Instituti për trashëgiminë e shqiptarëve në Maqedoni
“Emërimi im në krye të Institutit nuk është në sajë të angazhimit politik, sepse unë nuk jam e angazhuar në politikë. Nuk jam kuadro partiake, asnjëherë nuk kam qenë. Emërimi im në krye të Institutit është rezultat i vullnetit dhe i vendimit të Koalicionit shqiptar të Qeverisë aktuale të Maqedonisë (Partisë Demokratike Shqiptare), që të angazhojë kuadro profesionalë dhe adekuatë nëpër institucione përkatëse, qofshin ato edhe kuadro jopartiake”, thotë në një intervistë drejtoresha e Institutit "Pjetër Bogdani", Mirushe Hoxha
Tiranë, 2 dhjetor – Si do të funksionojë “Pjetër Bogdani”, cilat janë qëllimet e tij, rëndësia, çfarë përfaqëson ai dhe për shumë gjëra të tjera flet në një intervistë për gazetën shqiptare “Shekulli” drejtoresha e Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve Mirushe Hoxha. Ajo gjithashtu me këtë rast sqaron se emërimi i saj në krye të Institutit nuk është në sajë të angazhimit politik, sepse, siç thotë, asnjëherë nuk ka qenë e angazhuar në politikë. “Nuk jam kuadro partiake, asnjëherë nuk kam qenë”, thotë drejtoresha Hoxha.
Më datë 22 nëntor, në Shkup u inaugurua Instituti "Pjetër Bogdani". Meqë jehona përtej Maqedonisë është e vakët, ç'është ky institut, çfarë përfaqëson dhe ku qëndron rëndësia e tij?
Hoxha: Instituti "Pjetër Bogdani" është Institut i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, i pari i këtij lloji në Republikën e Maqedonisë. Ky Institut ka pesë sektorë, përmes së cilëve parasheh të realizojë veprimtarinë shkencore dhe hulumtuese; këta janë: sektori i Gjuhës Shqipe; sektori i Letërsisë Shqipe; sektori i Historisë së Shqiptarëve në Maqedoni dhe i Lëvizjeve Demografike; sektori i Etnologjisë, Historisë së Artit dhe Arkitekturës Popullore; sektori i Lidhjeve të Ndërsjella Kulturore, Historike dhe Gjuhësore mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe mes këtyre dy popujve dhe popujve të tjerë brenda rajonit. Trashëgimia shpirtërore dhe kulturore e shqiptarëve, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Maqedonisë është fakt i pakontestueshëm, i cili nuk mund të mohohet. Pikënisja e rëndësisë së inaugurimit të Institutit "Pjetër Bogdani" është kjo evidencë, njëkohësisht dhe të kuptuarit e faktit se pikërisht institucionalizimi i trashëgimisë të një kombi, është një ndër parakushtet themelore të mbijetimit dhe sendërtimit të një identiteti kolektiv. Identitetit kolektiv është po aq i rëndësishëm sa edhe identiteti individual, përderisa nxit procesin e individualizimit të çdo personaliteti. Duke qenë se shoqëria e shëndoshë (në të gjitha dimensionet e saja) nënkupton flakjen e injorancës dhe servilizmit që vjen si pasojë e mosdijes, kurse injoranca nis nga inferioriteti në raport me njohjen e vetvetes, atëherë, "Pjetër Bogdani" merr dhe vlerën e vetëdijesimit të fakteve që kanë të bëjnë me çështjen e "ndërmarrjeve" në raport me paqen dhe sigurinë.
Institucionalizimi i Trashëgimisë nxjerr në pah pyetjen kyçe: Kush është i përfshirë dhe kush është i dëbuar në strukturën e definimit të qëndrimeve?
Flas, pra, për strukturë dhe jo për hierarki. Shqiptarët e Maqedonisë, përmes veprimtarisë së këtij Instituti, janë dhe në prag të sfidës së sajimit të domethënies së një lëvizjeje organike, e që në kuptimin e saj të fundit zhvlerëson lëvizjet e masës, te cilitdo kontinent.
