Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17

    Xhelatët, si ekzekutonin në diktaturën komuniste

    Pushkatimet në diktaturën komuniste/Ministria e Brendshme, sekret emrat e ekzekutorëve

    Xhelatët, si ekzekutonin në diktaturë

    Sonila Yzeiri

    Më shumë se 1500 ekzekutime janë realizuar në diktaturë. Dy ishin mënyrat e dënimit me vdekje atëherë, me pushkatim dhe varje. Ekzekutim në diktaturë ishte një gjë e zakonshme. Të gjithë ata që kryenin krime të rënda, sidomos vrasje, vriteshin me plumb ose vareshin në litar. Në një farë mënyre kjo ishte diçka brenda ligjeve të asaj kohe, por e keqja qëndronte në faktin se si bëhej ekzekutimi dhe denigrimi i më pastajmë i kufomës, e cila qëndronte për ditë të tëra në vende të dukshme, që ishte një presion psikologjik mbi njerëzit e thjeshtë. Pra, diktatura në këtë rast u thoshte njerëzve që as të mos e mendonin e jo më të bënin një krim. Më të frikshëm kanë qenë ekzekutimet e kundërshtarëve politikë, pra gjoja armiqve potencialë në krye të PPSH-së dhe qeverisë së saj.

    Ekzekutimet dhe ekzekutorët

    Kushdo që mund të dilte kundër partisë apo mund të ankohej për regjimin e atëhershëm, dënohej jo lehtë në diktaturën komuniste, dhe kjo për faktin se binte ndesh me interesat e tyre. Pas gjyqeve farsë jepej vendimi i ekzekutimit me vdekje. Këtu niste edhe trilli i historisë së ekzekutimit. Komandanti i skuadrës së pushkatimit dhe skuadra ishin njerëz të zgjedhur që dinin të mbanin sekretet. Ekzekutorët janë larguar nga jeta dhe ata që mbetën gjallë janë jashtë shtetit. Lufta e klasave, biografitë e dyshimta, lufta e klaneve, bënë që shumë njerëz dhe të afërmit e tyre të internoheshin duke i vendosur në vendet më të largëta. Ata dënoheshin në burgjet më të egra të diktaturës komuniste të largëta, dhe duke punuar punët më të rëndomta në shërbim të Partisë e Pushtetit Popullor. Kjo ndodhte jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, por edhe për ata që kishin legjislaturë në Kuvendin Popullor ose poste të larta shtetërore. Me pretendime absurde, masat që merreshin për to qenë katastrofike, burgime me vite të tëra burg, por edhe pushkatime e varje në litar, që ishin dy rrugët më të rënda të ekzekutimit që realizoheshin. Kushdo që dënohej me vdekje gjykohej nga vepra e rëndë penale që kishte bërë, dhe më e rënda ishte tradhti ndaj atdheut. Personat që dënoheshin me vdekje i bënin kërkesë për falje presidentit të presidiumit të Kuvendit Popullor. Ky i fundit merrte vendimin për falje ose jo. Kur nuk falej merrte skuadrën e pushkatimit që përcaktohej nga personeli i burgut. Për personat që ishin me poste të larta shtetërore, skuadra e pushkatimit caktohej nga ministri i Brendshëm. Para se të pushkatohej i pandehuri shkonte në prokurori dhe thoshte fjalën e fundit. Deri në vitet 1967 qenë përfaqësuesit e sekteve fetare që i bënin këto ceremoni, por me ndalimin e besimit fetar në Shqipëri, këtë detyrë e kishte të ngarkuar prokurori, zyrtarët e lartë i mbanin të izoluar në një institucion dhe nuk i lejonin t’i takonin familjarët deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë. Deri sa të bëhej dosja, hetuesi nuk takohej me të pandehurin. Dosja shkonte në gjykatë. Prokuroria bënte aktakuzën dhe më pas e formulonte prokurori.

