TEC-i me qymyr, prodhimi vetëm për Italinë
Energjia e prodhuar në këto impiante është e firmosur për të shkuar drejt Italisë
"Këto TEC-e kanë një nivel tepër të madh ndotjesh jo vetëm për emetimet e gazrave që lëshojnë në atmosferë, por edhe për mbetjet e mëdha të hirit të qymyrit, të cilat kërkojnë një vend që të depozitohen".
"Koha më e mirë e mundshme për të ngritur TEC-in me qymyr shkon 7-8 vjet dhe këtu del qartë se këto investime nuk janë të destinuara për tregun shqiptar të energjisë. Shqipëria nuk mund të presë një zgjidhje për kolapsin energjitik që është përfshirë vendi, që shkon në këto afate kohore".
Energjia e prodhuar nga TEC-et, që do të ndërtohen në bregdet, do të ketë destinacion Italinë, një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në Bashkimin Europian. Deklarata vjen nga Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Energjitikës, i cili bën të ditur se
vetë çmimi me të cilin do të prodhohet kjo energji, është tepër i lartë për t'u blerë nga një vend si Shqipëria. "Shqipëria mund të importojë energji në Ballkan, me çmime më të favorshme seç mund të blihet energjia që mund të prodhohet nga këta TEC-e. Këto TEC-e nëse ndërtohen dhe nuk mbeten projekte thjesht të karakterit propagandistik, kanë si qëllim furnizimin e Italisë me energji",- tha Bello.
TEC-i me qymyr
Gjatë vizitës së dy ditëve më parë të kryeministrit italian, Romano Prodi, në Tiranë është firmosur edhe një marrëveshje midis përfaqësuesit të "ENEL" dhe ministrit të Ekonomisë për ndërtimin e një TEC-i me qymyr. Sipas mediave italiane, që kanë qenë kësaj here edhe iniciatorët e debatit për ndotjet, TEC-e të këtyre përmasave dhe teknologjive kanë një nivel të lartë emetimesh në atmosferë.
Italia është një vend që ka zbatuar ndërtimin e TEC-e me qymyr, por sipas projekteve të "ENEL" këto TEC-e janë në fund të jetë së tyre dhe do të zëvendësohen me prodhues të tjerë energjie. Sipas specialistëve të kësaj fushe, prodhimi i energjisë me anë të djegies së qymyrit, mbart rreziqe të mëdha përsa i përket nivelit të ndotjes. "Këto TEC-e kanë një nivel tepër të madh ndotjesh jo vetëm për emetimet e gazrave që lëshojnë në atmosferë, por edhe për mbetjet e mëdha të hirit të qymyrit, të cilat kërkojnë një vend që të depozitohen. Ky vend normalisht që do të jetë Shqipëria, pasi këto mbetje nuk mund që të pranohen në asnjë vend tjetër ku kostoja e depozitimit është tepër e lartë",- tha Bello. Sipas Bellos, një nga pikat më të debatueshme të strategjisë së ndërtimit të këtyre projekteve, është koha në të cilën ato do të vihen në dispozicion. "Koha më e mirë e mundshme për të ngritur TEC-in me qymyr shkon 7-8 vjet dhe këtu del qartë se këto investime nuk janë të destinuara për tregun shqiptar të energjisë.
Shqipëria nuk mund të presë një zgjidhje për kolapsin energjitik që është përfshirë vendi, që shkon në këto afate kohore. Këto strategji janë afatgjata dhe mund të përputhen vetëm me furnizimin e industrive të fuqishme që operojnë në Itali",- ka sqaruar Bello. Një nga pikat e tjera të kritikueshme sipas specialistit të energjisë, Pajtim Bello është transparenca e këtyre kontratave. "Qeveria duhet të jetë transparente me publikun gjatë nënshkrimit të këtyre kontratave. Transparenca për kontratat e fundit të lidhura nga qeveria për TEC-et në bregdet, është minimale",- tha Bello. Ndërsa ambientalisti Sazan Guri ka sqaruar për gazetën se, "këto investime duhet që të realizohen në vendin e duhur dhe jo në perlën e turizmit shqiptar.
Ne nuk jemi dakord me teknologjinë e përdorur në prodhimin e energjisë me qymyr, siç nuk jemi dakord me kërkesën e bërë nga pala italiane, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, për ndërtimin e veprave energjitike që nuk janë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, në Vlorë".
Specialistët bëjnë të ditur se një strategji e tillë nuk sjell asnjë përfitim ekonomik për vendin, ndërsa nga ana tjetër dëmi është tepër i madh. "Nëse këto vepra do të ndërtohen në këto përmasa dhe në bregdet, atëherë e gjithë Shqipëria do të shënohet me të "zezë" në hartën e turizmit, duke nënkuptuar që ne jemi një vend me ndotje të lartë në Europë dhe Botë",- sqaroi Guri.
Kundërshtimet për TEC-et
Zërat kundër për ndërtimin e TEC-e nuk kanë qenë vetëm nga komuniteti ku ato do të ndërtohen apo nga opozita, por edhe brenda qeverisë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar gjatë diskutimit të Buxhetit të vitit 2008 se strategjia për ndërtimin e TEC-e është tërësisht e gabuar. Sipas Bodes qeveria nuk duhet të harxhojë asnjë lek për investime në TEC-e pasi çmimi i prodhimit të energjisë me anë të kësaj teknologjie është tepër i lartë, kur energjia mund të gjendet me çmime më të lira duke e importuar.
Krijoni Kontakt