Zbardhen dokumente sekrete të ushtrisë jugosllave për spastrimet etnike në krahinën shqiptare të Kosovës

Sigurimi Shqiptar vodhi nga serbët planin kundër Kosovës

Kush ishte Çubrilloviç, ideatori i serbëzimit të Kosovës. Skema 100-vjeçare dhe letra e Stalinit në 1925

Ramadan Ilnica / Qemal Biraku


Materiali që gazeta “Panorama” nis të botojë, është përgatitur nga shërbimet sekrete shqiptare gjatë një periudhe kohore, që nis në fund të viteve ´70-të dhe ka përfunduar në fillimet e viteve ´80-të, atëherë kur edhe populli i Kosovës u hodh në demonstrata masive, duke kërkuar më shumë pavarësi. I gjithë ky material i referohet një dosjeje sekrete që agjentë të Sigurimit të Shtetit shqiptar kanë mundur të vjedhin nga kasafortat sekrete të Divizionit 11, në ushtrinë e Jugosllavisë të asaj kohe. Dosja “Kosova”, e përpunuar nga struktura të specializuara të shërbimeve sekrete shqiptare, ka qenë e porositur nga Byroja Politike me interesim personal të Enver Hoxhës, pak vite përpara se ai të vdiste. Në pjesën e parë (gjithmonë duke iu referuar dokumenteve sekrete të ushtrisë jugosllave), jepet një biografi e hollësishme e akademikut famëkeq serb Vaso Çubrilloviç, i cili është dekoruar në vitin 1976 për planin e tij të detajuar se si do të serbizohej me kolonë krahina e Kosovës, duke përdorur jo vetëm dëbimet masive, por edhe zhdukjet fizike të mijëra shqiptarëve që jetojnë aty. Plani hyri në veprim që atëherë. Të dhënat janë marrë edhe nga referati i V.Çubrilloviçit “Shpërngulja e arnautëve”. Ndërkohë në këtë dosje gjenden mjaft fakte interesante të pabotuara, se si Serbia që në fillim të shekullit të kaluar ka pasur një skemë të qartë në veprim për zbrazjen e tokave shqiptare të Kosovës dhe më gjerë të autoktonëve. Interesante janë faktet për rolin e Partisë Komuniste Jugosllave që në themelim dhe më pas pro kësaj strategjie. Letra e Stalinit drejtuar kësaj partie në vitin 1925, ku kërkohet që Kosova të ketë të drejtën e vetëvendosjes. Masakrat e 100 viteve të fundit dhe si divizionet partizane jugosllavë vranë dhe masakruan popullsinë shqiptare aty…

Periudha 36-vjeçare (1876-1912)

Në vitin 1877, Vilajeti i Kosovës kishte 760 mijë banorë dhe në këtë kohë ky vilajet përfshinte përveç territorit të Kosovës së sotme edhe Shkupin, Tetovën, Novipazarin, Senicën, Toplicën, Kurshumlinë, Prekuplen, Leskocin dhe Vranjën. Kurse në vitet 1912-1913, numëronte 497 mijë banorë, në të njëjtin territor si në vitin 1877, përjashtuar krahinat e pushtuara në këtë kohë nga Serbia. Nga të gjitha burimet del se 3/4 e popullsisë së Kosovës ishte shqiptare. Shqiptarët në këtë kohë krahas luftës mundër pushtuesve turq, luftonin për t´u mbrojtur nga rreziku i pushtimit të ri prej shtetit serb, i cili vepronte aktivisht për t´i dëbuar me dhunë nga territoret e tyre dhjetëra mijë shqiptarë të zonave në kufirin me Serbinë e Malin e Zi. Në këtë kohë, Serbia pushtoi zona të tëra shqiptare si Toplicën, Vranjën, Kurshumlinë, Prekuplen dhe Leskocin, ndërsa Mali i Zi, Ulqinin dhe të tjerë. Më 1877, mbi 30 mijë shqiptarë u dëbuan nga Toplica e Klisura. Vetëm prej 81 fshatrave nga Toplica e Kosanica janë shpërngulur rreth 1867 familje shqiptare. Në vitet 1876-1878, nga Prekupla e Kurshumlia, ku 50 për qind e popullsisë ishte shqiptare, u dënuan rreth 20 mijë banorë shqiptarë. Sipas të dhënave turke, austriake, serbe e frënge, në thellësi të Vilajetit të Kosovës e të Shkodrës u vendosën rreth 300 mijë shqiptarë, të shpërngulur si rezultat i pushtimit të krahinave të sipërme nga Serbia e Mali i Zi. Vrasjet e dëbimi masiv nga ushtria serbo-malazeze i popullsisë vendase shqiptare, krijoi një shqetësim dhe alarm të madh, jo vetëm në krahinat shqiptare në kufi me Serbinë e Malin e Zi, por edhe në të gjithë vendin. Kundër kësaj politike shoviniste lindi dhe u zhvillua një lëvizje e fuqishme popullore për vetëmbrojtje, e cila kishte për qëllim t´i dilte mbrojtjes së atdheut nga copëtimi dhe robëria e re. Në këtë kohë u krijua edhe Lidhja Shqiptare në Prizren.

Periudha 24-vjeçare (1913-1937)

Gjatë viteve 1913-1937 (përjashtuar vitet e Luftës së Parë Botërore), Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, u pushtuan nga shteti jugosllav. Gjatë kësaj kohe, regjimi shovinist i borgjezisë serbomadhe përdori të gjitha mjetet politike, ekonomike, ideologjike dhe ushtarake për shkombëtarizimin, sllavizimin e plotë të territoreve shqiptare të aneksuara.

Shkombëtarizimi nëpërmjet zhdukjes fizike

Dokumentet që disponon Arkivi i Shtetit shqiptar (fondi i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës), dëshmojnë se gjatë viteve 1913-1927 në Kosovë dhe në vise të tjera të ish- Jugosllavisë janë vrarë 207 mijë e 448 shqiptarë. Vetëm në Kosovë, gjatë viteve 1913-1927, janë burgosur 22 mijë e 110 shqiptarë. Po ashtu në këto vite janë zhdukur plotësisht 57 fshatra, djegur 6050 shtëpi dhe janë plaçkitur 10 mijë e 526 familje. Për mungesë të dhënash këtu nuk përfshihen zhdukjet fizike që janë bërë në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi gjatë viteve 1927-1937.

Shkombëtarizimi nëpërmjet reformës agrare kolonizuese

Borgjezia serbomadhe, përveç mjeteve të dhunës, në luftën për shkombëtarizimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, përdori edhe mjete të tjera ekonomike dhe kryesisht reformën agrare kolonizuese. Në bazë të dokumenteve arkivorë dhe të disa të dhënave, që japin disa studiues kosovarë, u vendosën në Kosovë në periudhën mes dy luftërave botërore rreth 58 mijë e 714 kolonë serbë e malazezë. Vetëm deri në vitin 1937 në Kosovë u vendosën 16 mijë e 622 familje kolonësh serbë dhe malazezë dhe po kështu 2 mijë familje të tjera kolonësh serbo-malazezë u vendosën në viset shqiptare të Maqedonisë. Në bazë të hartës së kolonizimit, deri në vitin 1937 në Kosovë u ngritën rreth 374 fshatra kolonësh. Sipas raportit të drejtoratit të Lartë të Reformës Agrare jugosllave, gjatë viteve 1920-1940 vetëm në disa rrethe të Kosovës e Maqedonisë u janë marrë shqiptarëve dhe u janë dhënë kolonëve serbo-malazezë mijëra hektarë tokë. Shkombëtarizimi nëpërmjet shpërnguljes është një tjetër metodë e përdorur nga serbët. Kështu, për shkak të dhunës së egër për shfarosjen dhe masakrimin e shqiptarëve, grabitjes masive të tokës dhe përdorimit të mjeteve të tjera të detyrimit, gjatë viteve 1913-1937 u shpërngulën nga trojet e veta një masë e madhe e popullsisë shqiptare që jetonte në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në vitet 1937-1941, për shkak të intensifikimit të propagandës nga politikanët e regjimit, aparati shtetëror serbomadh vuri në zbatim masa të shumëllojshme për të shpejtuar kolonizimin dhe sllavizimin e krahinave shqiptare në Jugosllavi. Si rrjedhim, në këto vite qeveria jugosllave ndërmori bisedime me Turqinë për të shpërngulur vitet e ardhshme të paktën 400 mijë shqiptarë. Kjo u realizua nëpërmjet rritjes në një shkallë më të lartë të dhunës politike dhe të detyrimit ekonomik. U rrit ardhja e kolonëve dhe marrja e tokës shqiptare. Për realizimin e misionit të shpërnguljes së shqiptarëve u angazhua edhe ushtria. Në vitin 1938, komanda e zonës së armatës së tretë, në Shkup, propozonte: Lypset të përpiqemi që turmat e forta dhe komplekse të shqiptarëve të shpërngulen sa më shpejt, duke futur në mes tyre të paktën 50 për qind të popullsisë sonë (sllave). Për këtë, gjatë viteve 1939-1940, u kryen dy operacione terrori ndaj shqiptarëve, nën pretekstin e mbledhjes së armëve, vrasjeve dhe masakrimit të popullsisë shqiptare nga ushtria jugosllave në pragun e kapitullimit të Jugosllavisë (prill 1941). Të gjitha këto bënë që masa e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi të ngrihet në një shkallë më të lartë. Vetëm në këto vite u dëbuan nga trojet e tyre rreth 280 mijë shqiptarë të tjerë. Përfundimisht, gjatë periudhës 28-vjeçare (1913-1941) nga viset shqiptare në Jugosllavi u shpërngulën mbi 500 mijë shqiptarë. (220 mijë deri në vitin 1937 dhe 280 mijë në vitet 1937-1941). Nga të 500 mijë shqiptarët e shpërngulur gjatë kësaj periudhe, një pjesë janë vendosur në Shqipëri dhe pjesa tjetër, rreth 380 mijë, në Turqi. Përballë një politike të tillë shkombëtarizuese, popullsia e viseve shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia zhvilloi një qëndresë të fuqishme në forma të ndryshme, deri në luftë të armatosur. Janë të njohura kryengritjet e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e Dibrës në shtator të vitit 1913. Kryengritjet e Plavës, Gucisë e Rugovës më 1919, apo ajo e Rrafshit të Dukagjinit po në këtë vit, ku numri i kryengritësve shkonte në 10 mijë. Një tjetër kryengritje, ajo e Kosovës, do të shpërthente në vitin 1920, ku 12 mijë kryengritës luftonin kundër ushtrisë serbomadhe. Dokumente arkivorë hedhin dritë edhe mbi lëvizjen e çetave kryengritëse në vitet 1918-1927, sidomos në zonën e Drenicës. Sipas statistikave, që japin organet shtetërore jugosllave, gjatë viteve 1919-1927 janë vrarë rreth 4 mijë luftëtarë shqiptarë kryengritës.