Institucionalizimi i kulturës shqiptare a mund të verifikohet vetëm përmes kësaj ngjarjeje, e cila në të vërtetë është historike?
Hoxha: Në radhë të parë, përmes kësaj ngjarjeje, inaugurimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, që është ngjarje historike dhe ngjarje me plot domethënie. Mirëpo, institucionalizimi i kulturës shqiptare verifikohet dhe përmes themelimit të Teatrit të Tetovës, Galerisë së Arteve në Tetovë; është ndarë dhe buxheti për ndërtimin e Bibliotekës së Tetovës. Deri para një muaji, kur u hap Teatri në Tetovë, Tetova nuk kishte Teatër profesional. Kështu, maqedonasit e Tetovës në Republikën e Maqedonisë, sot e kësaj dite mbetën pa Teatër profesional. Këtë e them vetëm nga një arsye, për të qartësuar një fakt të rëndësishëm: themelimi i institucioneve shqiptare në Maqedoni, do të përshpejtojnë themelimin e institucioneve analoge maqedone në Maqedoni.
Më lejoni t'i kthehem rëndësisë të veçuar të themelimit të Institutit "Pjetër Bogdani". Instituti u themelua në Shkup, jo në Tetovë. Ky fakt ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Edhe pse ndjehet një lloj plogështie në aspektin e cilësisë, sa i përket hulumtimeve akademike dhe shkencore, emërimi juaj në krye të Institutit, është në sajë të angazhimit politik, apo si rezultat i përfaqësimit të shoqërisë civile në nivele të tilla?
Hoxha: Emërimi im në krye të Institutit nuk është në sajë të angazhimit politik, sepse unë nuk jam e angazhuar në politikë. Nuk jam kuadro partiake, asnjëherë nuk kam qenë. Emërimi im në krye të Institutit është rezultat i vullnetit dhe i vendimit të Koalicionit shqiptar të qeverisë aktuale të R.M (Partisë Demokratike Shqiptare), që të angazhojë kuadro profesionalë dhe adekuatë nëpër institucione përkatëse, qofshin ato edhe kuadro jopartiake. Ish-kryetar i PDSH-së që z.Arbën Xhaferi, ideja e të cilit qe themelimi i institutit në fjalë, kurse kryetari aktual i kësaj partie është z.Menduh Thaçi, i cili realizon idenë e z.Xhaferi. Unë jam ligjëruese në disa universitete në R.M., dhe ligjëruese në Universitetin e Zagrebit, në Kroaci. Jam shtetase e Maqedonisë me vendqëndrim në Francë. Jam jashtë angazhimeve politike në këto vende dhe jashtë këtyre vendeve.
Një tjetër eveniment i rëndësishëm, i cili për herë të parë pas 99 vitesh hyn në kalendarin institucional, Dita e Alfabetit Shqip, komenti juaj?
Hoxha: Komenti im është i shkurtër: hyrja e alfabetit shqip në kalendarin institucional është domosdoshmëri. Mjafton të ketë vullnet politik dy palësh dhe gjithçka është e realizueshme.
Pse ekziston një lloj skepticizmi në këto hapësira në raport me funksionimin e institucioneve, pasi ato themelohen. Bie fjala, është vlerësuar themelimi i Institutit, i Teatrit të Tetovës, i Galerisë së Arteve, ndërtimi i Bibliotekës Universitare, mirëpo ka një lloj rezerve në aspektin e funksionimit të mëtejmë?
Hoxha: Po, është e vërtetë se jemi të gatshëm të shprehim një lloj rezerve, skepticizmi në raport me funksionimin e institucioneve pasi ato themelohen. Kjo ndodh për disa arsye. Për shembull, për arsye se vetëharresën gjatë gëzimit të vetëlavdisë e projektojmë te "tjetri". Lavdia nuk përfundon me themelimin e një institucioni, mirëpo të shprehesh apriori skepticizëm për punën e mëtutjeshme të institucioneve të sapo themeluara, do të thotë të mos kesh besim në vullnetin tënd personal (dhe pastaj këtë mosbesim ta projektosh te "tjetri"). Në raste të këtilla dyshimi mbetet i pabazë, përderisa "projeksioni" nuk dëshmohet të mos jetë "projeksion". Sidoqoftë, dyshimi i llojit në fjalë ndonjëherë shprehet edhe nga shkaku i përvojave të tjera të kaluara. Këtu do t'i veçoja telashet me buxhetin, përfshirë këtu edhe pengesat e shumta në realizimin e një buxheti të fortë.
Një femër në krye të një institucioni mjaft të rëndësishëm, i cili kërkon jo thjesht aftësi menaxhuese, por edhe njohuri të thella shkencore dhe akademike. A nuk ju duket një lloj sfide, apo rrezikoni në emër të thyerjes së temave tabu?
Hoxha: Fatkeqësisht, vazhdojmë të themi se femra në krye të një institucioni është temë tabu, ndërkohë që trashëgimia kulturore shqiptare na e dëshmon të kundërtën! Të kushtëzuar nga qëndrime jo autentike, harrojmë për "Zakonin e Kuovadës" të shqiptarëve, konotacioni i të cilit dëshmon mos-prezencën e temave tabu` ndaj femrës (shqiptare) në Kodin Shqiptar. Mirë, krahas "Zakonit të Kuovadës" kemi dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit. Që të mund të jap përgjigje të plotë në pyetjen tuaj, njëkohësisht duke mbetur brenda kontekstit tonë të gjerë, atij të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, marr guximin të them se një lexim i pakushtëzuar i Kanunit dhe brenda kontekstit të vet përpiqet, nga një pozitë e Kompleksit të Edipit, të mos e humbë, prandaj dhe ta kanonizojë imazhin e pastërtisë së femrës (lexoni: e pastër - e fortë). Dhe unë në fakt, do të doja të rrezikoja në emër të thyerjes së "temës tabu" që ne sot themi se Kanuni ka ndaj femrës, duke u nisur nga një fakt psikanalitik: sa më i fortë "institucionalizimi" i tillë i femrës, aq më e thellë domosdoshmëria (e fshehur) e ruajtjes së imazhit të "femrës së fortë" brenda Kodit autentik. Në këtë pikë do të ndërlidhem edhe me kontekstin tonë më të ngushtë, atë të Trashëgimisë Kulturore të shqiptarëve dhe Institutit "Pjetër Bogdani", për të thënë se një ndër parimet themelore të punës së këtij Instituti do të jetë vendosja e plotë kontekstuale e fakteve dhe fenomeneve të shqyrtuara. Duke i lënë anash perspektivat përplot paragjykime të shtresuara shekuj me radhë, të nxjerra nga kontekstet dhe të fragmentuara, paragjykime këto që megjithatë nuk janë të Kodit Shqiptar, mbetet të flas për sfidën time të re. Sfida ime e re është kontributi im në punën menaxhuese, kërkimore dhe shkencore rreth trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, si dhe vetëdijesimi i opinionit rreth efekteve që kjo punë pritet t'i realizojë - për çka fola në pika të përgjithshme në kuadër të pyetjes tuaj të parë, asaj rreth rëndësisë së Institutit.
Çfarë kuptojmë me institucionalizim në raport me institucionet e lartpërmendura, apo nënkuptohet vullneti politik i qeverisjes aktuale duke e instrumentalizuar me buxhetin?
Hoxha: Instrumentalizimi me buxhetin në raport me institucionet e lartpërmendura flet për eksplikimin e ngërthimit dhe mishërimit të domethënies së këtyre institucioneve në/me sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti.
Edhe pse ende nuk e keni shijuar ambientin e zyrës, megjithatë në kontekstin ideor duhet ta keni një plan afatshkurtër dhe afatmesëm, si në organizimin e punës, ashtu edhe në krijimin e raporteve me institucionet homologe, apo ende është shpejt?
Hoxha: Nuk është shpejt të flitet për planet afatshkurtra dhe afatmesme të organizimit të punës së Institutit "Pjetër Bogdani", sepse ky institut ka Statutin e vet të përkohshëm dhe Programin e Punës, që parasheh aktivitete deri me vitin 2009. Këtë program, në fakt fleksibël, e hartuan pesë anëtarët e Komisionit, që i bënë përgatitjet e fillimit të punës së Institutit (doc.dr.Zeqir Kadriu, doc.dr.Vebi Bexheti, doc.dr.Fejzulla Shabani, prof.dr.Fadil Sylejmani, doc.dr.Luljeta Isaku). Instituti "Pjetër Bogdani" do të inkuadrojë hulumtues shkencorë, të cilët do të realizojnë hulumtime sistematike nëpër arkivat dhe institucionet e tjera, që ofrojnë burime të dhënash për të përmbushur detyrat e sektorëve. Programi i punës parasheh disa prioritete hulumtimi, të përfshira jo vetëm në dy vitet e para të punës së institutit, por edhe më tej. Këto janë: lëvizjet demografike të popullatës së Maqedonisë; Leksikografia shqiptare në Maqedoni; Fjalori i Fjalëve dhe Shprehjeve të Rralla në gjuhën shqipe; Gjurmime në Fushën e Onomastikës; Arkitektura e Monumenteve Kulturore dhe Objekteve të Banuara në Maqedoni; Legjenda dhe Mite të Shqiptarëve të Maqedonisë; Lëvizjet kombëtare të shqiptarëve, maqedonëve dhe popujve tjerë të rajonit; gjendja ekonomike dhe politike e shqiptarëve dhe maqedonasve mes dy luftërave botërore; shqiptarët e Maqedonisë gjatë kohës së L2B; shqiptarët e Maqedonisë prej vitit 1945 deri më sot.Instituti do të inaugurojë dhe revistën e vet. Bashkëpunimi me Institucionet analoge në vend dhe rajon, do të jetë një ndër preokupimet themelore të Institutit "Pjetër Bogdani"."Pjetër Bogdani" do të themelojë punën e vet në përvojat e suksesshme të instituteve analoge, në rajon dhe më gjerë, por nuk do të implementojë struktura të gatshme, qofshin ato dhe me të mirat. Kjo ngase rreziku i implementimit është i një lloji paradoksal: sado që ky implementim të ketë qëllim të një mbarëvajtjeje, ai kanoset me asimilimin e përqasjeve autentike. Përqasja autentike është e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për një Institut të Trashëgimisë Kulturore dhe shpirtërore të një kombi të dhënë, në rastin konkret, të kombit shqiptar. (Shekulli)
Cila është Mirushe Hoxha ?
Pasaporta e doc.dr.sc.Mirushe Hoxha: Tri përgatitje profesionale: Filologji (Universiteti "Shën Qirili dhe Metodi" në Shkup); Psikologji (Universiteti i Zagrebit, Kroaci); Siguri Ndërkombëtare (Universiteti Sophia-Antipolis, Nice, Francë); Ligjëruese ne Universitetin "ShQ" në Shkup (Fakulteti Filologjik), në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë (Fakulteti i Shkencave të Komunikimit dhe Fakulteti i Administratës Publike), në USHT në Tetovë (Fakulteti Filologjik), në Universitetin e Zagrebit në Kroaci /visiting professor (Fakulteti Filozofik, studime pasuniversitare dhe të doktoraturës - psikanaliste e Jungut). Si psikonaliste e Jungut, prezantohet në Iran dhe në SHBA; të dyja palët e pranojnë.
P: Fatkeqësisht, vazhdojmë të themi se femra në krye të një institucioni është temë tabu, ndërkohë që trashëgimia kulturore shqiptare na e dëshmon të kundërtën! Të kushtëzuar nga qëndrime jo autentike, harrojmë për "Zakonin e Kuovadës" të shqiptarëve, konotacioni i të cilit dëshmon mos-prezencën e temave tabu` ndaj femrës (shqiptare) në Kodin Shqiptar
Krijoni Kontakt