    Realizimi

    Të pandehurit, në fillimin e seancës gjyqësore pyeteshin nga kryetari i seancës për ndonjë keqtrajtim. Pastaj lexohej aktakuza, pasi merrej vendimi nga gjykata. Nëse i pandehuri që kishte qenë zyrtar i lartë dënohej me pushkatim, sipas rregullit shkonte prokurori, dhe i dënuari thoshte fjalën e fundit. Pas pushkatimit, shkonte mjeku ligjor dhe merrej nga të afërmit për në varreza. Në seksionin e mbrojtjes së popullit bënte pjesë seksioni i sigurimit, i cili merrej me informacionin, me biografitë me spiunazhin, me klasifikimin e armiqve, me arrestimet dhe me hetimet e fshehta. Në Komitetin Qendror ekzistonte një zyrë e goditjes, që planifikonte masat ndëshkimore dhe një zyrë e thashethemeve që drejtonte disinformacion për të hutuar njerëzit. Në vitin 1948, sigurimi i shtetit u nda në organizata bazë të partisë, ndërsa Sigurimi i Shtetit kishte celulat e veta në lagje e fshatra, ndërmarrje, institucione dhe reparte ushtarake. Nga ana e saj, organizata bazë kishte nën vëzhgim politik zonën e vet dhe me anën e anëtarëve aktivë të partisë merrte në shqyrtim raportimet, përgojimet, vëzhgimet me karakter politik ose të dyshimtë dhe i jepte konkluzionet e veta Komitetit të Partisë i cili kishte një zyrë të veçantë që mblidhte çdo raportim për çështje të dyshimta dhe ja komunikonte sigurimit për veprim. Ngjallja e frikës: imperializmi, revizionizmi, armiku i klasës sabotimi ishin këto metodat e diktaturës të synuara për të krijuar gjithnjë psikoza në popull. Të gjithë familjet e të arratisurve dhe të dyshimtëve i largonin nga kufiri dhe i çonin në zonat kënetore. Ata dënoheshin nga 5 vjet deri më 40 vjet. Gjyq për ta nuk kishte vetëm komunikim shtesë internimi. Ishte internimi ekonomik, e pësonin njerëz që kishin bërë punë private pa leje. Internim për probleme morale që e pësonin njerëz për bixhoz, priftërinjtë. Hapeshin dosje për shumicën e popullsisë të rritur dhe i internonin në fshatra më të thellë e më të varfër.

    Ekzekutime të tjera

    Burgjet ishin kompetencë e Ministrisë së Brendshme. Burgu i Burrelit është ndërtuar në 1938-ën, kur ishte kryeministër Koço Kota. U ndërtua për kriminelë të posaçëm e ordinerë, se atëherë të burgosur politikë nuk kishte. Pa mbushur dhjetë vjet Koço Kotën e vranë pa gjyq po në këtë burg. Te porta e rëndë dhe e hekurt të prisnin me këtë parullë: “Burrel hyn dhe s’del”. Në Burgun e Burrelit kanë vdekur shumë njerëz, që shpeshherë nuk kishte edhe një aspirinë. Në kohët e vështira shumë kanë vdekur nga uria, edhe vetëvrasjet kanë qenë të shpeshta, rrahje në biruca dhe tortura me hekura ishte e zakonshme. .

    Ekzekutimet e nomenklaturës së lartë

    Komandant i skuadrës caktohej me urdhërsekret të Ministrit të Brendshëm
    Më pas ky zgjidhte dhe grupin e pushkatimit
    Kriteret për zgjedhjen e tyre ishin të rrepta: Njerëz të besuar dhe ithtarë të PPSH-së
    Sekreti ruhej edhe vendi i ekzekutimit, pasi me porosi nga lart këta njerëz nuk duket të kishin varr
    Riti i ekzekutimit, pasi u hiqeshin prangat qëndronin përpara skuadrës së pushkatimit
    Prokurori kërkonte fjalën e fundit nga të dënuarit më vdekje
    Drejtuesi i skuadrës urdhëronte të mbusheshin armët dhe të shënjoheshin të dënuarit
    Pas miratimit të prokurorit, urdhërohej hapja e zjarrit
    Mjeku konfirmonte vdekjen e të ekzekutuarve

    Grupet e ekzekutimit të zakonshëm

    Një skuadër pushkatimi me ushtarë të shërbimit aktiv, nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
    Një oficer komandonte skuadrën në ekzekutim
    Të dënuarit vendoseshin përballë tyre në një distancë të afërt
    Prokurori i çështjes kërkonte fjalën e fundit nga të dënuarit
    Hapja zjarr ndaj të dënuarve bëhej pas komandës së oficerit
    Një mjek verifikonte vdekjen e të ekzekutuarve dhe relatonte me atë


    Tirana Observer
    8 dhjetor 2005

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17
    Për 46 vjet u eliminuan plot 5487 vetë nga të cilët dhe shumë ish-komunistë

    Xhelatët, si i kryenin ekzekutimet

    Sonila Yzeiri

    Ekzekutimet e sistemit të kaluar flasin qartë për gjenocid. Plot 5487 vetë janë dënuar me vdekje dhe xhelatët “ritmikisht” gjendeshin përballë viktimave të tyre, të cilëve duhej t’u jepnin një plumb kokës. Historia e ekzekutimeve nis menjëherë pas vitit 1944, kohë kur në pushtet erdhën komunistët. Këta të fundit ekzekutuan si fillim kundërshtarët e tyre e kur mbaruan punë me këta nisën të “hanin” kokat e njerëzve të tyre sipas situatave të krijuara. Pas mbarimit të luftës, në bodrumet e hotel “Bristolit”, u gjet një varr i përbashkët ku ishin pushkatuar pa gjyq dhe në mënyrë barbare një numër i madh qytetarësh. Shumica e tyre ishin intelektualë që kishin studiuar në Perëndim si publicisti Nebil Çika, Aleks Mavraqi, vëllezërit Syrja e Vesim Kokalari, Ismail Petrela dhe shumë të tjerë. Më 1 mars 1945 fillon procesi kundër 60 të pandehurve; kryetar gjyqi ishte Koçi Xoxe dhe prokuror Bedri Spahiu. Jepen 17 dënime me vdekje. Aparati i diktaturës punoi sistematikisht, për eliminimin e armiqve të klasës.

    Dënimi i ish-ministrave të Brendshëm në Evropën Lindore

    Goditjen më të madhe ndaj ushtarakëve të lartë, Enver Hoxha e filloi në prag të Kongresit të Parë të PKSH-së. Në vitin 1949, Enver Hoxha goditi bashkëpunëtorin e tij më të afërt gjeneral-lejtnant Koçi Xoxen. Në fillim e përjashtuan nga Byroja Politike, shkarkuan nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme dhe caktuan ministër të Industrisë. E lanë vetëm anëtar të KQ të PKSH-së. Pas gjashtë muajsh burg erdhi dënimi përfundimtar i Koçi Xoxes, më 11 qershor të vitit 1948.

    Dali Ndreu dhe Liri Gega

    Vetë Enveri kishte thënë: “Do t’i dënojmë si persona të vjetër të agjenturës jugosllave. Me këtë nuk do të dënojmë Daliun dhe Lirinë, por Jugosllavinë për veprimtarinë e saj. Ta marrë vesh Jugosllavia që ne jemi në gjendje të zbulojmë armiqtë, që ky vend mundohet të nxisë kundër pushtetit popullor”. Aranit Çela i kishte dëgjuar me veshët e tij këto fjalë të dilnin nga goja e Hoxhës ku thuhej se Daliu e Liria, duhej të dënoheshin me vdekje. Kështu u bë, trupi gjykues i dënoi me vdekje, edhe pse nuk justifikohej ky dënim, dhe më pas ata të dy u ekzekutuan.

    Grupet armiqësore

    Pas atakut që pësoi zemra e Enver Hoxhës në fund të tetorit 1973, d.m.th pak orë pas festimit të ditëlindjes së tij të 65-të, doli më shumë në pah çështja e trashëgimisë së pushtetit. Enver Hoxha filloi të mendojë për trashëgimtarin e ardhshëm politik të Enverit në krye të PPSH-së, në rast të ndonjë të papriture që mund të sillte vdekja e këtij të fundit. Kështu që nuk është pa rëndësi të thuhet që plani për të shkurtuar kandidatët e papërshtatshëm për trashëgimtarët politikë ka filluar pas vitit 1973. Kështu, periudha 1973-1983 është me të vërtetë një periudhë tejet e përgjakshme në historinë e PPSH-së, viktimë e së cilës janë shumë udhëheqës të partisë dhe shtetit komunist. Jo se më përpara nuk ka pasur periudha të përgjakshme në historinë e kësaj partie, por është me rëndësi të thuhet se në periudhat e mëparshme nuk ka qenë shtruar si këtë herë çështja e trashëgimisë së pushtetit nga Hoxha te një person tjetër.

    Eliminimet

    Hoxha kishte pushkatuar ministrin e Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe. Pas më shumë se 30 vjetëve i erdhi radha Mehmet Shehu, Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut. Pra, në plumb ishin shkuar plot katër ministra të Brendshëm. Por kronologjia e eliminimeve të ministrave ishte e tillë që në vitin 1975 u pushkatua ministri i Mbrojtjes Popullore dhe zëvendëskryeministri Beqir Balluku. Pas tij, u pushkatuan ish-zëvendëskryeministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi. Nga eliminimet e udhëheqësve të lartë të partisë mund të përmendet pushkatimi i Liri Gegës dhe i bashkëshortit të saj, Dali Ndreu. Lufta për “zbulimin e grupeve armiqësore” pas tetorit 1973, s’do të ishte gjë tjetër veçse një luftë që i shërbente dobësimit të klaneve më të fuqishme para se të arrihej te prerja e kokave të mëdha. Kështu, Plenumi i 5-të i KQ të PPSH-së (25-26 korrik 1974) dënoi veprimtarinë e Beqir Ballukut dhe e përjashtoi atë nga Komiteti Qendror e partia dhe e shkarkoi nga të gjitha funksionet shtetërore që ai mbante. Pas pak më shumë se një muaj, radhën do ta kishte në mbledhjen e Byrosë Politike të 10 tetorit 1974, Petrit Dume e Hito Çako. Shumë shpejt ata u arrestuan, u “gjykuan” dhe u pushkatuan. Ndërsa përfundimet i bëri Plenumi i 6-të i KQ të PPSH-së, i cili i zhvilloi punimet më 16-17 dhjetor 1974. Këtu Enver Hoxha mbajti fjalën kryesore: “Mbi përfundimet e diskutimit që u zhvillua në parti rreth veprimtarisë së Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos etj”. Edhe në fushën ekonomike, Enver Hoxha ndoqi të njëjtën taktikë eliminimi me kuadrot kryesorë. Plenumi i 7-të i KQ të PPSH-së që u mbajt më 26-29 maj 1975, përjashtoi nga partia dhe i shkarkoi nga funksionet shtetërore Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin. Në tetor të po këtij viti, Plenumi i 8-të bëri të njëjtën gjë edhe me Kiço Ngjelën e Vasil Katin. Të parët u pushkatuan, ndërsa dy të tjerët vuajtën gjatë në burgjet e diktaturës. Që atëherë, Mehmeti kuptoi se me veprimet e fundit ndaj Këllezit, Theodhosit dhe Ngjelës po i vinte radha atij vetë.

    Të dhëna

    Të ekzekutuar
    5037 burra 450 gra

    Të dënuar politikë
    26788 burra 7367 gra

    Të vdekur në burgje
    988 burra 7 gra

    Të dënuar të huaj
    1215 burra 38 gra

    Funksionarë të ekzekutuar

    Koçi Xoxe
    U ekzekutua më 10 korrik 1949, duke e akuzuar si agjent të jugosllavëve

    Liri Gega
    U arrestua në vitin 1956 dhe u ekzekutua një vit më vonë më akuzën si antikomuniste

    Dali Ndreu
    U arrestua në vitin 1956, me akuzën si antikomunist

    Teme Sejko
    U arrestua dhe u ekzekutua në vitin 1970

    Beqir Balluku
    U arrestua në vitin 1974 dhe u ekzekutua në vitin 1975, duke e akuzuar se doli kundërshtar i vijës së partisë

    Petrit Dume
    U arrestua më 1974-ën dhe u ekzekutua më 1975-ën, me akuzën si anëtar i grupit puçist

    Hito Çako
    U arrestua më 1974 dhe u ekzekutua më 1975, si anëtar i grupit ekonomik

    Abdyl Këllezi
    U arrestua në vitin 1975 dhe ekzekutua në vitin 1976, nën akuzën absurde të “grupit armiqësor në ekonomi”

    Koço Theodhosi
    U arrestua në vitin 1975 dhe ekzekutua në vitin 1976, nën akuzën absurde të “grupit armiqësor në ekonomi”

    Kadri Hazbiu
    I arrestuar më 15 tetor 1982 i ekzekutuar në vitin 13 shtator 1983, me akuzën si bashkëpunëtor dhe krahu i djathtë i Mehmet Shehut, që të dy gjoja kishin drejtuar “organizatën kundërrevolucionare” për të rrëzuar vendimet e partisë dhe për sjellë kapitalizmin në Shqipëri

    Feçor Shehu
    I ekzekutuar në vitin 1982 me akuzën si agjent i zbulimit amerikan, në kohën kur ishte kryetari i Degës së Brendshme në Korçë

    Llambi Ziçishti
    I ekzekutuar në vitin 1982, me akuzën se gjoja bënte pjesë në “organizatën kundërrevolucionare” të drejtuar nga “Mehmet Shehu”.


    Tirana Observer
    9 dhjetor 2005

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17
    Xhelatët e ekzekutuan me plumb, së bashku me zëvendësin e tij, Feçor Shehun

    Ekzekutimi monstruoz i Kadri Hazbiut


    Sonila Yzeiri

    Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe si autor i një tentative për të eliminuar Enver Hoxhën, Hazbiu dënohet me vdekje dhe ekzekutohet më 10 shtator të vitit 1983. Për gati 12 vjet, eshtrat e tij nuk diheshin se ku ishin. Vetëm pas ndërrimit të sistemeve, familjarët e tij nisën kërkimet dhe pas pesë vjet pune investigative arrijnë të zbulojnë më 4 nëntor të vitit 1995, në afërsi të Selitës, eshtrat e njeriut të tyre të dashur, në një varr me ato të ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Feçor Shehu. Kadri Hazbiun e kishin ekzekutuar me plumb në kokë, e veçantë kjo nga ekzekutimet e tjera. Madje, xhelatët kishin hapur mbi të zjarr nga një distancë fare e afërt. Dëshmitarët kanë treguar se mbrëmjen e 10 shtatorit, Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun i kishin hipur në një “Gaz 51”. Prapa nuk kishte makinë tjetër me ushtarë, pra skuadër pushkatimi. Ekzekutimin e ka bërë një grup fare i vogël njerëzish, përcaktuar në urdhrin e ministrit Hekuran Isaj. Edhe prokurori i çështjes, që jeton aktualisht, ka dijeni të plotë për ekzekutimin monstruoz. Për Hazbiun janë kursyer plumbat, mbi të është qëlluar vetëm një herë pas koke.

    Historia, nga arrestimi në ekzekutim

    Mbas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, që ndërkohë mbante postin e ministrit të Mbrojtjes, iu kërkua llogari për ngjarjet e ndodhura në Ministrinë e Brendshme. Fiqiret Shehu, e shoqja e Mehmetit, në rrethana tepër të dyshimta, presioni psikologjik dhe dhune fizike, kishte implikuar në “veprimtari agjenturore” edhe Kadri Hazbiun. Në këtë veprimtari e kishin implikuar edhe ish-bashkëpunëtorë të afërt të Hazbiut. Rrethi vicioz për Hazbiun u mbyll akoma më tepër me ardhjen në Shqipëri të bandës së Xhevdet Mustafës. Pjesëtar i kësaj bande ishte edhe Halit Bajrami, ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit që implikoi, me orientim nga hetuesia dhe “ustallarët” më lart, edhe Kadri Hazbiun si anëtar të “organizatës terroriste” për të vrarë Enver Hoxhën. Ramiz Alia, në librin e tij “Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, thotë se “Halit Bajrami ishte njeri i sigurimit”. Megjithatë, Alia, duke qenë njeri i pasinqertë, nuk tregon se si u eliminua Kadri Hazbiu dhe çfarë roli luajti Halit Bajrami në këtë proces të turpshëm. Alia duhet të tregojë se si me dijeninë e tij u bë e mundur që Halit Bajrami, megjithëse u dënua nga gjykatat shqiptare, u dërgua në Zelandën e Re. Ky mund të jetë edhe kurthi për t’i hapur rrugën Ramiz Alisë për të ardhur në pushtet. Kadri Hazbiu, në autokritikën e tij që bën para Enver Hoxhës shprehet: “...Unë kam bërë gabime nga mungesa e vigjilencës, nga familjariteti ose nga mirëbesimi e dashamirësia…. Në gjithë luftën që ka bërë partia jonë vazhdimisht me armiq të egër, të jashtëm e të brendshëm, të gjitha komplotet më të rrezikshme, në të gjitha kohët, janë zbuluar e goditur nga partia dhe shoku Enver. Kjo mungesë në punën e këtyre organeve, përbën një dobësi të pafalshme për to, dhe unë jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që bie mbi mua edhe në këtë çështje…. Unë nuk kam siguruar gjithnjë dhe në nivelin e duhur kuptimin e orientimeve të partisë dhe mbi këtë bazë, të bëhej edukimi i njerëzve nga të cilët kërkohej zbatimi i vijës dhe normave të vendosura nga partia…”.

    Arrestimi i Hazbiut

    Kadri Hazbiut iu vunë prangat. Nuk mund të mendohej ndryshe, pasi Hoxha e kishte në mendje planin për të vazhduar diskreditimin e Mehmet Shehut, ish-numrit një të shtetit shqiptar. Mehmeti gëzonte respekt dhe kishte përkrahës të shumtë, të cilët nuk e kapërdinin dot atë që serviri Enver Hoxha: “Vrau veten nga një krizë nervore…”. Në këtë kohë, shumë njerëz e ndienin që ajo që thuhej nuk ishte e vërtetë, por pak guxuan ta thonë hapur se diheshin pasojat. Sigurimi i Shtetit mori detyrë, ashtu si edhe në rastin kur u ekzekutua Beqir Balluku, të mbante situatën në kontroll dhe të raportonte se si reagonin njerëzit ndaj këtij veprimi. Dihet që kishte pasur reagime, e këto i shkonin në vesh Enver Hoxhës. Edhe në rastin e Mehmet Shehut, Hoxha kishte urdhëruar të njëjtën gjë. U pa se duhej nxituar në “pjelljen” e një alibie tjetër, atë të poliagjentit, por që të thuhej kjo, duhej të kishte disa bashkëpunëtorë të tij. Ata “u gjetën” dhe sipas Enver Hoxhës, një prej tyre ishte Kadri Hazbiu. Kombinacioni do të thurej hap pas hapi. Në fillin u arrestuan familjarët e Mehmet Shehut që ishin të internuar në Belsh të Elbasanit, më pas drejtues të Ministrisë së Brendshme, e më kryesori, Kadri Hazbiu. Pas andrallave në mbledhjen e KQ të PPSH-së, më 8 tetor të vitit 1982 dhe shkarkimit nga detyra të Hazbiut, nisi dhe kalvari i tij i gjatë, arrestimi, torturat në hetuesi, dëshmitarë falsë dhe të gënjeshtërt.

    Akuza për ish-ministrin

    Prokurori i përgjithshëm, Rapi Mino, formuloi një akuzë të gjatë për ish-ministrin. Thelbi i akuzës ishte gjoja veprimtaria kundërrevolucionare që drejtohej nga “poliagjenti” Mehmet Shehu. Alibia e Hoxhës mbështetej bukur nga prokurori i përgjithshëm dhe bashkëpunëtorët e tij. Mino lexonte akuzën: “Kjo organizatë përbëhej nga armiq të betuar të partisë, që kishin për qëllim të eliminonin dhe rrëzonin pushtetin popullor e të vendosnin kapitalizmin në Shqipëri. Organizata e kishte shtrirë veprimtarinë e saj në të gjithë sektorët kyç të vendit, ekonomi, ushtri, kulturë dhe sigurimin e shtetit. Të gjitha grupet që kishin dalë dhe ishin gjykuar si ai i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës në kulturë, Beqir Ballukut e Petrit Dumes në ushtri, Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit në ekonomi, ishin drejtuar nga një dorë e vetme, që ishte organizata kundërrevolucionare, e kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu me bashkëpunëtorët e tij kryesorë Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi e të tjerë…. Kjo organizatë drejtohej nga zbulimet e huaja, sidomos nga ai amerikan, sovjetik e jugosllav, agjentë të të cilëve kanë qenë pjesëtarët e kësaj organizate…”. Megjithatë, të gjitha sa thuheshin në akuzën që e lexoi prokurori i përgjithshëm, Rrapi Mino, nuk ishin përpiluar prej tij dhe kjo dihej përse. Ata që nuk dinin më shumë se kaq sa thuhej ishin të bindur për ekzistencën e “organizatës kundërrevolucionare”, por njerëz, të cilët kishin punuar si drejtues të Ministrisë së Brendshme e kishin fare të qartë se gjithçka që servirej ishte e gënjeshtërt. Hoxha dhe përkrahësit e tij besnikë, servilë e të paaftë, kërkonin ta mbështesnin akuzën me dëshmitarë. Këtu nis dhe odiseja e gjatë e procesit gjyqësor të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut.


    Tirana Observer
    10 dhjetor 2005

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,456
    Postimet në Bllog
    17
    Ish-ministri i Brendshëm ishte ekzekutuar shtatorin e vitit 1983 në afërsi të Saukut

    Pas 12 vjetësh u gjet kufoma e Feçor Shehut

    Sonila Yzeiri

    Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe pjesëtar i “grupit armiqësor të Mehmet Shehut” dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në 10 shtator të vitit 1983 Feçor Shehu. Të njëjtin fat me Kadri Hazbiun pati edhe pasardhësi i tij në Ministrinë e Brendshme. Për gati 12 vjet, eshtrat e tij nuk diheshin se ku ishin. Vetëm pas ndërrimit të sistemeve, familjarët e tij nisën kërkimet dhe pas pesë vjet pune investigative arrin të zbulojë në 4 nëntor të vitit 1995 në afërsi të Selitës, eshtrat të cilat ishin në një varr të përbashkët me Kadri Hazbiun. Edhe Feçor Shehu kishte të njëjtat shenja me ato të Kadri Hazbiut që tregonin se e kishin ekzekutuar me plumb në kokë, e veçantë kjo nga ekzekutimet e tjera. Madje, xhelatët kishin hapur mbi të zjarr nga distancë fare e afërt. Dëshmitarët kanë treguar se mbrëmjen e 10 shtatorit Feçor Shehun dhe Kadri Hazbiun i kishin hipur në një “Gaz 51”. Prapa nuk kishte makinë tjetër me ushtarë, pra skuadër pushkatimi. Ekzekutimin e ka bërë një grup fare i vogël njerëzish përcaktuar në urdhrin e ministrit Hekuran Isaj. Edhe prokurori i çështjes, që jeton aktualisht ka dijeni të plotë për ekzekutimin monstruoz. Për Feçor Sheun janë kursyer plumbat, mbi të është qëlluar vetëm një herë pas koke.

