Një politikan në Itali shokon opinionin publik
Një politikan në Itali ka shokuar opinionin, duke propozuar që emigrantët të trajtohen me të njëjtën ashpërsi që përdorën nazistët kur pushtuan vendin. Xhorxhio Betio, një këshilltar komunal në Trevizo, tha gjatë një takimi: "Me emigrantët ne duhet të përdorim të njëjtin sistem që përdornin edhe SS-ët. Të dënojmë 10 prej tyre për çdo dëm kundër një prej qytetarëve tanë". Komentet e tij rikthejnë në mendjet e italianëve kujtimet e vitit 1944, kur Hitleri urdhëroi ekzekutimin e 10 italianëve për secilin prej 33 gjermanëve të vrarë gjatë një sulmi partizan kundër forcave okupuese në një rrugë të Romës. Emigracioni ka qenë një çështje e ndjeshme në rajonin verior të Italisë, Veneto, ku gjendet edhe Trevizo. Tensionet kanë qenë të përhershme mes banorëve lokalë dhe emigrantëve, disa prej të cilëve kërkonin punë në fabrika dhe fusha. Betio, një anëtar i Lidhjes së Veriut (Liga Nord), e njohur për qëndrimet anti-emigrantëve, është dënuar ndërkohë pasivisht nga politikanët dhe editorialistët. "Edhe nëse do të kish qenë i dehur, apo nëse truri i tij do të ishte goditur, komentet e tij duhen dënuar pa hezitim", shkruan "Il Giornale", një gazetë konservatore, që normalisht mbështet Lidhjen e Veriut. Ndërsa një lider i komunitetit hebre të Romës i ka cilësuar komentet si "tmerruese". Vetë Betio ka thënë për agjencinë e lajmeve "Reuters", se ai kish qenë i acaruar në kohën kur kishte bërë këto komente, për shkak se një emigrant aziatik kishte kërcënuar nënën e tij. "Unë sigurisht kam bërë gabim që kam përmendur SS-ët", tha Betio, duke shtuar se ai besonte që gjithçka ishte ekzagjeruar nga politikanët dhe mediat. Parlamentarët italianë e akuzuan atë se po nxiste racizëm dhe i kanë kërkuar qeverisë ta censurojë, ndërkohë që episodi nxjerr edhe një herë në pah problemet e Italisë me emigracionin. Shumë italianë, të shqetësuar nga rritja e shkallës së krimeve dhe papunësia, kërkojnë një "reprezalje" ndaj emigrantëve.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt