Nga Bashkim Kopliku
U zhgënjyem kur lexuam “historinë” e rrëzimit të komunizmit tek libri i Prof. dr. Valentina Duka, me titull “Histori e Shqipërisë 1912- 2000”, SHB “Kristalina-KH”, Tiranë 2007. U përqendruam në periudhën 1985 deri më 1997- ën. Paraqitet sikur qenë vetëm e vetëm “komunistët e ndritur”, ata që përmbysën enverizmin, e pastaj, meqë i detyruan perëndimorët, vazhduan më tej dhe përmbysën edhe komunizmin në përgjithësi; ndër kohë, jokomunistët qenë thjesht figurina. Që të kapërdihet lehtë, e gjithë kjo sajesë vishet me retorikë antikomuniste. Njëkohësisht, autorja ia vesh gjithë të këqijat një personi, Enverit dhe jo komunizmit. Është po kjo mendësi, e cila bën që ajo, të gjitha “meritat” t’ia bëjë homazh një njeriu, p.sh, Saliut, dhe jo një grupimi atdhetarësh (pedagogë universiteti, ose jo), që rrëzuan komunizmin. Servilizëm, apo mos ka edhe shkaqe më të thella ky falsifikim i historisë?!
Paskemi pasur një udhëheqës komunist të ndritur, prandaj rreth tij qenkan mbledhur ata politikanëT, që u gdhinë antikomunistë të nesërmen!
Autorja merret me hyjnizimin e z. Ramiz Alia, kryetari i komunistëve të kohës, i cili paskësh qenë, sipas autores, “njeri i qetë”, “mjeshtër i pajtimit”, “njeriu i duhur në çastin e duhur”, “skrupoloz”, që “nuk përdorte metodat e Enverit”, që paska bërë çmos për demokratizimin e enverizmit, por ah, nuk e linin enveristët! Përshkruan në detaje romantike “mekanizmin e ri ekonomik” të tij, lirinë që paskësh dashur të fuste ai, etj.
Autorja anashkalon shumë fakte të njohura gjerësisht. Në vijim po theksojmë vetëm katër grupe faktesh nga ato që ajo nuk i përmend fare.
E para, në periudhën e z. Alia, u pushkatuan njerëz për arsye politike, thjesht për mendimet e tyre, bile edhe poetë, u burgosën njerëz për “agjitacion e propagandë”, u vranë njerëz në kufi, njësoj ose më shumë se në kohën e Enverit. Edhe në atë kohë, gjykata komuniste merrte urdhra nga partia!
E dyta, shumë ish-komunistë të kthyer nga internimet e burgjet, që i gënjeu hipokrizia e z. Alia, iu drejtuan atij me naivitet, për ndihmë. Shumica përfunduan prapë të internuar apo burgosur.
E treta, ekzekutimin e diktatorit Çaushesku (ekuivalenti rumun i z. Alia) dhe gruas së tij, autorja e zhvendos në vitin 1990, ndërkohë që ngjarja është e vitit 1989 (25 dhjetor). Ishte ky ekzekutim i bërë publik në të gjithë botën, si dhe qe ajo që tmerroi edhe udhëheqjen komuniste shqiptare, duke e bërë “të zbutesh”, dhe jo sepse “nuk përdorte metodat e Enverit”.
E katërta, gjatë mekanizmit të “ri ekonomik”, u bënë absurde ekonomike populiste, që shkatërruan përfundimisht edhe atë çfarë kishte mbetur nga ekonomia, duke filluar që nga “prodhimi i të imtave” (ku u shpenzuan miliona për instrumente stampa e forma, për prodhimin e budallallëqeve ekonomike, që veçse shtuan stoqet në magazina) e deri tek prodhimi i “motorit të parë shqiptar”, e të tjera si ai, që përpinë pa asnjë fryt, fonde financiare kolosale.
