Shkruar ne dhjetor 2006.
Vitin e kaluar kur botova romanin e parë Vrasjet dhe Makijazhet, ndihesha shumë e lumtur dhe krenare. Kisha kaluar gati një vit në botën e personazheve. Por posa zgjohesha nga ajo botë, kisha ndjenjën e vetmisë. Personazhet nuk më kthenin përgjigje e as nuk më buzëqeshnin. Isha unë ajo që i kontrolloja të gjitha veprimet e tyre.
Në Kosovë kalova tri javë duke promovuar librin. Pasi përfundova promovimin, intervistat dhe çdo gjë që kishte të bënte me librin, mami dhe unë ishim ulur në ballkon dhe pinim kafe.
-Jam shumë krenare me ty,- më tha ajo duke më shikuar me sytë e saj të gjelbër që shkëlqenin plot dashuri.
-E di,- ia ktheva unë dhe e dija se kishte edhe diçka tjetër të më thotë. Ajo vazhdonte të më shikonte drejt në sy pa i lëvizur as qerpikët. Unë nuk munda t’i qëndroj atij vështrimi të saj.
-Thuaje, çka po të mundon,- i thash unë.
-Është interesant se ti zakonisht i jap vetes detyra dhe projekte që të bëjnë të ndihesh e lumtur dhe krenare, - ajo u ndal dhe piu kafen dhe e drejtoi shikimin nga oborri i cili kishte marrë ngjyrën gështenjë.
-Hë moj, thuaje se më plase,- i thash unë me padurim.
-Dua të them se ke bërë shumë gjëra të mira dhe humane gjatë jetës tënde. Por tani po hynë në të tridhjetat dhe kisha dashur të dijë se a je duke menduar për të krijuar familje?- më pyeti disi me hezitim.
-Aiiiii, çfarë më the, ka kohë për bebe,- i thashë më tepër për ta ngacmuar atë.
-Jo loçkë nuk ke shumë kohë,- më tha ajo dhe më vuri dorën në krahë.
-Kjo është bebja ime, kam punuar në të një vit, ka qenë më vështirë dhe më shtrenjtë se sa ta bëj një fëmijë, - i thash unë dhe kapa romanin tim nga tavolina dhe mbaja në gjoks, sikur kur mbaja abetaren kur mësova të gjitha shkronjat. Atë abetare e pata varrosur gjatë luftës në Kosovë dhe tani e kam sjellë në Amerikë. Vajza ime, Sara, do t’i mëson shkronjat shqipe nga po ajo abetare.
-E ke gabim, asgjë nuk e zëvendëson ndjenjën e gëzimit dhe lumturisë me atë të fëmijës. Libri nuk të buzëqesh, nuk të kapë për dore, nuk qanë po nuk e ushqeve. Duhet të lësh dikë pas vete kur të vdesësh. Mandej zotit nuk i intereson se sa libra e gazeta ke botuar.
-Unë i kam menduar të gjitha këto. John-i dhe unë kemi biseduar që në të ardhmen e afërme do të fillojmë të mendojmë për fëmijë.
Për një qastë mu dukë sikur pashë një yll që shndriti në sytë e saj. Nuk tha asgjë por më përqafoi aq fort sa unë fillova të kollitem.
-Shpresoj se do të kemi Teuta të vogla si ty,- më tha ajo derisa më liroi.
Pas një viti, me 21 shtator 2006, linda Sarën. Në mes dhimbjeve dhe të qarit e parë të Sarës mu kujtuan fjalës e nënës time. Ajo kishte pas të drejtë se fëmija është gjëja më e lumtur në botë. Posa mora atë në krahë, dhembjet e zjarrta u shëruan, lodhja u largua dhe çdo gjë më dukej më bukur. Sara më kishte sjellë ndjenjën më të mirë në botë. Ajo është engjëlli im.
Tani kaloj kohën duke luajtur me të, ushqyer, pastruar, duke e shikuar dhe mbajtur në krahë dhe prapë nuk ngopem me atë. Çdo gjë që bën ajo mua më eksiton dhe më bën të lumtur. Nuk brengosem nëse kam ngrënë drekë të ftohtë, apo kam kaluar natën pa gjumë, nuk jam përgjigjur në telefon, nuk kam shkruar në romanin për një muaj rresht. Si duket çdo gjë mund të pret por jo Sara ime. Nuk dua ta lë që të pres për asgjë, sepse ajo po rritet shpejt dhe nuk dua të më shpëton asgjë pa e parë.
Një ditë Sara qau gati dy orë pa u ndal. Zëri i saj më lëndonte zemrën. Mendoja se si mund të dijë se për çfarë kishte nevojë ajo dhe si mund ta mbroja. Derisa ecja nëpër shtëpi me atë në krahë mu kujtuan vargjet e këngës së Parashqevi Simakut, E duam lumturinë. Fillova ta këndoj dhe për habinë time Sara u ndalë, më shikonte drejt në sy. Pasi përfundova vargjet e para ajo buzëqeshi sikur kuptoi atë që këndoja. Por kur u ndala ajo filloi prapë të qajë. Unë vazhdova të këndoj edhe vargjet tjera dhe ajo u ndalë. Atë këngë ka më tepër se 20 vite që e kam kënduar në korin e fëmijëve të shkollës fillore. Por ishte hera e parë që këndoja me aq pasion dhe shtëpia kumbonte nga zëri im. Për habinë time nuk kisha harruar vargjet por ndija nevojën ta dëgjoj Parashqvi Simakun. Kërkova në internet dhe e gjeta në www.fjalori.com . Tani kjo këngë është pjesë e rutinës ditore. Ia këndoj Sarës së paku 10 herë në ditë dhe është kënga më e preferuar e saj.
Krijoni Kontakt