Nata e Bardhë, një huazim i shëmtuar nga Evropa
Thursday, 29 November 2007
Zhurmë, trafik dhe kaos, kanë qenë këto tiparët kryesore që karakterizonin mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, në festën e Natës së Bardhë.Për të katërtin vit radhazi, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë ka përjetuar këtë natë të zhurmshme, e cila më shumë i ka çorientuar njerëzit, sesa i ka kënaqur. Ashtu si vitet e mëparshme, mijëra njerëz nga rrethe te ndryshme të vendit kanë mbushur rrugët, sheshet kryesore dhe lokalet e kryeqytetit, për të festuar deri në agim, nën tingujt e muzikës dhe nën avujt e alkoolit. Edhe pse një pjesë e mirë e festuesve ende nuk e dinë kuptimin e vërtetë si dhe prejardhjen e Natës së Bardhë, ata kanë preferuar të dalin qoftë edhe për një shëtitje, duke mbipopulluar rrugët e kryeqytetit dhe duke krijuar një gjullurdi, ku s’e merrte vesh i pari të dytin. E nëse këmbësorët e kishin ndarë mendjen për a shijuar deri në fund festën, më të vështirë duket se e kanë pasur drejtuesit e automjeteve, të cilëve u është dashur të presin me orë të tëra në trafikun e rënduar për shkak të festës së patraditë, e cila po përpiqet të shndërrohet në traditë edhe për kryeqytetin shqiptar. Nata e Bardhë ka bllokuar pasditen e djeshme, disa prej akseve rrugore të qendrës së kryeqytetit, mdis të cilave bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, sheshi “Skënderbej”, unaza nga ura tek rruga e Elbasanit deri tek ura e vogël mbi Lanë e cila ndodhet përballë bllokut të Shallvareve. Aktivitetet kulturore, ku spikatnin kryesisht koncertet për të rinj, kanë nisur rreth orës 18:00 dhe kanë përfunduar rreth orës 21:30 të mbrëmjes. Përfundimi i këtyre aktiviteteve i ka shpërndarë sërish festuesit, një pjesë e të cilëve i janë drejtuar shtëpive, ndërsa një pjesë tjetër (kryesisht rinia) i janë drejtuar lokaleve dhe pabeve të kryeqytetit, për të festuar me shoqërinë, deri në të gdhirë të ditës së sotme.
Nata e Bardhë sipas Bashkisë së Tiranës, risia
Deri para 4 vitesh, Nata e Bardhë nuk njihej thuajse fare nga shqiptarët. 29 nëntori ishte një festë kombëtare, e cila konsistonte me çlirimin e vendit nga pushtuesit. Në vitin 2004, Bashkia e Tiranës doli me një festë të re, konkretisht me Natën e Bardhë, e cila përkonte pikërisht me datën 29 nëntor. Organizimi i kësaj feste të re për shqiptarët, rezulton të jetë i thuajse i njejtë me atë të disa prej kryeqyteteve të vendeve të tjera të Evropës, megjithëse koha gjatë së cilës zhvillohet kjo festë ndryshon me një periudhë gati 2 mujore. Ndërsa konteksti shqiptar i kësaj feste duhet thënë se është krejt ndryshe nga ai i vendeve të tjera evropiane. Organizatorja e Natës së Bardhë, Bashkia e Tiranës e ka cilësuar këtë të fundit si një natë feste, gjatë së cilës të gjithë shqiptarët duhet të marrin pjesë, duke bërë kështu që festat kombëtare të festohen nga të gjithë, pa dallime politike. Ky është kuptimi që i ka dhënë kësaj nate feste, kreu i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, i cili ishte edhe iniciatori i organizimit të një nate pa gjumë në kryeqytet, çdo datë 29 nëntor. Sipas kryebashkiakut Rama, bashkimi në një festë të tillë do t’u shërbejë të rinjve shqiptarë që të mos harrojnë traditën dhe vlerat që mbart historia e kombit. Përveç aktiviteteve kulturore që janë zhvilluar në kryeqytet natën e mbrëmshme, qytetarët janë surprizuar edhe nga dy projekte të reja “Të lindur për të lexuar” dhe “Free Hugs” ose “Përqafime Falas”, me anë të të cilave bashkia përpiqet që të bëjë pjesë të Natës së Bardhë dy kategori shumë të ndjeshme, personat e vetmuar si dhe fëmijët, duke nisur nga mosha 3 në 13 vjeç. Për këto dy kategori synohet që në këtë natë të marrin më shumë ngrohtësi dhe dashuri, por për më të vegjlit do të ketë dhe nga një dhuratë simbolike, një libër.
Nata e bardhë në kryeqytetet e tjera evropiane
Nata e Bardhë festohet edhe në disa kryeqytete të Evropës. Roma, Parisi, Riga, Brukseli dhe Madridi janë disa kryeqytete të cilat kanë vendosur të ndajnë disa rregulla të përbashkëta, midis të cilave: nata e Bardhë është një manifestim kulturor i hapur për të gjithë dhe falas. Ajo mbahet në periudhën mes fundit të verës dhe fillimit të vjeshtës. Ajo privilegjon krijimet bashkëkohore në të gjitha format e tij, si artet plastike, projektet kinematografike, muzikë, teatër etj, duke vënë në pah hapsirën publike në të gjitha aspektet e saj. Në këtë natë preferohen kryesisht vende periferike, të cilat konsiderohen si vende prestigjioze që i përkasin historisë së qytetit dhe që shihen në një këndvështrim origjinal nga artistët, gjatë kësaj nate.
sot
Krijoni Kontakt