vitit 1939, ka qenë gjithnjë një nga çështjet e mbetura të pazbardhura. Është folur për grabitje të thesarit, por kurrë nuk janë dhënë shifra mbi sasinë e arit që Mbreti Zog e qeveria e tij morën me vete. “Gazeta Shqiptare” siguroi një dokument-relacion të drejtorit të Thesarit, dërguar ministrit të Financave më 6 prill 1939, pikërisht mbi sasinë e arit të marrë nga Mbreti Zog, ku shpjegohen paralelisht dhe momentet e fundit të largimit të tij nga Shqipëria. Relacionin shpjegues shkruar në gegërisht nga drejtori i Thesarit, Kelë Naraçi, drejtuar ministrit të Financave, Fejzi Bej Alizoti, po e shkruajmë të plotë, për të kuptuar plotësisht ngjarjen e shumëpërmendur.
Mbledhja
Viti 1930 shënoi fillimin e ndërtimit dhe zhvillimit të vendit, ndërsa kryeqyteti u kthye në qendrën më të rëndësishme administrative. Në vitin 1937, tregtia po ecte me hapa të shpejtë, e këtë fakt e tregonin dhe të ardhurat doganore të cilat pësuan rritje. Në raportin e tij, drejtori i Thesarit shpjegon paraprakisht se pagesat që bëheshin nga tregtarët për detyrimet doganore preferoheshin të bëheshin në ar, sepse kursi i këtyre monedhave ishte më e lirë se vlera e konvertuar në kartëmonedhë. Pikërisht kjo shumë monedhash e mbledhur nga doganat u vendos që të mbahej e paprekur, deri sa të jepej ndonjë urdhër për përdorimin e tyre. Me shkresën nr.7866/II, të datës 23.10.1937, u hap pranë Bankës Kombëtare kjo llogari relative e pafrytshme (e paprekshme) metal ari, ku depozitoheshin herë pas here dërgesat. I pari urdhër për prekjen e kësaj llogarie u bë me rastin e martesës së Mbretit Zog dhe kremtimit të 10- vjetorit të monarkisë. U morën 10.000 napolona floriri (në atë kohë 1 napolon floriri konvertohej me 20 franga ari), të cilat u shndërruan në kartëmonedha dhe u hodhën në treg. E gjithë sasia e monedhave të arit, të depozituara që në fillim deri në 6 prill 1939, në këtë llogari kapnin vlerën 648.535.80 franga ari. “Prej këtyne, me zbritjen e 200.000 franga ari, të përdoruna si ma sipër, mbeteshin 448.535.50 franga ari, gjendje mbi të cilën si mbas deklaratave të herë pas hershme t’ish ministrit Z.Kolë Thaçi, diftohesh n’interesim ish-mbreti i larguem”, - shkruan drejtori i Thesarit.
Rrëmujat
Referuar relacionit të tij, thuhet se në muajt e parë të vitit 1939, pikërisht kur gjendja po rëndohej, ministri Thaçi, në varësi të urdhrit të Ahmet Zogut, bëri që llogaria e paprekshme, pra e ngrirë që u krijua nga të ardhurat doganore, të zhbllokohej për llogari të tij. Kjo u bë e mundur mes dy autorizimeve me nr. protokolli 2031/65 dhe nr.2031/79, në datat 31 mars dhe 3 prill të vitit 1939, ku vlera prej 448.535.50 franga ari, mund të tërhiqej në çdo moment nga ish-mbreti Zog. “Në mbrëmjen e ditës 6 si dhe përfundimisht, në mëngjesin e ditës 7, të prillit të vj.v (vitit të vjetshëm), vetë ish ministri z.Kolë Thaçi urdhënoj që e gjithë gjendja e treguese t’i dërgohesh e t’i dorëzohesh vetë ish Mbretit Zog I, që ndodhesh midis pjesëtarëve t’ish Këshillit Ministruer në shtëpin e z.Koço Kotta”, - shkruan drejtori i Thesarit. Në vijim të relacionit thuhet se arkëtari i përgjithshëm, z.Ramazan Berberolli, ndodhej në pritje në zyrë. Ai mori një telefon nga ish-kryeministri, i cili e pyeti për ministrin Kolë Thaçi që ishte larguar si dhe për çështjen. Pak minuta më vonë atë e telefonoi dhe ish-komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Shefki Shatku i cili e porositi arkëtarin e përgjithshëm të rrinte në pritje të urdhrave. Pak minuta më vonë arriti një makinë e Pallatit Mbretëror, shoqëruar nga dy ushtarë dhe një toger i Gardës, i cili quhej Selim Gjoci. Ky i fundit urdhëroi që arkëtari Berberolli të merrte në praninë e tij dhe të fuste në trajse, të gjithë sasinë e arit, dhe së bashku të shkonin e t’ia dorëzonin Mbretit Zog I. Sipas thënieve të ministrit Kolë Thaçi, këto para do të merreshin me një proces-verbal që do lëshohej nga Këshilli i Ministrave, i cili ishte mbledhur në shtëpinë e Koço Kotës. “Kështu n’automobilin që na priste jashtë zyreje, u përcollëm deri aty, ku gjetmë, ish Mbretin Zog I, midis ish ministrave z.Koço Kotta, Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku, Rrok Gera (Z.Kolë Thaçi mungonte), Abdurrahman Mati, Xhafer Ypi, Sotir Martini, Allaman Çupi, Ndoc Kurti, Jani Dallamango, Milto Noçka e të tjerë në prani të të cilëve i’u lëshuen për’anë ku ishte ndenjun vetë ish mbreti Zog I, 13 trajcat që mbajshin monedha ari”, - shkruan në raportin e datës 6 qershor 1939, ish-drejtori i Thesarit në kohën e Zogut.
