Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 23
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22

    Libri "Fundi i Siberisë Shqiptare": Katër ditët që ndryshuan Shqipërinë

    Katër ditët që ndryshuan Shqipërinë

    (Marre nga libri: “Fundi i Siberise Shqiptare”, autor Afrim Krasniqi, Tirane 1998)

    Fillimet e protestës së ballkoneve

    Fillimi i dhjetorit erdhi me atë monotoninë mbytëse të tërë atyre javëve të ftohta të dimrit të vitit 1990. Gjendja e pandryshuar ekonomike, propaganda e madhe për epërsitë e mekanizmit të ri ekonomik dhe afrimi i periudhës së provimeve semestrale, mbante peng tërë atmosferën universitare. Pasditeve të njëtrajtshme, studentët vazhdonin t’u kushtonin më shumë kujdes stendave dhe debateve të shtypit, sesa shablloneve 50-vjeçare të propagandës mësimore. Sidomos studentët konviktorë ende ndieheshin viktima të atmosferës së dyfishtë mes monotonisë në auditore dhe monotonisë në konvikte. Riti i fletë-rrufeve dhe njoftimeve të organizatës së BRPSH-së, që kritikonin studentët që nuk kishin pastruar si duhet dhomat dhe që nuk kishin kryer si duhet dezhurin në guzhinat e mensave, vazhdoi të përsëritej me të njëjtën egërsi edhe në fakultete. Kjo nuk ishte një gjë e parëndësishme. Përkundrazi, kishte ende shumë nga ata pedagogë që vlerësimin e dijeve të studentëve e bënin jo nga shkalla e përgatitjes mësimore, por nga shkalla e vlerësimit të tij nga Organizata e Bashkimit të Rinisë dhe Këshilli i Studentëve.

    Në ndryshim nga rutina dhe monotonia e leksioneve universitare, ditët e para të dhjetorit 1990, pasditeve në godinat e qytetit “Studenti” filloi të përjetohej një atmosferë dhe një realitet krejt tjetër. Që nga 1 dhjetori, çdo pasdite në godinat e studentëve të inxhinierisë, arteve dhe letersisë, shuheshin dritat elektrike. Për një periudhë prag provimesh dhe për një dhjetor të ftohtë tiranas, mungesa e dritave ishte më tepër se një mungesë e zakonshme në jetën sudentore. Si pjesë konkrete e realitetit dhe e debatit studentor, ky fenomen teknik u shndërrua në qendër të vëmendjes dhe bazament për përvijimin e të gjitha reagimeve të tyre. Fillimisht, nervat e acaruara të studentëve dhe manifestimi i protestes spontane, patën një kufi durimi. Kështu ndodhi ditën e parë dhe të dytën. Përsëritja e të njëjtit refren, përjetimi i të njëjtit shqetësim dhe protesta e të njëjtëve protagonistë, nga dita në ditë u kthye në një rit nga i cili u bë gjithnjë e më e pamundur të dilje. Pas katër ditëve të para të mungesës së dritave, u bë zakon studentor, që momentin e shuarjes së dritave, ata të reagonin duke thirrur, fishkëllyer, kënduar etj. Kjo lloj proteste u zgjerua dhe nga vetmia e një apo dy dhomave, filloi të praktikohej në të gjitha ballkonet e godinave studentore. Mbrëmja e 4 dhjetorit 1990, solli mënyrën e protestës ndryshe. Sipas traditës filluan tingujt muzikor dhe thirrjet e sforcuara të studentëve. Por, monotonia e kësaj lloj proteste shumë shpejt ndryshoi. Ishin orët e para të mbrëmjes kur në godinen 23 ku banonin studentë të Institutit të Lartë të Arteve filluan që thirrjet dhe muzika shoqëruese të dalë nga dhomat në ballkone. Studentët e ILA-së kishin vendosur të protestonin në mënyrë origjinale, duke i shndërruar ballkonet dhe dritaret në skena shfaqjeje. Ritmet e muzikës harmonizoheshin me ritmet dhe dendësinë e thirrjeve dhe parullave enigmatike studentore. Në përgjigje të tyre, studentët e gjeologji-minierës nxorrën karriket në ballkone dhe në mënyrë të çuditshme filluan t’u binin me shkopinj. Ata të letërsisë, konkuruan kolegët me recitimin e ndonjë poezie të ndonjë autori të ndaluar nga regjimi, kurse studentët e inxhinierisë mekanike shoqëronin skenën me ca klithma që do t’i kishte zili çdo cirk i Evropës. Mbrëmja e 4 dhjetorit u përsërit edhe një natë më pas. Thirrjet e studentëve dhe protesta e tyre nëpër ballkone, alarmoi tërë Drejtorinë dhe Rektoratin e Universitetit. U bënë disa mbledhje të njëpasnjëshme të kolektivave të punonjësve të godinave, por, lehtësisht, dukej se kësaj radhe nuk do të ishte e lehtë shuarja e protestës. Në këndet e godinave ku zakonisht afishohej falas gazeta “Zëri i Popullit”, u varën thirrje të drejtorisë, rektoratit dhe organizatës së rinisë. Të gjitha së bashku u kujtonin studentëve rregulloret e shkollës, rregulloret e konvikteve dhe paralajmëronin marrjen e masave ekstreme për ata që thyenin disiplinën. Të gjitha flisnin “për luftën kundër veprimeve antiligjore të disa individëve”. Ishte e njëjta përmbajtje dhe skemë që pushteti kishte zbatur që nga themelimi i universitetit.

    Ditën e dytë të këtij veprimi “antiligjor”, më 6 dhjetor, një grup studentësh të inxhinierisë mekanike-elektrike, publikuan në muret e drejtorisë së qytetit “Studenti” një fletë-rrufe drejtuar qeverisë dhe autoriteteve universitare. Ishte e para e këtij lloji në historinë e këtij qyteti shpërthyes. Fletë-rrufeja në tërësi kërkonte realizimin e premtimeve televizive për kushte ekonomike, ngrohje, ushqim, mësim dhe ndriçim.

    Ajo ishte sinjali i parë serioz që autoritetet morën publikisht. Vendi i publikimit të saj si zakonisht u rrethua me policë dhe njerëz të kasketave, të cilët kishin një dëshirë të jashtëzakonshme të mernin hapur informacione për të gjithë ata studentë që afroheshin për ta lexuar atë. Ca prej tyre humbën më shumë se një ditë për të pyetur studentët se përse ishte përdorur bojë e kuqe dhe korniza blu, përse fletërrufeja nuk i drejtohej direkt partisë, por autoriteteve ekzekutive dhe përse të tjera të pa fundme.

    vijon...

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Aktet e para të duelit student-qeveri

    Jehona e fletë-rrufesë më shumë se tek studentët, pati efekt tek autoritetet. Zyrat e policisë dhe drejtorisë qëndruan të hapura deri në orët e vona të natës, në pritje të informacioneve “shtesë” mbi qëllimet dhe lëvizjet e studentëve. Parandjenja e tyre kishte një bazë të fuqishme vërtetësie. Ndryshe nga ndrojtja e netëve më parë, mbrëmjen e 6 dhjetorit protesta e ballkoneve mori një drejtim të ri. Studentët filluan garën mes godinave duke shkëmbyer mes njëri-tjetrit si përshëndetje, emrash politikanësh dhe shkrimtarësh të ndaluar, shqiptarë dhe të huaj. Kështu, sapo nga ndonjë ballkon të errësuar të godinës së letërsisë dëgjohej thirrja: “Rroftë Gjergj Fishta”, studentët përballë ia kthenim “Rroftë Faik Konica!”. Kjo mori shkëmbimesh mes tyre, i la vendin emrave më të njohur të politikës ndërkombëtare. Ata thërrisnin: “Rroftë H.Kohli” apo “Poshtë H.Kapo”, të tjerët ia kthenin: “Rroftë Xh.Bushi” apo “Poshtë Stalini!”.

    Shkëmbimi i thirrjeve dhe gara e studentëve lanë gjurmë të jashtëzakonshme kryesisht në vetdijën studentore. Ata më të guximshmit vazhduan të gjejnë emra të tjerë nga katalogu i të ndaluarve, kurse ata më të tërhequrit mes ankthit dhe admirimit dëgjonin të fshehur poshtë dritareve apo batanijeve. Të dy palët arritën të mposhtin kultin e frikës që kishte sunduar shpirtrat e tyre për vite me radhë. Dëshira për të vazhduar me “garën” dhe me lojën e emrave heretikë ishte e gjithëpushtetshme. Kjo dukej hapur saqë edhe kur në godina vinin dritat elektrike, studentët i shuanin ato dhe dilnin në ballkone për të vazhduar ritin e panjohur të betejës së emrave. Kjo mënyrë proteste dhe dëshirë për të shfrytëzuar të gjitha shanset e jetës së përbashkët studentore, këto thirrje në dukje të shpërndara dhe momentale, bënë efektin më të madh në psikologjinë e studentëve. Natën tjetër, ata prisnin me padurim fikjen e dritave për të rifilluar dhe avancuar më tej protestën e tyre origjinale. Vendimtar ishte fakti se, këto thirrje dhe reagime publike të studentëve, bënë që masa e madhe e indiferentëve dhe e vetë protagonistëve, të bindej se bashkarisht ata mund të përparonin dhe pretendonin të gërmonin mbi politikën, pa dhembjet e traditës. Ata vazhdonin lojën e tyre, pavarësisht se në cepat e godinave dalloheshin silueta të panjohurish që lëviznin me blloqe, aparate fotografimi dhe regjistrimi në duar. Ata i përkisnin ushtrisë së madhe të sigurimit e cila në mendjen e studentëve konsiderohej pjesa më negative e shoqërisë shqiptare. Bashkë me kasketat u vunë në lëvizje të plotë demonstrimi force dhe kontrolli nëpër dhoma studentësh, skuadra speciale të policisë. Makinat e tyre, që studentët me tallje i quanin “morra”, parakalonin me shpejtësi frikësuese përpara godinave, ku dëgjoheshin thirrjet më të mëdha të studentëve.

    Ministri i Arsimit urdhëroi të gjithë kujdestarët dhe punonjësit e godinave të studentëve për të evidentuar dhe përjashtuar nga godinat të gjithë studentët që solidarizoheshin në ritin studentor të ballkoneve. Paralelisht, në komandën e policisë të qytezës kishte arritur urdhri tjetër për të arrestuar të gjithë studentët që do të përjashtoheshin nga godinat. Nëse do të zbatoheshin këto urdhra, atëherë në qytetin “Studenti” do të mbeteshin vetëm kujdestarët, policët dhe spiunët e sigurimit. Por, mrekullia kishte ndodhur. Sado që vendimet shtrënguese shtoheshin, aq më shumë rritej numri i studentëve që mbrëmjen pasardhëse, i bashkoheshin ritit të ballkoneve. Shtimi i tyre do të thoshte shtim edhe i mozaikut të thirrjeve politike, mënyrës së protestës dhe thyrjes së mitit të frikës nga regjimi politik.

    Fletërrufeja e studentëve të inxhinierisë elektrike, tensionet e ditëve të fundit në qytetin “Studenti” dhe rreziku i përhapjes se tyre, vunë në lëvizje tërë aparatin burokratik të diktaturës. Krahas urdhërit për përjashtimin e studentëve nga godinat, policia mori urdhrin fatal për të arrestuar të gjithë të përjashtuarit e mundshëm. Ishte e njëjta skemë e ciklit të mbyllur që kishte funksionuar për dekada me radhë duke i sjellë shqiptarëve më shumë se 300 mijë viktima të pafajshme dhe një regjim barbar në krye të shtetit.

    Më 7 dhjetor në ILA një grup studentësh dhe pedagogësh ishin arritur të realizonin kremtimin për herë të parë në Shqipërinë komuniste, të përvjetorit të grupit të famshëm muzikor “Bitëlls”. Kremtimi i asaj nate u kthye në një bumerang për betonin ideologjik të dikaturës. Rreth 35 vjet më parë ishte tentuar më kot të pranohej muzika moderne si pjesë e jetës dhe shijeve shqiptare. Atëherë dikatori pati ndërhyrë ashpër dhe të gjithë admiruesit e saj u “transferuan” në burgje apo kampe përqendrimi. Një brez i tërë këngëtarësh, regjisorësh dhe krijuesish të talentuar u dënuan me burgim, deri edhe me pushkatim. Që nga ajo kohë çmendurie, ishte herezi të dëgjoje apo shprehje admirim për muzikën që dëgjonin dhe admironin më shumë se 3 miliardë banorë të botës jokomuniste.

