Marenglen Verli: Te vertetat e ndryshuara prej komunizmit, duke nisur nga Peza
BLERINA GOCE
14/11/2007
Hapja e arkivave dhe dokumenteve të fshehura është për drejtorin e Institutit të Historisë, Marenglen Verli, "çelësi" për rishkrimin e një historie sa më afër së vërtetës. Për më tepër kur bëhet fjalë për periudhën komuniste, të pas viteve 1945, kjo "kërkesë" duket se është dhe më e justifikuar. Rishkrimi i historisë duket se është "tema e ditës" mes studiuesve dhe historianëve, ndërkohë që për të flitet e debatohet në media e më gjerë. Porse, sipas Verlit, kjo punë po realizohet jo aq nga "vëmendja" e shtetit, sesa thjesht nga ndjenja e detyrës dhe pasioni i natyrshëm i historianëve.
Vetëm pak kohë më parë është botuar vëllimi i tretë i Historisë së Popullit Shqiptar, disa nga autorët e të cilit si dhe redaktorët, janë punonjës së Institutit të Historisë. Ndërkohë historianët e IH janë aktivizuar edhe për hartimin e vëllimit të IV-t të Historisë së Popullit Shqiptar, varianti i përgatitur i të cilit pritet të jetë i përfunduar në fund të vitit. Vëllim që do të përfshijë periudhën historike pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitet '90.
Për këtë studiuesit do të kishin dashur të "shfrytëzojnë" edhe më tepër material arkivor, sidomos nga burimet e huaja, por është bërë aq sa ka qenë e mundur. Ndërsa është bërë një punë më "e thellë" hulumtuese dhe redaktuese në botimet dokumentare dhe monografitë e publikuara gjatë këtyre viteve, që trajtojnë këtë periudhë.
"Shpresoj që rikthimi i interesit të autoriteteve shqiptare në drejtim të albanologjisë dhe në mënyrë të veçantë drejt studimit të historisë sonë kombëtare, të sjellë një impuls pozitiv në mënyrë që të bëhet më e mira e mundshme, të kemi hapësira për të hulumtuar kudo ku janë arkivat, kudo ku janë materialet, që hedhin dritë mbi historinë tonë. Mandej, të kemi mundësi t'i botojmë studimet tona edhe në gjuhë të huaja, që ato të çajnë dhe të bëhen pjesë e historiografisë botërore dhe në një mënyrë ose në një tjetër të ngrihemi në një stad, të ngrihemi në parametra të tjera të ngjashme jo vetëm me fqinjët, por edhe me standardet evropiane në fushën e historiografisë", shprehet për "Metropol" Verli, teksa flet për disa 'ndryshime' që do të bëhen në trajtimin e ri të kësaj periudhe historike dhe emrat e historianëve që po merren me këtë punë.
Si është punuar deri tani për rishkrimin e historisë? Mund të thoni diçka për botimin e vëllimit të fundit të Historisë së Popullit Shqiptar?
