Ja si e tregon evenimentin e rëndësishëm historik të kohës pjesëmarrësja Nexhmije Hoxha
“Mbledhja themeluese e rinisë antifashiste”
Laureta Rryçi
E kemi njohur zonjën Nexhmije Hoxha, gjithnjë në lidhje me bashkëshortin e saj, që drejtoi shtetin shqiptar për më shumë se 40 vjet. Natyrisht që në vitin 1945 pas martesës, jeta e saj nuk mund të kuptohej pa Enver Hoxhën, por Nexhmije Xhuglini, përfaqëson njëkohësisht dhe një nga personalitet e spikatura të Lëvizjes Antifashiste dhe Luftës Çlirimtare. Por edhe si grua, nënë, bashkëshorte, intelektuale, por edhe si një personazh mjaft i rëndësishëm në politikën e vendit. Ajo ka pasur aktivitetin e saj të larmishëm dhe kontributin e padiskutueshëm në luftën kundër pushtuesve të huaj. “Vajza me kordele të kuqe”, me prindër dibranë të vendosur që nga vitit 1928 në Tiranë, ishte ndër të parat që u rreshtuan në krahun e duhur, atë të antifashizmit, e më pas ishte edhe anëtare e grupit komunist të Shkodrës. Nexhmije Hoxha e krijoi identitetin e saj në përleshjet me xhandarët dhe fashistët dhe më pas në betejën e luftës me nazistët. Jo vetëm ne gazetarët, por tërë opinioni, e kemi lidhur përherë emrin e saj me Enver Hoxhën. Madje, nuk mund të ketë pasur ndonjë rast që në pyetjet drejtuar Nexhmijes të mos ishte edhe emri i Enverit. Në një farë mënyre nuk ka asgjë të keqe, pasi, lidhja me të dhe jeta e saj me Enverin ka qenë e tillë e pandarë. Por gazetën “Tirana Observer” kërkon të njohë lexuesin me Nexhmijen tjetër, atë që përfaqëson ajo si personazh vetjak, me të gjitha tiparet e saj, jetën e saj dhe aktivitetin e saj. Kështu, pak ditë para krijimit të Partisë Komuniste shqiptare në demonstratën e 28 tetorit të vitit 1941, ajo ishte në vijë të parë. Nuk do të mungonte edhe prania e saj, e vetmja delegate femër, në Mbledhjen Themeluese të Rinisë Komuniste shqiptare, ku u prezantua për herë të parë me Enver Hoxhën, në krah të të cilit do të ishte për 43 vjet me radhë. Më pas, Nexhmije Hoxha do të ishte prezent në të gjitha evenimentet historike të Luftës Antifashiste, Konferencën e Pezës, të Labinotit dhe Kongresin e Përmetit. Në 1 janar të vitit 1945, me një ceremoni të thjeshtë u celebrua me shokun e saj të luftës, Enver Hoxhën. Pas çlirimit të vendit kreu funksione të larta partie dhe shoqërore, ndërsa në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të PKSH-së. Për një kohë ka qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë, si dhe ka përfaqësuar popullin në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat.
Plot dy javë pas themelim it të PKSH-së u thirr Mbledhja themeluese e rinisë komuniste. Në të morën pjesë 12 të deleguar dhe unë isha e vetmja vajzë. Mbledhja u zhvillua në shtëpinë e Sabrije (Bije) Vokshit, hallës së Asim Vokshit, vullnetarit hero që dha jetën për Spanjën antifashiste. Bija ishte një grua sa e mençur aq edhe trime. Ajo ishte mësuar me mbledhje të tilla ilegale, si të luftëtarëve pasues të rilindësve tanë, ashtu edhe të atyre antifashistë. Shtëpia e Bijes ishte shumë e përshtatshme për vetë vendndodhjen e saj në qytetin e Tiranës së pushtuar, mbi të cilin rëndonte më shumë se kudo shtypja dhe terrori fashist. Ajo ishte në fundin e bulevardit të madh, afër vendit ku sot është Stacioni i Trenit. Gjendej mes shtëpish të vogla, përdhese, tipike tiranase, të ndërtuara me qerpiçë. Shtëpia e saj ishte e përshtatshme edhe sepse kishte dy hyrje, njëra thellë në rrugicë, tjetra dilte krejt në një rrugë tjetër, në atë që lidhte fundin e bulevardit me rrugën që mori emrin e dëshmorit Siri Kodra, rrugë që tani është pjesë e unazës periferike që të nxjerr te spitalet.
Pjesëmarrësve në këto mbledhje u caktohej ora se kur duhej të vinin dhe “kodi” se si duhej të trokisnin në derë, që zonja e shtëpisë të mos e hapte derën për cilindo tjetër, qoftë edhe për të afërmit e mikeshat e saj që mund t’i vinin në kohën kur bëhej mbledhja. Në përfundim të mbledhjes ose në rast rreziku, dalja bëhej nga ajo derë që kërcënohej më pak dhe në rast rrethimi, tërheqja mund të bëhej edhe nga kapërcimi i murit të avllisë, që ishte i ulët, duke kaluar nga oborri në oborr të shtëpive ngjitur. Kështu kishte mundur të shpëtonte një herë Qemali, i cili shtëpinë e Bijes e kishte si bazë kryesore. Fqinjët e Bijes ishin njerëz të mirë, patriotë, antifashistë dhe bënin sikur nuk i shihnin ecejaket e atyre të rinjve në shtëpinë e një plake.
Në shtëpinë e Bije Vokshit
Më datën 22 nëntor pasdreke filluan të hyjnë njëri pas tjetrit, me intervale të caktuara, shokët e ftuar. Mban mend që ishte errur kur arriti te shtëpia e Bijes. U fut brenda, ku po kërciste gazi, po për një çast ai u frenua, ndoshta se panë një shoqe, ndoshta ata po tregonin barsoleta djemurishte. U përshëndetën me parullën e tyre të njohur “Vdekje fashizmit -liri popullit!”, tokën duart ngrohtësisht, megjithëse në atë kohë ende nuk njiheshin mirë me njëri-tjetrin, meqë ishim nga grupe të ndryshme. Dhoma ku ishin grumbulluar, në dy anë të saj ishte e shtuar me mindere, ku shokët rrinin lirshëm. Një sobë llamarine e zezë bubullinte gëzueshëm nga një zjarr i fortë që vende–vende e kishte skuqur sobën. Dhoma ishte mbushur nga një tym i dendur. Nuk ishte tym duhani, se shokët përgjithësisht nuk e pinin cigaren, si të rinj që ishin, por qe tymi i copave të bukës që ishin vënë mbi sobë për t’u thekur. Mbi një tavolinë katrore pranë dritares, ishin vënë përmbys disa kasketa të shokëve, mbi të cilat ata kishin vënë bombat e tyre të dorës, të cilat dukeshin si mollë të kuqe në frutierë. Natyrisht, dritarja ishte e mbuluar me një batanije të trashë, në mënyrë që të mos dukej jashtë. Zonja e shtëpisë, për mysafirët e saj, kishte vetëm çaj lule blini, që lëshonte një aromë të këndshme. Iu desh të mbushte disa herë çajnikun, gotat nuk ishin prej porcelani, por prej alumini, si ato të ushtarëve, që nuk ishin aq komode, sepse të digjnin buzët dhe shokët nuk prisnin sa ato të ftoheshin. Për më tepër ato nuk mjaftonin dhe shokët duhej të pinin me radhë. Disa që nuk kishin durim fare, pinin në të njëjtën gotë duke rrufitur njëherë njëri, njëherë tjetri. Çdo gjë bëhej objekt shakash e të qeshurash. Aty, për herë të parë, njohu humorin shkodran. Dallohej Ndoc Mazi, ky e ndizte, po Qemali nuk mbetej mbrapa. Ndoci, ashtu siç dinte të qeshte, ashtu diti edhe të vdiste, si hero, bashkë me heronjtë e tjerë të Vigut. Nga humori i tyre qeshnin të gjithë. Kështu i gjeti Enveri kur hyri në dhomë. Ai, si duket, nga jashtë kishte hyrë drejt e në kuzhinë ku kishte lënë pardesynë a pallton, kasketën a çfarë kishte. Kur hyri në dhomë, përshtypja e parë që u la ishte shtati i tij i hedhur, ishte më i gjati ndër të gjithë shokët që ishin aty. Fytyra pak ezmere dhe e mbushur, sy të qeshur e shumë të gjallë, flokët të zinj dhe pak të valëzuar. Kishte veshur një xhaketë “doppio petto”, me katrore të mëdha, po me ngjyra të lehta, bezhë me viza kafe; nën të kishte një pulovër leshi, po ashtu ngjyrë bezhë të punuar me dorë, me jakën pak golf, mbi të cilën kishte nxjerrë jakën e këmishës. Pantallonat ishin sportive, siç mbaheshin atëherë, pak të gjera, të lëshuara mbi çizmet kafe, të gjata deri në gju. S’kishte vënë re që Qemali kishte dalë nga dhoma. Kur hyri Enveri shoqërohej prej Qemalit. Ky i prezantoi i duke thënë: “Ky është shoku Taras, anëtar i Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste që themeluam dy javë më parë, më 8 nëntor dhe i deleguar për të marrë pjesë në këtë mbledhje për themelimin e Rinisë Komuniste.
Prezantimi i Enver Hoxhës
Ndoshta shumë nga ata që ishin aty e njihnin se ai ishte profesori Enver Hoxha, kurse ajo e kishte parë nga larg dhe kishte dëgjuar një emër tjetër, shqiptar. Po tani, ç’ishte ky emër? E mori me mend se qe një pseudonim dhe siç kishte dëgjuar më vonë, ia kishin vënë shokët nga trupi i tij, ca i ngjashëm me personazhin e njohur të letërsisë ruse, Taras Bulba, luftëtar popullor.
Enveri erdhi rrotull duke u dhënë dorën shokëve, ndërsa Qemali bënte prezantimin. Enveri ndalej te secili, ashtu i qeshur e duke shkëmbyer ndonjë fjalë me ta duke thënë se ku e kishte njohur e takuar ndonjërin. Kur erdhi tek ajo Qemali i tha: “Kjo është shoqja Nexhmie Xhuglini, për të cilën të kam folur”!. Pastaj i tha për të disa fjalë të tjera që e bënë të skuqej...Ajo ndërhyri dhe i tha: “Qemal të lutem lëri këto...”
Kur u afrua te soba, Enveri shtriu duart për t’u ngrohur kur pa bukët që po thekeshin, tha: “Aa, janë të shijshme këto...”. Njëri nga shokët i tha: “shoku Taras, doni një çaj?”. “Pse jo?! -tha me gjithë qejf”. E piu çajin e pas pak tha: Sikur të fillojmë nga mbledhja?” Ora po shkonte 9. Pasi u pastrua dhoma e në mesin e saj u vunë të bashkuara dy-tri tryeza, filloi mbledhja në Komitetin Qendror të Partisë, Enver Hoxha; në të djathtë të tij ishte Qemal Stafa, në të majtë Nako Spiru, pranë këtij isha unë, kështu, në të dy anët e tryezës ishin ulur shokët e tjerë delegatë. Mbledhjen e hapi Enveri. Prezantoi Qemal Stafën si të ngarkuar nga KQ i Partisë Komuniste për punën me rininë, pastaj lexoi përshëndetjen e Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste të Shqipërisë,(të shkruar nga ai vetë, origjinali i së cilës ruhet në Arkivin Qendror të Partisë)
Enveri mbajti një raport, ku flitej për rëndësinë e themelimit të Partisë Komuniste dhe të vendimeve që u morën aty lidhur me bashkimin e popullit në një front nacionalçlirimtar, për luftën antifashiste në botë. Ashtu siç e pa edhe më vonë, në çdo takim e fjalim me të rinjtë e për të rinjtë edhe në atë mbledhje themeluese, Enver Hoxha foli me pasion. Ishin ende në nëntor të vitit 1941, prandaj merret me mend, fjalët e tij për lirinë dhe të ardhmen që i priste, ndiznin zjarrin në zemrat rinore, i jepnin flatra mendimeve e aspiratave të tyre për të ardhmen. Ëndrrat tani na dukeshin më të kapshme, më të arritshme.
Kur mbaroi fjalën Enver Hoxha, në dhomë ra një heshtje. Sigurisht nuk pati duartrokitje, jo thjesht për arsye të kushteve të ilegalitetit, por edhe sepse duartrokitjet ende nuk kishin hyrë në stilin e mbledhjeve tona, pasi ende nuk kishim arritur fitoret e para; ato çka dëshironim ishin ende vegime të bukura, të cilat një ditë me siguri, do të shndërroheshin në realitet vetëm nëpërmjet luftës sonë, me gjakun, me jetën e me rininë tonë.
