Emisioni "Shqip" në "Top Channel" sjell zërin e komunitetit shqiptar në Ukrainë

Rudina Xhunga ka sjellë në emisionin "Shqip", në "Top Channel", zërin e komunitetit shqiptar në Ukrainë. Ata kanë lënë Shqipërinë 300 vjet më parë, por nuk kanë humbur gjuhën. Flasin shqipen e vjetër dhe kanë mall për vendin që nuk e panë kurrë. Pas udhëtimeve tek arbëreshët e Sicilisë, shqiptarët e Trakës greke, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë, gazetarja e njohur, Xhunga, ka udhëtuar në fshatin Karakurt të Ukrainës, ku banojnë mbi 2000 shqiptarë. Një komunitet tjetër me rreth 5000 shqiptarë, të ardhur kohë pas kohe, jeton në Odesa të Ukrainës. Nuk ka asnjë dokument historik për shqiptarët e Ukrainës. Pak ose fare dihet për ta. Shqiptari i parë që shkroi për ta është Selim Islami. Në vjeshtën e vitit 1949, bashkë me një etnografe ruse, ai vizitoi fshatrat e banuar me shqiptarë. Në vitin ‘55 botoi një libër me material gjuhësor të shkëlqyer nga kolonitë shqiptare të Ukrainës.

"Me shprehjen ‘ti shqypton si ne‘, ata duan të thonë: A kupton si ne, a e kupton gjuhën tonë? Kjo më tërhoqi vëmendjen përsëpari dhe mendoj se këtu duhet kërkuar rrënja e emrit tonë shqiptar. Ai që shqipton, ai që kupton atë gjuhë", shkruan Islami, në librin ku ka mbledhur përralla, vargje, ninulla, që sipas tij, i përkasin dialektit toskë. Ndërsa i pyet ata vetë se nga cila krahinë e Shqipërisë vijnë, të tregojnë se vijnë nga Korça dhe rrethinat, që i lanë tre shekuj më parë për t‘u vendosur në Bullgari, mandej në Ukrainë. Akademiku rus, Djerzhavin, i cili i vizitoi këto fshatra në vitin 1925, shkruan se shqiptarët erdhën në këtë vend, nga Bullgaria, në fund të shekullit të 18-të dhe fillimi i 19-të. Ndërsa Jaranov shkruan se arnautët e Bullgarisë janë të shpërngulur nga Korça, Ohri, Elbasani, Çermenika, Golloborda, diku nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të.

Fjodor Dermentli, jeta profesionale e të cilit është krenari për shqiptarët e Ukrainës, ka shkruar një libër për historinë e familjes dhe rrënjët shqipe të origjinës, ku mes të tjerash rrëfen arsyet e shpërnguljes nga Shqipëria, që sipas tij janë dy: Dëshira për të mos ndërruar fenë gjatë pushtimit otoman dhe mandej lufta turko-ruse, që u pasua me dhënie tokash nga Ekaterina e Rusisë, për popullsinë joturke. Në vend të flas, ata thonë zallahis. Në vend të kuptoj, shqiptoj. Të kërkojnë të flasësh kadalë-kadalë. E kanë ruajtur dhe dashur gjuhën në shekuj, edhe pa e shkruar kurrë. Ata janë shqiptarët e Ukrainës, një komunitet, që kur shkon t‘i takosh, të mbulojnë me dashuri dhe mall për mëmëdheun që nuk e kanë parë kurrë.


Ledia Shamku (Shkreli)

Teza e Majerit për gjuhën shqipe, gjen provën në gjuhën e shqiptarëve të Ukrainës

Kam përshtypjen që jemi në një emision historik, në një moment ndoshta historik. Ndërsa po jepej kronika, ndalova në një shprehje shumë të veçantë të Selim Islamit, i cili shkoi ta takonte këtë komunitet në vitin 1955. ‘Shqiptarët e Ukrainës e ruajnë shumë mirë gjuhën e tyre, veten e quajnë arnautë. Me shprehjen ‘ti shqypton si ne‘ ata duan të thonë a kupton si ne, a e kupton gjuhën tonë‘?- thotë Selim Islami. Këtu duhet të kërkojmë rrënjën e emrit tonë kombëtar shqiptar, i cili është ai që shqipton, domethënë kupton atë gjuhë. Ka disa hipoteza rreth evoluimit tonë. Hipoteza e parë dhe së cilës i mbahet edhe Çabej e më pas edhe Mustafa Kruja, është ajo e hedhur nga Majeri, i cili thotë që fjala ‘shqip‘ vjen nga një pol i latinishtes ekskipireo ose ekskipio, që do të thotë ‘kuptoj, merrem vesh, flas shkoqur‘. Nuk është latinishte e ballkanikes sikundër është pandehur deri më sot, por unë u konsultova me fjalorin. Është një formë që nuk del në pah në fjalorët e latinishtes klasike, është një formë e latinishtes së mesme. Ajo ka tri kuptime: kuptimi i parë do të thotë ‘përjashtoj‘, kuptimi i dytë do të thotë ‘kaloj, lë mënjanë‘ dhe kuptimi i tretë është pikërisht ky ‘flas shkoqur, kuptohem, merrem vesh‘.

Me sa duket ky kuptim ka qenë në përdorim, atëherë ku u mor dhe u përshtat nga ne. Dua të them që deri më sot këta dijetarë si Çabej, Kruja i ishin përmbajtur kësaj hipoteze të Majerit, por pa një regjistrim, pa një provë faktike. E besonin këtë hipotezë vetëm duke ndjekur zinxhirin fonetik të shndërrimeve të shqipes, i cili sikurse thoshte edhe profesori, është i vetmi që nuk na lë në baltë edhe kur jemi përballë errësirës së fakteve. Dhe me shndërrime fonetike ekskipio-shqipoj është e mundur. Pra, mbetesh në hipotezën me gjasë, që duke iu referuar togfjalëshit të ngrirë ‘fol shqip‘ që nuk ka kuptimin fol shqip siç thonë anglezët ‘speak english‘ por ‘fol qartë, fol kuptueshëm‘ që unë të të marr vesh. Kjo ishte për ata një provë anësore, por gjithsesi, një provë që me gjasë vijmë nga ekskipio, pra, vjen nga kjo formë dhe ka pasur fillimisht këtë kuptim pra, jo kuptimin flas shqip, flas gjuhën shqipe, por flas që të kuptohem me ty.

R. Xhunga: Pra, shqiptarët dhe Shqipëri, vjen nga fjala shqiptoj që do të thotë kuptohem, merrem vesh?

Ledi Shamku (Shkreli): Po, a të janë drejtuar ty, duke të thënë ‘nuk të shqiptoj‘? Këtu kemi një regjistrim faktik. Mungonte një hallkë që ishte materiali faktik dhe këtë provë e kanë ruajtur shqiptarët e Ukrainës. Unë jam emocionuar, sepse kemi pak dokumente historike. Te ne duhet të veprojë më fortë ajo që quhet arkeologji gjuhësore. Shqipja ka dalë vonë nga prehistoria. Dokumenti ynë i parë është Formula e Pagëzimit. Ndoshta me këtë emision vihet jo një teserinë në mozaikun e madh të dijes mbi shqipen dhe mbi veten tonë, por ndoshta vihet një gur i rëndë që vërteton tezën e Majerit, vërteton hipotezën e Çabejt, të Krujës dhe të atyre që kanë besuar që midis ‘shqip‘ dhe kuptimit ‘merrem vesh‘ ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë.


Genc Pollo, ministër i Arsimit dhe Shkencës

Do të çojmë mësues të shqipes në Ukrainë

Ne kemi qenë aktivë këto dy vjet në këtë fushë, por aktiviteti ynë ka pasur të bëjë në radhë të parë me emigracionin e ri shqiptar pra, me qindra mijëra shqiptarë të vendosur në Greqi, Itali, Angli, Amerikë dhe në Gjermani dhe jemi përpjekur që të ofrojmë libra shkollorë të gjuhës, letërsisë, gjeografisë, të asaj që mund të quhet kulturë amtare, në mënyrë që të ruhet dhe të zhvillohet identiteti i tyre shqiptar, sepse në kushtet e sotme, në kushtet e një kulture globale, me mjetet e informimit masiv është shumë më e lehtë sesa ka qenë 500 vjet përpara që ky identitet të bjerrë. Ka qenë një përpjekje, mund të bëhej edhe më shumë, situatat nuk janë dhe aq të favorshme, por gjithsesi, ka nisma të mira që na gëzojnë dhe na inkurajojnë nëpër vendet që përmenda. Diçka që kemi bërë për herë të parë në korrik të këtij viti, ka qenë seminari i mësuesve të diasporës nga shumë vende të Evropës, të cilët u mblodhën në Durrës për të bërë një trajnim specifik për mënyrën sesi mund të kultivohet shqipja dhe kultura amtare te fëmijët e emigrantëve. Por duhet të them që objekti i punës sonë nuk kanë qenë diasporat e hershme, si arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë apo si rasti shumë interesant, si historikisht, ashtu dhe gjuhësisht, i shqiptarëve të Odesës. Për këtë duhet të mendoj një qasje të veçantë që nuk mund të jetë identike me fëmijët e atyre që janë larguar nga Shqipëria 5 apo 15 vjet më parë.

Në parim, dërgimi i mësuesve të gjuhës shqipe është i mundshëm, por duhet parashikuar në një fond të veçantë. Ne kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Jashtme, e cila ka përgjegjësinë për koordinimin e këtyre gjërave dhe shpesh si Ministri e Arsimit kemi dërguar abetare dhe libra të tjerë sipas kërkesës të shkollave të ndryshme në Greqi, Angli dhe vende të tjera. Është një mundësi që të gjejmë mësues të trajnuar dhe të specializuar që të shkojë atje. Është mundësi më e mirë që një mësues i asaj shqipeje te shqiptarët në Odesë, të mund të vijë të trajnohet këtu për të dhënë orë të lira atje. Këto janë aranzhime që ndryshojnë nga vendi në vend, në varësi me mundësitë që ofron çdo shtet e që nuk janë të njëjta. Këto janë gjëra që duhen parë me ambasadën tonë dhe Konsullin e Nderit që ka bërë këtë punë shumë të mirë, në mënyrë që t‘i japim zgjidhje dhe të plotësojmë një kërkesë relativisht të thjeshtë që na vjen nga shqiptarët e Ukrainës.


Flamur Gashi, drejtor i Institutit të Diasporës në Ministrinë e Jashtme

Qendër e Kulturës Shqiptare në Ukrainë

Mendojmë që do të mbahet Festivali Folklorik vitin e ardhshëm dhe si Institut i Diasporës kemi planifikuar të ndajmë një buxhet të caktuar për të ftuar në Festivalin e Gjirokastrës shqiptarët e Ukrainës dhe mund të them me bindje që vitin e ardhshëm në Gjirokastër do të ketë shqiptarë të Ukrainës. Ky është një premtim publik që bëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme në Republikën e Shqipërisë që shqiptarët e Ukrainës të jenë pjesëmarrës në këtë festival. Gjithashtu, shumë shpejt, së bashku me Dhomën e Tregtisë së Tiranës me kryetar Gjok Uldedaj kemi biseduar të organizojmë një grup artistik nga Shqipëria që ta dërgojmë në Karakurt të Ukrainës. Pra, po vazhdojnë hapat e mirë që z. Rira dhe z. Gjoka kanë nisur para dy-tri vitesh. Pas dy ditësh do të shkoj në Odesa, Karakurt për të bërë parapërgatitjen e hapjes së Qendrës Kulturore shqiptare në Ukrainë. Qeveria shqiptare ka planifikuar që, brenda vitit 2008 të hapë tri qendra kulturore, veçanërisht aty ku ka shumë shqiptarë. Do të hapim në Romë, në Athinë dhe në Londër, por është një eksperiment pozitiv ky që po ndodh në Ukrainë, që po hapet para këtyre tri qendrave, një iniciativë kjo e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me biznesin shqiptar. Do të jenë edhe biznesmenë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët do të vijnë të shohin vendin ku do të hapet kjo qendër e kulturës shqiptare dhe për të biseduar për terma konkretë në funksionimin e kësaj qendre.



Poezi kushtuar fshatit Karakurt

Nё stepat e gjelbёr tё Buxhakut,

Ku njё lum i gjelbёr, Prul,

Pranё grykёs sё varfёr tё pёrroit,

Ndodhet i panjohuri katund,

Me familje, shqiptarёt, bullgarёt, gagauzёt kёtu,

Nё egёrsi tё pakujdesshme kanё jetu,

Duke ruajtur zakonet prindёrore,

Duke u ushqyer me atё qё prodhojnё vetё,

Pa vrarё mendjen pёr atё,

Se fuqitё e mёdha krijojnё robёr,

Dhe drejtojnё egёrsisht fatet e tyre.

A.S Pushkin

1828