Procesverbali
Sikurse kishte premtuar ministri i Financave Kolë Thaçi, shuma e frangave të arit tërhequr nga Banka do të merrej me procesverbal të firmosur nga Këshilli i Ministrave. Por në relacion shkruhet se gjendja në vend ishte jashtë kontrollit. Vinin lajme e telefona pafund për qëndrime luftarake, prishje urash, sheshesh, e në këtë panik, një formalitet i tillë nuk mund të zihej me gojë. “Rrethana në të cilën as kuejtë s’i-a mbante me i xanë me gojë formalitete të marrjes në dorëzim të monedhave në çashtje ish Sovranit që shifesh n’agoninë e Regjimit të tij që po përmbysesh...”, - shkruan drejtori i Thesarit. Sipas tij, u tentua t’i thuhej ndonjë fjalë Rrok Gerës, meqë ministri Kolë Thaçi mungonte, por edhe ky shtronte pyetjen se si mund t’i ndihmonte në një moment të tillë. Ndërkaq, Mbreti Zog dhe kabineti ministror, duke parë se ishin epiqendra e aeroplanëve që fluturonin në qiell, vendosën të shpërnguleshin në banesën e vëllait të tij, Xhelalit, bashkë me arin e tërhequr nga Banka. Arkëtarit Berberolli iu dha urdhri të shkonte në zyrë e të priste urdhra për tërheqje të tjera monedhash, ato ç’kishin mbetur, por pas largimit të menjëhershëm të kabinetit ministror dhe Zogut I, ai mbeti në shtëpinë e ish-kryeministrit bashkë me z.Xhafer Ypi. Duke u kthyer në shtëpi, ata takuan Kolë Thaçin dhe i treguan mbi ngjarjen. Arkëtari Ramadan Berberolli më pas shkoi në shtëpinë e Xhelal Zogut për të dorëzuar dhe reston e arkës, pra 118.195 franga ari. Ai qëndroi aty deri në orën 4.30 pas dreke për të marrë nga Mbreti Zog dhe kabineti ministror procesverbalin e të gjithë sasisë së monedhave që arrinin deri në 566.975.50 franga ari. Pasi u numëruan të gjitha, u bë e mundur që arkëtari të merrte në dorë një procesverbal dorë-marrjeje, që u nënshkrua nga major Allaman Çupi, adjutant i Mbretit Zogu I, i cili sipas drejtorit të Thesarit, Kelë Naraçi firmoste zakonisht për veprime të përkohshme.
Largimi
Vendqëndrimi i parë i Mbretit Ahmet Zogu, ishte Greqia. Në një procesverbal të mbajtur në atë kohë, shpjegohet që në orën 10 të datës 10 prill, rreth 2 mijë veta, mes të cilëve kabineti qeveritar, deputetë, oficerë dhe ushtarë u ndalën në Follorinë, nga ku do të shkonin në Selanik. “Taman në ora 10 u nisëm prej Fullorine për Selanik, me një shimendifer (tren nga frengjishtja), kurse me nji urdhën të Qeverisë Greke Shimendiferi ndërroj rrugën e mori drejtimin për Kozanë”, - shkruhet në procesverbalin e mbajtur nga grupi që shoqëronte Zogun gjatë largimit nga Shqipëria. Kur arritën në Kozanë, shpura e Ahmet Zogut u ndalua nga policia dhe u detyrua të ndaheshin. Ndërkohë që vetë mbreti iu drejtua ish-ministrit tonë të Jashtëm në atë kohë, Ekrem Libohovës, ndërsa i kërkoi të fliste me qeverinë greke. Sipas Zogut, ai bashkë me shpurën e tij nuk mund të ndaheshin, po brenda tre ditësh do të largoheshin nga Greqia për këtë moskuptim. Pas shumë diskutimesh u vendos që ata të shkonin në Larisa, ku u bë dhe mbledhja e parë e qeverisë në emigrim, e cila mori në shqyrtim atë pjesë të personelit të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe, pra pa strehim e pa ushqim.
Përdorimi i parave
Meqë një pjesë e shpurës së Zogut kishin mbetur keq, në mbledhjen e qeverisë u diskutua që shuma e tërhequr nga arka e shtetit më 7 prill 1939 të shërbente për këtë kategori. “Këshilli Ministruer nën kryesinë e Kryeministrit Shkëlqesis së tij Koço Kotta, i kërkojë Ministrit të Financës Zotni Rrok Gerës, shumën e tërhequn prej arkës së shtetit më 7 prill 1939 me të gjitha detajet. Ministri i Financës, më nji herë të parashtrojë pasqirin e shumave të tërhequna prej arkës së shtetit, si edhe të prishurat prej kësaj shumë me urdhër të këshillit Ministrure”, - shkruhet në procesverbalin e qeverisë në largim. Referuar kësaj, shuma e tërhequr nga arka e shtetit është 23.000 napolona ari dhe 61.000 napolona letre. Kjo pikërisht ishte pasqyra që paraqiti ministri Gera, në Këshillin e Ministrave jashtë shtetit, shumë e cila po ta llogarisim me 5 gram që peshonte një napolon floriri, shkon në 115 kilogramë ar. Sipas procesverbaleve të mëposhtme, verifikohet që kjo shumë u përdor për të mbajtur të gjithë personelin e Zogut, që ai kishte me vete, dhe për ata që i shërbyen në rrugëtimin e gjatë mes Ballkanit dhe Evropës deri sa mbërriti në Londër. Kjo është historia e arit të famshëm që Zogu mori nga Shqipëria, që në vlerë reale llogaritet vetëm 115 kilogramë ar.
Krijoni Kontakt