    Mbrëmja e ILA-së ishte një nga pjesët më të ndjeshme të reagimit studentor. Kasetat ilegale me këngë të fondit muzikor bashkëkohor morën përpjestime të mëdha mes studentëve. Mbrëmjeve kur errësira mbulonte godinat dhe dritat e dhomave fillonin të shuheshin, të mbledhur në dhoma të veçanta studentët dëgjonin tingujt e ndaluar. Këtë gjë e kishte nuhatur jo vetëm policia e fshehtë, por edhe shtypi kryesor komunist. Gazeta kryesore politike “Zëri i Popullit” servirej falas godinë më godinë. Ato ditë dhjetori, ajo shpërndahej falas edhe në auditorët e universitetit. Brenda faqeve të saj flitej gjerësisht mbi rrezikun e degjenerimit të rinisë studentore nga muzika dhe moda e huaj.

    Më 7 dhjetor 1990 gazeta “Zëri i Popullit” iu shpërnda falas studentëve në dhjetra mijëra kopje. Me 7 dhe 8 dhjetor 1990 kjo gazetë botoi në faqen e saj të parë lajmin mbi vizitën e ministrit të Jashtëm shqiptar në Havanë. Ato ditë dhjetori, Fidel Kastro ishte aleati i vetëm i Ramiz Alisë në botë. Njëkohësisht, gazeta informonte mbi daljen “në qarkullim të vëllimit numër 71 të veprave të shokut Enver”(1) dhe për vendimin historik të shqiptarëve të Kosovës për të bojkotuar zgjedhjet federative jugosllave. Ato ditë ishin të veçanta, pasi ishte hera e parë që shteti vraponte publikisht për të shpërndarë me urdhër policor helmin e zi informativ. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Pavarësisht nga kjo sjellje, në mënyrën e reagimit studentor asgjë nuk ndryshoi. Për më tepër, ishte një zhgënjim këmbëngulja e atyre studentëve të cilët më kot shpresuan të gjejnë mes rreshtave të saj ndonjë gjë të ndryshme nga stili i saj 50 vjeçar.

    Ishin të njëjtët terma politikë, të njëjtët autorë dhe të njëjtat ndjenja besnikërie ndaj prosocializmit që prej një viti ishte fundosur përgjithmonë në gjithë Evropën lindore. I vetmi vend ku ai jetonte ishte ai i shqiponjave. Kushdo në Shqipëri e kishte kuptuar dhe ndierë këtë paradoks. Disa e kuptonin atë si mrekullinë shqiptare, shumica si meritë, por brenda pakicës që e mendonin atë si një rrugë pa krye, fatmirësisht rreshtoheshin pjesa më intelektuale e shoqërisë shqiptare.

    vijon...

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Dështimi i paralajmëruar i Adil Çarçanit

    Të shtunën e 8 dhjetorit në ora 10:00, krejt papritur arriti për një vizitë në qytetin “Studenti” një ekip i qeverisë i kryesuar nga kryeministri Adil Çarçani. Vizita e Çarçanit tregoi shkallën e lartë të seriozitetit që autoritetet e PPSH-së po u kushtonin studentëve. Pavarësisht nga “afiniteti”, reklama dhe buzëqeshjet e pakursyera të liderit të qeverisë komuniste, vizita e tij u shoqërua me disa incidente të papritura publike. Fillimisht, incident dhe të qeshura të shumta shkaktoi tek studentët vizita e kryeministrit në godinën 26-27 ku banonin vajzat e ekonomikut dhe fakultetit të shkencave.

    E ndërtuar nga vullnetarë të disa rretheve, përurimi i saj ishte bërë më 14 shtator të atij viti nga vetë ministri i arsimit S.Gjinushi. Kjo godinë ndodhej disi e veçuar nga insfrastruktura e qytetit studentor. Rruga nga qendra e qytezës deri tek godina megjithëse nuk ishte më shumë se 10-15 metra e gjatë, ishte një tmerr i vertetë. Balta e dendur dhe gropat e mëdha të mbushura me ujin e shirave dimërorë, e bënin të pamundur ecjen normale në të. Për studentët kjo ishte një nga vështirësitë e zakonshme të jetës studentore. Kurse për një qeveritar të lartë, ky realitet ishte një surprizë e pakëndshme. Kështu të paktën u duk atë paradite të 8 dhjetorit, kur eskorta qeveritare e kryeministrit Çarçani kërkoi të kalonte baltën. Trupa e shoqërimit kishte sjellë me vete çizme ushtarake për kryeministrin dhe shoqëruesit e tij qeveritar. Edhe pse i pajisur me mjete të tilla siguruese, kryeministri ndaloi në hapin e parë të rrugës. Ai shprehu frikë dhe mosbesim për të vazhduar më tej. Atëherë kryeministri zgjodhi ecjen në cepat e betonimit anësor të rrugës që ndërtuesit e quajnë brodurë trotuari. Dhjetë metrat e rrugës Çarçani i bëri duke ecur si në skena cirku në brodurë dhe duke u mbështetur në krahët e dy-tre bodigardëve të tij. Natyrisht që kryeministri i shpëtoi baltës, pavarësisht se shoqëruesit e tij humbën ngjyrën e këpucëve. Kjo skenë shkaktoi të qeshura të shumta të gjithë studentëve që ndodheshin përpara godinës në pritje të kryeministrit të tyre. Të qeshurat të shprehura me zë të lartë edhe nga ballkonet, zemëruan kryeministrin i cili urdheroi shoqëruesit dhe forcat e shumta të policisë të normalizonin situatën. Më pas kryeministri bisedoi gjatë me studentët për kushtet e mira ekonomike dhe kujdesin e vazhdueshëm të qeverisë së tij për ta. Ironia e kësaj vizite dhjetë minutëshe të kryeministrit ishte se kthimin në rrugicën e baltosur ai e bëri me makinën ushtarake që e shoqëronte dhe jo më në këmbë. Natyrisht që ai shpëtoi nga baltosja fizike në atë pjesë rrugë që studentët ishin të detyruar ta bënin minimumi pesë-gjashtë herë në ditë.

    Pas incidentit të baltës, Adil Çarçanin e drejtuan në sallën e godinës 12 ku qeveritarët më të vegjël dhe drejtoria e qyteti “Studenti” kishte përgatitur një takim të improvizuar me studentë. Sipas traditës, gjysma e pjesëmarrësve në sallën 100-vendëshe ishte e përbërë nga ushtarakë, oficerë policie dhe sampistë të repartit special 326 të Tiranës. Pjesa tjetër përbëhej nga studentë pakica e të cilëve nuk ishte e zgjedhur nga organizata e rinisë komuniste për të marrë pjesë. Megjithatë, tashmë këto klishe i përkisnin të kaluarës. Kohët kishin ndryshuar psikologjinë dhe mënyrën e reagimit studentor. Takimi filloi nën një frikë të dukshme të autoriteteve qeveritare. Frika ndaj debatit studentor, bëri që atmosfera e zymtë e atij takimi dhe ftohtësia e marrëdhënieve të podiumit me pjesën studentore të auditorit, të paralajmëronin një debat jo të zakontë.

    Supriza nuk vonoi. Dy-tre studentët e parë shprehën protesta për kushtet e studimit, burokracinë universitare. Menjëherë pas tyre e kërkoi fjalën një studente e fakultetit të inxhinierisë. Quhej Alma. Ajo filloi të fliste pa klishetë e kortezive zyrtare. Në fund të fjalës së saj, ajo iu drejtua kryeministrit ‚arçani me fjalët: “Çfarë kushtesh kemi ne studentët? Nuk kemi as ato minimalet. Edhe në shtëpitë tona është e njëjta gjendje. Ne ndihemi në varfëri ekonomike”. Pasi qëndroi për një çast në pritje të ndonjë reagimi nga zymtia e portreteve të podiumit, ajo dha deklaratën surprizë: “Unë s’mund t’ju kuptoj atëherë për ato që thoni. Unë dhe shoqet e mia kemi pasur shumë besim tek partia (PPSH-ja), por kohët e fundit jemi zhgënjyer shumë prej saj. Unë nesër do bëhem nënë, por ja ku po ju them, se unë s’mund të lind fëmijë për Ju!”. Salla ra në heshtje. ‚arçani dhe bodigardët e tij të shumtë vështruan ashpër auditorin, në pritje të ndonjë reagimi studentor kundër fjalëve të vajzës, siç kishte ndodhur pothuajse për pesë dekadat e fundit të demokracisë socialiste.

    Por, pritja dhe shpresa e tyre ishte një zhgënjim i shumëfishtë. Vazhdimi i debatit studentor tregoi se shumica e studentëve pjesëmarrës ishin në një mendje me kolegën e tyre. Atëherë, Carçarni hijerëndë dhe i mundur u ngrit dhe formalisht mbajti fjalimin e fundit publik të karrierës së tij politike. Sipas formulës ramiziste, fillimisht deklaroi se pranonte frymën e kritikës, ndërsa më pas harxhoi energji të kota për të ngritur në pediestal punën e qeverisë dhe partisë së tij. Në fund, në emër të tij, qeverisë dhe PPSH-së, kryeministri komunist Adil Çarçani kërcënoi studentët për mendimet e tyre jorealiste dhe të frymëzuara nga propaganda e huaj. Megjithatë ai nuk shkoi më tej në sulmet e tij, por tha se për ta vazhduar debatin duhej një punë më serioze me studentët nga rektorati universitar, drejtoria e qytezës dhe organizatës së rinisë komuniste. Me kaq, takimi dhe vizita zyrtare e kryministrit u mbyll. Për herë të parë, në fund të spektaklit student-qeveri nuk pati as duartrokitje për qeveritarët dhe as brohoritje për diktatorin e diktaturën. Përkundrazi, ikja e Çarçanit u shoqërua me fishkëllima (2).

    Dështimi i ‚arçanit dhe misionit të tij për të neutralizuar pakënaqësitë e studentëve, ishte paralajmërimi më i mirë dhe i drejtëpërdrejtë që mori diktatura. Ndërsa kryeministri me eskortën, policët, sigurimin dhe servilët e panumërt qeveritarë largoheshin të fshehur në sediljet e veturave luksoze, qyteti i banorëve 20-22 vjeçarë ndihej psikologjikisht fitimtar dhe i çliruar. Pikërisht atë ditë të ftohtë dhjetori, 12 orë më vonë nga studentët dhe qyteti i tyre do të fillohej të shkruhej një nga pjesët më të ndritura të historisë shqiptare.

    vijon...

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Mbrëmja që gjunjëzoi diktaturën

    Pasditja e 8 dhjetorit s’pati asgjë të veçantë. Si zakonisht, studentë që grupe-grupe nxitonin për të kryer detyrat e seminareve përpara se të shuheshin dritat, lëvizje të heshtura rreth godinave dhe mesnave të errësuar. Heshtja enigmatike e pasdites ngjante me pragbetejat e luftrave ku palët janë në përgatitjet e fundit të betejës. Edhe studentët në dukje aq monotonë dhe të heshtur, atë natë dhjetori do të fillonin luftën e madhe të përmbysjes së piramidës shqiptare.

    Me të filluar errësira e mbrëmjes, pritej vetëm riti i përditshëm i shuarjes së dritave që studentët të fillonin reagimin nga dritaret dhe ballkonet. Kabina kryesore elektrike ndodhej e montuar në të majtë të godinës 20, ku banonin studentët e gjeologjisë dhe minierave, ose siç njihen ndryshe “titanët” e qyetezës. Po kalonte ora 19:30 dhe dritat ende nuk ishin shuar. Shumë studentë po i mërziste mendimi se atë natë mund të mos shuheshin dritat. Ishte një rit që ata e përjetonin me të keqen dhe të mirën e vet. Por, nuk u desh të pritësh shumë për të provuar durimin e tyre.