Ka një shkak “të fortë” që mund ta ketë shtyrë autoren, që ta paraqesë këtë falsifikimin me z. Alia. Ajo synon të justifikojë rrethin e tij, njerëzit që ai i kishte si konsulentë dhe emisarë të tij, deri në prag të dhjetorit 1990, atë pjesë që z. Alia i urdhëroi të kalonin në kampin “antikomunist” - edhe ata si ai, ishin të mirë: “Më thuaj me kë rri, të të them se kush je”. Këta njerëz të z. Alia, pasi zunë vend mirë në kampin kundërshtar të tij, më pas “i dolën krejt doret” dhe edhe e futën në burg atë vetë - ç’t’u bënin të shkretët “ballistëve dhe legalistëve” që i detyruan! Disa nga ata njerëz të z. Alia, janë sot të fuqishëm dhe mund ta ndihmojnë, apo t’ia punojnë edhe vetë autores, prandaj duket ajo e braktis vërtetësinë e historianit, duke iu drejtuar sajimeve dhe sofizmave!
Heshtje tërësore për lëvizjet antikomuniste, ku nuk fut dot të vetët
Autorja zmadhon rolin e veprimeve, ku mund të bëjë protagonistë njerëz të zgjedhur të saj, dhe hesht për disa lëvizje madhore antikomuniste. Në vijim po rreshtojmë vetëm pesë prej tyre, që Autorja nuk i përmend fare.
E para, rezistenca antikomuniste e Kavajës, ku komunizmi u gjend para një populli të tërë që e kundërshtoi (25 mars e deri në fund të vitit 1990). Atje, komunizmi i z. Alia vrau njerëz (Josif Buda, më 10.7.1990) dhe mbushi burgjet me kavajasit e pamposhtur.
E dyta, demonstrata e heshtur në Shkodër (14 janar 1990), para bustit të Stalinit. Shumë nga organizatorët u patën burgosur dhe keqtrajtuar (Gjergj Livadhi, Bal Bilali, Dedë Kasneci, Nikolin Thana etj.).
E treta, demonstrata e heshtur e Tiranës (28 janar 1990 mbasdreke). Bëhen arrestime që janë mbajtur të fshehta.
E katërta, ceremonitë fetare për të demonstruar edhe politikisht kundër regjimit, në Shkodër (nëntor 1990). Këto janë, mesha në kishën e varrezave katolike (më 11.11.1990, nga Dom Simon Jubani), dhe pastaj ceremonia tek Xhamia e Plumbit (më 16.11.1990, nga Hafëz Sabri Koçi). Të dy objektet e kulteve të ndryshme, u riparuan me punë të përbashkët të katolikëve dhe të myslimanëve. Pati me mijëra pjesëmarrës, pa dallim feje: regjimi komunist bëri çmos për t’i penguar këto dy aktivitete.
E pesta është negative, por shumë domethënëse: mitingu me “100 mijë-pjesëmarrës” në sheshin “Skënderbeg” (15 korrik 1990), i organizuar nga regjimi komunist për të dënuar “jashtëqitjen e kombit”, apo “plehrat e kombit”, që në zhargonin letrar të komunistëve të kohës, emërtoheshin ata që ishin futur në Ambasadat, në korrik të 1990-ës. Autorja, po të kishte një ndershmëri minimale prej historiani, do të duhej që së paku të paraqiste qëndrimet publike të atyre personaliteteve të kohës, pikërisht në atë miting, dhe në atë kohë, pastaj fundja edhe t’i justifikonte, kur i duhej t’i interpretojë sipas qejfit të saj, veprimet e tyre të pak muajve më pas.
Heshtje tërësore për personalitetet politike jokomuniste të pasvitit 1990
Nga 1985-a e deri në 1997-ën, autorja përmend 27 emra komunistësh apo aleatësh të tyre në qeverisjet. E për të njëjtën periudhë, përmend nga kampi antikomunist, ai që qeverisi Shqipërinë në hapat e para në demokraci, vetëm 5 vetë! Mospërmendja e emrave të drejtuesve të lartë të PD-së, si dhe e veprimtarive që lidhen direkt me ta, vjen jo vetëm nga dëshira për t’i rritur vlerat njëshave të saj (Sali Berishës e ndonjë tjetri), duke i paraqitur si “heronjtë e vetëm”, por edhe ngaqë ata “të papërmendurit” kanë të përbashkët se asnjëri prej tyre nuk ka qenë anëtar apo kandidat i partisë komuniste (“të punës”). Në vijim, kronologjikisht po kujtojmë disa nga të papërmendurit, të cilëve as ne nuk po ua përmendim emrat (përveçse atyre që nuk jetojnë më): po ua lëmë historianëve të vërtetë që ta bëjnë këtë punë (quizi, gjëegjëza, nuk është fare e vështirë!).
1—Studentët (vetëm një a dy përmenden) që organizuan grevën e urisë dhe bënë takimin me qeveritarët, para se z. Alia të dërgonte tek studentët, njerëzit e tij që u morën atyre, studentëve, edhe meritat, edhe vendin në PD.
2—Personat që organizuan rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë: nuk e rrëzoi as PD-ja dhe as drejtuesit e saj.
3—Dëshmorët e “2 prill 1991” në Shkodër (Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka, Nazmi Kryeziu), që dhanë jetën për rrëzimin e komunizmit.
4—Zëvendëskryeministri dhe ministri i Bujqësisë (në vitet 1992-93), që ishte në krye të reformës së ndarjes së tokës bujqësore tek fshatarët, duke bërë rreth 2 milionë pronarë privatë në Shqipëri.
5—Zëvendëskryeministri dhe ministri i Rendit Publik, (vitin 1992-93), kur policia shqiptare u kthye në një institucion të demokracisë, duke u mbushur edhe me ish-të përndjekur politikë, edhe me specialistë nga ushtria, e duke u përkrahur specialistët e policisë që ishin të gatshëm të ndryshonin me kohën, por duke nxjerrë jashtë policisë kundërshtarët e betuar të demokracisë. Rezultati: vendosja e rendit brenda pak muajve. Ai është dekoruar me medaljen më të lartë të kohës, urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë (11.1.1993).
6—Zëvendëskryeministri i ngarkuar me reformën ekonomike (në vitet 1993-94). Brenda më pak se dy viteve, u privatizuan pothuaj të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (në vend vepronin 37 borde privatizimi me mbi 800 vetë në to); drejtimi i investimeve publike u kthye, nga përfundimi i veprave të gjiganto-manisë enveriste, në ndërtimin e infrastrukturës fizike (rrugë, ujësjellës, elektrik) etj. Po ky person i kundërvihet i pari piramidave mashtruese, edhe brenda PD-së, por edhe publikisht (tashmë si kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë, 1996-97).
7—Ministri i Mbrojtjes që vuri bazat e lidhjes me NATO-n, që drejtoi reformën e parë të zvogëlimit të ushtrisë dhe përqendrimit të saj në kazerma, që rezistoi në përdorimin e ushtrisë për shtypjen e demonstratave të 1997 etj. (Safet Zhulali). Ai është dekoruar me medaljen më të lartë të kohës, urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë.
8—Kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) i cili shndërroi sigurimin komunist, në një organ perëndimor (1992-97).
9—Ministri i Ndërtimit, që ishte në krye të privatizimit të banesave (vitet 1993-94), që bëri pronarë të shtëpive të tyre, me qindra mijëra familje. Ministri i Jashtëm që reformoi të gjithë diplomacinë komuniste (1992-96). Ministri i Transportit që privatizoi të gjithë flotën dhe të gjitha parqet e autotransportit (1992-96). Ministri i Punës, që organizoi shërbimin e ri të asistencës e të punës (1992-94), e shumë e shumë personaliteteve të tjerë të qeverisë së parë të PD-së.
