(Reagim ndaj vështrimit ” Referendumi për pavarësi, finalja më adekuate”, botuar në “Koha ditore”, datë 30 nëntor 2007,
f. 10-11, autor Azem Vllasi)
Dhe ndodhi mu ajo që e parashikuam, muaj më parë, në një bisedë me Albin Kurtin. Brenga jonë ishte dhe është: referendumi mund të shtrembërohet dhe përmes tij mund të manipulohet populli dhe e ardhmja e tij.
Ja tani na doli me ngut edhe manipulatori konkret e prijatar i teorisë manipulative lidhur me referendumin e ardhshëm, (të supozuar) të cilin koha dhe ngjarjet po e bëjnë gjithnjë e më të domosdoshëm. Për Referendumin, ekspertit të regjimit të perënduar jugosllav, z. Azem Vllasit, vonë i ka dalë gjymi. Dikush tjetër para tij, që nga viti 1968 e tutje ka qenë gjithherë më i zgjuar se ai, në lidhje me statusin e Kosovës si pjesë e statusit të përgjithshëm juridik, politik e ndërkombëtar të Kombit Shqiptar. Politikani Vllasi qëmoti i tjetërsuar nga identiteti i vërtetë shqiptar na “tregon”, duke u munduar të na paraprijë edhe për pyetjen e Referendumit të ardhshëm, e cila sipas tij po u dashka të jetë: A jeni për Kosovën shtet sovran e të pavarur sipas Propozimit të Martti Ahtisarit?
Duke u munduar të “grabisë” numrin e të parit që ka propozuar këtë pyetje të supozuar për Referendum të ardhshëm me të cilin përcaktohet fati i Kosovës, Vllasi nuk ka menduar fare se ku po mbetej Kosova dhe si do të jetë pozicioni i saj juridik e politik, por ka menduar se me këtë privilegj, që, ndoshta, do të merrte ai nga ky propozim i pyetjes së tij, cili do të ishte pushteti (“vllasti”) i Vllasit në “shtetin sovran e të pavarur sipas Propozimit të Martti Ahtisarit? “
Po sikur të mos kishte menduar Vllasi, se ku do të mbetej ai vet në të ardhmen, sigurisht, se kurrë nuk do të kishte propozuare pyetjen që ka propozuar për Referendum.
Vetë pyetja tregon se analisti politik dhe avokati nga Prishtina, as përafërsisht, nuk e ka studiuar seriozisht dhe as që ka qenë i interesuar ta kuptojë thellësisht propozimin apo planin e Martti Ahtisarit, ngase me lehtë i ka ardhur të mendoj me kokë të Ahtisaarit për Kosovën se sa ta lodhë kokën e vet për Kosovën!
Po ta kishte studiuar seriozisht dhe po ta kishte kuptuar thellësisht planin e Ahtisarit asesi nuk do të kishte propozuar pyetjen: A jeni për Kosovën shtet sovran e të pavarur sipas Propozimit të Martti Ahtisarit?
Çdo studiues serioz e di se plani i Ahtisarrit nuk është për “shtet sovran e të pavarur” të Kosovës, por për antipodin e këtyre nocioneve që, së bashku emërohen “shoqëri shumetnike e Kosovës”.
Nuk mendoj se edhe qytetarët e Kosovës mendojnë si Azem Vllasi se “Tashti jetojmë në paqe dhe liri, kemi një rend juridik dhe funksionojmë si shoqëri e organizuar…” Po të mendonin qytetarët e Kosovës kështu siç menon Vllasi, se ne “jetojmë në liri, kemi një rend juridik”, ata do të dilnin 99% në zgjedhjet e 17 nëntorit 2007.
Ndaj, kot e kanë vllasët dhe ata që imitojnë imituesit e planit të Ahtisarrit për shkombëtarizimin e qytetarëve shumicë në Kosovë! Qytetarët e Kosovës kanë identitetin e lartë vleror kombëtar e ndërkombëtar të krijuar me shekuj, prandaj edhe kot planifikohet “flamuri i imponuar shumetnik i tyre”, kot është bërë edhe projekti i formimit dhe funksionimit të “kombit të ri kosovar”. Edhe planit të Ahtisaarit do t’i rezistojnë qytetarët e Kosovës, ndaj nuk do të realizohet assesi, as juridikisht e politikisht, as ky plan për “ deshqiptarizimin e Kosovës”.
Plani i Ahtisaarit, teorikisht e praktikisht, është dhe do të jetë edhe një përpjekje e kotë që atë që nuk mundi ta bëjë Millosheviqi praktikisht, “ deshqiptarizimin e Kosovës”, të realizohet tani juridikisht e politikisht, me këtë plan “evropian”, sipas të cilit duan të na përcaktojnë të ardhmen, ata që më së paku ishin dhe janë me aspiratat e popullit, por që si qëllim kishin gjithnjë formimin e një kombi tjetër, qoftë ai “jugosllav” apo “kosovar”, vetëm e vetëm për të mbetur vetë në skenën politike, në pushtet të përjetshëm.
Krijoni Kontakt