Periudha katërvjeçare (1941-1944)

Edhe pas kapitullimit të Jugosllavisë monarkiste, në kushtet e pushtimit nazifashist, gjatë viteve të luftës, forcat ultranacionaliste serbomadhe të çetnikëve, të përbërë prej 40 mijë ushtarëve të ish-ushtrisë së kralëve, nën komandën e Drazho Mihajlloviçit, në mënyrë të vazhdueshme sulmonin Kosovën dhe vise të tjera shqiptare përreth, duke kryer vrasje e masakra në masë. Është e njohur tragjedia e Bihorit, në janar të vitit 1943, kur çetnikët shkretuan 52 fshatra, vranë 4 mijë banorë, grabitën 300 vajza dhe kërcënuan gjithë popullsinë shqiptare në Kosovë e vise të tjera, se në rast qëndrese për të mos pranuar sundimin serb do të pësonin të njëjtin fatkeqësi si popullsia e Bihorit dhe Novipazarit.

Letra e Stalinit në vitin 1925, Kosova deri në shkëputje

Rrjedhimisht, popullsisë shqiptare në Kosovë e viset përreth iu desh të bënte një luftë të shumëfishtë; si ndaj pushtuesve italianë dhe gjermanë ashtu dhe kundër forcave serbe të përfaqësuara nga çetnikët dhe ato bullgare të Borisit, që kryen krime të rënda kundër popullsisë shqiptare. Nga ana tjetër, grupi shovinist i Titos, me qëndrimet e tij, sabotoi luftën nacional-çlirimtare të popullsisë shqiptare. Në këtë drejtim është kuptimplotë vendimi shovinist i AVNOJ (Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar të Jugosllavisë), në nëntor të vitit 1943, në Jajc, i cili në kundërshtim me qëndrimin marksist-leninist ndaj çështjeve nacionale dhe orientimeve të dhëna nga KOMINTERNI në atë kohë, që proklamonin se të gjitha kombet e kombësitë në ish- Jugosllavinë monarkiste do të mbeteshin në kuadrin e kufijve të shtetit jugosllav të pasluftës, bile dhe pakica nacionale jugosllave të mbetura jashtë kufijve do t´i bashkoheshin Jugosllavisë së pasluftës. Josif Stalini, duke demaskuar pikëpamjet e qëndrimet nacional-shoviniste të udhëheqjes së Partisë Komuniste Jugosllave (Semiçit) në vitin 1925, shkruante se në programin e partisë, si bazë për zgjidhjen e çështjes nacionale duhet marrë parimi leninist i së drejtës së vetëvendosjes, deri në shkëputje, dhe jo kufijtë imperialistë të shtetit borgjez jugosllav të krijuar si rezultat i luftërave dhe dhunës (J. Stalin Vepra vëllimi 7, faqe 22). Kështu AVNOJ nuk e linte për t´u zgjidhur çështja e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në bazë të parimit leninist të vetëvendosjes deri në shkëputje, por e proklamonte zgjidhjen e saj duke e lënë Kosovën në kuadrin e Jugosllavisë së pasluftës. Theksojmë se në këtë mbledhje të AVNOJ-it, nuk merrte pjesë asnjë përfaqësues nga Kosova. Dihet se një muaj pas mbledhjes së dytë të AVNOJ-it (më 31 dhjetor 1943), në katundin Bujan, të Tropojës, Koferenca e Parë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, vendosën: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit janë krahina në të cilat banojnë në pjesën më të madhe popullsi shqiptare, e cila, si gjithmonë, edhe tash dëshiron me u bashkue me Shqipninë. Prandaj e ndjejmë për detyrë me u vu në dukje rrugën e drejtë të cilën, duhet të ndjekin populli shqiptarë me qëllim që t´i realizojë aspiratat e veta… pra dhe populli shqiptarë, do të ketë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e vetë me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje”. Ky vendim nga grupi titist aty, u konsiderua se bije në kundërshtim me vendimet e AVNOJ-it dhe me pikëpamjet e vijës politike të PKJ, lidhur me unitetin Jugosllavisë pas luftës...


Vaso Çubriloviqi

Kush është Vaso Çubrilloviçi: Karriera dhe vepra e tij

Dr.Vaso Çubrilloviç është lindur në vitin 1897. Që në vitin 1914 ka qenë anëtar i organizatës “Bosnja e Re”, një organizatë kjo nacionaliste serbe, që u ngarkua me përgjegjësi për atentatin ndaj trashëgimtarit të fronit mbretëror austriak në Sarajevë më 23 qershor 1914. Çubrilloviçi u diplomua në Universitetin e Beogradit, ku më pas mbrojti edhe doktoratën. Që nga viti 1930 ka qenë asistent profesor në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Më 7 mars të vitit 1937, ai përfundoi edhe studimin “Shpërngulja e arnautëve”, që më pas ia paraqiti klubit kultural serb, i cili e miratoi atë dhe e konsideron menjëherë platformën e borgjezisë serbomadhe për shkombëtarizimin, kolonizimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Pas Luftës së Dytë Botërore ishte ministër i Ekonomisë Pyjore dhe në dikastere të tjerë në qeverinë e RFJ. Vaso Çubrilloviçi njihet si politikan, historian dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Në vitin 1946, ishte profesor në Universitetin e Beogradit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Serbisë. Në vitin 1970, Çubrilloviçi drejtonte Institutin Ballkanologjik të Beogradit. Studimi “Shpërngulja e arnautëve” ruhet edhe sot e kësaj dite në arkivat serbe dhe në Institutin Ushtarako-Historik të shekullit XIX.

Fakte të reja marrë nga dokumente sekrete të arkivave për raprezaljet e serbëve në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore

Si i favorizoi Tito kosovarët të ikin në Perëndim

Mbijetesa duke lindur trefish më shumë se serbët

Nuk është e rastësishme që, gjatë viteve 1944-1966, u zhdukën nga terrori serb në Kosovë dhe në viset e saj 70 mijë shqiptarë, nga të cilët rreth 40 mijë u zhdukën në periudhën katërvjeçare ´44-´48. Mbi 30 mijë të tjerë u eliminuan gjatë viteve 1949-1966. Shembujt më tipikë të këtyre krimeve shfarosës janë pushkatimi i 17 mijë shqiptarëve në Tetovë, Gostivar, Tivar, Mitrovicë dhe Gjilan në vitet 1944-1945. Po kështu, nuk mund të harrohet masakrimi i më se 30 mijë shqiptarëve në Drenicë, gjatë vjeshtës dhe dimrit të vitit 1944-1945, apo mbytja me gaz helmues i 2 mijë djemve shqiptarë në Goricë. Serbët vijuan më pas me vrasjet dhe torturat çnjerëzore në vitet 1955-1957, që i maskuan nën të ashtuquajturin aksion për mbledhjen e armëve. Në këtë masakër famëkeqe u torturuan më shumë se 50 për qind e burrave të Kosovës. Ishin të njohur kampet e përqendrimit dhe burgjet famëkeqe titiste, ku gjetën vdekjen me mijëra shqiptarë si në: Nish, Mitrovicë, Otaku, Idrisava, Sremit, Stata, Sinja. Dhuna serbe ndaj popullit etnik të Kosovës e viseve të saj u shfaq edhe njëherë në shtypjen e demonstratave të vitit 1968 në Prishtinë, Tetovë, Gostivar. Përveç kësaj, janë ndjekur nga UDB me dosje përpunimi më shumë se 120 mijë shqiptarë.

Shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës në Turqi

Ashtu si edhe në kohën e kralëve edhe regjimi titist përtëriu reformën agrare kolonizuese, duke ua marrë tokat shqiptarëve dhe duke ua dhënë atë elementëve serbë e malazezë. Kjo bëri atë që përveç kolonëve të paraluftës, të vijnë kolonë të rinj. Vetëm gjatë viteve 1947-1960, në katër rrethe të Kosovës; Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e Ferizaj, u vendosën rreth 53 mijë kolonë serbë e malazezë. Po ashtu, në atë kohë u përtërinë të gjitha mënyrat e detyrimit për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Është e dokumentuar se mbi 50 për qind e elementit malazez, kroat dhe nga Bosnja, që jetojnë sot në Kosovë, kanë ardhur pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave të botuara në numrin 10 të revistës “Përparimi” të vitit 1971, vetëm gjatë tetë vjetëve 1953-1960 janë shpërngulur nga Kosova rreth 285 mijë shqiptarë. Shpërngulja për në Turqi ka vazhduar edhe më pas dhe nga të dhënat që japin botimet e bëra në ish-Jugosllavi del se pas Luftës së Dytë Botërore serbomëdhenjtë kanë shpërngulur me forcë për në Turqi rreth 400 mijë shqiptarë, nga të cilët 203 mijë vetëm në vitet 1955-1958.

Largimi i përkohshëm dhe i përhershëm në Evropë dhe Amerikë

Një tjetër dredhi e përdorur nga regjimi titist për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, ishte dhe largimi për punë në vendet Perëndimore. Vetëm nga Kosova, në vitin 1978, gjendeshin në Perëndim rreth 60 mijë punëtorë, midis tyre 1200 femra. Ndërsa nga viset shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi, largimet për punë jashtë shtetit janë edhe më të mëdha. Vetëm nga katër komuna; Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Ulqin, në vitin 1978 u larguan për punë në Evropë 17 mijë vetë. Veç largimit të përkohshëm rezulton se shumë kosovarë dhe shqiptarë të viseve të tjera etnike në Mal të Zi dhe Maqedoni, kanë shkuar dhe janë vendosur në Perëndim përgjithmonë. Nga të dhënat dokumentare del se nga viset shqiptare të Malit të Zi janë vendosur në Amerikë dhe Australi 15 mijë shqiptarë. Po ashtu statistikat jugosllave të vitit 1971 dëshmojnë se çdo vit jashtë krahinës së Kosovës emigrojnë 9 mijë shqiptarë. Në metodat serbe të shkombëtarizimit të Kosovës nuk mungonte edhe ajo e thithjes së shqiptarëve në thellësi të ish-Jugosllavisë. Dokumentet tregojnë se nga viti 1944 deri në vitin 1961 janë larguar në thellësi të Jugosllavisë rreth 79 mijë shqiptarë. Struktura kombëtare e kuadrit dhe e njerëzve të tjerë në marrëdhënie pune nuk i përgjigjej përbërjes kombëtare të Kosovës. Ndërsa shqiptarët përbënin 80 për qind të popullsisë numri i atyre që ishin në marrëdhënie pune ishte 59 për qind. Në sektorin shoqëror në Kosovë, ndërsa nga serbo-malazezët punonte një në çdo pesë vetë, nga shqiptarët punonte një në tetëmbëdhjetë vetë.

Ardhja në Shqipëri

Për shkak të mohimit të të drejtave nacionale shoqërore në fusha të ndryshme dhe ndjekjes dhe terrorit gjatë viteve 1944-1945 kanë ardhur në Shqipëri 130 familje dhe 3750 individë shqiptarë të Kosovës. Kjo vazhdoi edhe më vonë gjatë viteve 1948-1977, ku kaluan kufirin nga Jugosllavia për në Republikën e Shqipërisë 2 mijë emigrantë politikë, nga të cilët rreth 1770 ishin shqiptarë dhe 230 jugosllavë. Qeveria e Titos, popullsisë shqiptare jo vetëm i mohoi të drejtën për vetëvendosje, por edhe nuk e lejoi që të qëndrojë e bashkuar në një njësi administrative, megjithëse kjo popullatë prej afro 2 milionë banorësh jetonte në terror të plotë. Ashtu si edhe nën regjimin monarkist të kralëve, dhe titistët për të kënaqur interesat serbe, malazeze, maqedonase i ndanë artificialisht shqiptarët në katër njësi administrative: në krahinën autonome të Kosovës, ku jetonin rreth 1,546 milionë banorë ku 1,280 milionë ishin shqiptarë. Në Maqedoni, ku jetonin rreth 400-500 mijë shqiptarë. Në Serbi mbi 80 mijë shqiptarë dhe në Mal të Zi, ku banonin rreth 50 mijë shqiptarë. Numri i popullsisë shqiptare, në bazë të statistikave dhe dokumenteve të botuara nga shteti jugosllav, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore jepet qëllimisht mjaft i zvogëluar nga Beogradi. Këto të dhëna marrë nga regjistrimet e ndryshme gjatë periudhës 1912-1971 janë shumë më të vogla në krahasim me atë që duhet të ishin sipas shtesës natyrale të shqiptarëve. Nga një përllogaritje e bërë në bazë të shtesës natyrale të popullsisë shqiptare për një mijë banorë në vit, del se nga viti 1912-1941 mungojnë rreth 650 mijë shqiptarë, të cilët janë zhdukur dhe shpërngulur jashtë trojeve të tyre. Gjithashtu, nga e njëjta përllogaritje, del se gjatë viteve 1945-1976 mungojnë mbi 540 mijë shqiptarë të zhdukur fizikisht dhe të shpërngulur jashtë Kosovës dhe viseve shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. Sipas statistikave shtetërore jugosllave, elementi serbo-malazez si në shifra absolute, ashtu edhe në përqindje ndaj numrit të përgjithshëm të popullatës në Kosovë deri në vitin 1967 ka ardhur duke u rritur për shkak të sjelljes me shumicë dhe kolonëve të para dhe pas luftës. Në regjistrimet e vitit 1971, në raport me vitin 1961 elementi serb e malazez ka pësuar ulje si në shifra absolute edhe në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë.

Teoria titiste për shkombëtarizimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi

Teoricienët, historiografët dhe politikanët titistë donin të ringjallnin teoritë e ndryshme antishqiptare të borgjezisë së vjetër serbomadhe, kryesisht në fushën e historiografisë dhe demografisë. Këta teoricienë mohonin lashtësinë e shqiptarëve dhe nënçmonin kulturën e shqiptarëve, shtrembërojnë rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, se gjoja paska luftuar për të ruajtur sovranitetin e Sulltanit në tokat e shqiptarëve. Ata pohojnë se popullsia shqiptare në Kosovë gjoja është vendosur para 150-200 vjetësh. Po kështu, teoricienët titistë bënë përpjekje të vinin në zbatim pikëpamjet e tyre në fushën e demografisë. Përveç teorive të tjera antishqiptare u shfaqën edhe mjaft teori në fushën demografike, të cilat synonin të justifikojnë pakësimin dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ashtu si në vitin 1937, Vaso Çubrilloviçi në referatin e mbajtur para klubit serb të kulturës, në Beograd, shprehte shqetësimin e tij se “politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare”. Edhe politikanë titistë pas Luftës së Dytë Botërore shqetësohen për shtesën e madhe të popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Të dhënat statistikore të shtetit jugosllav të vitit 1971 tregojnë se popullsia e Kosovës gjatë 50 viteve të fundit, 1921-1971 me gjithë zhdukjet e shpërnguljet në masë është trefishuar në krahasim me ritmet e shtimit natyral të Jugosllavisë. Shtimi natyral i popullsisë shqiptare në Jugosllavi ishte në ato vite 34-37 për mijë në vit, domethënë tre herë më i lartë se shtimi mesatar në Jugosllavi. Madje, këto statistika tregonin se fertiliteti i gruas në Kosovë zinte vendin e tretë në Botë dhe popullsia shqiptare ishte më e reja në moshë në Jugosllavi (ku nga 1 deri në 35 vjeç përbënin 74 për qind të popullsisë atje). Me këtë tendencë rritjeje, që kishte popullsia e Kosovës, do të dyfishohej çdo 24 vjet. Të gjitha këto të dhëna i kanë preokupuar shumë jugosllavët, të cilët kërkonin rrugët, format dhe mjetet për pakësimin dhe largimin e popullsisë shqiptare. Jugosllavët e konsideronin shtesën e popullsisë shqiptare një proces eksplozioni demografik dhe shpiknin lloj-lloj mënyrash, që synonin gjithnjë pakësimin e popullsisë shqiptare. Shpesh titistët bënin presion për pakësimin e lindjeve, largonin nga vendi moshat aktive të popullsisë, nuk bënin asnjë përpjekje për të pakësuar mortalitetin dhe për më tepër e linin Kosovën në prapambetje të plotë ekonomike dhe kulturore me qëllim që të pengonin rritjen e popullsisë. Kështu propagandoheshin norma të Evropës Perëndimore për planifikimin familjar, nxitej politika e migrimit jashtë e brenda vendit, si dhe migrimet e përkohshme të fuqisë punëtore kosovare në Evropë për të përballuar shtesën e popullsisë.

Falsifikimet e Beogradit në regjistrimet e popullsisë shqiptare

Për të realizuar zvogëlimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi herë pas here kanë përdorur falsifikimet e pafundme në regjistrimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Për këtë janë shpikur dhe zbatuar lloj-lloj formash e presionesh që të shënohen sa më shumë shqiptarë si maqedonas, malazezë, serbë dhe turq (të ashtuquajturit kombësi myslimane e Jugosllavisë). Përfundimisht, në 60 vjetët e fundit 1912-1976, në viset shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia u zhdukën fizikisht mbi 277 mijë shqiptarë dhe u shpërngulën nga trojet e veta më shumë se 973 mijë të tjerë, që gjithsej kapin shifrën e 1 milion e 250 mijë vetëve. Nga dokumente dhe studiues të ndryshëm del se midis dy luftërave botërore vetëm në Turqi kanë shkuar mbi 700 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Por, me gjithë zhdukjet fizike dhe shpërnguljet e mëdha, popullsia shqiptare e këtyre anëve, për shkak të qëndresës së madhe dhe të natalitetit të lartë, nuk u sllavizuan dhe as mbetën në pakicë. Përherë shqiptarët kanë qenë shumicë në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Në vitin 1971, regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi jepte si shifër të shqiptarëve 1 milion e 310 mijë vetë. Natyrisht kjo shifër nuk është e saktë, pasi fshihet realiteti. Atëherë po të merret parasysh shtesa e popullsisë shqiptare në trojet e tyre në Jugosllavi kjo shifër duhet të ishte që në atë kohë rreth 2 milionë, që do të thotë për nga numri i popullsisë shqiptarët ishin të tretët në atë shtet, gjë e cila ngjallte shqetësim edhe te politikanët e regjimit të Titos....


Enver HOXHA me TITON në Beograd - Qershor 1946
Vizita në Jugosllavi pas luftës

Enveri heshti për Kosovën në 1946


Zbardhet i plotë dokumenti antishqiptar i Vaso Çubrilloviç, ultranacionalistit serb. Gabimet e serbëve dhe loja me Turqinë dhe Tiranën

Plani për të zbrazur Kosovën me para dhe gjak

Bisedimet sekrete me Turqinë për të çuar atje 200.000 shqiptarë, frika prej Italisë dhe milionat për Tiranën

“Problemi i shqiptarëve në jetën tonë nacionale e shtetërore nuk është i tanishëm, ky problem ka luajtur një rol të madh në mesjetë, por rëndësi vendimtare mori nga fundi i shekullit të 17-të, kur masat serbe u shpërngulën në drejtim të veriut nga tokat e dikurshme të vjetra të Bashkës dhe në vend të tyre u vendosën malësorët shqiptarë. Ata gradualisht zbresin nga malet e tyre dhe vendosen në fushat pjellore të Metohisë dhe Kosovës, duke depërtuar në veri, përhapen në drejtim të Moravës jugore e perëndimore, nëpërmjet maleve të Sharit zbresin në drejtim të Pollogut e prej andej në drejtim të Vardarit. Në këtë mënyrë deri në shekullin e 19-të krijojnë trekëndëshin shqiptar, të cilët madje u futën edhe më thellë deri në Nish, duke i ndarë tokat e vjetra të Bashkës nga Maqedonia deri në Luginën e Vrardarit. Kjo pykë shqiptare e populluar nga elementë arnashistë shqiptarë, në shekullin e 19 pengoi çdolloj lidhjeje të fortë kulturore, arsimore dhe ekonomike midis tokave tona veriore dhe jugore. Kjo ishte arsyeja kryesore që Serbia vetëm në vitin 1978, nëpërmjet Vranjës e Malit të Zi, Shkupit krijoi dhe mundi të mbajë lidhje të vazhdueshme me Maqedoninë dhe të ketë atje atë ndikim kultural dhe politik, ashtu siç pritej. Bullgarët, megjithëse e filluan jetën shtetërore më vonë se serbët, në fillim patën rezultate më të mira. Këtë pykë shqiptare filloi ta copëtoi Serbia që në kryengritjen e parë, duke i dëbuar banorët më veriorë shqiptarë që nga Jagorina. Pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar e kishte për detyrë ta shpartallonte shteti ynë i sotëm që nga viti 1918 e këtej, por ai nuk e bëri këtë. Janë disa arsye për këtë, por po përmend ato më të rëndësishmet”

Shqiptarët lindin më shumë

“Gabim themelor i funksionarëve kompetentë të asaj kohe ishte se në Ballkanin e trazuar e të përgjakur të asaj kohe, deshën që zgjidhjen e çështjeve të mëdha etnike ta zgjidhte me anë të metodave të tjera. Nuk duhet harruar se Turqia solli në Ballkan zakone të marra nga Sheriati, sipas të cilit me fitoren e luftës dhe pushtimin e një vendi, fitohet e drejta mbi jetën dhe pasurinë ndaj shtetasve të nënshtruar. Nga ata, edhe të krishterët ballkanas mësuan se fitohet me ndeshje jo vetëm pushteti dhe sundimi, por edhe shtëpia dhe pasuria. Nga viti 1912 e këtej, i kanë zgjidhur ose janë në rrugën e zgjidhjes të çështjeve të pakicave kombëtare me anë të shpërnguljes, ne kemi qëndruar në metoda të ngadalta e të plogta të kolonizimit gradual. Rezultatet e kësaj ishin negative. Rritja natyrale e shqiptarëve është më e madhe se numri i përgjithshëm i rritjes sonë natyrale bashkë me kolonistët. Nga viti 1921 deri në vitin 1931 shtesa e shqiptarëve ka qenë 68.6 ndërsa e serbëve 58,7 frymë, pra ndryshimi është 9315 banorë më shumë në favor të shqiptarëve. Duke pasur parasysh pjellorinë, rritjen e theksuar të shqiptarëve, si dhe konditat gjithnjë e më të vështira të kolonizimit sipas metodave të vjetra, ky disproporcion gjatë kohës do të bëhet gjithnjë e më i madh dhe në fund do të vihen në pikëpyetje edhe ato pak suksese kolonizuese që kemi arritur nga viti 1918 e deri më sot”.

Serbët nuk kanë plan shtetëror për marrjen e Kosovës

“Edhe vet mënyra e kryerjes së kolonizimit sipas metodës nuk u zbatua siç duhet. Më e rëndësishmja është se për një problem të tillë, me kaq rëndësi, nuk ekziston një plan i caktuar shtetëror, të cilit duhet t’i përmbahej e zbatonte çdo regjim. Punohej copë-copë, sot për nesër, çdo ministër prishte të vjetrën atë të paraardhësit të tij, por duke mos krijuar edhe ai vetë diçka solide. Ligjet e rregullat ndryshoheshin, por edhe ashtu të dobëta nuk viheshin në jetë. Disa, sidomos deputetët, po të ishin nga vise të vjetra, kur nuk mund të fitonin mandatin nga ajo kombësia e tyre, shkonin poshtë në jug dhe kërkonin mandatin nga kombësia e tyre, duke rrezikuar kështu interesat e mëdha nacionale e shtetërore. Aparati i kolonizimit ishte mjaft i shtrenjtë, i fryrë dhe i mbushur me njerëz jo vetëm të papërgatitur nga ana profesionale, por edhe shpesh mendjemëdhenj e të paaftë, kështu që puna e tyre përbënte një pikëpyetje në vetvete”.

