E mitura vodhi, pranoi fajin dhe u la e lirë
Policia, për arsye të moshës, nuk ka si të veprojë me Rudina K. Agjentët antikrim vetëm sa kanë shënuar në procesverbalet e tyre vjedhjen e saj të radhës

Florenc Bakillari

Tiranë - Edhe pse sapo ka mbushur të 13-at, konsiderohet nga policia si një nga vjedhëset më të specializuara në Tiranë. Rudina K., autore e disa dhjetëra vjedhjeve, është ndaluar sërish nga policia pasi dyshohet si autorja e grabitjes së katër banesave.
Vjedhja e radhës
Vogëlushja me flokë të verdhë dhe sy të kaltër, që prej dy vjetësh shënohet rëndom në statistikat e policisë sepse dyshohet të jetë autore e tre vjedhjeve të tjera. Këtë herë Rudina ka zbritur në Kavajë për të vizituar shtëpitë e pushimit apo çadra e pushuesve në bregdet. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë pohuan se nga uniformat blu të Kavajës u ndalua Rudina K., 13 vjeç, banuese në Bathore. E mitura, e cila ka disa dhjetëra precedentë penalë, dyshohet se ka vjedhur banesat e tre shtetasve, në të cilat ka marrë shumën e parave prej 10 000 lekësh, 50 euro dhe një celular tip “LG”, 32 000 lekë dhe disa bizhuteri floriri. Të njëjtat burime sqaruan se vogëlushja, gjatë sezonit të verës braktis Tiranën, ku është mjaft e njohur për vjedhjet spektakolare që ka kryer dhe vendoset në qytetet të tjera kryesisht në bregdet. Ajo para disa ditësh ka qenë në Plazhin e Golemit, ku nuk ka ngurruar të “kontrollojë në xhepat” e tre pushuesve nga Tirana. Për Rudinën nuk ka shumë rëndësi shuma që vjedhur, mjafton që të plotësojë kërkesën për ushqim. Por, gjuetia e fundit në plazh nuk ka qenë fort e keqe për 13-vjeçaren. Plot 42 mijë lekë, 50 euro dhe disa varëse floriri i kanë mjaftuar vogëlushes të kalojë disa ditë pushimi. Sipas burimeve nga policia, autorja e tre vjedhjeve është zbuluar nga gjurmët që ka lënë në vendngjarje.
Dëshmitarët
Uniformat blu kanë nisur hetimet dhe nga pyetja e dëshmitarëve okularë mësoi se ishte para aty afër një vajzë e vogël, e cila më pas ishte zhdukur. Ata kanë dhënë edhe disa karakteristika të së miturës, flokët biondë dhe sytë e kaltër. Menjëherë agjentët antikrim kanë hedhur dyshimin mbi Rudinën, e cila së bashku me Saleo Stojanin, tashmë në burg për vjedhje dhe 10-vjeçarin Marglen C. nga Tirana, janë autorë të qindra vjedhjeve në Tiranë dhe disa qytete të tjera. Policia, pasi ka marrë deklarimet e vogëlushes, e cila gjithmonë pranon fajin, e ka lanë atë të lirë. Vajza është rikthyer përsëri rrugës për të kryer një vjedhje tjetër, ndërsa policia do të shënojë në raport një vepër penale më shumë, derisa vogëlushja Rudina të mbushë 15 vjeç, kur dhe mund të dënohet për vjedhjet që ka kryer.