Prindërit e nxënësve që janë në një shkollë me 13- vjeçarin vrasës kanë kërkuar zgjidhjen e problemit të izolimit të tij
BERAT- Mundësia e lënies së lirë të 13- vjeçarit vrasës nga policia e Beratit ka bërë që menjëherë në qytet të përhapet panik. Të parët që kanë reaguar tepër të frikësuar janë prindërit e fëmijëve që mësojnë në një klasë me të por edhe banorët e lagjes. Ata kanë dëgjuar drejtorin e policisë që ka pohuar se "monstra" nuk mund të mbahet më në izolim dhe menjëherë kanë kërkuar nga shteti që të gjejë një zgjidhje për këtë problem tepër serioz. Madje ata kanë kërkuar edhe nga drejtoria arsimore e Beratit që në asnjë mënyrë të mos e lejojë djalin të rifillojë shkollën. Në rast të kundërt, prindërit kanë paralajmëruar se do të arrijnë deri në protesta.
Pas deklaratës së pak ditëve më parë të drejtorit të policisë së Beratit, Shemsi Premçi, kanë reaguar ashpër për gazetën, prindërit e fëmijëve që mësonin në një klasë me 13-vjeçarin R.H. Ata kanë kërkuar menjëherë një zgjidhje të këtij problemi tepër serioz për fëmijët e tyre. Kësaj ankese i janë bashkuar edhe prindërit e fëmijëve që mësojnë në të njëjtën shkollë me të si dhe banorët e lagjes ku jeton monstra 13-vjeçar. Drejtori i Policisë së Beratit, gjatë deklaratës së bërë në media ka pohuar se 13-vjeçari nuk mund të mbahet më i izoluar dhe nën ruajtjen e policisë në ambientet e spitalit rajonal të qytetit edhe pse është autor i disa veprave penale, përfshirë këtu vrasjen e Ëngjëllushe Sinjarit. Kjo pasi qendrimi i tij në spital është një shkelje e të drejtave të njeriut sepse "fëmija-vrasës" nuk merr asnjë mjekim që nga dita kur ai është sistemuar në një nga dhomat e sigurta të këtij spitali dhe mbajtja e tij në këtë mënyrë është një shkelje flagrante e ligjit. Premçi ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme nga ana e organeve të Drejtësisë, pasi në të kundërt lirimi i monstrës, për shkak të moshës së vogël që ka, do të shndërrohej në një rrezik serioz për shoqërinë dhe shkollën ku ai mësonte. Menjëhërë pas kësaj deklarate, kanë qënë vetë prindërit e fëmijëve që mësojnë në të njëjtën klasë, por edhe ata që i kanë fëmijët në këtë shkollë,të cilët nëpërmjet prononcimeve të bëra për gazetën, kanë pohuar se nëqoftëse 13-vjeçari do të lihej i lirë nga drejtësia, ata do ti largojnë fëmijët nga shkolla "Shyqyri Lakra". "Ne do t'i dërgojmë fëmijët në një shkollë tjetër pasi qendrimi i tyre në një ambient me 13- vjeçarin është tepër e rrezikshme. Ai fëmijë duhet të qëndrojë i izoluar pasi ka kryer disa vepra penale, por ndërkohë edhe në lagje ka sjellë probleme mjaft shqetësuese për shkak të agresivitetit të tij të tepruar",- thanë dje prindërit e shokëve të shkollës së 13- vjeçarit. Ata kanë theksuar se në lidhje me këtë problem duhet të reagojë edhe Drejtoria Arsimore Rajonale Berat, por edhe vetë drejtori i shkollës "Shyqyri Lakra", të cilët nuk duhet të lejojnë rikthimin e këtij monstre në shkollë. "Ne jo vetëm që do të heqim fëmijët nga shkolla por edhe do të dalim në protesta përpara çdo institucioni për izolimin e 13-vjeçarit, R.H",- thanë prindërit e fëmijëve të tjerë.
Krijoni Kontakt