    Rreth orës 20:30 të mbrëmjes, në mënyrë të papritur kabina e godinës 20 mori flakë. Fillimisht u fol për një defekt të rëndë elektrik si pasojë e mbingarkesës. Disa orë dhe vite më vonë, dëshmitarë të atij episodi me pasojë historike tregonin se autorë të “incidentit” kishin qënë tre të rinj studentë të inxhinierisë. Defekt apo dëmtim i qëllimshëm, pak rëndësi ka. Në mos mungesa e dritave, do të ishte një pretekst tjeter ai që mund të provokonte zyrtarisht protestën e asaj nate dhjetori. Shembull i kësaj së vërtete është edhe fakti se një orë pas fillimit të protestës, në të gjitha godinat erdhën dritat elektrike, por tashmë askush nuk doli nga protesta për të thënë: “Erdhën dritat ndaj le të kthehemi në godinë”. Përkundrazi. Dritat u bënë vetëm preteksti për të rrëzuar një diktaturë që errësirën e kishte në thelbin e saj, e kishte praktikë, ideologji, besim dhe momentin e fundit të jetës së vet.

    Dëmtimi i kabinës elektrike të godinës 20 krijoi flakë të mëdha të cilat fillimisht nuk arritën të shuheshin as nga ardhja e zjarrfikëses apo mjetet e tjera ndihmëse të policisë. Forca e saj dëmtoi ndjeshëm dy-tre dhomat e studentëve sipër kabinës. Megjithë dëmtimet e shumta matriale, fatmirësisht asnjë student nuk ndodhej atë moment në ato dhoma. Ky incident elektrik krijoi një rreth të madh kureshtarësh, shumica e të cilëve donin të dinin nëse kishte shpresa për të pasur drita atë natë. Askush nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej. Dëmtimi total i kabinës dhe mungesa e kabinave rezervë, ishin përgjigjja më e mirë. Mendimi unanim se do të kalohej edhe një natë tjetër pa drita, bëri që gjithçka të fillonte nga e para. Nga dritaret dhe ballkonet e studentëve filluan të ndihen reagimet e para. Pishtarë letrash, copa dërrasash, qirinj të ndezur nëpër ballkone dhe të thirrura të shpërndara, ishin emëruesi i përbashkët i fillimit të protestës. Njëkohësisht, studentët e ILA-së filluan me suprizat e tyre muzikore, me këngët, thirrjet, imitimet dhe talljet mes godinave. Dukej se ky lloj reagimi po përsëritej si një natë më parë, sikur të dëgjoheshin me një ton dhe përmbajtje tjetër zërat dhe të bërtiturat e ashpra të parullave politike.

    Nga ballkonet e godinës së studentëve të inxhinierisë filloi si në kor të këndohej refreni mjaft të njohur: “Se mjaft në robëri/ o e mjera Shqipëri/ o djem rrëmbeni pushkët/, ja vdekje, ja liri”. Ishin çaste dhe vargje shokuese. Ky refren tradicionalisht këndohej në situata ceremoniale dhe demonstrative lufte. Ai ishte parlajmërim më i ashpër që studentët i bënin diktaturës dhe errësirës komuniste. Pavarësisht nga përmbajtja dhe pasojat që mund të përjetonin protagonistët e vargjeve të tilla, solidariteti ishte i menjëhershëm. Pas rreth një çerek ore të kënduari të përbashkët, nga dritaret e errësuara të gjeologëve u dëgjuan thirrjet: “Komunizmi në litar!” apo”Poshtë komunistët”! Studentë të godinave të tjera iu përgjigjën me të njëjtën vendosmëri dhe guxim. Brenda pak minutash studentët kishin hedhur hapin e tyre të parë në kërkim të një proteste shumë më serioze.

    Situata shpërthyese kërkonte një grykë derdhjeje. Një kor studentësh të katit të IV-ët të godinës 21 bënë thirrje që të gjithë studentët të dilnin
    përjashta për tu mblidhur përpara godines së tyre. Thirrja u përsërit dhe përpara godinës filluan të përvijoheshin grupet e para të protestës. Pesë
    minuta më pas përpara godinës 20-21, rreth 150-200 studentë qëndronin të gatshëm në pritje të një ideje më të mirë proteste dhe solidariteti. Mungesa e
    kësaj të fundit, krijoi një rrëmujë e vogël, derisa njëri prej studentëve propozoi të drejtoheshim bashkërisht për në sheshin përpara drejtorisë. Nga
    godina deri tek drejtoria distanca ishte mjaft e shkurtër saqë nuk harxhoheshin më shumë se 3-4 minuta. Ato që e bënin këtë rrugë më të gjatë dhe
    enigmatike ishin errësira dhe sfida e të papriturave. Hapat deri tek godina 17 duheshin të zgjeroheshin për të arritur kapërcimin e kanaleve të hapura
    dhe baltës së madhe.

    Diku pranë godinës 17, ecja e protestuesve u ndal. Ishte vetëm një moment dobësie që u kapërcye shpejt dhe më pas u hodhën shumë hapa të tjerë përpara. U desh gati 15 minuta që grupi i studentëve të kalonte të gjithë fasadën e godinës 17. Anash tyre, një grup i gjerë pedagogësh të fakulteteve kryesore të sjellë me urgjencë nga autoritetet,“shoqëruan” protestën në kërkim të ndaljes së saj. Pedagogët, të strukur brenda palltove dimërore të trasha, të trazuar nga pasiguria dhe fati i të papriturës dhe në pamundësi për të realizuar detyrën e tyre policore, thithnin me nxitim cigarët e fundit. Disa prej tyre edhe pse në errësirën e baltosur, nuk kishin harruar zakonin e keq të mbajtjes shënim të emrave të studentëve të kurseve ku ata jepnin mësim. Kjo metodë e vjetër komuniste dhe kërcënuese, shumë shpejt dha rezultat të kundërt nga sa ata prisnin. Numri i studentëve filloi të rritej akoma më shumë dhe këmbëngulja e tyre për të ecur përpara, dukej e pakthim.

    Kur protestuesit kishin arritur në cepin tjetër të godinës 17, u pa se sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plotësisht me vetura shtetërore dhe forca të shumta policie. Pas kësaj, nuk u desh shumë mundim për të devijuar drejtimin e marshimit studentor. Grupi i studentëve mori rrugën për nga sheshi kryesor përpara mencave. Gjërësia dhe hapësira e madhe e sheshit treguan se numri real i studentëve protestues ishte ende i papërfillshëm. Me një numër të tillë të kufizuar nuk mund të arrihej asgjë. Vetdija dhe nevoja e gjithësecilit për të patur në krah një mik më shumë në marshimin e mëtejshëm, bëri që grupi i parë protestues t’u drejtohej me thirrje për solidaritet kolegëve të godinës 15. Kjo ishte godina me numrin më të madh të studentëve në gjithë qytetin studentor. Ca nga xhelozia, ca nga shpirti protestues dhe aventurier, ca nga mungesa e dhe ca nga dëshira për të përjetuar sa më shumë surprizën studentore, përkrahja e kësaj godine ishte domosdoshmëri. Megjithatë kishte një pengesë serioze. Kjo godinë dhe të gjitha të tjerat në drejtim të qytetit të Tiranës, furnizoheshin pa ndërprerje nga një burim tjetër energjetik. Ata nuk e kishin ndierë asnjëherë mungesën e dritave elektrike. Thirrjeve të protestuesve për solidaritet, fillimisht ata iu përgjigjen me një indiferencë të dukshme.

    U duk se protesta po thyhej kur për çudinë e të gjithëve shpëtimtarë të situatës u bënë vajzat e godinës 16. Ato si me komandë shuajtën të gjitha dritat dhe me thirrje solidariteti dolën në dritare për të ushtruar presion mbi godinën e djemve. Efekti ishte i menjëhershëm. Brenda pak minutash u shuan të gjitha dritat e dhomave të 15 dhe banorët e saj u bashkuan me protestuesit. Bashkimi i tyre me protestën bëri që në sheshin e vogël përpara 15-ës, të improvizohej akti i parë i protestës së organizuar. Njëzëri filloi të këndohej refreni: “Eja mblidhemi këtu, këtu/ bashkë me ne!”. Efekti i solidaritetit të kësaj godine u ndje edhe në godinat e tjera. Kur masa e studentëve u derdh në rrugën e asflatuar drejt godinës 14, studentët e kësaj të fundit kishin dalë në rrugën pranë godinës për të pritur bashkimin me protestën. Nën thirrjet ekonomike “Duam dritë”,”Duam kushte” dhe atyre për bashkim e solidaritet, ishte krijuar shansi i madh për shkallëzimin e protestës. Në kontrast me “pushtimin” e godinës 14, nga ana tjetër e bulevardit shiheshin makina të shumta policie që me shpejtësi parakalonin godinat, për t’u ndaluar përpara sheshit të drejtorisë.

    Entuziazmi dhe vendosmëria për të vazhduar më tej ishte mjaft e madhe. Numri i studentëve i kishte kaluar të 600-ët ndërkohë që dritareve ose në cep të godinave dhjetra studentë të tjerë spektatorë, dukej se po bindnin vetveten për t’u bashkuar me kolegët. Vetëm me kaq sa ishte arritur deri në atë çast, çmimi i mirënjohjes studentore do të ishte i madh.

    Por, asnjë prej studentëve s’ndiehej i ngopur, aq më tepër, askujt nuk i mjaftonte mirënjohja si kortezi. Mirënjohja si kortezi ishte gjëja më elementare që mund t’i rikthehej këtij vendi “ishullor”. Ai kërkonte më shumë se mirënjohjen nga studentët dhe vetë ata donin t’i jepnin më shumë se aq atij.

    vijon...

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Ecja dramatike drejt të panjohurës

    Protesta studentore kishte nisur me protagonistët dhe synime të mëdha. Ajo ishte shndërruar në një vullkan që priste momentin më të parë të shpërthimit. Askush nuk ishte i sigurtë në rrugën që duhej të merrte llava e hedhur. E vetmja gjë që të gjithë e dinin, ishte se ajo duhej të trondiste dheun, tokën, shpirtrat dhe ndertesat. Situata të tilla shpërthyese dhe të pakthyeshme kërkonin simbolin e besimit për ta patur më të lehtë ecjen dhe synimin. Atë natë çdonjëri prej studentëve ishte një simbol në mënyrën e tij të protestës dhe këmbënguljen për të vazhduar më tej. Por, brenda një grupi të madh idealistësh dhe guximtarësh, duhej një mendje gjakftohtë që të simbolizonte gjithë rrugën e bërë dhe të pabërë të protestës. Unanimiteti i të gjithëve për vazhdimin e protestës nuk do të thoshte se kjo levizje kishte ende një drejtim dhe përfaqësues të tij individuale.

    Minimitingu përpara godinës 14 bëri që protesta të fitonte jo vetëm solidaritetin e studentëve të godinës, por edhe një emër më shumë, emër që ka mbetur në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, si simbol i lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90. Kur nga rrugica e kinoklubit “Studenti” në drejtim të masës së protestuesve u pa të vijë me hap të nxituar një student i veshur me xhiboks të zi dhe me një dosje librash në dorë, kushdo iu gëzua faktit se do të ishim një më shumë. Edhe kur po ky student i hypur mbi një platformë të dukshme të trotuarit, filloi të fliste me zë të lartë, përsëri nuk kishte asgjë të veçantë. Por, kur oratori tha: “Vëllezër! Më dëgjoni mua! Jam Azem Hajdari, student i vitit të III filozofi..I njoh mirë ligjet. Më pranoni mua t’u drejtoj dhe ju garantoj se do të fitojmë.. Jam babë me dy fëmijë, pra po të më vrasin ka kush ma merr hakun...I lë jetimë ata dhe ju s’ju tradhëtoj”. Vetëm atëherë dikush prishi kuriozitetin e masës së studentëve duke thënë se:“Quhej Azem dhe ishte diku andej nga veriu”. Disa të tjerë që e njihnin më shumë filluan ta përgëzojnë për fjalët që tha. Shumica e painteresuar për hollësi të tilla të protestës, vazhdonte t’i gëzohej dehjes së parullave dhe këngëve. Vetëm për një moment të vetëm, mes atyre që e dëgjuan kërkesën dhe premtimin nuk pati reagime të menjëhershme. Dukej sikur kjo pjesë aktive e studentëve po peshonin voten e tyre për të vendosur.