Në mesin e asaj heshtjeje, Enveri propozoi të bëhej pak pushim. Jo se qemë lodhur, por siç duket që të na çlironte nga emocionet e të fillonim të merrnim fjalën. Të gjithë lëvizëm nga vendet. Enveri doli dhe shkoi në dhomën tjetër për të pirë një cigare. Por edhe ne, të gjithë e ndoqëm e shkuam pas tij. E rrethuam e duke qenë “pushim” ndiheshim më të shpenguar. E nisëm ta pyesnim e të bisedonim me të.
Fjala e Qemal Stafës
Kur u kthyem përsëri në dhomën e mbledhjes, e cila gjatë pushimit qe ajrosur ca, e mori fjalën menjëherë Qemal Stafa. Edhe ai foli në fillim për rëndësinë e themelimit të partisë. Pastaj u ndal për gjendjen e rinisë dhe luftën e saj.
Pas fjalës së Qemalit u vendos të ndërpritej mbledhja, sepse kishte kaluar mesi i natës. Kaluam në një dhomë tjetër ngjitur, që përdorej për të pushuar e fjetur. Aty nuk kishte as dyshekë, as krevate, përveç një krevati që ishte i zonjës së shtëpisë, të cilin ma lanë mua. Në dy anë të dhomës kishte në shesh mindere dhe jastëkë me kashtë. Shokët u shtrinë duke vënë kokën në jastëkët dhe vetëm shpinën në minder, ndërsa këmbët mbi dërrasa. Ata u mbuluan me palltot që kishin, duke u shtrënguar pas njëri-tjetrit, sepse ishte dhe natë e ftohtë e dhoma nuk kishte zjarr. Disa nga shokët qëndruan në dhomën e mbledhjes, e cila ishte ngrohur nga soba, duke fjetur ulur në stol me kokën të mbështetur në krahët e kryqëzuar mbi tryezën e mbledhjes.
Megjithëse ishim në qytet, madje, në kryeqytet, për të fjetur flinim partizançe, të gjithë të veshur, me armët të vendosura me kujdes pranë vetes, të gatshëm për çdo rrezik që mund të ndodhte.
Kush është Nexhmije Hoxha
Ka lindur më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, por prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Central. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”. Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945. Ka tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë nga të cilët është gëzuar me 7 nipër e mbesa. Pas përmbysjeve që ndodhën në Shqipëri, ajo dhe familja e saj u persekutuan rëndë. E burgosën dhe e dënuan me 11 vjet heqje lirie me akuza absurde. Pas pesë vjetësh burg jeton sot pranë fëmijëve të saj.
Demonstrata e 28 tetorit
Eshtë i njohur fakti që Enver Hoxha organizoi e udhëhoqi demonstratën e 28 tetorit 1941, si një aksion i përbashkët i grupeve komuniste, në prag të themelimit të partisë. Aty ishte për herë të parë në një vijë zjarri me Enverin, por akoma nuk njiheshin. Mendonte se po të mos ishte realizuar me sukses kjo demonstratë, nuk do të themelohej partia, më 8 nëntor. Kishte disa komunistë, si krerët e grupit të Rinjve, që nuk donin themelimin e partisë, të cilët u përpoqën të sabotonin demonstratën. Komunistët e bazës, ishin njoftuar që, në mëngjesin e 28 tetorit (në shenjë proteste kundër ceremonive që organizonin pushtuesit për të përkujtuar marshimin e fashistëve të Musolinit drejt Romës dhe ditën e sulmit italian kundër Greqisë), të prisnin në bazat e caktuara lajmin “do të bëhet apo nuk do të bëhet demonstrata”. Tani është i njohur fakti që Enveri, Qemal Stafa, Vasil Shanto dhe shokë të tjerë komunistë, ishin për ta bërë këtë aksion si një pagëzim zjarri për bashkimin e grupeve komuniste e themelimin e partisë. Pas debatesh, aty nga mëngjesi fituan shokët e aksionit dhe u shpërndanë për organizimin e demonstratës. Ajo priste në shtëpinë e një shoqeje në rrugën e Bamit, sot “Qemal Stafa”, kur erdhi Sadik Premtja e na tha “nuk do të bëhet demonstrata”. Me këmbë të prera e helm në zemër u nis për në shtëpi, por kur arriti në kryqëzimin e rrugës “Qemal Stafa” me atë të Pazarit të Ri dhe rrugën e Saraçëve, sot “Shinasi Dishnica”, dëgjoi thirrjet e demonstruesve dhe këngën patriotike “Eja mblidhuni këtu, këtu ...”