SHBA-raport: Qeveria shqiptare nuk po lufton trafikun
Departamenti amerikan i shtetit në raportin më të fundit për trafikun e qenieve njerëzore e klasifikon Shqipërinë si të dështuar në luftën kundër trafikut. Vendi ynë përfshihet në listën e vrojtimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku futen ato vende që nuk bënë përpjekje gjatë vitit të kaluar në luftën kundër trafikimit
Departamenti amerikan i shtetit në raportin më të fundit për trafikun e qenieve njerëzore e klasifikon Shqipërinë si të dështuar në luftën kundër trafikut. Vendi ynë përfshihet në listën e vrojtimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku futen ato vende që nuk bënë përpjekje gjatë vitit të kaluar në luftën kundër trafikimit. “Qeveria nuk identifikoi si duhet viktimat e trafikimit gjatë viti 2007. Gjithashtu ajo nuk ka treguar se po heton apo po ndjek penalisht në mënyrë energjike zyrtarët fajtorë. Qeveria e Shqipërisë nuk paraqiti fakte bindëse për të zbatuar me përgjegjshmëri luftën antitrafik. Vetëm në vitin 2007, ajo ndoqi penalisht 49 trafikantë të dyshuar por denoi vetëm 7 prej tyre”- thuhet në raportin e përpiluar nga SHBA-ja për trafikun e qenieve njerëzore. Sipas raportit aftësia e qeverisë për të financuar shërbimet e mbrojtjes dhe ndihmës ishte e kufizuar. Gjatë periudhës së raportimit njësitë rajonale antitrafik të policisë nuk u trajnuan siç duhet për më tepër që kishte mangësi të pajisjeve për të trajtuar efektshëm trafikimin njerëzor. Në raport shkruhet se ajo që ka ndikuar në mangësinë e policisë në luftën kundër trafikut janë edhe burimet e pamjaftueshme, ndikimi i korrupsionit dhe ndërrimet e shpeshta të rekrutëve të policisë për luftën kundër trafikimit. Në qershor dhe në korrik të viti 2007 qeveria ka pushuar nga puna 20 përqind të oficerëve të policisë që kishin qenë të trajnuar, si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për ristrukturimin e policisë. Në tri raste të veçanta Ministria e Brendshme arrestoi 12 oficerë policie të akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore gjate viti 2007, përfshirë këtu gjashtë oficerë që kishin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për antitrafikimin në kufi.
Raporti i SHBA-së shkruan se gjatë viti 2007 qeveria shqiptare identifikoi vetëm 13 gra dhe shtatë fëmijë si viktima të trafikut, në kundërshtim me OJQ-të që raportuan 146 viktima të trafikimit gjatë kohës së raportimit.
Shekulli
Krijoni Kontakt