    Ndofta ishin fjalët e tij, ndofta pse ishte verior dhe në një ambient të shumtë djemsh nga veriu mund t’i besohej, ndofta se kishte shumë nga ata që e njihnin për trimëri dhe guzim, ndoshta pse ishte më i madhi në moshë dhe i vetmi familjar nga gjithë protestuesit, ndoshta se të gjithë kishim përsëri nevojë për një lider, ndoshta të gjitha bashkërisht bënë që, që nga ai moment levizja studentore të kishte fytyrën dhe zërin drejtues të A. Hajdarit. Sapo mori miratimin e masës së protestuesve rreth tij, Hajdari tha urdhërin e parë të atij marshimi të paharruar: “Do të lëvizim vetëm brenda qytetit “Studenti”...Ne s’kemi punë në Tiranë..Askush të mos thyej asnjë xham, asnjë pemë...Ne nuk duam shkatërrim, por përparimin e vendit...Të vazhdojmë nëpër godina për të kërkuar solidaritet!.”

    Atmosfera dhe elektrizimi i masës që rritej gjithnjë e më shumë, i bënte studentët të ndiheshin njëkohëshisht edhe gjeneralë, edhe ushtarë. Me këtë optimizëm dhe idealizëm drejt së panjohurës, marshimi vazhdoi drejt godinave të vazjave. Në ecjen e vet të vrullshme, turma përsëriste parullat dhe këndonte refrenet e njohura: “Për mëmëdhenë” dhe “Hymni i flamurit”. Ishte hera e parë në jetën e tyre që ata qindra studentë këndonin këngët e veta më kombëtare, me një dëshirë dhe emocion krej të veçantë. Pasi u kaluan godinat numer 6, 5, 12, 11, 10, 9, 8 dhe 7, numri i studentëve demonstrues i kalonte të 1800 vetët. Kjo masë e madhe solidariteti ishte e mjaftueshme për përballimin e çdo të papriture të errësirës.

    Çastet më emocionale të atij solidariteti masiv ishin ato përballë godinave të vajzave 11-12 dhe 9-10. Thirrjeve të studentëve për solidaritet, garda e madhe e punonjësve të godinës i përgjigjej me akuza imorale për djemtë demonstrues. Këtë akuzë nuk e ndryshoi as thirrja e përsëritur e gjithë protestuesve: “Jeni motrat tona”. Dikush kishte brenda motrën, dikush të dashurën, dikush të afërmen dhe dikush shoqen e kursit. Kjo njohje e natyrshme ishte vendimtare për të krijuar mirëbesimin dhe solidaritetin studentor mes djemve protestues dhe vajzave të mbyllura brenda.

    Kujdestarët dhe kuadrot e shumtë të rektoratit, përplasën portat dhe i mbyllën ato me zinxhirë. Në pamundësi daljeje jashtë godine, vajzat e para solidarizuese filluan të protestonin ashpër ndaj stafit të drejtorisë. Një pjesë e tyre kërkoi me insistim të bashkohej me grupin e demonstruesve. As presioni i djemve nuk dha rezultat për të hapur portën e godinës. Tensioni po rritej dhe frika e ndonjë incidenti mes punonjësve dhe protestuesve të irrituar ishte evident. Për të gjithë, kjo rrezikonte që propoganda zyrtare t’i akuzont demonstruesit studentë si imoralë dhe vagabondë. Këtë gjë ajo e kishte dëshmuar dy vite më parë, pas një proteste të famshme paqësore të studenteve konviktore të ILA-ve.

    Këtyre mometeve me peshë psikologjike, zgjidhja u erdhi pikërisht andej nga nuk imagjinohej. Një grup i madh vajzat që nuk pranonin të sodisnin protestën nga brendësia e godinës së mbyllur, kishin vendosur të bashkoheshin me protestën me një mënyrë krejt të veçantë. Ato lidhën çarçafët në parvazët e dritareve të katit të dytë dhe duke u mbajtur pas tyre, filluan të zbresin në tokë. Ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme. Akti i tyre la të mahnitur tërë grupin e madh të studentëve demonstrues. Thirrje të ashpra dhe radikale kundër qeverisë, shpërthyen në të gjithë rrethinën e godinës. Nga ana tjetër punonjësit e godinave, vrapuan për të penguar sfidën e atyre vajzave të jashtëzakonshme. Nuk kishte rëndësi numri vajzave që me këtë mënyrë origjinale ia arritën t’i bashkohen protestës. Rëndësi kishte akti i tyre guximtar dhe kurajoja e jashtëzakonshme.

    Atmosferës së nxehtë i erdhën në ndihmë studentë-orator të cilët nga trotuaret dhe stolat para godinës, filluan fjalimet e solidaritetit. Në këto momente, përfundimisht studentët e kishin mundur frikën dhe ishin të gatshëm të përlesheshin me makinën e madhe të dikaturës. Kjo u duk, menjëherë, kur thirrjes së një grupi studentësh për të vazhduar marshimin në rrugicën që të çon drejt lagjes dhe sheshit të Universitetit, iu përgjigjën të gjithë studentët. Të gjithë synonin vazhdimin e protestës paqësore deri në krijimin e mundësive për një dialog intensiv e të barabartë me autoritetin më të lartë të vendit, Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së Ramiz Alia.

    vijon...

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Sfida e parë politike ndaj PPSH-së

    Nga godina e fundit e qytezës dhe deri në metrat e parë të daljes nga pjesa e qytetit “Studenti” hapat e marshimit ishin shumë të kujdesshëm. Dikush shprehu frikë, por shumica ishte e vendosur të vazhdonte më tej. Ngurimi fillestar kishte kaluar vetvetiu. Pa urdhër, por me instiktin e qëndresës dhe solidaritetit, të gjithë studentët u lidhen krah për krah dhe me një vetsiguri të admirueshme u drejtuan drejt lagjes. Në ato pak metra rrugë varej ecuria e mëtejshme e gjithë protestës studentore. Dalja nga qyteza e tyre dhe futja në rrugicat e qytetit të madh të Tiranës ishte shumë më tepër se një ndërrim apo tejkalim rruge. Këtë të vërtetë e kishin kuptuar mirë edhe ata kujdestarë dhe pedagogë që gjatë asaj ecjeve të shkurtër nuk pushuan së kërcënuari duke përsëritur disa herë urdhrin e ministrit të arsimit për për të përjashtuar nga godina dhe universiteti studentët grevistë që ishin implikuar në të quajturin “kundërevolucion”.

    Cilësimi i protestës paqësore si kundërrevolucion, më tepër se ndrojtje, provokoi një reagim më burrëror dhe më guximtar të studentëve. Dukej se studentët ishin tmerrsisht të lodhur nga tërë ajo traditë kriminale që protestat paqësore të njerëzve i quanin “kundërevolucion” dhe i trajtonin protagonistët e saj si kriminelë ordinerë. Thuajse të gjithë studentët protestues të asaj mbrëmjeje kishin nga një mik, shok, fqinjë apo të afërm të dënuar për veprime “armiqësore” apo “kundërevolucion”. Njëherësh, të gjithë ishin të bindur se “krimi” i vërtetë i atyre njerëzve të dënuar nga regjimi ishte se kishin shprehur në mënyra të ndryshme pakënaqësi për mungesën e ushqimit, lëvizjes apo besimit fetar. Ashtu si të tjerët më parë, edhe studentët ishin ngritur për të protesuar për kushtet e vështira ekonomike dhe për më shumë liri në jetën e tyre të izoluar. Në asnjë vend tjetër të botës veç Shqipërisë kjo nuk përbënte krim as herezi. Krim dhe herezi bënin ata që i trajtonin studentët paqësorë si “kundërevolucionarë” apo ”huliganë”. Këto dallime dhe vlerësime jotraditicionale patën ndikim të ndjeshëm tek studentët.

    Kërcënimeve për dënime “kundërrevolucionare”, qetësisht, ata iu përgjigjen me të qeshura dhe ironi. Në njërën prej këtyre reagimeve njëri prej studentëve, iu drejtua dekanit të njërit prej fakulteteve kryesore. “-Të kujt do na nxjerrin? Të CIA-s, UDB-së, Inteligjent Servisit, KGB-së, STAS-it ? Pse, more vella, kaq idiotë janë këta sa kujtojnë se Bushi e Gorbaçovi harxhojnë para për të bërë agjent të tyre një qytet të tërë që kërkon energji elektrike, ushqim dhe liri më të madhe?”.”- Rroftë CIA-a dhe Bushi!” - e përforcoi ironinë studentore një zë tjetër ngjitur. Dekani, një njeri babaxhan dhe me një jetë të tërë në auditore, e shprehu habinë e tij me pyetjen më të çuditshme të asaj nate: “E keni seriozisht?” Askush nuk kishte nevojë për përgjigje dhe as kohë për vazhdimin e debateve të tilla të pavlera. Ishte koha për të gjetur guximin dhe shpresën e ecjes drejt ndryshimit të madh. Si për ta përfocuar këtë synim të sinqertë studentor, e gjithë masa e studentëve iu rikthye thirrjes së njohur: “Eja mblidhuni këtu, këtu/ bashkë me ne!”. Thirrjet për solidaritet, ato për kushte ekonomike më të mira, vargjet e Himnit të Flamurit dhe “Për mëmëdhenë”, u bënë lajmotivi i atyre momenteve vendimtare për shndërrimin e protestës studentore në protestë gjithëqytetare.

    Katër metra larg kopshtit të fëmijëve të lagjes, policia kishte vënë postëbllokun e parë. Një autoblindë policie e vendosur përballë protestuesve, ndriçoi fytyrat e tyre me një dritë të fortë. Efektet e saj e bënin të pamundur për studentët shikimin normal të rrugës plot gropa e lagështirë. Pozicioni i saj provokues mbi studentët mori fund, kur thirrjet e shumta kundër policisë e detyruan këtë të shuante dritën. Ndërkohë, përballë studentëve dolën funksionarë të shumtë të policisë dhe të KQ të PPSH-së. Kordonit të pafund të zyrtarëve u printe sekretari i PPSH-së për Tiranën, Pirro Kondi. Ai, me një megafon portativ në dorë, iu bëri thirrje të përsëritura studentëve për të ndalur protestën. Oferta e tij ishte vonuar dhe e pavlerë. Shumë studentë e pritën atë me ironi dhe tallje. Njëri prej tyre, e ndërpreu thirrjen monotone të Kondit duke i kërkuar me zë të lartë të prezantohej.

    - Jam sekretari i partisë për Tiranën - u përgjigj seriozisht Kondi.
    - I cilës parti? - pyeti përsëri studenti.

    Kaq mjaftoi qe fytyra e numrit dy të regjimit komunist në Tiranë të merrte pamjen e kufomës. Ai nuk arriti dot ta kaperdijë sfidën studentore. Intelekti dhe ideologjia e tij politike ishin të pafuqishme për të patur një reagim apo përgjigje. I acaruar në kulm dhe i gatshëm për t’u hakmarrë ndaj studentëve rebelë, Kondi murmuriti diçka që realisht nuk ishte as përgjigje e pyetjes, as urdhër politik. Provoi përsëri të fliste, por nuk mundi. Dikush nga studentët e radhëve të mesit e goditi atë në fytyrë me një boçë bredhi nga ato që gjendeshin me shumice në atë pjesë të rrugicës studentore. Më tepër se akt vandal, kjo goditje ishte konfirmimi i fundit se ai duhej të largohej. Duke njohur deshtimin e vet, Kondi ia dha megafonin njërit prej studentëve të ai kishte në krah . Edhe ky foli për rëndësinë e ruajtjes së gjakftohtësisë dhe i ftoi kolegët të ktheheshin prapa, pasi siç u shpreh ai: “ne nuk duhet të lëviznim jashtë qytetit tonë”.