Ndërkohë, autorja seç përmend ca emra personash me kontribute “njëditore “ për demokracinë, që kurrkush veç asaj, nuk ua ka dëgjuar emrin - të gjithë ata kanë të përbashkët se ose ishin komunistë, ose kishin poste që normalisht rezervoheshin vetëm për komunistët, në regjimin e para 1991-shit.
Falsifikime direkt të fakteve.
Ka edhe falsifikime direkt të fakteve. Po përmendim disa nga ato: Autorja shkruan se “ministri i Ekonomisë dhe Financave i vitit 1993, dha dorëheqjen, në një kohë që nuk është e vërtetë: ai u shkarkua. Apo thotë se z. Berisha e detyruan “ballistët dhe legalistët” të radikalizonte PD-në, duke burgosur disa anëtarë të byrosë politike, në një kohë që nuk është e vërtetë: kërkesa ishte mbarëpopullore dhe z.Berisha dhe PD-ja thjeshtë po vinte në vend një padrejtësi, duke i hapur rrugë drejtësisë të bënte punën e saj. Apo, thotë se mungonin ligjet (në pjesën e dytë të vitit 1996) për të luftuar fenomenin e fajdeve, ndër kohë që nuk është e vërtetë: ligjet ishin, dhe sipas ligjit, firmat piramidale duhet të mbylleshin, duke u kthyer në banka.
A mos jemi para një antishqiptarizmi të stërholluar?!
Nuk po e vazhdojmë më gjatë kritikën, sepse do të duheshin mbushur faqe të tëra me falsifikimin e autores, të kryer nëpërmjet heshtjeve, hiperbolizimeve, inkoherencës së saj (ç’thotë në një faqe, e kundërshton në tjetrën), si dhe të sa e sa interpretime malinje mbi bazë idesh politike të gabuara (si p.sh., “ata janë antikomunistë, pra ata janë të djathtë”), duke kopjuar stilin e historiografisë komuniste.
Po e mbyllim duke shprehur edhe një merak më të madh që kemi, të cilin po e shtrojmë në vijim. Sikur ka një gjë të përbashkët tek shkrimi i autores në fjalë, me shumë shkrime të tjera që po mbushin ambientin shqiptar këto kohë, që bien erë antishqiptarizëm. Këto shkrime burojnë kryesisht po nga një rreth i ngushtë me prejardhje “intelektualësh të universitetit, të institucioneve të larta apo të shtypit komunist” të Tiranës. Po vërshon një falsifikim i historisë moderne, që si shkak të dukshëm lehtë ka servilizmin politik për karriera qofshin dhe akademike (si rektor etj.), siç e analizuam më sipër në këtë shkrim. Por ky falsifikim i modernes, duket sikur bën pjesë në një të tërë, ku përfshihet edhe falsifikimi i historisë së lashtë e të vjetër, apo edhe filo-shqiptarizmi ekstrem, që natyrisht bën efektin e kundërt, duke larguar njerëzit edhe nga ajo që është faktikisht shqiptare. “Historisë së falsifikuar”, i shtohen edhe ca “përkthime nga bota e përparuar”, ku për çudi përzgjidhen libra ku nuk përmendet as Skënderbeu; as roli i shqiptarëve në Ballkan ndër shekuj; ku myslimanët edhe të Shqipërisë paraqiten si terroristë a injorantë; shqiptarët paraqiten si endacakë në hapësirat ku jetonin prej mijëra vitesh, nga Durrësi e deri në Odesë, etj.
A thua kemi të bëjmë me një orkestrim të stërholluar nga forca okulte antishqiptare, që i telekomandojnë këto lloj “intelektualësh”?!
Sidoqoftë, duhet që historianët të detyrohen me dhunën e ligjit, që të shkruajnë faktet historike siç kanë qenë, dhe vetëm pastaj le të bëjnë interpretimet e tyre sipas qejfit!
Krijoni Kontakt