Një takim me Selanikun e 220 mijë shqiptarëve…

Bardhyl Berberi
09-12-2007

http://www.shekulli.com.al/news/52/A...007-12-09.html


MBRESA UDHËTIMI



Nga Selaniku



Edhepse kanë kaluar disa muaj nga zjarri i tmerrshëm që përfshiu Greqinë në verën që sapo kaloi, gjurmët e tij i sheh qartë sapo futesh në tokën greke. Shihen vatra të mëdha pyjesh të shkrumbuara krejt. Nga larg ngjanin si tokë e djegur deri në palcë…

Kemi kaluar doganën e Kapshticës në drejtim të Selanikut. Rrëzë kodrave të ulta shtrihet një peizazh tipik ballkanik. Buzë rrugës sheh shumë kishëza të vogla. Na shfaqet para syve qyteti i vogël i Follorinës me shtëpi të ulta dhe të gurta. Ngjajnë me modelet elbasanase. Tej në jug shfaqet qyteti i Grebenesë. Vetiu më erdhën në mendje vargjet e një kënge të hershme: - Qiraxhi i Grebenesë, qiraxhi … / Qënke qen i pabesë, qiraxhi…

Këtu fillojnë plagët e hidhura të kurbetit. Vetëm këtu në Greqinë e veriut ka mbi 350 mijë emigrantë që i përmbledh konsullata e Selanikut. Në Selanik ndodhet 220 mijë të tillë, afërsisht.. Bashkëudhëtar me mua është një djalë nga Mokra. E ka emrin Arif, por i thërrasin Aleks. "E kam ndërruar këtu në Greqi, - thotë. E pyes sa kohë ka emigrant dhe si e ka nisur. "Kemi kaluar nga mali i Pisoderit, kemi hequr e vojtur, pasi atje kishte dëborë. Edhe sot ndonse kanë kalur mbi 7 vjet nuk e kuptoj se si mbërritëm gjallë në Greqi. Çamë dëborën me gjoks por na kërcënonin edhe tufat e ujqërve npër pyll …", - rrëfen Arifi-Aleks.

Pak më poshtë rrugës më tregon me gisht nga xhami: "..Ja shikoje atë qafën e malit atje, i thonë "Shtegu i Refugjatit", pasi aty është një rrugë e njohur për të kalur kufirin. Kurse këtu, (më tregon një vend më afër) i thonë "ara e gjakut"…". E pyes se çështë ky emër i tmmerrshëm.

"Një pronar grek therri me thikë një emigrant nga Velçani i Mokrës Aleksander quhej ai. Pronarit grek ku punonte emigranti i kishin vjedhur kasetofonin e makinës dhe ai dyshonte se ia kishte vjedhur shqiptari…", - më tregon Arifi. Rrëfimi është dramatik, por ajo që më shkon në mendje është që asnjëherë nuk kam kuptuar pse shtetasve grekë që punësojnë shqiptarë, emigrantët u thonë "pronarë" dhe jo "punëdhënës"…

Gjatë gjithë rrugës për në Selanik, na shoqërojnëkisha e manastire të pafund, kodra të sistemuara me portokalle, limona dhe ullinj. Ndjen një trishtim të thellë nëse i krahason me peizazhin tonë të braktisur me toka të papunuaratë mbuluar nga shkurret. Duket sikur këtu në çdo parcelë, taracë apo pemishte të sistemuar bukur është shkruar fjala "Punë". Padyshim aty është edhe djersa e shumë emigrantëve tanë që rropaten nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.

***

Jemi futur në autostradën e re dhe kemi lënë pas Kozanin,Verian e bukur dhe pasi kemi kalur dhjetëra tunele njëri pas tjetrit në buzë mbrëmje, i jemi drejtuar Selanikut Tej thellë në horizont filloj të ngrihet një brezare e madhe dritash, e cila merte formë sa më shumë i afroheshim qytetit. Papritur mu kujtua Mokra: fshatrat e braktisur e të boshatisur, ku përditë e më rrallë ndonjë oxhak nxjerr tym dhe ku shumica e banorëve janë pleq të rrëgjuar…

Selaniku është qyteti i dytë i Greqisë me gati 2 milion banorë sëbashku me periferinë. Vetëm shqiptarë thotë konsulli ynë në Selanik Thoma Nini ka mbi 350 mijë. Konsullata jonë në Selanik për gjithë shqiptarët e Greqisë së Veriut shtron një pritje me rastin e 95 vjetorit të Pavarsisë . Nuk i shpëtojmë dot politikës.. "Në të njëjtën tavolinë qëndron kryetari i PD së Selanikut me atë të PS, - më thotë dikush afër meje… "Na ka mbledhur Atdheu, ai është partia e të gjithëve, - vjen përgjigja gazmore nag tavolina ngjitur. Dalloj këngëtarin Tonin Tërshana. I rrjedhin lot nga sytë, duket i emocionuar. Prej disa vitesh sëbashku me familjen ai jeton këtu në Selanik.

***

Mëngjes. Kohë e ftohtë, ajër i lagësht. Tek stacioni i trenit përballë stacionit të autobuzave është një shesh i madh. Aty dëgjohej vetëm shqip. "Kjo është "Omonia" e Selanikut,- më thotë një shqiptar,- këtu presim që të na marrin për punë. Janë me mijëra. Janë të gatshëm për të punuar çfardolloj pune. Kur orët kalojnë dhe nuk vjen ndonjë punëdhënës, ata sikletosen së tepërmi. Nuk duan që dita "t`u ikë bosh". Emigrantët janë të të gjitha moshave.

Kemi kaluar bulevardin Egnatia dhe kemi zbritur poshtë në drejtim të detit. Aty ndodhet edhe konsullata shqiptare në të njëjtën ndërtesë me konsullatën amerikane. Ndërtesa është zhvendosur kohët e fundit. Konsulli Thoma Nini na thotë se Konsullata Shqiptare në Selanikështë shtëpia e përbashkët e emigrantëve. Është e vështirë të jesh konsull i shqiptarëve në Greqi. "Duhet të lëvizësh shumë që të mund ti njohësh. Janë kudo në fabrika, kantjere, e nëse do ti takosh i gjen në të gjitha profesionet; do takosh hekurkëthyesin, gurgëdhëndësin, bariun majë malit nëpër stane, fëmijët tanë nëpër shkolla, - thotë konsulli Nini, - dhe shton: Shqiptarët po fitojnë me kalimin e viteve dinjitetin, madje punëdhënësit e këtushëm tashmë kanë një shprehje: "Puno si shqiptar…!"

***

Selaniku është befasues. Shtrihet përgjatë tre rrugëve më kryesore të cilat përfundojnë në det. Ka ndërtime të reja, parqe të pafund, rrugë të pastra..Pazari shekullor dhe i famshëm i Selanikut qindra e qindravjeçar ishte duke u restauruar. Sheshi Aristoteli ka një madhështi mbresëlënëse. Aty ndodhet kisha gjigande e Shën Dhimitrit ( Agjo Dimitriu ). Takojmë një emigrant që ka mbi 10 vjet që punon në Greqi. Quhet Urim Gjata, një burrë i fortë dhe me shikim të mprehtë.. "Ja e shikon atë fabrikën e çimentos, - më thotë sapo shkëmbejmë fjalët e para, -atë e kam ndërtuar unë sëbashku me disa shqiptarë të tjerë..". Emigrantët bëhen lehtë nostalgjikë. "Jeta e njeriut, - më thotë pas pak Urimi, - është dashuridhe dhimbje. Na merr malli për fëmijët, për shtëpinë, për rrugicat.. Më fal, por jam pak i emocionuar..".

Mimoza Dako është mësuese. Ajo i është përkushtuar krijimit të kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Selanik Mimoza është edhe kryetare e Shoqatës së Emigrantëve e krijuar që në vitin 1998. Mimoza më thotë se qëllimi i saj dhe i një grupi mësuesish si ajo është që të mos kemi fëmijë analfabetë. "U mësojmë shkrim dhe këndim së paku, më pas ata ecin vetë.. Rezultatet shpesh janë shumë positive.. Kemi mundur të shmangim analfebetizmin e fëmijve të emigrantëve tanë këtu në Selanik dhe për këtë jemi krenarë…"

***

Udhëtojmë buzë detit . Tej në horizont sipër siluetës së Torrës së Madhe varej pezull disku i i diellit dimërak. Lagështia e ajrit ndihet lehtë. Pulëbardha të shumta fluturojnë ulët mbi sipërfaqen e kaltër të detit dhe klithmat e tyre ngjajnë me një kor vajtojcash. Shëtitorja buzë detit është e mrekullueshme. Aty ndodhet një monument gjigand i Aleksandrit të Maqedonisë. Është madhështor. Tregon Aleksandrin hipur mbi kalë me një pamje triumfatori. Dihet dobësia e grekëve për Aleksandrin.. Pikërisht në këmbët e këtij monumenti gjigant, dëgjoj një pjesë orkestrale të interpretuar me saks. Te këmbët e monumentit shoh një muzikant.. Nuk befasohem kur më thotë që është shqiptar. Është nga Pogradeci, 52 vjeç dhe quhet Enver Ademi. Ka qënë prej shumë vitesh muzikant i njohur por tashmë është invalid. I ka ikur shikimi dhe ka zgjedhur këtë mënyrë për të fituar të hollat e kalimtarëve për të cilët luan muzikë. Enveri flet si i zënë në faj.. I skuqur më thotë se të ardhurat që merr nga kempi nuk i dalin për të mbajtur familjen, prandaj ka gjetur këtë formë për të fituar diçka më shumë. Kalimtarët e rastit i hedhin monedha …

***

Pas disa ditësh qëndrimi, u larguam pasdite nga qyteti duke lënë pas diellin në perëndim që përflakte kupolat e kishave të shumta të Selanikut, direkët e anijeve në port, Torën e Madhe, monumentin e Aleksandrit të Madh, duke e mbushur peizazhin përreth me reflekse të kuqe. Qyteti ngjante me një gravurë të rrahur në baker…