Arben Llalla
Një nga figurat më të ndritura të revolucionit grek të 1821 ishte Marko Boçari i cili rridhte nga një familje e madhe shqiptare. Ai lindi në Sul të Janinës më 1790, në familjen e dëgjuar që kishin dalë shumë burra trima si: Kiço Boçari, Kosta, Dhimitri, Jorgji dhe kapedani i madh i Kryengritjes të 1821, Noti Boçari i cili ka lindur në Sul në vitin 1759. Ai është ministri i parë i mbrojtjes i shtetit grek, dhe vdiq më 1841. Babai i Markos, Kiço Gj. Boçari u martua tri herë. Nga këto tri martesa kishte 18 fëmijë, pesë prej tyre i vdiqën të vegjël. Nga martesa e parë me Krisulla Papazotin Joti, kishte Janin, Lenën, Marinë, Anastasinë dhe Markon. Kiço Gj. Boçari u vra më 1813 në Artë nga Gjoko Bakola. Në vitet e kryengritjes së 1821, Marko Boçari i dha duart dhe u përqafua për të mirën e përbashkët me Gjoko Bakola duke i falur gjakun e babait.
Banorët e parë në Sul
Sipas të dhënave banorët e parë që u ngulën në Sul ishin ushtarët e gardës së Gjergj Kastrioti Skënderbe. Mbas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, rreth 200 luftëtarë shqiptar (arvanitas) me familjet e tyre, si fisi Boçari, Xhavellasit, Llalla, Dangëllinjë, Dragove, etj, formuan fshatin e Sulit afër qytetit të Janinës dhe luftonin kundra turqve për lirinë e tyre. Më vonë Suli u zgjerua nga një fshat në krahinë dhe u popullua nga shqiptar ortodoksë çamë. Ata, për t’i shpëtuar skllavërisë osmane turke, u shpërngulën nga fshatrat e tyre të Çamërisë rreth viteve 1500-1600 dhe u vendosën në Sul të Janinës, dhe krijuan fshatra të rinj me emra shqiptar. Që një pjesë e popullsisë së suliotëve janë çamër këtë na e deklaron anglezi V.M. Lik “Suljotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të Shqipërisë”.
Ndërsa studiuesi Ciapolini thotë- “Suljotët nuk dinin fare greqisht, gjuha që ata përdornin është, shqipja e dialektit të Çamërisë”. Një pjesë e popullatës së Sulit pasi u nënshtruan Ali Pash Tepelenës u dërguan si dënim në ishullin e Korfuzit dhe ishujt e tjerë për rreth tij. Ndërsa mbas vdekjes së Ali Pash Tepelenës shumica e popullatës së krahinës së Sulit për ti shpëtuar vrasjeve nga turqit e Sulltanit, morën drejtimin për në malin e Shenjtë të Tomorit duke u vendosur në Leskovik dhe afër qytetit të sotëm të Gramshit dhe formuan krahinën e Sulovës me fshatrat: Shën Mëri, Shën Mitri, Dardhzezë, Sulki, Dushkë, Kushov, Janç, Tunjë etj. Në krahinën e sotme të Sulit në Gramshit ndeshim mbiemrat Llalla, Dragoi, Karaj që i ndeshim sot edhe në krahinën e Sulit të Janinës.
Ëndrrat e Markos
Sulioti Marko Boçari nuk ishte vetëm një nga heronjtë shqiptarë(arvanitas) më të rëndësishëm të Kryengritjes greke të 1821, i njohur për aftësitë ushtarake dhe guximin e tij, por edhe për dëshirën e madhe për shkrimin dhe edukimin. Markoja bashkë me Odise Andruçon dhe Gjeorgjio Karaiskaqin u edukuan në oborrin e Ali Pash Tepelenës në artin ushtarak, politik dhe zgjuarsisë. Ëndrra e Markos ishte që të edukonte suliotët që të dilnin nga gjendja e luftëtarit të pamësuar që luftonte pandërprerë, pa një të ardhme, të jetojë paqësisht në një shoqëri të lirë e të drejtë. Markoja ndërkohë shqetësohej se mos edukimi mësimor çon në humbjen e disa tipareve të njohura cilësore që e bënin suliotin një figurë popullore të veçantë, që edhe brenda mos shkollimit, varfërisë dhe kushteve më të vështira të jetesës, ngjallte adhurim. “Dua të arsimohesh, i shkruante në letër, djalit të tij Dhimitrit, që gjendej në Ankona të Italisë, por veç kësaj dua të brumosesh me traditat suliote, të mbetesh përherë suliot siç ka mbetur tata i yt”. Në atë periudhë të ndryshimeve të shënuara në Ballkan dhe në Europë, dukej qartë se virtyti liridashës dhe shpata shqiptare nuk ishin të mjaftueshme që të arrihej një jetë më e mirë, një shoqëri më e bukur. Nevojitej edukimi dhe arsimi i popullit dhe kjo nevojë kishte krijuar ankth tek shqiptarët(arvanitasit) e pas kryengritjes së 1821, që parapëlqenin të shisnin çdo lloj pasurie, me qëllim të mësojë fëmija i tyre. Dhe sigurisht, në atë periudhë kur thoshim “shkrim e këndim” kuptonim “gjuhën greke” që flitej kryesisht në qytetet e Greqisë së sotme. Por është fakt, se arvanitasit përbuznin mënyrën e jetesës të shoqërive të tjera, plogështinë, pabesinë, fjalët e shumta, frymën e nënshtrimit, paftyrsinë etj.
Karakteri i shqiptarit(arvanitas) është që ai të jetë kudo i pari, të tregojë përpara të gjithëve kryelartësinë, trimërinë dhe mosnënshtrimin. Arvanitasit e dëshironin edukimin arsimor, por pa rrezikun e tjetërsimit dhe bjerrjes së vlerave tradicionale vetjake e të bashkësisë. Kësaj ia ka frikën dhe këtë i theksonte djalit të vet Marko Boçari.
Një fjalor në internim
Kur gjendej i internuar në Korfuz, Markoja mësoi greqishten dhe bëri të famshmin “Fjalorin dygjuhësh i greqishtes dhe shqipes së thjesht”(Ëåîéêïí ôéò Ñïìáéêçò êáé Áñâáíéôéêçò áðëçó), 1809, që e shkroi Markoja vetë me ndihmën e babait të tij Kiço Boçari (1754-1813), xhaxhait Noti Boçari (1759-1841) dhe vjehrrit të tij Kristaq Kallogjeri nga Preveza. Kemi të bëjmë me një hero që ka shqetësime kulturore, që krijoi një vepër gjuhësore dhe kulturore, si rrjedhim me të drejtë Marko Boçari mund të quhet si realizuesi i fjalorit të thjeshtë të parë greko-shqip.
Fjalori Marko Boçarit lindi si pasojë dhe e ngjarjeve që po kalonte Greqia, ku mbas dorëzimit të armëve arvanitasit duhet ti përshtateshin jetës civile shoqërore, që për ta ishte e vështirë.
Fjalori ka rëndësi të veçantë se shpreh shumë elementë të gjuhës shqipe në dialektin e çamërishtes, ky fjalor shërbeu edhe si mjet politik për të afruar shqiptarët me grekët.
Një tjetër detyrim i lindjes së fjalorit greko-shqip ishte se, tregtia në zona të gjera të Ballkanit bëhej në gjuhën greke. Kështu që lindi nevoja e një fjalori dy gjuhësh me qëllim që arvanitasit, pra shqiptarët në një farë mënyre ju detyrua që të mësonin greqisht që po fitonte terren si gjuhë e tregtisë në Ballkan. Pasi gjuha arvanitase si pasojë e ndjekjeve të arbërve nga pushtuesit e ndryshëm, u duhej që të jetonin të fshehur me shekuj të tërë në male dhe ishuj të vetmuar larg takimeve me popujt e tjerë. Kështu gjuha arvanitase ngeli një gjuhë e pastër kombëtare, që flitej vetëm nga populli i saj duke ruajtur vjetërsinë dhe pastërtinë gjuhësore, por që nuk u zhvillua në shkrim apo të futeshin fjalë të reja që i përshtateshin zhvillimit shoqëror të kohës apo të njihej nga të huajt e shumtë që vizitonin Ballkanin në atë kohë të pushtimit osmano turk.
Fjalori dygjuhësh
Heroi Marko Boçari me një vullnet dhe guxim, në moshën 19 vjeçare na solli fjalorin e parë greko-shqip me titull origjinal “Ëåîéêïí ôéò Ñïìáéêçò êáé Áñâáíéôéêçò áðëçó”(Fjalori dy gjuhësh Greqisht dhe Shqipes së thjeshtë). Fjalori dy gjuhësh përbëhej nga 111 faqe, 1494 fjalë shqipe, dhe 1701 fjalë greke. Origjinali i këtij fjalori gjendet sot në muzeun Kombëtar të Parisit me kodin Supplement Grec 251 numri 244 të faqes, dhe u dhurua në maj të vitit 1819 nga konsulli Pukëvili.
Konsulli i Përgjithshëm francez në Janinë Pukëvili duke studiuar fjalorin e Marko Boçarit, hartoi një fjalor të vogël frëngjisht-shqip, me rreth 440 fjalë dhe origjinali i këtij fjalori gjendet në muzeun Kombëtar të Parisit.
Takimi i fundit
Përpara betejës së madhe në Mesollogji, Markoja mendoi të dërgonte familjen e tij në Ankona të Italisë. Të gjithë suliotët me lot në sy u ndanë me gratë e tyre pa folur, Markoja në ato çaste prekëse i tha gruas -”Në orën e lirisë dua të jemi bashkë, por në orën e betejës dua të jem vetëm”. U ndanë me lot në sy. Ishte takimi i fundit. Markoja ishte komandant i ushtrisë së Greqisë perëndimore. Kur Qeveria i dërgoi diplomën e komandantit të Përgjithshëm, lindën smira e kapedanëve të tjerë. Por Markoja këtyre smirave i përgjigjej me fisnikëri dhe tolerancë duke u thënë-”Kush është i zoti, merr nesër diplomë në betejë” Markoja ishte njeri i dashur dhe fjalë pakët. Më 9 gusht 1823, Marko Boçari u vra duke luftuar kundra ushtrisë së Mustafa Bushatit, shqiptar edhe ky, Pasha i Shkodrës. Vdekja Marko Boçarit u bë e njohur në të gjithë Europën, ai i kishte shkruajtur një letër Bajronit kur ky ishte rrugës për në Mesollogji. Poeti i madh anglez Lordi Bajron erdhi kur Marko Boçari kishte vdekur, dhe mbajti një fjalim mbi varrin e Markos i veshur me kostumin e njohur kombëtar shqiptar. Marko Boçari vdiq, por figura e tij u bë legjendë.
Dokumentat në flakë
Më 1832, Mamuri (i njohur nga vrasja e Odisesë dhe pjesëmarrja e tij drejtpërdrejtë në të) dhe Papakosta në emër të qeveritarëve, bllokuan shtëpinë e Noti Gj. Boçarit në Amfisë dhe i vunë zjarrin. Të gjitha shkresat që për shekuj me radhë ruheshin në sëndukun arvanitas u dogjën. Kështu u zhduk edhe një arkiv i madh historike që vërtetonte se arvanitasit, suliotët ishin bijë të Shqipërisë. Qeveritarët grekë të asaj kohe kujtuan se do të zhduknin të vërtetën shqiptare të Boçarëve.
Manovra historianësh
Shumë historianë grekë na e deklarojnë Marko Boçarin dhe shumë heronj të tjerë arvanitas të Kryengritjes të 1821, si grekë dhe jo shqiptar, duke pasur parasysh që Markoja dhe të tjerë heronj të 1821, i përkisnin fesë ortodokse. Është fatkeqësi për atë komb, kur historianët e atij kombi ngatërrojnë fenë me racën. Që Marko Boçari ishte shqiptar dhe bir shqiptari, këtë na e deklaron në vitin 1994, nipi i tij me të njëjtin emër Marko Boçari profesor në Universitetin e Kuinslendit në Australi. Kur reagonte ashpër ndaj deklaratës së një deputeti grek që mohonte ndihmesën shqiptare në kryengritjen e 1821 dhe, origjinën shqiptare të Marko Boçari. “Komentet e mia të me poshtme kanë të bëjnë me një letër të publikuar të një ministri grek, që ka deklaruar se nuk paska shqiptar në Greqi. Duket qartë se ministri ose nuk ka dijeni çfarë ndodh aktualisht në vendin e tij, ose ka vendosur të injorojë faktet. Është fakt se në Greqi ka më shumë se një milion shqiptar ortodoks. Prindërit e mi nuk kanë folur kurrë greqisht me mua, por vetëm shqip, se ata ishin krenarë për origjinën e tyre dhe fisin e tyre shqiptar”. Populli shqiptar i ngriti këngë trimit nga Sulit i Çamërisë Marko Boçarit për trimëritë që tregoi kundra osmanëve turq.
Krijoni Kontakt