. Atëherë u lëshua me vrap dhe në sheshin “Skënderbej”, u bashkua me demonstruesit, ku kishte filluar përleshja. Në përleshje të tilla nuk ka kohë të rrish e të bësh sehir. Në krahun e saj pa një milic që kishte mbërthyer të riun Zeqi Agolli, të cilin unë e njihja dhe familjarisht. U hodh u kacavor në mes të tyre për t’i ndarë. Milici, si duket, u befasua, si malësor që ishte, ndoshta i erdhi rëndë ta shtynte e ta përplaste për tokë, ndaj e lëshoi Zeqiun. Rreth e rrotull vlonin kondakët e pushkëve të milicëve fashistë italianë e shqiptarë mbi kokat e demonstruesve, kurse ata luftonin me grushte e me çadra, që i kishin marrë, se koha ishte pak e vranët ose edhe për t’u mbrojtur e luftuar. Në çast u përhap urdhri: “Të gjithë përpara Kryeministrisë, të kërkojnë shokët e arrestuar”. Me flamurin në ballë, që gjithmonë mbahej nga shoqet, shkuan përpara Kryeministrisë (më vonë Ministria e Industrisë). Me këtë rast të sqaron se si rregull, shokët e shoqet organizatorë, me përgjegjësi, nuk viheshin në radhën e parë të demonstruesve. Ajo rrinte në radhën e dytë, pas flamurit. Po të shihet fotografia e asaj demonstrate, dukej koka e Enverit, nga shtati i tij i hedhur. Kur milicët u sulën për ta kapur Enverin, demonstruesit formuan shpejt një barrierë të pakapërcyeshme dhe nuk i lanë, por dihet se më vonë fashistët kërkuan në dyqanin e tij “Flora” dhe Enveri kaloi në ilegalitet. Pas thirrjeve që hodhën para Kryeministrisë, si “Duam shokët!”, “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë liria!”, “Poshtë fashizmi!” etj., doli te shkallët kryeministri, i asaj kohe Shefqet Vërlaci, e se ç’tha. Kush e dëgjonte?! I trembur nga thirrjet e egërsuara, hyri brenda dhe pas pak nxorën dy shokë, të gjakosur. Mbeti pa gojë kur e pa se njëri nga ata ishte i vëllai Fehmiu, (ky ishte gjimnazist, shok me Pirro Kondin e të tjerë, dy vjeç më i vogël se ajo, d.m.th. atëherë ai ishte 18 vjeç). Shokët e ngritën në supe. “Fol - i thoshin - fol!”. Ai ngriti grushtin, por nuk foli dot. Njërin sy e kishte të ënjtur e të mbyllur. Ajo u tremb shumë se e kishte dhe të gjakosur, tha me vete “se ka plasur syri”, por gjaku i kishte rrjedhur nga një çarje te vetulla dhe nga një grusht në mjekër kishte kafshuar gjuhën, prandaj dhe nuk fliste dot. Iu afrova dhe e tërhoqa mënjanë. Pasi u shkëputëm nga turma e demonstruesve, hipëm në një pajton dhe drejt e në shtëpi. Nuk po ndalem këtu të përshkruaj tronditjen e nënës, të qarat e saj tek i pastronim plagët. Ajo mbeti duke thënë: “Mjerë unë, vetëm dy kam e të dy në zjarr...!”
Veprimtaria ilegale e Nexhmije Hoxhes
Më 7 prill 1942, si zakonisht në përvjetorët e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, në Tiranë u zhvillua një demonstratë, nga më të fuqishmet e më të organizuarat, nga të rinjtë studentë dhe punëtorë, komunistë e antifashistë.
Përgjithësisht, demonstratat në Tiranë bëheshin në mëngjes, para dreke. Të rinjtë e njoftuar, pak nga pak e si rastësisht mbushnin pjesën e sipërme të bulevardit që të çon sot te Stacioni i Trenit, sikur bënin shëtitjen e zakonshme. Në momentin kur grupi organizator jepte sinjalin dhe vajzat shpalosnin flamurin, shëtitësit e njoftuar merrnin drejtimin për nga sheshi “Skënderbej”, atëherë turma kthehej e bashkohej, bëhej një masë kompakte dhe shpërthenin këngët patriotike, si “Eja mblidhuni këtu ...këtu!”, “Për mëmëdhenë” etj, deri sa fillonte përleshja me fashistët, që suleshin menjëherë. Por këtë radhë ndodhi ndryshe. Duke menduar se demonstrata do të bëhej si zakonisht, në mëngjes, forcat e pushtimit dhe mercenarët e tyre qenë vënë në alarm qysh në orët e para të mëngjesit. Prapa bashkisë, aty ku është Muzeu Historik Kombëtar, ishte vendosur në gatishmëri një njësi kavalerie. Pritën ata gjithë paraditen. Por më kot. Demonstrata, siç qe planifikuar, plasi pasdite dhe turma në vend qe të vinte drejt sheshit “Skënderbej”, mori në drejtim të kundërt, shkoi deri në fund të bulevardit, u fut në unazë në drejtimin që të nxjerr te rruga “Siri Kodra”, me destinacion vendin ku është shtëpia e themelimit të Partisë. Por në kryqëzimin e rrugës “Siri Kodra” me rrugën e spitalit, para demonstruesve dolën forca të shumta të milicisë fashiste, shqiptarë të rekrutuar, ose të vënë në shërbim të pushtuesit. Shoqet ishin në ballë. Nxirreshin ato në vijë të parë, pasi mendohej se kështu ishte pak më e vështirë që armiqtë të qëllonin mbi gratë. Dhe kështu ndodhi. Kur fashistë e mercenarë na drejtuan bajonetat në gjoks, ne u thamë këtyre shqiptarëve mjeranë, që kishin pranuar të viheshin ë shërbim të okupatorit: “Hë, qëlloni, a nuk ju vjen turp të silleni kështu me bijat e motrat tuaja shqiptare?” Të paktën milicët shqiptarë u stepën dhe s’dinin ç’të bënin. Pas kësaj ndalese, vërshimi i demonstruesve u bë edhe më i papërmbajtshëm, ndaj nuk u ndërpre ecja përpara. Turma u ndal para medresesë. Mes brohoritjeve e parullave të ndryshme, u mbajt një fjalim i shkurtër dhe pastaj demonstruesit u shpërndanë. Unë kisha marrë pjesë në të gjitha demonstratat, por si duket, në këtë të fundit rashë në sy më shumë dhe u komprometova, si të thuash, më tepër. Prandaj, më 12 prill në mëngjes u dëgjuan trokitje në portën e shtëpisë. Doli djali i xhaxhait tim, Skënder Xhuglini. Kur ç’të shohim?! Një milic i armatosur. Në dhomë, alarm. Për mua qe e qartë se ai kishte ardhur për të më arrestuar. Mundësi tjetër daljeje nga shtëpia nuk kishte, përveçse nga dera e oborrit. Por shqetësimi më i madh nuk ishte për veten time. Sado paradoksale që mund të duket, një natë më parë Drita Kosturi, e cila, me anën e motrës së vet, ishte futur në një kolegj murgeshash që jepnin mësime qëndisjeje etj., më kishte sjellë për ta strehuar përkohësisht një murgeshë të re italiane, që paraqitej si antifashiste dhe ndoshta edhe për arsye të tjera s’donte të bënte jetën e murgeshës. Tani ishte halli si t’ia bënim kësaj. Nuk duhej lënë të binte në dorë të italianëve. Prandaj, ndërkohë që Skënderi po e mbante milicin me fjalë te porta, ne u morëm me murgeshën: i veshëm diçka të nënës dhe në kokë, që e kishte të rruar, i lidhëm një shami dhe i thamë të hiqej si shurdh-memece, të mos fliste asnjë fjalë.
Kur Skënderi e kishte përcjellë milicin dhe mbylli portën nga brenda, ne morëm frymë të lehtësuara. Kur e pyetëm si ia doli, ai na tha se i kishte bërë agjitacion: “Si ore, ti një malësor shqiptar, njeri i besës, vjen të marrësh një vajzë të re shqiptare e t’ua dorëzosh italianëve?! A nuk të vjen marre? Pastaj, ajo nuk ndodhet këtu... “, dhe kush e di sa fjalë të tjera. Milici i kishte thënë: “Mirë, do vij prapë më vonë”. Por, siç e morëm vesh më pas, ai, në fakt, kishte ardhur për të na vënë në dijeni, indirekt, se më kishin futur në listë për të më arrestuar. Ai ishte vëllai i një komunisti dhe ishte futur në milici, me porosi nga partia për t’i dhënë kësaj informata.
(Vijon nesër)
Tirana Observer
23 nëntor 2005
Krijoni Kontakt