Presidenti Topi vizite ne Vatikan, takon Papa Benediktin XVI
Papa Benedikti XVI i ka shprehur Presidentit të Republikës, Bamir Topi, vlerësimet e tij për përpjekjet integruese të Shqipërisë dhe ka vlerësuar forcimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës. Gjithashtu, Papa ka përshëndetur bashkëjetesën dhe harmoninë mes feve në Shqipëri. Vlerësime për tolerancën fetare që mbizotëron në vendin tonë ka bërë edhe Presidenti Topi, i cili më pas ka informuar Papën për përpjekjet në përmbushjen e aspiratave integruese në strukturat euro-atlantike, si edhe për reformat në vend. Kreu i shtetit shqiptar ka nënvizuar edhe rolin moderues të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në interes të paqes dhe qëndrueshmërisë së rajonit të Ballkanit. Këtu Topi është ndalur edhe në rëndësinë e zgjidhjes sa më të shpejtë të çështjes së Kosovës dhe fitimit të pavarësisë së merituar të saj, për të vendosur përfundimisht paqen dhe qetësinë në Ballkan dhe për ta orientuar atë drejt integrimit në familjen e madhe evropiane.
Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar edhe marrëdhëniet e hershme dhe shumë të mira të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, duke shprehur mirënjohjen për ndihmesën e vyer dhe rolin që Vatikani ka luajtur për ringjalljen shpirtërore, morale dhe edukuese të popullit shqiptar, si edhe në mënyrë të veçantë për lumturimin e Nënë Terezës, kësaj shqiptareje të madhe, humanizmi i shenjtë i së cilës njihet dhe vlerësohet anembanë botës, duke e shndërruar në një simbol të bamirësisë, mikpritjes dhe sakrificës shqiptare. Ndërsa Ati i Shenjtë ka theksuar lidhjet jo vetëm gjeografike, por edhe historike e kulturore të Shqipërisë me familjen evropiane, aspiratën e saj për t‘u bërë pjesë edhe institucionalisht e kësaj familjeje dhe uroi që kjo aspiratë e kahershme e popullit tonë të përmbushet sa më shpejt. Papa Benedikti XVI ka shprehur mbështetjen e tij për përpjekjet integruese të Shqipërisë dhe vlerësoi forcimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, duke përshëndetur gjithashtu edhe bashkëjetesën e harmoninë ndërfetare që karakterizon popullin shqiptar. Presidenti Topi, në emër edhe të mbarë popullit shqiptar, e ftoi Atin e Shenjtë, Papën Benedikt XVI, që të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi dhe mori përgjigje pozitive nga Shenjtëria e Tij për t‘u zhvilluar në një moment të përshtatshëm të axhendës së Tij.
Gazeta SHQIP
Krijoni Kontakt