E kam theksuar dhe në raste të tjera, rishkrimi është një proces që ndodh kudo, të cilin e ka me përparësi në punën e vet çdo historian. Sepse një historian në fund të jetës së tij, mbi bazën e arritjeve të të tjerëve, mbi bazën e eksperiencës në përgjithësi, mbi bazën e njohjes së vet që sa vjen e shtohet, materialeve konkrete veçanërisht dokumentare që ka konsultuar në vazhdimësi, mund të ndryshojë pikëpamje për probleme të caktuara, për individë të caktuar dhe është normale që në një moshë të shtyrë të arrijë të thotë diçka që nuk ka arritur të thotë apo e ka thënë ndryshe, jo fort të argumentuar në rininë e tij. Në këtë kuptim, rishkrimi i historisë është një proces normal, një proces që duhet të ndodhë dhe që ndodh. Natyrisht, për të arritur në konsolidimin e një mendimi në historiografi, secili historian në punën e vet punon mjaft me arkivat, me njohjen e materialeve bibliografike dhe dora-dorës nëpërmjet studimeve parciale, nëpërmjet kumtesave, artikujve dhe pastaj monografive, konsolidon mendimin dhe jep pikëpamjet e tij për një problematikë apo periudhë historike të caktuar. Arrin një moment kur bëhet një përmbledhje e punës së shumë historianëve, e studimit të shumë periudhave mbi një bazament tashmë të ri me mjaft material të ri burimor e konceptual dhe atëherë vjen koha të ripunohet një histori e detajuar e dimensionit shumëvëllimësh, në rastin tonë Historia e Popullit Shqiptar. Një grup tjetër studiuesish me një projekt alternativ, një brez tjetër historianësh e çojnë më tej këtë punë. Liria akademike është diçka që këto 15-16 vitet e fundit funksionon në Shqipëri, funksionon për studiuesit shqiptarë, funksionon për historiografinë shqiptare dhe ne po i shohim frytet e kësaj pune. Tani mund të shkruhet pa ato kornizat e dikurshme që partia-shtet i diktonte, brenda të cilave duhej pastaj me shumë kujdes e mjeshtëri autori të ishte vetvetja, të jepte pikëpamjet e tij. Natyrisht, nuk mund të thuhet që për kaq kohë ne kemi bërë gjithçka. Ka ndryshime që realizohen më lehtë. Por ka dhe ndryshime që arrihen nëpërmjet një materiali domosdoshmërish të ri. Do të thosha që për historinë e shekullit XX, ku afria në kohë ka sjellë dhe deformime më të shumta se në periudhat e mëparshme, ndryshimet janë më të dukshme dhe puna e studiuesve është më emergjente por edhe më e vështirë. Gjithsesi, nuk është bërë pak dhe ju do të gjeni argumente për këtë varg monografish të botuara, si edhe në shkrimet e botuara këta 17 vjet në revistën "Studime historike", gjithashtu në punën e specialistëve tanë që janë autorë të vëllimit III të Historisë së Popullit Shqiptar. Duhet, natyrisht, të kini parasysh se çdo autor, edhe në një vepër kolektive ka liri akademike dhe paraqet idetë e tij në pjesën që harton dhe që mban emrin e tij. Në vëllimin e tretë të Historisë së Popullit Shqiptar, krahasuar me botimin e vitit 1984 dhe në vlerësimin e tij në tërësi. Për mendimin tim duhet parë u arrit më mirë se në botimin e kaluar. Vetëm në këtë mënyrë hapet vazhdimisht horizonti, duke respektuar njëri-tjetrin për të çuar vazhdimisht punën përpara në fushën e historiografisë.
Ndërkohë si po punohet dhe çfarë është bërë për rishkrimin e historisë pas 1939-ës?
Duke qenë në linjën e asaj që përmenda më parë, që historianët duke filluar nga punime parciale deri te monografitë dora-dorës ecin në punën e tyre, këta 15 vjet ata kanë bërë mjaft duke arritur rezultate konkrete. Gjatë kësaj kohe ne kemi botuar serinë e revistës "Studime historike", që ka krijuar traditë, revistë që aktualisht del dy herë në vit, me 250 fq çdo numër. Në shumë artikuj, kumtesa e dokumente të publikuar, aty trajtohet edhe tematika historike e pas vitit 1939 me një konceptim mjaft realist. Kjo vihet re edhe në monografitë dhe përmbledhjet me studime që janë botuar vitet e fundit nga unë, dr. Lefter Nasi, prof. dr. Muhare Dezhgiu, prof. dr. Xhelal Gjeçovi, prof. dr. Ana Lalaj, prof. assoc. dr. Hamit Kaba, prof. dr. Enriketa Kambo, prof. dr. Demir Dyrmishi, në disa artikuj të Ma. Sonila Boçit dhe nga autorë të tjerë, që i janë qasur më pak ose në mënyrë tangenciale periudhës pas vitit 1939. Rishikimi qoftë i problematikës së viteve të Luftës së Dytë Botërore, qoftë i viteve pas 1945-ës, nëse do të shihni është një proces në vazhdimësi dhe në botimet e fundit, objektiviteti është në rritje. Këtë e konstaton lehtësisht edhe në simpoziumet shkencore dhe shpresoj të arrihet edhe në V. IV të Historisë së Popullit Shqiptar, në kapitujt që realizohen nga studiuesit e Institutit. Nënvizoj se gjithë Instituti ka vetëm 17 punonjës shkencorë për të gjitha periudhat historike.
Me pak fjalë, "referencë" për rishkrimin e kësaj periudhe historike janë monografitë dhe punime të tjera studimore. Sa "dorëdhënës" kanë qenë arkivat në këtë punë?
Dihet historiani për të marrë penën duhet të shikojë dokumentacionin, gjë që nuk është gjithmonë e nevojshme për ata që bëjnë politikën e ditës. Historiani duhet të flasë, ose e ka për detyrë të flasë vetëm kur është njohur me materialin e mirëfilltë dokumentar. Siç e dini duhen vite, diku 25, diku 30, për probleme të veçanta, për materiale të dikastereve të veçanta, edhe më shumë kohë që dosjet e arkivave të vihen në dispozicion të studiuesve. Dhe natyrisht historiani pa pasur në duar lëndën e parë, s’mund të shkruajë. Ne, për shembull, mund të flasim diçka, por nuk mund të themi gjithçka sipas standardeve të mirëfillta shkencore, për periudhën e njëzet vjetëve të fundit. Natyrisht nuk vlen vetëm për historianët shqiptarë por për të gjithë historiografinë serioze botërore. Një gjë është për t’u theksuar: që historiografia vlerësohet dhe zhvillohet kudo, historianët janë të domosdoshëm për çdo shtet. Duke qenë sektor joprodhues, është detyrimi i shtetit të financojë këtë veprimtari. Por në rastin tonë është dhe më e domosdoshme se në vende të tjera. Shteti shqiptar, populli shqiptar, kudo që ndodhet ka ende mjaft probleme. Nuk e ka arritur atë që të tjerët e kanë përfunduar. Në një pjesë të trojeve shqiptare, ende bëhen përpjekje për të realizuar sot atë liri, atë hapësirë demokratike, atë hapësirë për integrim që kombe të tjera në Ballkan e kanë realizuar.
Cilët janë ata historianë që po merren konkretisht me historinë e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare për periudhën e sipërpërmendur?
Në Institutin e Historisë për këtë janë aktivizuar mjaft nga autorët që i përmenda. Në Institutin e Historisë në prillin e 1979-ës u krijua një sektor për të studiuar historinë e Kosovës dhe të viseve të tjera që mbetën jashtë shtetit shqiptar në 1913. Gjatë kësaj periudhe gati 28-vjeçare, pesë studiues (sot janë tre) botuan një mori artikujsh, disa monografi, disa përmbledhje studimesh, zëra enciklopedike, kontribuan për hartimin e teksteve shkollore të historisë, etj. Gjej rastin të theksoj se te vëllimi i tretë i Historisë së Popullit Shqiptar, për herë të parë në tekst të kësaj madhësie është futur dhe historia për Kosovën, për viset e tjera shqiptare që mbetën jashtë në 1913-n, madje është ridimensionuar dhe trajtimi i diasporës duke zënë këto pjesë rreth 130 faqe, do të thotë një të pestën e këtij botimi. Natyrisht, kjo gjë është bërë dhe në tekstet shkollore më herët. Në këto tekste madje, meqenëse disa herë pas periudhës së 1990-s janë realizuar dhe ribotime, më shpejt se sa në botime madhore është futur informacioni i duhur dhe janë sjellë transformime dora-dorës gjithnjë e më të përmirësuara, për t'iu ofruar moshave të ndryshme të nxënësve historinë sa më reale. Përmirësimi është pa fund, ecet gjithnjë në këtë drejtim dhe presim që në botimet e ardhshme kjo punë të shkojë dhe më mirë, të jemi sa më afër të vërtetës historike.
Konkretisht, si dhe në ç'pika do të "rishikohet" historia në periudhën 1939-1990?
Do të jepen në kuadër real të gjithë ato procese historike të kësaj periudhe që deri sot kanë qenë futur në një kornizë që s'mund të dilte dot jashtë asaj që ishte përcaktuar në historinë zyrtare të Partisë së Punës. Kuptohet që partia-shtet, sidomos për këtë periudhë historike, kishte korniza të caktuara. Dhe historia e kësaj periudhe ishte trajtuar vetëm si një histori fitoresh, histori arritjesh, në sajë të "udhëheqjes së ndritur" të PPSH-së dhe udhëheqësit të saj. Ai që sillte arritje ishte Enver Hoxha "gjenial", ai që sillte arritje ishte ekipi drejtues i partisë-shtet. Kuptohet se në këtë mënyrë abuzive e të falsifikuar s'mund të trajtohet më historia e kësaj periudhe. Se si do të trajtohet, mund të shihni afërsisht duke shfletuar botimet më të fundit teksteve. Aty vihen re ndryshimet në trajtimin e problemeve të luftës së Dytë Botërore, të momenteve të para te raportet e Shqipërisë me botën, pasojat e izolimit, pasojat e përpjekjeve për të vënë politikën në plan të parë dhe rënien e ekonomisë së Shqipërisë, që arriti në kolaps veçanërisht kur mbaruan kreditë, raportet me miqtë e mëdhenj të Bllokut Lindor. Shqipëria u ndodh në vitet '80 në një pozicion ndoshta më të vështirë se vendet e tjera të rajonit e më gjerë. Kështu, të gjithë këto aspekte, nevoja për ndryshime që u vu re në mënyrë urgjente në vitet '80, jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Bllokun Lindor, shembja që po ndodhte në çdo pikëpamje, aq më tepër në rastin e Shqipërisë do të dukej dhe më e madhe për shkak të fuqisë së kufizuar që kishte Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj të dobët. Të gjitha problemet ndërkombëtare dhe problemet e brendshme të kësaj periudhe 50-vjeçare po trajtohen nga historianët tanë me realizëm. Dikur për këtë periudhë na jepej një imazh i gabuar edhe për faktin se krijohej përshtypja sikur gjithçka ndodhte brenda nesh, brenda kufijve të Shqipërisë. Ne kemi qenë pjesë e botës, ajo që ndodhte këtu ishte edhe një reflektim i asaj që ndodhte në botë dhe i situatës ndërkombëtare. Pra, të gjitha këto të kombinuara do të jepen në një dritë të re.
Disa nga botimet historike të IH të pas '90-ës për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore?
"Tensionet greko-shqiptare (1939-19449)"- prof. dr. Beqir Meta, 2006
"Shqipëria dhe Greqia (1949-1990). Paqja e vështirë"- prof. dr. Beqir Meta, 2007
"Ekonomia e Kosovës në vargonjtë e politikës jugosllave (1945-1990)"- prof. dr. Marenglen Verli, 2000
"Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë (1981-1986)"- prof. dr. Lefter Nasi, 1994
"Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës (1970-1990)"- Marenglen Verli, 1994
"Arsimi në Shqipëri (1945-1960)"- prof. dr. Enriketa Kambo, 2005
"Kosova, historia e një aspirate"- Marenglen Verli
"Nga Kosova për Kosovën. Botime biografike". Marenglen Verli-2006
"Historia dhe ideologjia. Një qasje kritike e historiografisë"- dr. Dritan Egro, 2007
"Shqipëria në rrjedhën e Luftës së Ftohtë (Studime dhe dokumente"- prof. asoc. dr. Hamit Hamit Kabo, 2007
"Rruga e gjatë drejt vetëvendosjes". prof. dr. Ana Lalaj-2000
"Dokumente për historinë e Shqipërisë"- Lef Nosi, 2007
"70 vjet të kishës ortodokse autoqefale shqiptare" – 1993 (Përmbledhje studimesh)
"Studime historike", 1991- 2007 (dy herë në vit)
"Çështja e Kosovës, një problem historik dhe aktual" –1996 (Përmbledhje studimesh)
"Konferenca e Bujanit"- 1999 (Përmbledhje studimesh)
Gazeta Metropol
Krijoni Kontakt