    “Detyrat” e Feçor Shehut

    Feçor Shehu kishte trasmetuar një urdhër nga lart për transferimin e familjes së Mehmet Shehut nga vila në Bllok dhe vendosjen e saj në vilën e Partisë Nr. 3 në Rrugën e Elbasanit. Të merren masat për sigurinë e tyre. Dega e Veçantë, Drejtoria e Tiranës dhe Dega e Pestë të vendosin masa sigurimi rreth vilës, duke vendosur roje të policisë, si dhe një skuadër nga të survejimit. Po atë pasdite u vendos në vilë Fiqret Shehu, djemtë Landi, Bashkimi, së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre, pritej të vinte dhe Skënderi nga Suedia, të cilin e shoqëronte Gani Kodra. Feçor Shehu ishte i shqetësuar për mbërritjen e Skënderit, disa herë kishte marrë në telefon ambasadën tonë në Greqi, si dhe postbllokun në Kapshticë. Në mbrëmje mbërriti Skënderi, i shoqëruar nga Gani Kodra. Gruaja e Vladimirit ishte shtatzënë dhe në darkë ajo u shtrua në maternitet, ku lindi vajzë. Në të njëjtën shtëpi, një vdekje dhe një lindje. Por kjo lindje nuk solli ndonjë gëzim, se hidhërimi dhe gjëma e kishin mbuluar këtë shtëpi me petkun e zi të një tragjedi të madhe.
    Të nesërmen, më datë 19.12.1981, Feçor Shehu iu thotë vartësve se Kadri Hazbiu ishte ngarkuar nga udhëheqja e partisë për të ndihmuar organet e Ministrisë së Brendshme në këtë situatë.
    Në të vërtetë, siç tregoi koha qëllimi i E. Hoxhës për dërgimin e Hazbiut ishte tjetër. Në zyrën e ministrit ishte edhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit, Gëzim Hila. Sipas vendimit të KQ të Partisë direkt të R. Alisë, familja e Mehmetit duhej të largohej nga Tirana brenda ditës. U tha se me përjashtim të djalit të madh, Vladimirit, që me porosi të E. Hoxhës gjoja u distancua, u la të qëndronte në Tiranë, pjesa tjetër do të degdisej në Belsh të Elbasanit. Nga aparati i K.Q ishte njoftuar Komiteti Ekzekutiv në Elbasan dhe Komiteti i Partisë dhe shtëpia ishte gjetur prej tyre. Duhej të krijohej një postë policie, që do të merrej skuadra e survejimit të Elbasanit dhe do të emërohej një punëtor operativ vetëm për sigurimin e tyre se mos arratiseshin apo i rrëmbente dikush nga zbulimet e huaja.
    Familja e M. Shehut do të vendosej në godinën në qendër të Belshit, në katin e parë, në një dhomë e kuzhinë. Duke qenë se u veprua shpejt për largimin e kësaj familje nga Tirana, sipas urdhrit të K.Q të PPSH-së, nuk u vendosën dot mjetet e përgjimit në ndërtesë, sipas planit. Në këtë ndërtesë u vendosën Fiqret Shehu, Skënderi dhe Bashkimi gruaja e Bashkimit, Marjeta, dhe dy fëmijët e tyre. Ndërtesa ishte krejt bosh, nuk kishte asnjë orendi. Fiqretja me fëmijët nuk kishin asnjë shtresë vetëm disa sende personale veshmbathje dhe këto të kufizuara. Krevate, dyshek e batanije për ta u morën në spitalin e Belshit. Nuk kishin mundësi të gatuanin dhe hanin bukë në restorantin e Belshit, nën shikimin kureshtar të banorëve dhe vëzhgimin e survejuesëve. Ata nuk kishin as të holla të mjaftueshme për të përballuar gjendjen. Fiqreti kishte vetëm 70.000 lekë të vjetra që i mbante në një çantë të cilën e merrte me vete ngado që shkonte. Mbi 30.000 lekë të vjetra i pagoi për disa mungesa në Shtëpinë e Pritjes. Ajo i likuidoi me njëherë këto fatura të Shtëpisë së Pritjes. Për të përballuar disi jetesën, Skënderi dhe Bashkimi u sistemuan me punë në S.M.T që ishte afër qendrës së Belshit. Pas këtyre situatave vijnë arrestimet e familjarëve të Mehmet Shehut dhe po ashtu pak kohë më pas edhe ai i Kadri Hazbiut e Feçor Shehut.

    Gjyqi i Feçor Shehut

    Nuk pranoj asgjë nga akuzat që më bëhen. Janë bërë të gjitha tentativat nga grupi hetues, deri në torturat më çnjerëzore që unë të pranoj gjëra të shpifura dhe të paqena, të cilat i kam hedhur dhe i hedh poshtë me neveri, pasi janë të bëra me qëllime të caktuara. Qëndrimi i Feçorit gjatë gjithë seancave të gjyqit ka qenë burrëror. Akuzat e bëra nga trupi gjykues dhe nga dëshmitarët që ishin përgatitur nga hetuesia, ai i hodhi poshtë me fakte bindëse. Edhe kur Aranit Çela, kryetari i Gjykatës së lartë i tha se në vitin 1948, ndërsa kishte qenë kryetari i Degës së Brendshme në Korçë, dhe se gjoja ishte rekrutuar nga zbulimi amerikan, dhe se për këtë gjoja ekzistonin dhe fakte të dokumentuara, ku “figuronte” dhe emri i pseudonimit të tij, Feçor Shehu u përgjigj pa nguruar aspak. “Mua më dhanë në hetuesi këtë dokument, i cili ishte përkthyer nga anglishtja në shqip dhe ku thuhet se jam agjent i zbulimit amerikan me pseudonim përkatës. Kjo nuk është e vërtetë”, dhe e hodhi poshtë si një shpifje dhe si një dokument të sajuar me mjeshtëri. Këtë dokument ia kishin dhënë në hetuesi për ta lexuar. Përmbajtja e tij ishte me shumë rëndësi, për faktin se fliste me hollësi për aktivitetin e zbulimit amerikan në Shqipëri, duke përmendur ndër të tjera edhe emrin e Mehmet Shehut me pseudonimin, si dhe pseudonimin e kryetarit të degës së Korçës, që atë kohë ishte Feçor Shehu. Në fund të dokumentit shënohej emri i personit që e kishte përkthyer nga anglishtja në shqip. Gjithashtu, thuhet në fund shkruhej se ky dokument ndodhej pranë arkivit të Komitetit Qendror të Partisë. Rënia në dorën e zbulimit tonë të një dokumenti të tillë me kaq rëndësi ishte pothuajse i pamundur, për faktin se zbulimi ynë ishte shumë i varfër në informacion, saqë dhe emigracionin tonë që ishte në vende të ndryshme, nuk e njihte në brendësi siç duhej. Nga ana tjetër, lind dyshimi se përse nuk u veprua menjëherë porsa ra në dorë ky dokument, por e lanë për ta thënë kur u arrestuar Kadri Hazbiu. Mund të ishte edhe varianti tjetër, që kjo të ishte lojë e zbulimit të huaj, për t’i hapur rrugën eliminimit të kuadrove, që ishte në plan për t’u ekzekutuar.
    Prokurori e akuzonte se kishte shkelur vijën e partisë, pasi sipas përfaqësuesit të akuzës, kishte bërë shumë arrestime në popull. “Unë akuzohem se kam shkelur vijën e partisë, se kam bërë arrestime në masë, kurse Byroja Politike në analizën që i bëri punës së sigurimit kohët e fundit, më kritikoi dhe më dha vërejtje të rënda për faktin se nuk është punuar mirë nga organet e sigurimit, pasi nuk kam bërë sa duhet arrestime. Atëherë ke të marrim për bazë, akuzën që më bëni ju apo të Byrosë Politike që është organi më i lartë dhe që e hedh poshtë akuzën tuaj”, është shprehur Feçor Shehu në gjyq. Duke parë se edhe Feçor Shehu nuk pranoi asnjë akuzë, dhe i kundërshtonte këto të fundit me fakte, trupi gjykues i mbylli pyetjet ndaj tij. Më pas ai u ekzekutua.


    Tirana Observer
    11 dhjetor 2005

  5. #5
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    14-11-2007
    Vendndodhja
    ne kabul tu bo plazh
    Postime
    784
    te gjith keta qe jan ekzekutuar e meritonin ndoshta jo ne ate menyr por e meritonin se kushedi si te tjer kan ekzekutuar ata vete .respekte

  6. #6
    alpha dominant Maska e D@mian
    Anëtarësuar
    20-09-2005
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    1,170
    Pushkatimet në diktaturën komuniste/Ministria e Brendshme, sekret emrat e ekzekutorëve

    [B]

    Sonila Yzeiri

    Më shumë se 1500 ekzekutime janë realizuar në diktaturë.
    Për 46 vjet u eliminuan plot 5487 vetë nga të cilët dhe shumë ish-komunistë

    Xhelatët, si i kryenin ekzekutimet

    Sonila Yzeiri

    Ekzekutimet e sistemit të kaluar flasin qartë për gjenocid. Plot 5487 vetë janë dënuar me vdekje dhe xhelatët “ritmikisht” gjendeshin përballë viktimave të tyre, të cilëve duhej t’u jepnin një plumb kokës.

    Cili eshte numri i sakte?
    Dhe e di Sonila c'do te thote fjala 'gjenocid', apo futja t'ia fusim?!
    FLUCTUAT NEC MERGITUR

Tema të Ngjashme

  1. Presidenti dekoron viktimat punonjes te SHISH vrare ne Vlore ne 1997
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 91
    Postimi i Fundit: 14-06-2013, 10:35
  2. Kush ishin ballistët?
    Nga Tepelenas_nr_1 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 132
    Postimi i Fundit: 09-12-2006, 10:52
  3. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  4. Enveri, 100 mijë USD në vit partive komuniste të Botës.
    Nga BlueBaron në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-11-2004, 10:36
  5. Abaz Ermenji
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 14:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •