Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Veritas liberatis Vos
    Anëtarësuar
    07-10-2006
    Postime
    2,204

    Shqipëria që nuk është e jona!

    Shqipëria që nuk është e jona!

    Nga Pasho Alimerko
    03-12-2007


    Ku është "bibla" Kushtetutë, garante e demokracisë, pse s'bëhet e gjallë, ç'u bë me të?! Kushtetuta vdiq! Në të vërtetë e varrosën për së gjalli. Këtë krim mund ta bënte vetëm politika. Thelbi i politikës së tranzicionit, qëndron në dy individë që vetëquhen "liderë historikë". Të rrethuar nga hiça të rëndësishëm apo nga kukulla ata përherë kanë qenë të shfrenuar në ambiciet e tyre. Këto janë dy kokat e "kuçedrës politike" që duhen prerë. Ne sot, defacto s'kemi Kushtetutë. Këtej e tutje, ajo mund të jetojë vetëm si një fiksion d.m.th., si një trill apo mashtrim. Liderët që përmendëm, përherë kanë lozur rolin e njeriut të domosdoshëm. Rrethanat historike i shtynë të ndihmonin në rrëzimin e regjimit që ra vetë e që këta i patën shërbyer me zell të madh, ndërsa sot puna ua do të ngrenë demokracinë që urrejnë. Ky ambiguitet, ky dyzim, i bën të shtiren. Asnjëherë nuk bëjnë atë që thonë dhe asnjëherë nuk thonë atë që bëjnë, tamam si tek ajo kënga e vjetër lirike korçare "Të tjera bën, të tjera thua…".

    Por le të kthehemi tek vetë Kushtetuta. Politika, me fjalë, e ka shenjtëruar Kushtetutën, ashtu siç s'kanë pasur të sosur sakrilegjet (cenimet) që i ka bërë asaj. Me "Bismil-lah" e nis çdo punë myslimani, me fjalën "betohem" para Kushtetutës e fillon detyrën politikani, por, aq sa është i përkushtuar ndaj Zotit i pari, aq i pabesë është i dyti ndaj Kushtetutës. Kushtetuta që kemi dejure, në vetvete s'ka të sharë. Ajo, në mos qoftë më e mira, është nga kushtetutat më të mira. Jo se ne jemi më të ditur se bota, por, sepse ne e kemi bërë të fundit dhe na ka vlejtur përvoja e të tjerëve. Çdo gjë në të është shkruar me një gjuhë të qartë (explicite, kanë qejf të thonë deputetët). Djalli që na bën "përshesh" nuk është në "barkun" e kushtetutës, por në "barkun" e politikës. Kushtetuta hapet me fjalët: "Shteti shqiptar është një Republikë Parlamentare e bazuar në ndarjen dhe balancimin e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor" dhe më poshtë vazhdon, "në ushtrimin e kompetencave të saj Prokuroria e Përgjithshme i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve dhe NUK PËRGJIGJET PARA ASNJË ORGANI TJETËR, PËRFSHIRË KUVENDIN DHE PRESIDENTIN". Kjo shprehja e fundit, është me të vërtetë eksplicite! Por deputeti idiot i Parlamentit tonë "demokratik" s'do t'ia dijë fare për këtë. "Ne jemi shumica parlamentare, thotë ai, kemi mandat politik të votuar nga populli dhe të gjithë duhet të japin llogari para nesh". Po, more zotëri i pagdhendur, e dimë atë shumicën tënde parlamentare, por, asnjë shumicë nuk e ka mandatin e popullit për të shkelur Kushtetutën. "Ç'është ky prokuror i përjetshëm, thotë deputeti tjetër kukull, të gjithë kanë një limit kohor në detyrë, që nga Presidenti, ndërsa ky, jo. Ta heqim prokurorin!". Po, more zotëri deputet, por, ndrysho njëherë kushtetutën e pastaj hiqe se, me këtë kushtetutë, s'e heq dot pa shkelur mbi vetë Kushtetutën. Nuk dua ta lodh lexuesin me citime të tjera nga kushtetuta se, në ç'raste hiqet Prokurori i Përgjithshëm. Është përcaktuar pa ekuivoke se Prokurori mund të hiqet vetëm kur ka thyer ligjin, Kushtetutën ose kur ka luajtur nga mendtë. Në rastin tonë, është Parlamenti dhe pas tij Presidenti që kanë shkelur ligjin, Kushtetutën e që kanë luajtur nga mendtë.

    Shumica e sotme parlamentare është e padurueshme me arrogancën e saj. Dje patëm partinë që qëndronte mbi të gjitha institucionet, iu vinte detyra të gjithëve, iu kërkonte llogari, hartonte e interpretonte ligjet. Ky rol i saj bazohej në kushtetutën e kohës. Sot këtë rol e kryen në mënyrë antikushtetuese mazhoranca parlamentare. Dje diktatori ishte kreu i partisë, sot diktatori është kreu i mazhorancës. Të gjithë zallamahinë e bën njeriu patologjik i pangopur me pushtet. Presidenti i Republikës, Prokurori, gjykatësi…të gjithë janë kriminelë e mafiozë, sa kohë nuk janë ushtarë të tij të bindur. Ky njeri qetësohet vetëm kur në krye të institucioneve të pavarura të ketë vënë nga një kukull të tij. Vetëm ne shqiptarët që jemi mësuar me dru kurrizit, që s'dimë ç'është demokracia, mund të durojmë në krye njerëz kaq të çekuilibruar!

