Ambasada greke i refuzon vizën 40 çamëve
Friday, 30 November 2007
Ambasada greke i refuzon vizën 40 çamëve. Pasi kishin tre muaj që kishin aplikuar për vizë në ambasadën greke, 40 shqiptarë me origjinë çame nga qytete të ndryshme të vendit, me qëllimin që të vizitonin trojet ku kishin lindur, ambasada greke iu refuzon vizën. Bllokimi i marrjes së vizave nga ambasada greke u bë nën pretekstin e mosplotësimit të dokumentacionit. Këta persona kishin aplikuar dhe plotësuar të gjitha dokumentacionet e nevojshme për të bërë të mundur marrjen e vizës greke para tre muajsh. Pas plotësimit të kritereve që ambasada greke iu kishte kërkuar për të realizuar marrjen e vizave, para një jave këtyre personave iu kërkuan dokumentacione shtesë dhe një shumë prej 40 euro që duhej paguar në bankën greke Alfa Bank. Megjithëse i gjithë dokumentacioni u dorëzua ditën e 23 nëntorit pranë ambasadës greke në tiranë bashkë me mandatin e pagesës së 40 eurove në Alfa Bank. Zyrtarët e ambasadës iu premtuan këtyre personave se në datën 30 nëntor do të pajiseshin me vizën greke. Ndërkohë që dje këta persona kanë marrë në pasaportën e tyre vulën e refuzimit të vizës pa i dhënë asnjë sqarim për këtë refuzim. Për më tepër në pasaportën e tyre mungonte kthimi mbrapsht i 40 eurove të paguara pranë kësaj ambasade duke iu bërë një grabitje të hapur në mes të ditës. 40 personat e lartpërmendur ishin persona të përzënë në mënyrë të dhunshme nga Greqia në vitin ’44 në moshën 3-10 vjeç, ndërkohë që mosha aktuale e tyre sot është 60-70 vjeç. Kjo vizitë bëhej nga dëshira e tyre për të parë trojet ku kishin lindur si dhe njohjen me origjinën e tyre. Me këtë veprim ambasada greke tregon se shteti i tyre po vazhdon akoma të bëjë përndjekjen e popullsisë çame duke mosreflektuar ndaj gjenocidit dhe grabitjes së pronave të tyre. Gjithashtu kjo vjen edhe si rezultat i neglizhencës së shtetit shqiptar për të kërkuar të drejtat e mohuara të shtetasve të tyre. Vlen të theksohet se çështja çame nuk është trajtuar asnjëherë seriozisht nga politika shqiptare. Fakti që popullsia vazhdon të ketë probleme me pronat dhe të drejtat e tyre në Greqi si dhe heshtja e turpshme e shtetit shqiptar në mbrojtje të këtyre pronave tregon se politika shqiptare vazhdon të mbetet një vasale e bindur dhe një shërbëtore e përulur e interesave greke në Shqipëri. Nuk është e nevojshme të shkojmë më larg se sa vizita e presidentit të Republikës, Bamir Topi i cili nuk pati kurajën e duhur të ngrinte zërin për të drejtat e mohuara të komunitetit çam, duke konfirmuar qëndrimin e mbajtur me rezolutën e hedhur poshtë nga parlamenti shqiptar para dy vjetësh. Duke u ndalur tek kjo e fundit konstatohet se askush nga politika shqiptare nuk i rezistoi presionit të ardhur nga diplomacia greke për hedhjen poshtë të kësaj rezolute. Refuzimi që grekët i bëjnë vizave për 40 qytetarët shqiptarë nga Çamëria tregon qartazi se ky shtet nuk ka ndërmend të respektojë të drejtën e komunitetit çam për të marrë pronat e tyre, kërkesë kjo edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe komuniteti Evropian. Ndërkohë që në vizitën e fundit me presidentin Topi pala greke ka kërkuar pronat e grekëve në Shqipëri si dhe ngritjen e një varreze gjigande të dhjetëmijë ushtarëve grekë sipas pretendimeve të kancelarisë helene. Kur dihet që kjo kërkesë absurde e palës greke për varrezat e dhjetëmijë ushtarëve është inekzistente dhe shton pretendimet e tyre për vorioepirizimin e Shqipërisë. Ndërkohë që Presidentit të Republikës iu bë thirrje edhe nga politika shqiptare që në takimin e tij me palën greke të ngrinte për zgjidhje çështjen e komunitetit çam.
sot.
Krijoni Kontakt