    Kësaj radhe studentët jo vetëm nuk iu binden këtij sugjerimi, por në unanimitet reaguan mjaft ashpër kundër autorëve të tij. Dikush i etiketoi ata me epitete fyese deri në akuza të ekzagjeruara, kurse të tjerë bënë thirrje për të vazhduar marshimin, pavarësisht nga presionet. Vetë njëri prej oratorëve të mëparshëm reagoi menjëherë duke ripërsëritur deklarata besnikërie ndaj studentëve dhe protestës së tyre. Konfuzionit të krijuar ia dhanë zgjidhjen disa studentë të radhëve të mesit, të cilët filluan t’i shtyjnë për më tej ata të radhëve të para.

    vijon...

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Ecja e mesnatës pa asnjë rrugë shpëtimi

    Masa e studentëve kërkoi me ngulm të vazhdohej drejt rrugës së Elbasani. Kishte dy rrugica të ndryshme për të dalë në rrugën e Elbasanit. Njëra ishte e gjatë rreth një kilometer, kurse tjera në krah të ambasadës italiane ishte shumë më e shkurtër. Varianti i dytë ishte humbur pasi forca të shumta policie dhe ushtarake kishin rrethuar hyrjen dhe tërë zonën rreth saj. E vetmja hapësirë lëvizje mbetej ecja në brendësi së lagjes. Ky ishte varianti i zgjedhur nga vetë krerët e policisë pasi si zonë e vetmuar lehtësonte kryerjen e operacioneve policore. Kjo rrugicë eleminonte edhe shanset e dëshmisë së së diplomatëve italianë në aktin e mundshëm policor ndaj studentëve. Për regjimin, përkohësisht, kjo ishte gjëja më e rëndësishme.

    Një konfuzion i madh shoqëroi këtë pjesë proteste. Megjithëse rrugica nuk kishte gjatësi më të madhe se 100-150 metra, u deshën rreth 4-5 orë kohë për ta përshkuar. Që në nisjen e parë, megafonët e policisë filluan paralajmërimet për shkelje ligji. Njëri prej tyre që prezantohej si shef policie kërcënoi se, në rast se studentët nuk tërhiqeshin pas për dhjetë minuta, dënimi do të ishte i madh. Ai përsëriti disa herë citimin e neneve të ligjit që i dënonin studentët me 6-10 vjet burg. Në një kohë tjetër, thirrjet e kryepolicit do të kishin kuptim dhe pasojë tjetër, por atë natë, frika kishte humbur. Ardhja e një grupi të madh pedagogësh dhe civilësh të kollarisur, bëri që studentët të ndaheshin në dhjetra grupe më të vogla.

    Në secilin grup qëndronin pedagogë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe civilë të tjerë të sigurimit. Detyra e tyre ishte të “sqaronin” studentët dhe t’i bindnin ata për tu kthyer në godina. Argumentet dhe mënyra nuk kishin rëndësi, rëndësi kishte realizimi i urdhrit. Fillimisht duke i marrë me të mirë studentët, më pas duke i kërcënuar ata dhe në fund duke shkëmbyer ndaljen e protestës me detyrimin për vazhdimin nesër të dialogut. Në këtë detyrë të vështirë të drejtuesve të universitetit dhe arsimit shqiptar, nuk munguan edhe suprizat e mëdha. Ishte interesante të shikoje sekretarët e organizatave të partisë së universitetit apo të komitetit të partisë së rajoneve të Tiranës, që kishin frikë të prezantoheshin si të tillë përpara studentëve. Pjesa më e madhe e tyre prezantoheshin si”prindër” të ardhur rastësisht aty ose si pedagogë të Univeristetit. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

    Debati me ta u kthye në një argëtim për studentët. Ata gjetën rastin më të mirë të jetës së tyre për të shprehur tërë dufin e pakënaqësive personale e familjare. Sapo diskutohej për gjendjen e rëndë ekonomike të studentëve, temë që kishte përkrahjen edhe të pedagogëve, kalohej në tema të tjera më politike. Dikush tallej me presidentin komunist Ramiz Alia që kishte “frikë të takonte studentët”. Të tjerë kritikonin Byronë Politike e cila e “ka kthyer Shqipërinë në një pronë private”. Ata më të përmbajturit ankoheshin për “dhunën e përdorur nga rregjimi ndaj qytetarëve të pafajshëm të ambasadave të 2 korrikut ‘90”, kurse ata më ekspresivët këmbëngulnin se “ligji elektoral është jodemokratik dhe diskriminues për qytetarët”. Realisht, me argumente të tilla politike, në atë copë të ngushtë rruge kishte filluar një epokë e re për mentalitetin dhe ardhmërinë shqiptare.

    Pas çdo miratimi të kërkesave të tyre, studentët kërkonin akoma më shumë. Brenda këtij debati vicioz kishin rënë të gjithë të dërguarit e Alisë. Atyre nuk u kishte mbetur gjë tjetër vetëm të lajmëronin padronin e tyre se monotonia e jetës universitare ishte prishur njëherë e përgjithmonë. Por, ata nuk mundnin ta bënin këtë. Ishte e pamundur që një grup aparatçikësh të guxonin t’i thoshin R.Alisë, se sistemi komunist që ai kishte ngritur, besuar dhe drejtuar, ishte tronditur përfundimisht. Përballë argumenteve dhe lumenjve të pyetjeve e akuzave studentore, misionarët e Alisë u ndjenë krejt të pafuqishëm. Një pjesë e madhe e tyre kishin minuta të tëra që vetëm miratonin me lëvizje koke gjithçka çfarë u thuhej nga studentët. Ata më fanatikët mundoheshin të përgjigjeshin duke përsëritur slloganet e njohura të liberalizimit të jetës socialiste.

    Meqenëse në tërësi debati mes studentëve dhe qeveritarëve nuk po arrinte asgjë konkrete, studentët vëndosen t’i japin fund vazhdimit të shfaqjes. Si me komandë, ata njëzëri kërkuan të bisedonin direkt me R.Alinë. Madje, kërkesa e tyre në formë ultimative ishte që Alia t’i priste për bisedime me çdo kusht atë natë. Në biseda e sipër një autoveturë e ardhur nga pas demostruesve, tentoi të çajë masën e madhe të studentëve. Fillimish asaj iu la rrugë e lirë për të kaluar, por më pas gjithçk ndryshoi. Studentët e radhëve të para, të acaruar nga provokimi i veturës-enigmë, nuk pranuan t’i lironin rrugën. Kur pritej ndonjë ndërhyrje policie, një grup tjetër studentësh e kapën nga të gjitha anët veturën dhe desh e ngritën për ta përmbysur. Por, në momentin e fundit të këtij provokimi me pasoja të padëshirueshme, nga dritarja e veturës nxorri kokën titullari i saj. Ai ishte ministri i arsimit S.Gjinushi, i cili i falë zotit shpëtoi. Ministri doli me të shpejtë nga vetura dhe u largua në drejtim të kordonit të pafund të policëve.

    Kishin kaluar orë të tëra debati mes qeveritarëve, pedagogëve dhe studentëve, kur një incident i rastësishëm ndryshoi të gjithë atmosferën studentore. Nga valët e një radioje policie ishte dëgjuar një zë që nga ana tjetër dha urdhërin e prerë: “Po vijmë me përforcime. Bindni me çdo kusht të kthehen! Ata s’duhet të bëjnë asnjë hap më tepër! Përgatituni për çdo rast!”. Kaq u dëgjua nga radioja e njërit prej shefave të policisë, një trupmadhi që tërë kohën me radion në dorë merrte dhe shkëmbente mesazhe. Urdhëri i mësuar krejt rastësisht u shpërnda brenda pak sekondash në të gjithë radhët e studentëve. Efekti i tij ishte i menjëhershëm. Studentët, që për pak çaste duket se kishin harruar se ndodheshin në demostratë kundër policisë dhe shtetit më militar të Evropës, iu rikthyen më tërë seriozitetin e moshës së tyre kujtesës. Takimi emocional me të vertetën ishte edhe më i ashper. Grupet e studentëve filluan të bashkohen dhe vendin e debatit me të tjerët, e zuri përgatitja për të përballuar regjimin në pikën e vet më të fortë, forcën ushtarake.

    Ndryshimi i atmosferës bëri që studentët të shtynin njëri-tjetrin për të ecur më përpara. Në këtë moment, shumica e të dërguarve të qeverisë filloi të largohej nga rrugica. Ata e kishin kryer të paktën formalisht misionin e tyre. Fatkeqësia ishte se po të ishin njerëz me të vërtetë intelektualë dhe dashamirës të studentëve, ata nuk duhej kurrsesi të tërhiqeshin, pikërisht në momentin kur vendin e dialogut do ta zinte dhuna e ashpër policore mbi studentët e tyre. Por, ata u larguan për të mos u kthyer më në moralin e qytetarit për të cilin kishin një jetë të tërë që studionin. Ecja drejt rrugicës së errët u shoqërua me ndezjen e debatit politik mes studentëve. Kjo u reflektua në parullat e shumta kundër burokracisë, byrosë politike, mungesës së lirisë informative dhe terrorit policor.

    Kur demonstruesit arritën përballë çerdhes tjetër të lagjes, u pa se ata ishin të rrethuar nga të gjitha krahët nga forca të shumta policore. Dallimi me fillimin e marshimit ishte se tanimë nuk ishin uniformat e zakonshme të policisë që dominonin pamjen, por “bishat”, siç quheshin nga të gjithë forcat speciale të repartit famkeq 326 në Tiranë. Detyra primare e këtij reparti ishte shtypja me forcë e protestave dhe pakënaqësive popullore. Ata edhe më parë e kishin realizuar dhe tejkaluar detyrën e tyre të “çmendur”. Ndërhyrja e tyre kishte qenë vëndimtare në shtypjen e demonstratave dhe protestave të Kavajës, Shkodrës dhe ngjarjeve të ambasadave. Natën e 8 dhjetorit, ata ishin sjellë përballë studentëve për të treguar se regjimi nuk kishte ndërmend të dorëzohej. Rrobat e tyre bojë hiri, helmetat në kokë, skafandrat dhe shkopinjte e gomës në duar, këpucët ushtarake dhe fjalori i tyre banal, ishin pjesët përbërëse të portretit të çdo “bishe”. Në krah të tyre atë natë, ishin sjellë edhe të rinj të veshur me uniforma gardiste, të cilët mbanin në duar lopata xheniere dhe shkopinj druri. Pas tyre ndodheshin forca të shumta policie dhe furgona të gatshëm për të dërguar të gjithë të arrestuarit në rajonet e policisë.

    Një vendosje e tillë postoblloku dhe demonstrimi force nga regjimi, në vend që t’i frikësonte, i irritoi shumë më tepër studentët. Ata iu përgjigjen rrethimit me thirrje të shumta kundër dhunës dhe terrorit. Më pas studentët i drejtuan thirrje të vazhdueshme solidariteti banorëve të pallateve ngjitur. Fatkeqësisht, soliariteti i këtyre të fundit ishte minimal. Më të guximshmit prej tyre, shuan dritat dhe nxorrën kokën pas perdeve për të vështruar ecurinë e protestës së studentëve. Kjo mënyrë reagimi e atyre qytetarëve tiranas, nuk meritonte qortim. Ajo ishte e imponuar nga jeta nën terror, persekutim dhe përndjekje që regjimi kishte aplikuar për dakada me radhë ndaj të gjithë qytetarëve të dyshuar si jo besnikë të regjimit. Natyrisht, që pati edhe nga ata banorë që dolën në ballkone dhe në vend të solidaritetit me studentët, i bënë thirrje policisë për shtypjen e protestës së “rebelëve imperialistë”. Por këta ishin të paktë dhe kryesisht i përkisnin një moshe shumë të vjetër.

    Pesë minuta më vonë, nga një veturë policie të zezë sterrë, zbriti ministri i policisë Hekuran Isai. Ministri zbriti përpara turmës së studentëve dhe pa ndonjë pompozitet të tepëruar zyrtar tentoi tu afrihej atyre. Isai ishte prej shume vitesh një nga katër njerëzit më të pushtetshëm të regjimit komunist shqiptar. Por, pavarësisht se ai u paraqit si Ministër i Brendshëm dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së, pritja që iu rezervua nga studentët, ishte e papritura e parë për të.

    Sapo takoi studentin e parë, një stuhi sulmesh dhe pyetjesh politike iu drejtuan nga të gjitha anët. Numri katër i PPSH-së i gjendur në një situatë të tillë jokomode, nuk mundi ta fshihte zemërimin. Cigaret e papërfunduara që ai hidhte njëra pas tjetrës në tokë, e tradhëtuan durimin e njeriut që krenohej për shumë krime të kryera me gjakftohtësinë më të madhe. Ai tentoi disa herë ta kontrollonte vetveten, qoftë duke u munduar të qeshte, të lëshonte ndonjë batutë trenash apo të përkëdhelte studentët. Këmbënguljes së studentëve për të takuar R.Alinë, fillimisht Isai iu përgjigj prerazi me një jo të madhe. Kur kjo kërkesë u bë lajmotiv i të gjitha debateve të studentëve dhe orët po kalonin mesnatën, Hekuran Isai dërgoi njerëz të ndërmjetësonin hollësi të takimit të studentëve me R.Alinë.

    Vonë, shumë vonë erdhi përgjigja se lideri i komunistëve R.Alia, priste në takim një grup prej 12 studentësh. Konfirmimi i këtij takimi ishte fitorja e parë morale e studentëve dhe humbja e parë politike e R.Alisë. Sido të shkonin ngjarjet, tashmë Alia do ta kishte të vështirë dënimin apo eleminimin fizik të studentëve që kishte pranuar t’i priste në takim. Pranimi i kërkeses për takim, realisht i dha studentëve imunitetin e palës në bisedime. Kjo ishte njëherësh disfata më e madhe e PPSH-së dhe R.Alisë në tërë historikun e tyre bashkëqeverisës dhe sundues. Nga ato që R.Alia u tha atë natë studentëve dhe nga çfarë ai ka publikuar në shtypin e viteve të mëpasshme, duket qartë se as ai dhe as pjesa tjetër e PPSH-së nuk e kishin imagjinuar se mesnata studentore e 8 dhjetori do të kishte pasoja të tilla shkatërrimtare për sistemin komunist. Sikur të dihej kjo gjë, natyrisht që Alia dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të dorëzoheshin aq lehtë. Kjo disfatë e Alisë me studentët ishte arsyeja kryesore që lideri komunist nuk do të pajtohej kurrë me 22 vjeçarët, përkundrazi vazhdimisht do të shprehte përçmim dhe urrejtje ndaj tyre.

    vijon...

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Mesnata studentore mes Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait


    Zgjedhja e dymbëdhjetëshes përfaqësuese për takimin me Alinë ishte një gjë shumë e vështirë pasi të gjithë studentët dëshironin të ishin pjesëmarrës në delegacion. U desh një zgjidhje oportune e njerëzve që iu ndodhën më pranë Hajdarit, që debati të merrte fund. I vetmi devijim ishte se këmbëngulja në momentin e fundit e një grupi studentësh bëri që numri i studentëve të rritej nga 12 në 14. Përpara nisjes delegacioni i studentëve la një afat pritjeje prej 30 minutash. Nëse brenda këtyre minutave ata nuk do të ktheheshin, kjo do të thoshte se Alia i kishte arrestuar. Ishte një rregull elementar i trashëguar nga situata të tilla lufte që studentët kurrsesi nuk mund ta anashkalonin. Vetëm kështu ata mund të mernin që në nisje, sigurinë e kthimit.

    Shumica e grupit të parë negociator të studentëve me liderin komunist, ishin të panjohur më parë me njeri-tjetrin. Pavarësisht nga kjo, ata treguan një solidaritet të madh gjatë bisedimeve të shkurtra me Alinë. Nisja u bë me një “morr” të vogël policie. Në të gjitha anët e makinës, qëndronin policë me motora. Një veturë tjeter policie ecte pak metra përpara, kurse nga pas vinin dy vetura të tjera, njëra prej të cilave ushatrake. Takimi me Alinë u bë në një nga sallat e korpusit qendror të Universitetit “Enver Hoxha”. Nuk kishte as ceremoni dhe as ndonjë kortezi të rastit. Trashgimëtari i Hoxhës që në pamjen e nxirë të fytyrës e tradhëtoi vetveten. Ai nuk arriti për asnjë moment ka kontrollonte veten dhe inatin e tij të brendshëm. Me një një urdhërues dhe të folur të rrembyer Alia iu drejtua i pari studentëve, fillimisht për të njohur qëllimin e kërkesave studentore dhe për të shprehur pakënaqësinë e tij “të thellë” për takime të tilla në mesnatë.

    Nga studentët, i pari foli Hajdari, pastaj dy-tre të tjerë që më shumë se fjalime, plotësonin në mendime njëri-tjetrin. Këmbëngulja e delegacionit të studentëve ishte mbi nevojën e një takimi më të madh të Alisë si president me studentët për të gjitha shqetësimet e tyre. U përmendën kushtet e vështira të jetesës, mungesa e dritave dhe burokracia e padurueshme, nevoja për transparencë dhe paaftësia e qeverisë për zgjidhjen e problemeve të studentëve. Studentët refuzuan ofertën e Alisë për vijimin e kërkesave nëpërmjet Bashkimit të Rinisë duke theksuar me forcë se ajo nuk përfaqëson më interesat e studentëve dhe rinisë shqiptare. Ata paralajmëruan se nuk do të pranonin të ishin më në varësinë e BRPSHsë, por do të ndërmerrnin nismën për krijimin e një organizate të re të pavarur studentore.

    Më tej, pothuasje të gjithë studentët përsëriten si në kor natyrën paqësore të protestës së tyre dhe kërkesën për mospërdorim të forcës mbi studentët nga ana e policisë. Alia vijoi me premtimin se do të bënte të pamundurën për të realizuar kërkesat ekonomike të studentëve, se çdo kërkesë tjetër duhej paraqitur me shkrim dhe premtoi se askush nuk do të lejohej të përdorte dhunë policore mbi studentët. Ai kërkoi si kompesim që studentët të ndërprisnin protestën për t’iu rikthyer mësimeve, por studentët thanë se kjo nuk varej prej tyre, por prej mënyrës sesi do të reagohej ndaj kërkesave dhe protestës së tyre paqësore. Pavarësisht nga e folura traditicionale kërcënuese dhe ironike të fjalës së Alisë, në fund të takimit u duk se u ra në një kompromis dypalësh. Alia dhe regjimi i tij nuk do të ushtronin dhunë ndaj studentëve, kurse këta të fundit do ta prisnin të nesërmen Alinë për vijimin e dialogut dhe zhvillimin e debatit rreth kërkesave studentore, në një orë të përshtatshme në një nga mjediset e mbyllura të qytetit “Studenti”. Mosperdorimin e dhunës Alia e përsëriti disa herë edhe kur takimi kishte mbaruar dhe ai me një servilizëm të dukshëm këmbënguli të përshëndetet me të gjithë përfaqësinë e studentëve. Nga 14 studentët vetëm pesë prej tyre pranuan të shtrengojnë dorën me Alinë, kurse të tjerët refuzuan duke i thënë atij se këtë do ta bënin vetëm “pas realizimit të kërkesave tona”. Ky veprim kuptimplotë i studentëve me numrin një të diktaturës shqiptare nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në Shqipëri. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore që dhjetë minura më pas, në shenjë hakmarrjeje Alia shkeli premtimin e dhënë duke urdhëruar forcat speciale të policisë për përdorimin e dhunës brutale kundër studentëve të pambrojtur.

    Gjatë kohës që Alia dhe përfaqesuesit e studentëve bisedonin, Isai dhe disa fuksionarë të dikasterit të tij vazhdonin shkëmbimin e akuzave dhe mendimeve të ndryshme me protestuesit. Studentët përsërisnin pikëpamjen se zhvillimi ekonomik i vendit është i gabuar dhe se nuk do të mund të ketë përparim pa fillimin e reformave. Të tjerë studentë akuzonin Byronë Politike për korrupsion dhe privilegje të mëdha duke sjellë si shembuj disa emra mjaft të njohur të piramidës komuniste. Nuk ishin të pakta edhe akuzat e studentëve kundër mungesës së të drejtave të qytetarëve, sidomos të së drejtës për t’u zgjedhur. Studentët protestonin ashpër ndaj ligjit elektoral i cili sipas tyre ishte hartuar për demagogji politike dhe për t’i hedhur pluhur syve kërkesave perëndimore.

    H. Isait iu desh harxhimi i mjaft energjive për të përballuar fluksin e madh të pyetjeve dhe kritikave. Ai mes të tjerash tha se, kushdo mund të dalë deputet, mjafton të mbledhë 300 firma dhe të fitojë votat. Por, këmbënguljes së një studenti se kjo metodë është fiktive dhe e gënjeshtërt pasi: “po të mbledhë një njeri 300 firma për kandidat për deputet, me urdhrin tënd arrestohet ai dhe ata që kanë nënshkruar për të”. Ministri hodhi poshtë cigaren e pambaruar dhe i nxehur iu drejtua atij: “Çfarë iu duhet ju çfarë bëjmë ne me borgjezët dhe reaksionarët? Ju jeni studentë! Mos u merrni me punët e mëdha se këto i zgjidh partia. Merruni me latat dhe atë e keni tepër!”. Kjo ishte përgjigjia tipike e sistemit të demokracisë proletare që Alia dhe Isai lavdëronin dhe përfaqësonin atë natë. Kur përsëri studenti iu drejtua Isait me fjalët: “Ligji elektoral është një mashtrim për botën”.

    - Jo, djalë, jo!- qetësoi Isai duke i hedhur dorën në qafe 22-vjeçarit moskokëçarës. Kushedi vallë ç’të ketë menduar atë çast Isai. Frikë ndaj atyre që po e poshtëronin publikisht, apo betim për hakmarrje siç kishte vepruar gjatë tërë karrierës së tij në polici dhe sigurim? As njëra dhe as tjetra nuk kanë rëndësi. E rëndësishme ishte se diktatura e kishte marrë siç duhej mesazhin studentor që nuk ishte thjesht për një pjatë më shumë me makarona apo një llampë eletrike më shumë. E rëndësishme ishte, se djaloshi moskokeçarës nuk ishte i vetëm në mendimet dhe veprimet e tij. Si ai dhe me të njëjtin guxim flisnin, mendonin dhe vepronin edhe njëmijë të tjerë studentë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Solidariteti me njeri-tjetrin dhe neveria që ushqenin për jetën nën diktaturë i kishte bërë ata të pamposhtur nga frika dhe presionet.

    Për studentët ishte momenti i parë i jetës së tyre që po flisnin gjëra të tilla të ndaluara me ligj për të gjithë shqiptarët! E vërteta ishte se asnjë student nuk e kishte të qartë në ato momente se ku ishte kufiri i ndalesës, sa duhej të ecej dhe ku duhej të heshtnin. Skema ishte prishur përfundimisht. Prandaj edhe të gjithë studentët flisnin në rrëmujë të plotë, saqë Isai s’dinte se kujt t’i përgjigjej më parë. Ministri nuk kishte më durim për të dëgjuar ankimet dhe kritikat politike të studentëve. Ai i kërcënoi disa herë ata duke u thënë se kufiri i bisedës kishte kaluar. Në një moment ai u tha studentëve se “ju nuk jetoni me situatën”. Përgjigjja ishte e menjëhershme. “Për çfarë situate e ke fjalën! Kushtet e familjeve tona plotësohen lehtë! Mjafton që secili nga ju të Byrosë të shisni njërin nga “Benz”-at tuaj dhe problemet tona rregullohen. Po ju mendoni vetëm për privilegjet tuaja. Ju s’pyesni as për ne, as për popullin që vuan”. Isai i dha një të bërtiture të papritur për mjedisin ku ndodhej. “Ju nuk i kuptoni ca gjëra”-mundi të thoshte ai, fjali që e përsëriti dy herë si për të treguar se studentët nuk duhej ta harronin lehtë. Më pas vazhdoi: “Nxitoheni shumë, prandaj bëni gabime të mëdha”. Por, Isai nuk tha se çfarë gabimi kishin bërë studentët dhe cili prej tyre ishte gabim kaq i madh, sa të quhej i tillë nga numri një i policisë komuniste. I gjithë debati me studentët e kishte futur Isain në një grackë të vështirë për dalje. Për të ishte i tepërt edhe fakti se studentët nuk i drejtoheshin me kortezinë e vartësit ndaj eprorit, por me kortezinë e palëve të barabarta. Mes këtyre dy kategorive të kortezisë, ishte oqeani i një jete enigmatike dhe realiteti të trilluar. Aty ndodhej Shqipëria e rrënuar, ndodhej gremina ku komunizmi na la, liritë e mohuara, izolimi total, diktatura që po jepte shpirtin e fundit duke shkelur me këmbë copëza cigaresh të pambaruara. Vetëm kur Isai me një egërsi të papërmbajtshme futi duart në xhepat e pardesysë dhe diçka i foli nëpër dhëmbë dy oficerëve që e ruanin, njëri prej të cilëve u largua, në mesin e grupit të afërt të studentëve ra një heshtje varri. Secili prej tyre atë moment i rikujtoi vetvetes faktin se përpara tij nuk ndodhej një kauboj dosido, as një polic i thjeshtë, por njeri nga liderit kryesorë të piramidës komuniste.

    Madhështinë e frikshme të postit që mbante, psikologjikisht ndofta e zvogëlonte ambienti ngacmues apo pamja provokuese e Isait (me kasketë në kokë dhe trupin e shkurtër të fryrë si tullumbace). Njeriu i fortë i diktaturës, dukej si një dele e lagur përpara grupit të studentëve fëminorë. I pamësuar me dialogun dhe barazinë, Isai atë natë arriti deri atje, sa harxhoi 5-6 paketa cigaresh për të qerasur rebelët 22 vjeçarë. Kjo mënyrë përuljeje e tij së bashku me vendosmërinë studentore për t’i shkuar “aventurës” deri në fund, e kishin mposhtur frikën dhe ndjenjën e inferioritetit. Kur H.Isai zgjaste dorën për të shpërndarë cigare falas, shumë pak studentë ia mernin. Kishte nga ata që e pranonin cigaren, biles duke marrë dy e nga dy. Këtë e bënin jo nga nevoja për të përfitur një cigare falas, por siç thonin ata: “Pse mos t’i marrim? S’ka nevojë për cigare komunizmi”. Ironia më e madhe ishte se ministri Isai arriti deri atje me servilizmin e vet ndaj studentëve, saqë shprehte një kënaqësi të madhe, kur ndonjë student ia pranonte ofertën e cigareve falas. Ministri dukej hapur që i frikësohej studentëve. Ai nuk e kishte për gjë të urdhëronte policinë dhe trupat speciale për ndërhyrje me dhunë dhe gjithçka merrte fund. Të pakën kështu i kishte zgjidhur të gjtha problemet për vite të tëra pune në ushtri, polici dhe sigurim. Por, konflikti me studentët rrezikonte të shndërrohej në konflikt me krejt shoqërinë. Kjo e bëri të frikshme daljen e tij përpara studentëve. Nga ana tjetër, studentët e kishin kuptuar frikën e ministrit si armë të tyre kryesore, ndaj përpiqeshin me të gjitha mënyrat që të linin të kuptohej se frika e diktaturës nga studentët ishte e justifikueshme.

    Skenat e debatit me Isain po beheshin monotone sikur të mos lajmërohej se studentët e nisur për takim me Ramiz Alinë, po ktheheshin. Ishin minutat e para të orës 01:10 të 9 dhjetorit, kur përfaqësuesit e studentëve arritën pranë demonstruesve. Drejtuesi i grupit studentor në bisedime me Alinë, studenti A.Hajdari filloi të fliste me megafon portativ për takimin me Alinë. E folura e tij u ndërpre disa herë nga thirrjet për ta ngritur zërin më shumë pasi në radhët e fundit nuk dëgjohej asgjë. Atëherë 14 studentët e ardhur nga takimi me Alinë, u shpërndanë nëpër grupet e studentëve për të shpjeguar qëndrimin e përbashkët rreth takimit me presidentin komunist.

    Qendrimi i tyre ishte se kishin rënë dakort me Ramiz Alinë që nuk do të përdorej dhunë mbi studentët dhe se takimi me të do të bëhej pasditen e të nesërmes. Varianti i takimit, mes atij me 300 studentë në qytetin “Studenti” apo me 3000 në Pallatin e Sporteve “Partizani”, do të caktohej deri nesër. Kjo u cilësua nga shumica e 14-es si sukses i studentëve, ndaj u kërkua me forcë respektimi i detyrimeve përkatëse. Meqënëse ende kishte demonstrues që kërkonin të ngrihej zëri i oratorëve, policia solli një megafon portativ me të cilin filluan të flisnin disa prej studentëve pjesëmarrës në delegacion. Studentët demonstrues të lodhur nga pritja e gjatë, ngacmimet me policinë, mosbesimi ndaj Alisë dhe vetë përfaqësuesve të tyre, e bënë të pamundur arritjen e një kompromisi mes njëri-tjetrit. Sapo sqaroheshin radhët e para të protestuesve, nga radhët më pas vinin thirrje kundër Alisë dhe kërkesa për të marshuar drejt sheshit të universitetit. Ishte e pamundur të veprohej ndryshe.

    Studentët i trembeshin një kthimi pas. Për ta, kjo konsiderohej një mundësi më shumë për Alinë për të nënshtruar studentët dhe protestën e tyre. Deri të nesërmen në mbrëmje Alia kishte kohë të bollshme për të evidentuar studentët më të pabindur dhe ndoshta për të bërë dëbimin e tyre përfundimtar nga univeristeti. Kështu ishte vepruar disa herë gjatë historisë së univesitetit dhe të vetë PPSH-së. Ata preferonin më shumë për të mos u kthyer pas, sesa për të mbetur në pritje të mëshires ramiziste. Në fund të fundit, studentët e dinin shumë mirë se çfarë do të gjenin po të kthehen pas. E vetmja gjë që ata nuk e dinin dhe që kishin dëshirë ta provonin ishte të ecnin përpara. Ndjesi të tilla të brendshme i shtynin ata të besonin se varianti më i mirë ishte të kundërshtonin propozimin e Alisë për tërheqje. Kjo eleminonte coptimin e studentëve, lodhjen e tyre, të papriturat e natës dhe shansen e sigurimit për të kryer operacione spastruese në qytezës studentore. Studentët atë natë ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ata e përjetonin këtë lidhje si një nevojë të përbashkët, siguri jete dhe dëshirë që edhe pas natës së frikshme të ishin aty përsëri bashkërisht.

    vijon...

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Përballja e fundit me diktaturën

    Mes demostruesve kishte grupe dhe ndjesi të ndryshme ndaj propozimeve të bëra. Disa ishin dakort të dëgjonin të gjitha argumentet përpara se të merrnin një vendim. Por, disa studentë të inxhinierisë mekanike dhe gjeologjikut, duket se i kishin vënë vetes si qëllim të bënin të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të sqarimeve të oratoreve të kthyer nga Alia. Ata nuk pushuan së thirruri fjalë dhe parulla pa kuptim të cilat efekt të vetëm kishin krijimin e një amullie të plotë mes grupeve të ndryshme të studentëve. Sapo dikush fliste për qetësi, ata hidhnin parulla kundër fjalimeve të kolegëve të ardhur nga takimi më Alinë dhe ndaj forcave të policisë. Kjo mënyrë vijimi e atmosferës së protestës i la tërësisht jashtë vëmendjes shumicën e studentëve që qëndronin në radhët e fundit. Ishin pikërisht këta të fundit që duke mos dëgjuar asnjë nga sqarimet e të ardhurve, por vetëm të bërtiturat e grupit të inxhinierisë, filluan të humbisnin durimin. Fillimisht shtynë përpara duke tentuar të afroheshin për të parë se çfarë po ndodhte. Të tjerë studentë filluan të këndonin këngë dhe vargje të njohura, kurse një grup tjetër i gjerë studentësh i gezoheshin rrëmujës së krijuar.

    Kjo mënyrë reagimi e tyre lidhej me dëshirën që me çdo kusht dhe pretekst emocional, studentët të mos tërhiqeshin pas. Nga radhët e para përgjigjja ishte e ashpër. Disa zëra kundër delegacionit të studentëve u kthyen në parulla ndërsa shumica iu bashkua thirrjes që studentët të takoheshin po atë natë me Alinë. Ishte kushti që ata vunë, kusht i parealizueshëm dhe shumë potent për të shërbyer si një pretekst i besueshëm për shkallëzimin e protestën. Ky ndryshim i shpejtë i atmosferës së studentëve, bëri që e gjithë masa e demonstruesve të gjallërohej për nga serioziteti dhe organizimi. Një gjë të tillë bënë edhe forcat e shumta të policisë. Ato kishin më shumë se katër orë që prisnin marrjen e urdhrit për shtypjen e protestës.

    Duke parandjerë fillimin e përleshjes, grupi i studentëve të inxhinierisë, kërkoi që vajzat të dilnin në rreshtin e parë për të treguar se protesta e studentëve ishte paqësore. 6-7 studentet-vajza iu përgjigjen thirrjes për të dalë në krye të protestës. Dalja e tyre e guximshme bëri që rrugica e lagjes të oshëtinte nga thirrjet kundër dhunës dhe për demokraci. Pikerisht në atë moment, sytë vëzhgues dalluan se njëra prej vajzave, në nxitim e sipër për t’u bashkuar me kolegët demostrues s’kishte arritur të ndërronte rrobat, por kishte ardhur me pizhamet e krevatit. Kjo hollësi ishte ndoshta një nga gjërat më kuptimplote të atij marshimi historik studentor. Metoda e vetshtyrjes së studentëve përpara dha rezultatet e pritura. Studentët po përparonin përballë një policie speciale që për nga armatimi i jashtëzakonshëm dhe numri i madh, të krijonte përshtypjen se jo ne, por ata ishin të rrezikuar nga protesta.

    Hekuran Isai: Kamxhiku i fundit i R.Alisë

    Në veçanti, trupat speciale ose “sampistët” siç i thërrisnin ndryshe, tregonin një dëshirë dhe oreks të papërmbajtshëm për të marrë urdhrin e sulmit kundër studentëve. Ata e shprehnin publikisht oreksin e tyre hakmarrës gjatë tërë kohës që kishin pritur urdhrin e Isait. Madje ata nuk nguruan të përsërisnin kërcënime të shumta ndaj studentëve, kërcënime me një fjalor dhe përmbajtje çnjerëzore. Atyre nuk u bënte asnjë përshtypje fakti se në radhët e para ishin vendosur vajzat të cilat mund të binin direkt pre e dhunës së tyre. Përkundrazi, e përjetonin këtë me një kënaqësi të madhe.

    Kishte nga ata sampistë që u drejtoheshin studentëve: “do ta nxjerr njërin sy, atë të djathtin”, “do të ta gjakos kokën dhe faqet”, “do t’i thyej dy këmbët dhe kyçet e dorës”, etj, betime dhe përcaktime të zakonshme për psikologji të tilla barbare dhe kriminale. Ata ishin të gatshëm që për inat se protesta e studentëve i kishte ngritur nga krevati ku po shikonin televizion, të hakmerreshin me tërë egërsinë e diktaturës ndaj tyre. Ishte e trishtueshme kur i dëgjoje dhe i shikoje ata bisha me emër dhe portret njeriu, në qenien e tyre të pa shpirt e pa zemër, në manifestimin e gatishmërisë për të na shfarosur si Hitleri çifutët apo për të na përpirë të gjallë! Vendosmëria e studentëve për të vazhduar më tej dhe fakti se asnjë prej tyre nuk shprehte kurrfarë frike ndaj këtyre kërcënimeve barbare i bënte sampistët edhe më të papërmbajtur.

    Studentët po shtynin njëri-tjetrin për t’i dhënë më shumë jetë protestës, kur Ministri i Brendshëm vendosi të braktisë bisedën dhe të largohet nga grupi i studentëve. Ai e kishte humbur krejtësisht durimin. Ministri bëri dy-tre hapa të tjerë dhe me megafonin e policisë parlajmëroi për herë të fundit se do të urdhëronte policinë të ndërhynte për të shpërndarë protestën e paligjshme. Isai në nuk arriti ta përmbante veten kur u deklaroi me megafon studentëve se “askush i gjallë s’do kalonte këtej! (drejt bulevardit)”. Origjinalitetit policor të ministrit Isai, studentët iu përgjigjen me hapa të tjerë ecjeje drejt rrugicës që të çonte në sheshin e Universitetit.

    Duke shtyrë njëri-tjetrin nga prapa dhe duke thirrur parulla kundër dhunës, studentët ecën rreth 4-5 hapa përpara. Në këtë moment kulmor, krejt papritur, në krahun e djathtë të demostruesve paqësorë u dëgjua zëri i lartë i një njeriu të veshur me rrobat e oficerit ushtarak. Ai thirri: “Revolen! Ma morën revolverin!”. Mjaftoi ky pretekst i inskenuar polic, që nga megafoni i ministrit policor të Alisë të dilte urdhri famkeq: “Të spastrohet sheshi!”. Pa mbaruar ende shqiptimin e urdhërit, një student trupmadh i inxhinierisë, e kapi me dy duart H. Isain dhe duke e tundur me forcë i kujtoi premtimin e Alisë se nuk do përdorej dhuna mbi studentët. “- Ik more t`i me gjithë premtimet. Ramizi dhe Partia do túa shtyp kokën të gjithëve nëse nuk e mbyllni gojën!”-u përgjigj shefi i policëve të Byrosë Politike. Atëherë studenti që e kishte kapur Isain dhe një shok tjetër i tij e përplasën ministrin në grumbullin e ferrave në të djathtë të rrugës. I rrëzuar mes ferrave, ministri Isai përsëri thirri si i tërbuar: “-Pastroni sheshin! Bini! Bini! Bini qenve!”.

    Skena të tilla makabre ishim mësuar t’i përjetonim vetëm nëpërmjet filmave televizive të kohës së Hitlerit. Dhunë nga të gjitha anët kundër studentëve, sampistë që godisnin me shkopinj gome vajza dhe studentë të pafajshëm, policë që qëllonin me shqelma protestuesit e rrëzuar nga plagosjet, gardistë që përdornin lopata xheniere për të goditur fytyrat e 22 vjeçarëve nga e gjithë Shqipëria. Klithma dhe thirrje, renkime dhe sharje nga të gjitha anët e rrugicës. Pasthirrmat më trishtuese u përkisnin zërave të vajzave të cilat duke qenë në radhët e para ishin shumë më të ekspozuar me egërsinë e klikës kriminale të diktaturës. E gjithë kjo skenë dhune dhe terrori zgjati vetëm dhjetë minuta. 30 metra larg vendngjarjes, studentët e shpërdarë nga policia, filluan të hidhnin për herë të parë parulla dhe thirrje direkte kundër PPSH-së dhe liderit të saj Ramiz Alia.

    Ecja e tyre me hapa të çorientuar dhe thirrje të pafundme ishte pasojë e frikës për shokët që pak metra përtej mund të kishin mbetur të plagosur ose të arrestuar. Anash rrugicës lidhëse mes lagjes dhe qytetit “Studenti”, sulmin e forcave policore mbi studentët, e përjetuan si spektatorë dhjetra banorë të pallateve ngjitur. Ata kishin orë të tëra që me drita të shuara qëndronin në pritje të mrekullisë studentore. Në njërin prej pallateve, aty ku sot janë ndërtuar supermarkete të vegjël, nga katet e sipërme, u dëgjuan zërat e disa pleq e plakave që mallkonin dhe shanin studentët. Ndonjë prej tyre nuk u mjaftua me kaq, por filloi të hidhte mbi studentët lëvozhga druri dhe kavanozë.

    Studentët nuk kishin kohë të merreshin me to. Ata ndienë vetëm keqardhje për ta dhe jetën e tyre të mbushur me iluzione mashtruese. U desh që dy-tre studentë të thësrrisnin me të madhe: “Poshtë Nexhmija” dhe “Enveri diktator!”, që plakat e bëra me turp nga fjalët e turpshme të studentëve, duke kapur faqet me duar, të fshiheshin pas ballkoneve, në brendësi të banesave të tyre. Tashmë masakra policore mbi studentët kishte përfunduar. Zërat që kërkonin ndihmë, klithmat dhe rënkimet e demonstruesve kishin heshtur. Studentët e shpërndarë grupe-grupe, me fytyra të egërsuar nga dhimbja e urrejtja kalonin pa folur në drejtim të qytetit të tyre.

    Në qytetin “Studenti” ku rreth 6000 studentët të tjerë, vazhdonin gjumin e ëmbël të natës, pakkush e dinte për çfarë u kishte ngjarë shokëve të tyre. Kjo e vërtetë e madhe u ndie që në takimet e para të studentëve protestues me kolegët e godinave të para të qytetit të cilët ishin zgjuar nga zhurma dhe zërat që kishin dëgjuar minuta më parë. Ata pysnin të habitur se çfarë kishte ngjarë. Dikush përgjigjej se kishte ndodhur një masakër, ku policia ishte ndeshur me studentët. Të tjerë flisnin për më shumë se 100 studentë të arresuar dhe dhjetra të plagosur. Kishte edhe nga ata që flisnin për disa të vdekur. Asnjë nuk ishte në gjendje të vërtetonte nëse ishte i vërtetë apo jo ky bilanc. Për të mësuar të vërtetën për të duhej pritur deri të nesërmen, kur studentët do të rimblidheshin përsëri bashkarisht për të vijuar protestën. Atëherë u mor vesh, se nga dhuna e një nate më parë nuk kishte asnjë të vdekur, por vetëm të plagosur. Këta të fundit edhe pse ishin të shumtë në numër refuzonin të shkonin për mjekim në spitale dhe mjedise të tjera shendetësore pasi, i frikësoheshin arrestimeve nga policia dhe sigurimi. Kjo e kishte bërë edhe më të rëndë gjendjen e tyre shëndetësore. Për më tepër, dhjetë-pesëmbedhjetë studentë, kryesisht vajza ishin vertetë në gjendje serioze shëndetsore. Fatmirësisht, numri i të ndaluarve nga policia ishte në shifra minimale.

    Orët e para të 9 dhjetorit, gjysmë orë pas ndeshjes me policinë, studentët u mblodhën përsëri në sheshin kryesor të qytetit të tyre. Aty folën disa studentë. Disa thanë se duhej të rrinim tërë natën zgjuar në pritje të ndonjë sulmi të befasishëm të policisë. Të tjerë oratorë, vlerësuan si më me rëndësi të shkohej për të lajmëruar studentët e tjerë për çfarë kishte ndodhur atë natë. Ata propozuan që grumbullimi i ri i studentëve të bëhej në orët e para të mengjesit. U duk se varianti i dytë ishte më i preferuari nga studentët. Në orën 03:10 të mëngjesit, grupi i studentëve demonstrues u shpërnda për t’u mbledhur përsëri katër orë më vonë në të njëjtin vend. Secili mori me vete edhe vendimin e përbashkët që mësimi i së dielës (e diela e 9 dhjetorit zëvëndësonte mesimet e pabëra të 30 nëntorit), duhej të bojkotohej nga të gjithë. Për ta realizua këtë, secili duhej të lajmëronte shokët dhe miqtë e tij të dhomës, rrethit apo kursit të vet. Ashtu u bë. Të gjithë, të lodhur dhe me hapa të ngadalshëm u shpërndamë nëpër godina.

    vijon...

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Alarmi për të mbrojtur lirinë

    Grupi i godinave 22-23 nuk ishte shumë i madh. Ai përbëhej nga 20-30 studentë të cilët që nga larg filluan t’u thërrisnin kolegëve të tyre që ende flinin. Njëri prej tyre, shkodrani A.Tershana duke u rënë me forcë dyerve të mbyllura të katit të dytë, thërriste: “Çohuni more! Komunistët na kanë vrarë shokët! Çohuni, se është bërë nami. Poshtë kominuzmi! Poshtë Ramiz Alia!”. Si ai vepruan edhe të tjerët sipas kateve ku banonin. Për çudinë e secilit, në godinë, kat dhe në dhomë, kishte shumë nga ata studentë që s’dinin fare çfarë kishte ndodhur e ç’ishte bërë. Brenda pak minutave në shumicat e dhomave të studentëve ishin ndezur dritat. Në koridore dhe dhoma pyetej se çfarë kishte ndodhur.

    Studentët e ardhur nga përleshja me policinë flisnin me hollësitë më të vogla për të gjithë ecurinë e protestës deri në përleshjen me policinë. Dikush nuk arrinte t’i besonte ato që dëgjonte dhe duke qeshur pyeste se mos po talleshin me të. Po kur shikonin Albanin që betohej duke lotuar se gjithçka ishte e vërtetë, ata afroheshin akoma më tepër. Kishte nga ata që nuk nguronin të thonin se jane vrarë pesë studentë dhe arrestuar qindra të tjerë. Në fund u komunikohej studentëve vendimi i protestuesve për të bojkotuar mësimin dhe për t’u mbledhur që në mëngjes në sheshin përpara mensave. Shumica e studentëve kureshtarë, mallkonin veten përse nuk kishin dalë që në fillim të protestës për t’u bashkuar me shokët. Pas pak u duk se të gjithë ata që sapo ishin ngritur nga gjumi, ndienin kompleksin e fajit përpara kolegëve të tyre të protestës. Kjo ishte gjëja më optimiste e atyre orëve të para të ditës së re. Ishte paralajmërimi dhe siguria se të nesërmen solidariteti studentor do të ishte maksimal.

    Pas dhënies së sqarimeve të hollësishme, studentët u shpërndanë nëpër dhoma. Dy prej tyre nxituan për të vënë një lajmërim për grevën e nesërme në sportelin e godinës. Kështu u veprua në të gjitha godinat e qytetit. Pati nga ata studentë optimistë që shpresonin se ndonjë stacion i huaj televiziv do të kishte arritur të merrte informacione për demonstratën studentore të Tiranës. Kjo na kushtoi dy orë pritjeje të kotë përpara një televizioni bardh e zi, derisa u dhanë edicionet e para të lajmeve të stacioneve zyrtare italiane dhe jugosllave. Ishte hera e parë që në tërë godinat studentore, stacionet e huaja televizive shikoheshin pa ndjenjën e frikës nga sigurimi dhe segmentet e tjera të pushtetit komunist.

    Në orët e mbetura deri në mëngjes, në shumë godina nuk flihej. Më tepër se preokupimi për gjumin, për studentët vlente preokupimi për të nesërmen. Dikush propozoi që të ftoheshin për t’u bashkuar me studentët të gjithë pedagogët që gëzonin simpatinë e tyre. Disa filluan të përgatisnin listën e pedagogëve që duhet të ftoheshin. Këtë fakt e konfirmojnë shumë burime aktive të asaj nate. Hajdari ka denoncuar faktin se pedagogu R.Meidani, (sot president i Shqipërisë), megjithëse fillimisht ka pranuar ftesën e studentëve, më pas është terhequr duke e justifikuar këtë me ekzistencën e divergjencave të shumta familjare. Konfirmim rreth këtij fakti ka bërë(3) edhe shkrimtari B. Mustafaj i cili së bashku me kardiologun S. Berisha dhe regjizorin K. Çashku ishin të vetmit intelektualë të njohur që me 9 dhjetor u ndodhën në qytetin “Studenti”. Një listë e tyre u dërgua tek godina tjetër, për t’u pasuruar më tej me emra. Asnjëherë nuk u mor vesh se ku përfunduan të gjitha këto lista dhe nëse vërtet u ftuan ajo jo të gjithë pedagogët. Kur të nesërmen në mëngjes disa studentë u interesuan për ecurinë e këtij problemi të dhënat ishin kontradiktore me njëra-tjetrën. Ca thoshin janë ftuar, por s’erdhën, ca thoshin se s’janë ftuar të gjithë, ca se disa kanë ardhur e disa kanë kundershtuar të bashkohen me studentët.

    vijon...

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Franz Baron von Nopca (1877-1933)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 30-04-2024, 02:46
  2. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  3. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  4. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  5. Jezuiti italian që adhuronte Shqipërinë
    Nga PLaku-i-Detit në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-08-2004, 06:50

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •