Londër, dënohen 2 shqiptarë për prostitucion
Vëllezërit Jetnor dhe Artan Rrapushi, bashkë me një lituaneze, kishin hapur dy shtëpi publike
Nga Londra
Muhamed Veliu
Dy vëllezër shqiptarë, që kishin përfituar mijëra paund nga shfrytëzimi i dy shtëpive publike në Londër, janë dënuar me 6 vjet burg në total nga gjykata "Southwark Crown Court". Jetnor dhe Artan Rrapushi, bashkë me lituanezen Juraite Pivoraite, kanë pranuar akuzat për kontroll, shfrytëzim prostitucioni për qëllime fitimi, pastrim parash, si dhe për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Gjykatësja Debra Taylor ka lexuar relativisht dënime të lehta për tre të akuzuarit, duke përfituar nga pranimi i fajit që në seancën e parë gjyqësore. Jetnor Rrapushi, 33 vjeç, që kishte fituar leje qëndrimi përgjithmonë në Angli, i cilësuar si "truri" i ndërtimit të këtij biznesi fitimprurës, u dënua me 4 vite burg. Vëllai i tij 24-vjeçar, Artan Rrapushi, emigrant ilegal që prej vitit 2004, u dënua me tre vite burg. Sipas aktakuzës, ai ishte njeriu që merrej me sigurimin e shtëpive publike, si dhe sjelljen e prostitutave. Policia e ka cilësuar atë si njeriun vendimmarrës në këtë aktivitet. Bashkëpunëtorja e tyre lituaneze, 35-vjeçarja Juraite Pivoraite, e cila ishte ortake në ngritjen dhe drejtimin e dy shtëpive publike, u dënua me dy vjet burg. Ajo luante rolin e "maramës", duke marrë paratë e duke negociuar me klientët për çmimin e prostitutave. Gjykatësja u shpreh se ata nuk kishin përdorur dhunë ndaj vajzave që punonin në shtëpitë e tyre publike, por nuk u vinte aspak keq të pasuroheshin nga puna e tyre. Ata kishin hapur këto shtëpi publike, ku shfrytëzoheshin vajza që kontrolloheshin nga shqiptarë të tjerë, duke paguar gjysmën e fitimit si qira për shtëpitë publike.
Gjatë hetimit, policia zbuloi se gjatë periudhës shkurt-tetor 2007, ata kishin shpenzuar 11 mijë stërlina për shtëpitë publike, vetëm duke vendosur reklama në katër gazeta lokale. Hetimi i aktivitetit të tyre kriminal nisi pasi një vajzë e trafikuar kishte ikur nga tutori i saj dhe në polici tregoi se në disa raste çohej në shtëpitë publike të vëllezërve Rrapushi, për të cilët policia angleze beson se janë nga qyteti Fierit. Më 17 tetor 2007, operacioni i koduar "Salledo" arrestoi dy shqiptarët dhe lituanezen. Gjatë kontrollit të dy shtëpive publike dhe një adrese ku jetonin shqiptarët në lagjen "Wood Green", u gjetën një pasaportë greke dhe një lituaneze, me foton e Artan Rrapushit. Gjithashtu u gjetën një sasi parash dhe një patentë lituaneze me foton e Jetnor Rrapushit, i cili që në momentin e arrestimit tha se gjithçka ishte organizuar prej tij dhe dy tjerët nuk kishin të bënin fare me këtë aktivitet. Vëllezërit Rrapushi, për mos t‘u kuptuar, kishin hapur secili llogari bankare si shtetas lituanezë, nga të cilat transferonin paratë në Shqipëri. "Transferimet bankare, si dhe identifikimi i aseteve të përfituara nga prostitucioni, janë në hetim e sipër për t‘u sekuestruar më pas", deklaroi prokurori David Dauros. Gjatë periudhës 11-javore të hetimit, kur ata janë mbajtur nën survejimin policor, në llogaritë bankare të tyre kishin qarkulluar 50 mijë stërlina. Kështu, në llogarinë bankare të Jetnor Rrapushit u gjetën 17 mijë stërlina. Në atë të Artan Rrapushit 13 mijë stërlina, po aq edhe në llogarinë e Juraite Pivoraite. Sipas dëshmisë së disa prostitutave që punonin në shtëpitë publike të shqiptarëve, ata përfitonin afërsisht 10 mijë stërlina në javë. Në përllogaritjen e parave të fituara nga ata ka shërbyer një ditar i Juraite Pivoraite, ku kishte shënuar numrin e klientëve dhe pagesat e bëra prej tyre. "Ky operacion filloi pasi njëra nga viktimat gjeti kurajën të vinte te ne dhe të tregonte historinë e saj. Këta tre individë që u dënuan dje jetonin me para të fituara nga imoraliteti, duke shfrytëzuar këto gra. Operacioni "Sellado" u ngrit për të shkatërruar strukturën kriminale të ndërtuar nga ata, duke përfituar nga mizoria ndaj këtyre grave", u shpreh DI Gary Young, hetuesi këtij aktiviteti kriminal. Një zëdhënëse e "Scotland Yard" i tha "Shqip"-it se hetimi për sekuestrimin e aseteve të ndërtuara jashtë Anglisë, si Shqipëri apo Lituani, është një prioritet i grupit hetimor. Sipas statistikave policore, në Londër operojnë 1 mijë shtëpi publike ilegale. Shumica prej tyre janë ndërtuar nga grupet kriminale shqiptare, në bashkëpunim me grupet e tjera kriminale, si lituaneze apo kineze.
Krijoni Kontakt