Gabimi me kolonët malazezë

“Edhe disa mijëra familje që u vendosën pas luftës e këtej nuk zunë rrënjë në vendin ku u vendosën. Në Kosovë pati sukses më shumë, sidomos në luginën e Llapit, ku topliçanët depërtuan nga veriu në jug. Këtu janë kolonitë më të vjetra të përziera me elementë nga krahinat tona të ndryshme, ndërsa në Drenicë e Metohi, si krahina më të qëndrueshme, nuk patëm sukses. Asnjëherë nuk duhet bërë kolonizimi vetëm me malazezë. Jo për shkak se ata janë element i keq kolonizues, por për arsye të prirjeve të tyre për blegtori, sepse kjo ka të bëjë vetëm me gjeneratën e parë. Gjenerata e dytë është krejt ndryshe, më aktive dhe më praktike. Fshati Petrovë në Miroç, sipër Danubit, që është i banuar vetëm nga malazezë, është fshati më i përparuar në Krajine. Dhe sot në Serbi, mund të gjenden me mijëra familje të përparuara, veçanërisht në Toplicë dhe Kosanicë, që janë malazezë të gjeneratës së parë dhe u përzien me elementë përparimtarë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Metohinë, ku mbështetja direkt në vatrën e vjetër bënë të mundur ruajtjen e zakoneve dhe të shprehive të vjetra. Për këtë arsye ka pasur kaq pak sukses kolonizimi në të gjithë Metohinë. Duhet pranuar se të gjitha kolonitë kanë qenë të vendosura mjaft keq, nëpër toka kodrinore, me driza dhe jo pjellore, si dhe gati krejtësisht të pafurnizuar me mjete të domosdoshme bujqësore. Ndërkohë ato duheshin ndihmuar shumë më tepër, pasi janë koloni me elementin më të varfër malazez”.

Shqiptarët mbajtën me fanatizëm tokat më të mira

“Pa dyshim, shkaku kryesor i mossuksesit të kolonizimit tonë në ato vise ishte se tokat më të mira mbetën në duar të shqiptarëve. E vetmie mënyrë e mundshme për kolonizimin tonë në masë, në ato vite, ka qenë marrja e tokave shqiptare. Mbas luftës, në kohën e rebelimit dhe të aksioneve të komitëve, do të dëboheshin lehtë një pjesë shqiptarësh për në Shqipëri, duke uzurpuar pronat e tyre. Përsëri kthehemi te gabimi ynë trashanik, te konceptet tona pas luftës, mbi të drejtën e posedimit të tokës. Në vend që të shfrytëzonim konceptin e vet shqiptarëve, lidhur me pronësinë e tyre mbi tokën e uzurpuar dikur, gjë që rrallëkush prej tyre ka pasur tapinë e Turqisë, dhe këtë mund ta ketë pasur vetëm për tokën e blerë, neve në dëmin tonë nacional e shtetëror jo vetëm që i lejuam të gjitha ato uzurpime, dhe aq më keq që i mësuam shqiptarët me idetë e Evropës Perëndimore, mbi posedimin e pronës private. Në këtë mënyrë ua dhamë vetë këtë armë në dorë, me të cilën dhe mund të mbrohen, t’i mbajnë tokat më të mira dhe të na e bëjnë të pamundur nacionalizimin në favor tonë të viseve më të rëndësishme. Nga e gjithë kjo që u tha më lart del se metoda e përgjithshme e deritanishme e politikës sonë të kolonizimit në jug, nuk kanë dhënë ato rezultate, të cilat, në të vërtetë, duhet t’i arrinim dhe që tani qëndronin përpara nesh si një detyrë e madhe dhe emergjente shtetërore. Këto metoda nuk i kemi kritikuar për hir të kritikës, por që në bazë të eksperiencës së mëparshme të gjejmë rrugët e drejta për zgjidhjen e kësaj çështjeje madhore”.

Shqiptarët të ndihmuar nga imperializmi italian për çështjen e tyre

“Ky bllok shqiptarësh përreth maleve të Sharrit është i një rëndësie të madhe nacionalisto-shtetërore e strategjike për shtetin tonë. Blloku shqiptar nga ana ushtarako-strategjike, zë një pozitë nga më të rëndësishmet në vendin tonë, vendshpërndarja e lumenjve ballkanikë në drejtim të Adriatikut, Detit të Zi e të Egjeut. Mbajtja e kësaj pozite strategjike vendos në një masë të mirë fatin e Ballkanit qendror, sidomos fatin e komunikacionit të rëndësishëm ballkanik Moravë-Vardar. Nuk janë të rastit zhvillimi i luftërave shpesh herë vendimtare për fatin e Ballkanit, prandaj është detyrë imperative për të gjithë ne që këto pozita, kaq të rëndësishme strategjike, të mos i lëshojmë të na i mbajë në duar elementi i huaj dhe armik. Aq më tepër, përderisa ky element ka mbështetjen e shtetit nacional të së njëjtës gjini. Ai sot është i pafuqishëm, por edhe si i tillë është bërë bazë e imperializmit italian, nëpërmjet të cilit synon të depërtojë deri në zemër të shtetit tonë. Kundër këtij depërtimi, mjet më i sigurt është elementi ynë, i cili do të dojë e do të dijë të mbrojë pronën dhe shtetin e vet. Mandej, përveç këtij blloku prej 18 rrethesh, shqiptarët dhe pakicat e tjera nacionale në krahinat jugore jetojnë të shpërndarë dhe prandaj nuk janë aq të rrezikshëm për jetën tonë nacionale dhe shtetërore. Kolonizimi nga veriu duhet pakësuar në krahinat e kolonizuara me maqedonas. Në këto krahina edhe tokë ka pak, janë krahina pasive dhe për këtë ata janë të ndjeshëm nga prurja e kolonëve nga veriu. Aq më tepër në këto veprime ata shikojnë me mosbesim te ne. Është e vërtetë se ai kolonizim i pakët më tepër dëmton sesa sjell dobi. Nëse do të dërgohen poshtë, në jug të Malit të Zi të Shkupit, duhen çuar Vranjët, Leskovçanët, që afrojnë me të në mentalitet e kulturë, dhe në asnjë mënyrë Dinarikët me temperamentin e tyre të papërmbajtur, të ashpër e të padurueshëm, mbasi te vendasit, me elementë të tillë shkaktohen të këqija dhe gjak. Problemi i Sanxhakut të Novi-Pazarit, po zgjidhet vetvetiu dhe nuk lot atë rol për jetën tonë shtetërore, të cilin e luajti deri në vitin 1912. Vetëm po të përmendim që me shpërnguljen e shqiptarëve ndërpritet lidhje e fundit ndërmjet myslimanëve tanë në Bosnje dhe të Novi-Pazarit, si dhe me botën tjetër myslimane. Fakti që ata shndërrohen në pakicë fetare, e vetmja pakicë në Ballkan, do të shpejtojë nacionalizimin e tyre. Kohët e fundit Mali i Zi u bë problem i rëndë, vend i varfër dhe nuk është në gjendje të ushqejë popullsinë e vet, por me gjithë shpërnguljet, ai nga viti 1912 deri në vitin 1931 u shtua 16 për qind”.

Zgjidhja: vetëm dhuna

“Si përfundim, shqiptarët është e pamundur të zbrazen vetëm me anë të kolonizimit gradual, ky është i vetmi popull që arriti gjatë njëmijë vjeçarit të fundit jo vetëm të mbahet në bërthamën e shtetit tonë, Rashkës e Zebres, por dhe të na sjellin dëme duke shtyrë kufijtë tanë drejt veriut dhe lindjes. Shqiptarët na shtynë nga krahina e Shkodrës, nga Metohia dhe Kosova. E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror. Qysh nga viti 1912 e këtej nuk kemi pasur sukses në luftë me ta, faji për këtë është i yni, mbasi këtë pushtet nuk e kemi shfrytëzuar si duhet. Për ndonjë nacionalizëm të tyre në dobi tonë as që mund të flitet, por, përkundrazi, duke u mbështetur te Shqipëria, zgjohet ndjenja e tyre nacionale, e nëse nuk do t’i mbarojmë llogaritë me ta, ose ja lëmë këtë kohës, për 20 apo 30 vjet do të kemi një irredentizëm të tmerrshëm, gjurmët e të cilit tashmë duken, dhe në mënyrë të paevitueshme do të vihen në pikëpyetje të gjitha posedimet tona në Jug”.

Të bindet Tirana me para për të pranuar kosovarët

“Të nisemi nga pikëpamja se ngushtimi gradual i shqiptarëve me anë të kolonizimit tonë të ngadalshëm është i paefektshëm. Atëherë na mbetet e vetmja rrugë, shpërngulja në masë. Në këtë rast kemi parasysh dy shtete Shqipërinë dhe Turqinë. Shqipëria me popullsi të rrallë, me moçale të shumta ende të pathara, lugina shterpë të pasistemuara, do të ishte në gjendje të pranojë disa mijëra shqiptarë nga vendi ynë. Turqia moderne, me sipërfaqe të mëdha toke në Azinë e Vogël dhe Kurdistan, akoma të pabanuara dhe të papunuara krijojnë mundësi të pakufizuara për kolonira të brendshme. Më parë theksojmë se nuk duhet të kufizohemi vetëm në përçapjet diplomatike me Ankaranë, por duhet të përdoren të gjitha mjetet për ta bindur Tiranën që të pranojë një pjesë të të shpërngulurve. Besoj se kjo punë në Tiranë do të ecë me vështirësi, pasi Italia do ta pengojë këtë punë, por të hollat luajnë rol të madh në Tiranë. Turqia është dakord që, fillimisht, të pranojë 200 mijë të shpërngulurit shqiptarë, duke cilësuar që këta të jenë shqiptarë dhe kjo për ne është gjë e mirë dhe forma më e pranuar. Dëshirën e Turqisë duhet ta pranojmë me të dyja duart dhe ta shfrytëzojmë sa më parë konventën për shpërngulje. Gjatë shpërnguljes duhet studiuar konventa, të cilën ajo, vitet e fundit, e ka përfunduar për të tilla çështje me Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Duhet pasur kujdes në dy gjëra: nga ajo të kërkohet që të pranohet një kuotë sa më e madhe, ndërsa nga ana financiare i duhet dhe një ndihmë sa më e madhe, sidomos për rregullimin e çështjes së transportimit sa më të shpejtë. Padyshim, që ky problem do të ngjallë sadopak shqetësime ndërkombëtare, gjë që është e paevitueshme në këto raste. Në rastin konkret duhet të punohet për përfundimin e një konvente me ta për këtë problem. Nëse nuk do t’ia arrijmë problemit, të paktën për ato shpërngulje të shqiptarëve drejt Turqisë, të heshtin. E rikujtojmë edhe një herë se mjeshtëria e veprimit në Tiranë dhe të hollat e përdorura në mënyrë racionale, do të mund të luanin rol vendimtar në këtë çështje. Shpërngulja e disa qindra-mijë shqiptarëve nuk do të çojë në shpërthimin e një lufte botërore. Vetëm organet kompetente duhet të dinë se çfarë është e nevojshme dhe të luftohet me këmbëngulje për realizimin e planit, duke mos u trembur nga pengesat e mundshme ndërkombëtare. Italia, padyshim, do të nxjerrë pengesa të shumta, por ajo sot për sot është tepër e zënë me problemet e saj me Abisininë dhe Austrinë, nuk besoj se do të shkojë aq larg në këmbënguljen e saj. Me thënë të drejtën, rreziku më i madh është po të përzien në këtë çështje aleatët tanë të mëdhenj, Anglia dhe Franca, në këtë rast atyre u duhet përgjigjur me gjakftohtësi e vendosmëri, pasi është në interes të tyre sigurimi i linjës Moravë-Vardar, gjë që u pa fare mirë edhe gjatë luftës së fundit dhe kjo do të jetë më e sigurt për ne dhe për ata, vetëm kur ne të sundojmë plotësisht këto vise rreth malit të Sharit dhe në Kosovë”.

Mënyra e shpërnguljes: feja dhe bërja e jetës e padurueshme nga shteti

“Tashmë dihet se është më efikase mënyra e shpërnguljes në masë e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. E që të arrihet një shpërngulje në masë si kusht i parë është që të krijohet një psikozë e përshtatshme, e cila mund të krijohet në shumë mënyra. Dihet që masa myslimane shumë shpejt i nënshtrohet influencimit, sidomos fesë, besojnë në të shpejt e me fanatizëm, prandaj në radhë të parë shpërnguljen e tyre ta bëjnë vetë drejtuesit shpirtërorë të tyre dhe njerëzit me influencë, me para ose me shtrëngim. Duhet të gjenden sa më parë agjitatorët, të cilët do të propagandojnë për shpërnguljen, mirë do të ishte sikur të na i jepte Turqia këta. Ata duhet të përshkruajnë bukurinë e viseve në Turqi, jetesën e lehtë dhe të këndshme atje, të ndezin fanatizëm fetar dhe t’u zgjojnë krenarinë shtetërore turke. Mjet tjetër do të ishte edhe shtrëngimi nga aparati shtetëror. Ai duhet të shfrytëzojë ligjet deri në fund, në mënyrë që t’ua bëjë sa më të padurueshëm qëndrimin shqiptarëve te ne. Duhet të aplikohen gjobat, burgimet, aplikimi në mënyrë të pamëshirshme i të gjitha dispozitave policore, si dënimin e kontrabandës, prerjen e pyjeve, përvetësime, lëshimin e qenve në oborret e shtëpive. Të detyrohen sa më shumë njerëz që të punojnë angari dhe të merret çdo masë tjetër, që mund të aplikojë një polici me përvojë si masa ekonomike, mosnjohja e tapive të vjetra, duhet të vendosen taksa të pamëshirshme, detyrimi i shlyerjeve të të gjitha borxheve private e publike, e kullotave komunare dhe publike. Duet të zhvishen shqiptarët nga koncesionet, heqja e lejeve afariste për kafenë, dyqane tregtare, mos të lejohen shqiptarët të marrin leje për krijim monopolesh, pushimi nga puna shtetërore, private e të tjera mënyrë shtrënguese, për të shpejtuar procesin e shpërnguljes…”.

Dosja Kosova”/ Skema e detajuar e akademikut serb, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Jugosllave, do të drejtonte spastrimet

Plani: Shqiptarëve t´ju prishen edhe varret

Si do bëheshin sllave vajzat dhe kërkesa për 600 milionë dinarë për të përzënë 40 mijë familje



“Duhet të zbatohen me dhunë të gjitha dispozitat, edhe në shtëpi, që duhet të fillojnë që me prishjen e mureve rrethuese të shtëpive, zbatimin rigoroz të masave veterinare, që do të pengojnë nxjerrjen e bagëtive të tyre në treg. Gjithashtu, duhet aplikuar edhe masa praktike me efikasitet. Kur është fjala për fenë, shqiptarët janë shumë të ndjeshëm ndaj saj, kështu që edhe duhet të preken. Kjo mund të arrihet nëpërmjet keqtrajtimit të klerikëve, me prishjen e varrezave, me ndalimin e poligamisë dhe, sidomos, me zbatimin e pamëshirshëm të ligjit për dërgimin e detyruar të vajzave në shkollat fillore, kudo që të ndodhen ato. Edhe iniciativa private mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Kolonistëve tanë, në rast nevoje, duhet t’u shpërndajmë armë. Medoemos, duhet lëshuar një valë malazezësh nga bjeshkët që të shkëmbejnë konflikte të gjera me shqiptarët në Metohi. Ky konflikt duhet të përgatitet nga njerëz të besuar, të nxitet dhe t’i jepet hov, po nga këta, në mënyrë që të krijohet një psikozë e vërtetë, sikur shqiptarët kanë ngritur krye, dhe nga ana tjetër, krejt ngjarjet duhet të paraqiten me keqardhje si konflikt vëllezërish dhe fisesh, në rast nevoje, mund t’i jepet karakter ekonomik. Në fund të fundit, mund të nxiten edhe turbullira lokale, që do të shtypen në mënyrë të përgjakshme me mjetet më efikase, por jo aq me ushtri, se sa me kolonistë, me fise malazezësh dhe me çetnikë. Mbetet edhe një mjet, të cilin Serbia e ka përdorur në vitin 1973, duke djegur në masë fshatra dhe blloqe qytetesh shqiptarë.

Harta e shpërnguljeve të shqiptarëve

Rrethet që duhen të shpërngulen janë: Dibra e Sipërme, Pollogu i Poshtëm e i Sipërm, Mali i Sharit, Drenica, Peja, Istogu, Vuçiterna, Stavica, Llabi, Graçanica, Nerodimja, Gjakova, Podgori, Gora, Podrimja, Gilani dhe Kaçaniku. Nga këto rrethe, që përbëjnë pykën shqiptare, për ne, aktualisht, më të rëndësishme janë: Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgori, Shari, Istogu dhe Drenica, në veri këto të Malit të Sharit. Për mendimin tim, këto janë rrethe kufitare që duhet të shpërngulen me çdo kusht. Rrethet në thellësi si: Kaçaniku, Gilani, Nerodimes, Graçanicës, Llabit, Vuçiternës, mundësisht, duhen dobësuar, sidomos, ai i Kaçanikut dhe i Llabit, ndërsa të tjerët duhet të kolonizohen gradualisht e sistematikisht. Kjo duhet të realizohet gjatë dhjetë vjetëve. Gjatë shpërnguljeve të para duhen pasur parasysh shumë gjëra, por më të rëndësishmet janë: në radhë të parë duhet të bëhet shpërngulja e fshatrave dhe pastaj e qyteteve. Fshatrat janë më kompaktë, prandaj paraqesin rrezik. Nuk duhen shpërngulur vetëm të varfrit, por edhe njerëzit e pasur dhe të mesëm, të cilët përbëjnë kolonën vertebrale të çdo populli. Të varfrit, duke qenë pa mbështetje ekonomike dhe të pavarur nga bashkatdhetarët, shpërngulen shpejt. Kjo është një çështje me shumë rëndësi, pasi është një nga shkaqet kryesore për mossuksesin sa duhet të kolonizimit tonë në Jug, sepse i shpërngulëm të varfrit, kurse të pasurit mbetën dhe qëndrojnë gjithnjë në të njëjtën gjendje, ku si rezultat, shumë pak tokë u përfitua për vendosjen e kolonëve tanë. Gjatë përgatitjes së psikozës për shpërngulje, duhet të bëhet çmos që të largohen fshatra të tërë, në fund të fundit, familje të tëra. Duhet të kihet parasysh që të mos mbeten këtu, pjesë familjesh të shpërngulura. Shteti ynë duhet të shpenzojë miliona jo për t’ua lehtësuar jetën shqiptarëve, por për t’i hequr qafe sa të jetë e mundur më parë. Për këtë duhet penguar, pa tjetër, blerja e pasurisë së shqiptarëve që shpërngulen, nga ata që mbeten te ne. Bashkë me këtë duhet kombinuar edhe shpërngulja e individëve me atë të fshatrave të tërë, kjo, nëse dëshirojmë që të kemi lehtësira gjatë procesit të shpërnguljes. Sapo të bien dakord për t’u shpërngulur, duhet t’u jepet ndihmë e gjithanshme. T’u paguhet menjëherë pasuria dhe të shkëputen menjëherë nga ana administrative, dokumentet e udhëtimit t’u jepen pa asnjë farë formaliteti. Të ndihmohen për të shkuar në stacionin më të parë hekurudhor, duke ju vënë në dispozicion trena deri në Selanik dhe prej aty të çohen menjëherë me vapor në Azi. Ka shumë rëndësi që udhëtimi të jetë i rehatshëm dhe pa shpenzime. Udhëtimin me tren, mundësisht, ta bëjnë pa pagesë, njëkohësisht të ndihmohen edhe me ushqime, pasi nga kjo varet shume shpërngulja në masë ose jo. Frika e vështirësive të udhëtimit është pengesa kryesore e lëvizjes së tyre. Për këtë arsye është e domosdoshme që të eliminohen vështirësitë, duke i zgjidhur shpejt e në mënyrë energjike të gjitha punët rreth udhëtimit të tyre. Duhet pasur kujdes që të shpërngulurit të kenë sa më pak probleme gjatë udhëtimit, pasi njerëzit e thjeshtë orientohen me vështirësi, prandaj është e nevojshme që t’u mësohet sistemi i transportit të punëtorëve nëpërmjet agjencive të mëdha. I shpërnguluri duhet të kalojë nga dora në dorë, duke mos e ndjerë peshën e kësaj lëvizjeje. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet lumi i shqiptarëve të shpërngulur".

Popullarizimi i krahinave të shpërngulura

"Problemi i vendosjes së kolonëve në vendet e boshatisura, nuk është më i vogël se largimi i shqiptarëve. Pyetja e parë që shtrohet është se kush duhet të vendoset atje? Më e natyrshme është që atje të vendoset elementi ynë nga krahinat pasive, në radhë të parë malazez, hercegovinas, liçanas dhe kraishnicas. Malazezët janë më të përshtatshëm për shumë arsye, pasi Metohia, Drenica dhe Kosova, janë vendet më të natyrshme ku vërshojnë nga malet e tyre të varfra. Shtimi i popullsisë në Mal të Zi ka sjellë varfëri, gjë e cila ka shkaktuar lëvizje të vazhdueshme social-politike, kohët e fundit, jo të favorshme këto për pushtetin tonë dhe mjaft të rrezikshme, përsa i përket rendit e qetësisë në të ardhmen. Nuk na intereson që tyre t’u japim misër e pensione. Për këtë, e vetmja zgjidhje është çuarja e tyre në krahinat pjellore të Metohisë, Drenicës e Kosovës, sepse afrohen në mentalitet e temperament me shqiptarët. Malazezët janë arma më e përshtatshme për mposhtjen dhe largimin e shqiptarëve. Në radhë të parë, ata duhen përdorur në viset shqiptare në veri të Malit të Sharit, por, krahas tyre, duhen kolonizuar edhe me një sasi liçanas, kraishnicas, serbësh, çaçaka, uzhiçanash dhe topliçanas. Kjo është e nevojshme për të krijuar tek ata shprehitë e punës dhe të organizimit, për të thyer psikologjinë e tyre nomade-kolektive prej malësorësh, me qëllim që të neutralizojmë këtë psikologji me anë të përzierjes dhe martesave nga vise të ndryshme dinarike. Kështu do të arrihet të krijohet një tip i ri malazesi, më pak lokal dhe më tepër i ngjashëm me serbin. Kurbetlinjve serbojugorë, në jug të malit të Sharit, duhet t’u krijojmë kondita të përshtatshme, në mënyrë që të fusin në dorë toka pjellore. Ky do të jetë një kontigjent i ndershëm e punëtor, i cili do t’i jetë mirënjohës për gjithë jetën këtij shteti, në rast se do të krijojmë kushte për jetën e tyre në fshat. Përgjithësisht, fshati i serbëve të jugut ka të drejtë të kërkojë nga ne më shumë përkujdes dhe preokupacion nga sa po tregojmë sot. Kolonizimi me anë të këtyre varfanjakëve në Pollog të Sipërm e të Poshtëm, në Dibër si dhe dhënia e kullotave këtyre, në vend të shqiptarëve, do të bëjë të kuptohet se ky është shtet i tyre si dhe do të dinte t’i mbronte kufijtë me gjak. Pranë tyre, në jug të malit Shar dhe të Malit të Zi të Shkupit, mund të kolonizohet me vranjanët, leskovçanët, pirotasit dhe vllastiçanët, sidomos ata të fshatrave malorë pasivë. E përsërisim edhe njëherë se dinarikët nuk duhen lejuar në jug të linjës së Malit të Zi të Shkupit dhe Malit të Sharit. Gjatë kolonizimit të fshatrave të lëna nga shqiptarët, duhet evituar ngadalësia burokratike. Kryesorja, në radhë të parë, është dhënia e menjëhershme e tapive kolonistëve, për pronat ku do të vendosen, sepse një nga shkaqet kryesore të mossuksesit të kolonizimit tonë të sotëm, ka qenë, pikërisht kjo, sepse kolonialisti nuk e ka ndierë veten të sigurt në pronën ku është vendosur. Atij nuk i është dhënë tapia menjëherë dhe kështu ishte i ekspozuar përpara poshtërsirave të shumta të nëpunësve dhe politikanëve të pandërgjegjshëm. Fshatari e ndjen veten të sigurt në pronën që posedon, vetëm atëherë kur e di se askush nuk mund ta lëvizë nga atje, prandaj, duhet t’i jepet menjëherë kjo garanci. Pra, kolonialistëve u duhen krijuar të gjitha kushtet e jetesës për disa vjet, nëse dëshirojmë që ata të mbeten atje. Pa mëshirë duhet të shuajmë çdo spekulim që bëhet me pronat dhe shtëpitë e shqiptarëve të shpërngulur. Shteti duhet të ruajë për vete të drejtën e pakufizuar për zotërimin e pasurisë së tundshme e të patundshme të të shpërngulurve, madje, menjëherë pas largimit të tyre, të vendosë aty kolonistët e vet. Kjo duhet bërë pasi rrallë herë ka ndodhur që të shpërngulet menjëherë gjithë fshti. Në këto fshatra, në radhë të parë duhet të vendosë malazezë, si njerëz arrogantë, të rrëmbyer, të paarsyeshëm dhe të papërmbajtur, të cilët, me sjlljet e tyre do t’i detyrojnë shqiptarët e mbetur të shpërngulen, e mandej, të sillen në këtë vend kolonistë nga vendet të tjera. Jo më pak i rëndësishëm është për ne edhe problemi i Vojvodinës, sidomos trekëndëshi hungarez në Baçka Senta Kulla, Baçka-Topolla. Të shkatërrosh atë në Vojvodinë, do të thotë, njësoj sikur të shkatërrosh bllokun në shqiptar rreth Malit të Sharit".

Kolonizimi: ushtria serbe të merret me organizimin e tij

"Një problem i rëndësisë së veçantë për zgjidhjen e këtij problemi mbetet ekzistenca e një aparati, që do të drejtojë të gjitha punët. Si rezultat i punës së keqe të aparatit të deritanishëm të politikës sonë të kolonizimit, qëndron një pjesë e mirë e mossukseseve tona të deritanishme. E që të evitohet kjo në të ardhmen, duhet bërë riorganizimi. Asnjë çështje tjetër nuk kërkon aq vazhdimësi e kujdes për t’u kryer, sesa kolonizimi. Kemi thënë se një nga shkaqet e mossuksesit tonë në kolonizimin në jug dhe në veri, është puna josistematike e drejtimit dhe ndryshimi i politikës sipas ndryshimit të qeverive. Që të evitohet kjo në të ardhmen, kolonizimi i duhet besuar Shtabit të Përgjithshëm, pasi ushtria jonë është e interesuar që në kufijtë tanë, sidomos në sektorë delikatë, të vendosë elementë të vetë. Për këtë do të bëjmë çmos që të sigurojmë kufijtë me një kolonizim sa më të fortë. Shtabi i Përgjithshëm si institucion primar i mbrojtjes së interesave kombëtare, mund t’i japë shumë gjithë politikës sonë të kolonizimit. Tërë kompleksin e punë, Shtabi i Përgjithshëm do të mund ta drejtonte nëpërmjet një Këshilli Shtetëror për kolonizimin. Ky këshill do të ishte krejtësisht autonom, duke qenë plotësisht nën urdhrat e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe do të kishte nën varësi të gjitha organizmat e kolonizimit tonë. Në këtë këshill duhet të hyjnë përfaqësues të disa ministrive të interesuara, shoqatave nacionaliste, organizatave teknike dhe institucioneve shkencore. Është e nevojshme lidhja organike në politikën tonë të kolonizimit ndërmjet pushtetit shtetëror, iniciativave private dhe institucioneve shkencore. Iniciativa private mund të veprojë në shumë drejtime si, Mbrojtja Popullore, Sokollashat dhe shoqatat çetnike. E para do të jetë ushtria civile e ngritur nga shteti, sokollashat do të jenë çeta terroriste të padeklaruara, të armatosura dhe udhëhequra nga shteti për luftë kundër shqiptarëve, ndërsa çetnikët, çeta kriminelësh civilë të armatosur nga shteti për të kryer krime të vazhdueshme kundër shqiptarëve. Edhe shoqatat kulturore si: “Prosfeta” në Sarajevë, “Matica Srepska” në Novi Sad, “Sv. Sava” në Beograd e të tjera si këto, kanë detyrat e tyre lidhur me këtë çështje. Duhet të krijohet një institut kolonizimi, detyra e të cilit të jetë marrja me studimin e kësaj çështjeje. Pushteti shtetëror duhet të veçojë tashmë nga disa ministri dhe të tjera institucione që janë marrë, deri tani, me këtë problem organizma dhe të krijojë një institucion të veçantë, “Inspektoriatin e kolonizimit”. Vetë teknikën organizative të shpërnguljes së shqiptarëve dhe vendosjen e kolonistëve tanë, do të përpunojë instituti shtetëror dhe instituti për kolonizim. Ndoshta, nuk do të ishte keq që përveç këtyre, të ishte edhe një organizatë private dhe të mbështetej në shoqatat ekzistuese dhe të kishte si detyrë që me vetë iniciativat private, të merrej me zbatimin e politikës sonë të kolonizimit. Më mirë do të ishte sikur përsipër këtë punë ta merrte lidhja e shoqërive tona kulturore-arsimore. Ajo do të interesohej për koordinimin e punës së shoqërive private me punën shtetërore të kolonizimit dhe do të shërbente si ndërmjetës midis tyre dhe Institutit për Kolonizim".

Mjetet financiare, 600 milionë dinarë për shpërnguljen e 40 mijë familjeve

"Sa herë që është kritikuar politika jonë e kolonizimit për mossuksese, mbrojtësit e saj janë ankuar për mjetet e pakta financiare që ka vënë shteti në dispozicion për të kryer këtë punë. Nuk e mohoj se nuk është kështu deri në një farë mase, por duhet thënë se më tepër është shpenzuar për mbajtjen e këtij aparati dhe për një punë joracionale, sesa për vetë kolonizimin. Megjithatë, nëse shteti nuk ka dhënë aq sa duhet, duhet pranuar se çdo shtet ka interesat e tij primare dhe sekondare. Në interesat primare futet edhe detyra e shtetit që të sigurojë vetveten në krahinat e pasigurta nacionale, të kolonizuara me elementin e vet. Para së gjithash, le të llogarisim se sa do t´i kushtonte shtetit tonë shpërngulja e 200 mijë shqiptarëve dhe vendosja e një numri po aq kolonës në ato vende. Shpërngulja e rreth 40 mijë familjeve, duke marrë mesataren që një prej tyre përbëhet prej pesë vetash, i kushton shtetit 15 mijë dinarë për familje. Pra, për shpërnguljen e tyre duhen, të paktën, 600 milionë dinarë. Shtoj kësaj edhe rreth 200 milionë dinarë që duhen për vendosjen e familjeve tona në vend të shqiptarëve të shpërngulur. Kjo llogaritet, pasi shqiptarët e shpërngulur do të lënë jo vetëm tokën, por edhe shtëpinë dhe veglat e punës. Kështu, jo vetëm që do të vendoset pjesa më e madhe e kolonistëve tanë në shtëpitë e shqiptarëve, por me një ndihmë të vogël në bagëti dhe ushqime, këta do të marrin vetëm nga ana ekonomike dhe do të bëhen të pavarur. Gjatë krijimit të kolonive të reja, aty ku e lyp nevoja, duhet të përdoret edhe forca ushtarake, ashtu siç është përdorur gjatë ndërtimit të Sremska Raqes dhe të rindërtimit të fshatrave të shkatërruara nga tërmeti në vitin 1931, në jug. Për këtë punë, t’i jepet ushtrisë e drejta dhe mundësia që me thirrjen e rezervistëve në stërvitje ose me zgjatjen e afatit të shërbimit ushtarak, të krijojë një lloj shërbimi të detyrueshëm pune për qëllime publike. Në marrëveshje me organizatat dhe shoqëritë e specializuara, duhen kërkuar rrugë më pak të kushtueshme për hapjen e tokave nga shkurret, tharjen e moçaleve dhe të tjera. Gjatë kolonizimit shteti mund t’u japë kolonistëve prona me kredi ose me para në dorë. Do të ketë mjaft nga ata që do të blejnë toka në vise të reja dhe që do të shesin tokat e tyre në vendlindje. Nga kjo shteti do të marrë një pjesë të mirë të pronave që ka dhënë. Toka mund t’i shitet vetëm atij që ka ndërmend të vendoset atje përfundimisht. Toka e dhënë me kredi nuk duhet të jetë e shtrenjtë. Kamata duhet të jetë minimale, koha e shlyerjes së kredisë duhet të fillojë disa vjet pas vendosjes së kolonëve, domethënë, kur ata të jenë fuqizuar ekonomikisht. Të marra së bashku, shuma prej disa qindra milionë dinarësh, nuk është ndonjë shpenzim i madh për shtetin, në krahasim me përfitimin që ai do të ketë. Sigurimi i pikave nevralgjike ne jug, me vendosjen e elementeve tanë nacionalë, kursejmë në rast lufte disa divizione. Duke vendosur disa dhjetëra mijë familje si kolonialistë nga krahinat tona pasive, sidomos nga Mali i Zi, lehtësohet kriza ekonomike në ato zona. Për një detyrë të tillë nacionale, strategjiko-ushtarke dhe ekonomike, shteti ka për detyrë të sakrifikojë disa qindra milionë dinarë. Në një kohë kur është në gjendje të shpenzojë miliarda dinarë për ndërtimin e rrugës ndërkombëtare nga Subotica deri në Caribrod, nga e cila duhet të kemi përfitime, ndoshta në të ardhmen e largët. Ai duhet dhe mund të gjejë dhe milionat e dinarëve për këtë problem madhor nacional, siç është shpërngulja e shqiptarëve. Kolonizimi gradual, ashtu si edhe në vende të tjera, nuk ka pasur sukses te ne. Kur pushteti shtetëror dëshiron të ndërhyjë në interes të elementit të vet kolonizues, në luftë për tokën, mund të ketë sukses vetëm nëse vepron brutalisht. Përndryshe, shqiptarët e rrënjosur në vendlindje janë më të fortë se kolonisti. Kjo, në rastin tonë duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një racë të varfër me rrënjë dhe pjellore. Për të, pat thënë Cvijiç se është më ekspansivja në Ballkan. Statistikat tregojnë se politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare. Nga kjo duhet të nxjerrim përfundime dhe të korrigjohem, deri sa nuk është akoma vonë. E gjithë Evropa është në një gjendje kaotike. Ne nuk dimë se ç’na sjell dita e jo më nata. Nacionalizmi shqiptar, edhe në viset, tona po rritet". (Nga elaborati i Çubriloviçit)