    Kudo në botë, prifti interpreton "Biblën", hoxha "Kur`anin" kurse Kushtetutën e interpreton Gjykata Kushtetuese. Diktatura jonë "demokratike" i bën të gjitha vetë, vetë është Ali, vetë Kadi…Do të ishte shumë mirë për ne që Gjykata Kushtetuese të kishte selinë në Bruksel ose, akoma më mirë, në Uashington. Kështu politika jonë, aq arrogante me ne, sa edhe servile ndaj të huajve të fuqishëm, do të ishte me e përmbajtur. E prapë, intrigantët tanë të paepur, do të kërkonin "tunele të nëndheshme" për të hedhur në erë vendimet e Gjykatës.

    Le të jemi të ndershëm me veten, le t'i themi edhe vetes ca të vërteta të hidhura. Ne populli, a e kryejmë detyrën tonë si qytetarë të këtij vendi?! Për fat të keq, jemi shumë larg këtyre detyrave. Neve na ka mbërthyer një apati kolektive. Është e vërtetë se hallet na kanë mbytur deri në grykë: buka me listë, ilaçet po ashtu, pa drita, pa ujë, karvanët e emigracionit maleve, ku disa vriten e disa vdesin nga të ftohtit etj., etj. Këto plagë i errësojnë njeriut mendjen dhe e shtyjnë në krim duke vrarë gruan, burrin, fëmijën, veten apo atë që i del përpara. Dhe "Stambolli digjet e politika krihet"! Prandaj, po nuk lëvizëm sot më pas të këqijat do na shtohen në progresion gjeometrik. Shqipëria është jo vetëm e bukur por edhe mjaftueshmërisht e pasur, për të na siguruar të gjithëve një jetë normale. Por fajin e kemi vetë. Ne kemi shumë njerëz të ndershëm, të zotë e idealistë që duhet t'i vëmë në krye të punëve. Deri më sot, kemi bërë të kundërtën. Ne akoma mbajmë në krye ata njerëz që pasi janë betuar para nesh, shumë herë, për besë e ndershmëri kanë rrokullisur mbi kokat tona ortekët e pabesisë e të shkatërrimit: luftë, kryengritje, djegie, shkatërrime, sherre e grindje pafund… Na kanë poshtëruar si komb sa më s'bëhet, na kanë vënë përfund dhe ne akoma shpresojmë se një ditë, po këta, do të mendojnë edhe për ne. Ky është një budallallëk në kufijtë e idiotizmit. Çdo kohë nxjerr heronjtë e vet. Ne kurrë s'do harrojmë heronjtë e luftës dhe ata të punës. Në kohën tonë s'ka heronj, në vend të tyre kemi "hajdutët patriotikë". Këto foshnja të djallëzuara, të krimbur në vese nuk kanë ardhur për të mirën e vendit, por për të keqen e tij.

    Në shekullin e XIX, Vaso Pasha Shkodrani shkroi "O Shqipni, e mjera Shqipni", në shekullin e XX-të Migjeni shkroi "Poemën e Mjerimit" dhe ne tani në shekullin e XXI, akoma, edhe sa gjatë do t'i këndojmë po këto këngë?! Natyrisht që jemi keq, s'jemi në rregull, t'ia themi njëri-tjetrit të vërtetat në sy. Kemi ndërgjegje të ulët qytetare e prandaj durojmë politikën e azdisur që sillet me ne si të ishim një kope bagëtie. Ne harxhojmë shumë kohën flori duke u marrë me botën e pak ose aspak me hallet tona. Në "parlamentet" e kafeneve pafund edhe më i padituri të çudit sa shumë di për politikën dhe ekonominë e të tjerëve: kush hipi atje e kush zbriti këtu, kush ka më shumë shanse, Musharafi apo Bhuto në Pakistan, sa naftë, gaz e qymyr prodhon ky e ai shtet, sa derra ka Kina e sa dele kanë Australia me Zelandën e Re, sa grurë prodhon Kanadaja e sa dhi kanë Spanja e Franca, sa milionë orë prodhon Zvicra në javë, pse zbritën rusët në Polin e Veriut, kur do ta sulmojë Amerika Iranin, cilin armatim po fusin në ushtri Amerikanët e Rusët, kur Kina do t'ia kalojë Amerikës etj., etj. Të gjitha këto e të tjera plot i di shqiptari, por nuk di asgjë se si mbahet në këmbë shtëpia e tij. Dhe as që i shkon mendja të mendojë për këtë. E fundja, NATO do të na mbrojë, BE do të na ushqejë!… Mazhoranca nuk fitoi mbi minorancën, por mbi Kushtetutën. Tani është radha të ballafaqohet me popullin. Prokurori që u hoq duke shkelur Kushtetutën, ka për ta marrë me vete këtë shumicë. Amin!
    Shqiperia ka rreshtur se ekzistuari qe kur jevgjit i thane vetes "shqiptar".
    xfiles

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Në shekullin e XIX, Vaso Pasha Shkodrani shkroi "O Shqipni, e mjera Shqipni", në shekullin e XX-të Migjeni shkroi "Poemën e Mjerimit" dhe ne tani në shekullin e XXI, akoma, edhe sa gjatë do t'i këndojmë po këto këngë?!
    Ja edhe pak fare...sa te behemi superfuqi nukleare...


    Prokurori që u hoq duke shkelur Kushtetutën
    Braçe: Berisha, gati edhe Kryetarin e ri të Gjykatës së Lartë

    Nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste z.Erion Braçe në një komunikim mediatik është shprehur se socialistët do të bashkëpunojnë me shumicën vetëm për reformën në zgjedhore,pasi reforma në drejtësi në konceptin e mazhorancës është "ezauruar": Ne -thotë Braçe-do të ulemi me këta vetëm për reformën zgjedhore, për sa kohë që për reformën në drejtësi tashmë ata e konsiderojnë të mbyllur dhe mbi të gjitha, për sa kohë që kemi përballë një pushtet tribal i cili kërkon thjesht dhe vetëm të pushtojnë institucionet dhe t'i fshihet drejtësisë. Duke iu referuar marrëveshjes midis qeverise shqiptare dhe asaj italiane për ekstradimet z. Braçe u shpreh se mazhoranca përgënjeshtron vetveten duke rrëzuar një prej akuzave themelore të largimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm:"Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë një iniciativë ka miratuar një draft marrëveshje të cilin do t'ia ofroj, sipas Kryeministrit, qeverisë italiane dhe nënshkruhet ditën e hënë tha ai, apo qeverive të Bashkimit Evropian dhe NATOS. Kam përpara njoftimin për shtyp në të cilin thuhet që Kryeministri u shpreh se këtë marrëveshje për ekstradimin e shtetasve shqiptarë, e cila u krijon lehtësira të mëdha në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit. Qeveria shqiptare është e gatshme t'ua ofrojë të gjitha vendeve anëtare të Be-së dhe të NATOS, duke konfirmuar njëherësh që deri tani nuk ka patur bazë ligjore për kryerjen e këtyre ekstradimeve, bazë ligjore konventë, marrëveshje të nënshkruar me palët në Shqipëri. Që do të thotë që argumenti kryesor i komisionit hetimor parlamentar, kryesuar nga deputeti Xhaferraj, argumenti kryesor i dekretit të Presidentit të Republikës për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe që kishte të bënte, thjesht dhe vetëm, me 225 praktika të ekstradimit të shtetasve shqiptarë që kanë kryer vepra penale jashtë është i paqenë."Nuk ekziston për sa kohë që Qeveria e Republikës së Shqipërisë konfirmon botërisht që nuk ka marrëveshje dhe që këtë marrëveshje do ta nënshkruaj vetëm ditën e hëne me Italinë dhe do t'jua ofroj dhe vendeve të Bashkimit Evropian nga e hëna dhe tutje.

    Zoti Oketa edhe në prononcimin e djeshëm e konsideroi reformën në drejtësi çështje të ezauruar me emërimin e njerëzve të tyre në institucionet kryesore të drejtësisë. Ju përmendëm Gjykatën Kushtetuese dhe reformën në Gjykatën Kushtetuese, z. Oketa e quan të ezaurar tashmë. Ju përmenda Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe jam i bindur që në vëmendjen tuaj z. Oketa e quan reformën në KLD të ezauruar tashmë. Madje, me dy të fundit që janë futur në rendin e ditës për t'u emëruar ditën e hënë quhet e stërealizuar reforma në KLD. S'kemi më as konflikt interesi, as korrupsion kemi vetëm njerëz të ndershëm në KLD me emërimet e reja politike dhe partiake. Edhe Prokuroria quhet e ezauruar përmes kësaj flagrance antikushtetuese që e konfirmon edhe kryeministri i vendit dhe qeveria e tij me atë marrëveshje që do të nënshkruaj ditën e hënë. Edhe Gjykata e Lartë është pothuajse e ezauruar, përsa kohë që mbaron mandati i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, dhe këta kanë bërë gati edhe Kryetarin e ri të Gjykatës së Lartë."

Tema të Ngjashme

  1. Lufta ballkanike dhe Shqipëria
    Nga Albin në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-07-2014, 07:05
  2. Procesi i Pavarësimit të Kosovës
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 12-10-2012, 06:23
  3. Përgjigje: 500
    Postimi i Fundit: 16-10-2009, 14:46
  4. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  5. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •