Këshilli Bashkiak, kujdeset për sigurinë civile
( 17/11/07) Ermelinda Hoxhaj
Për herë të parë në historinë e vet, Këshilli Bashkiak i Tiranës mban një konferencë në lidhje me rendin dhe sigurinë rrugore. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, përfaqësues të Këshillit Bashkiak të Torinos si dhe përfaqësues të Ministrisë së Rendit, policisë bashkiake, Inspektoratit Ndërtimor. Të rritet siguria e qytetarëve të kryeqytetit dhe kryesisht të fëmijëve nëpër shkolla. Ky është një nga synimet më të fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak të Torinos ka organizuar dje një takim. “Siguria e fëmijëve tanë nëpër shkolla është një pikë shumë e domosdoshme, nuk mjafton vetëm një roje të dera e shkollës, por duhet më shumë”, - ka deklaruar Fatjon Softa, këshilltar i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat në Këshillin Bashkiak të Tiranës, por njëkohësish edhe kryetar i Komisionit për Sigurinë Civile. Sipas tij, duhet të merren masa për të siguruar jetën e fëmijëve nëpër shkolla, me anë të policisë bashkiake. “Nuk duhet të ndalohet qarkullimi rrugor vetëm kur kalon Presidenti apo një zyrtar tjetër, por edhe kur të nxënësit kanë orarin që shkojnë apo dalin nga shkolla, pasi për ne ata janë më të rëndësishmit”, - ka theksuar Softa. Këtë projekt e ka lançuar edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, i cili ka theksuar se kjo është një risi për Këshillin Bashkiak, ndërkohë edhe një risi për komunitetin. Gjithashtu, ai ka thënë se “dy këshillat bashkiak i hapin rrugën bashkëpunimit midis dy bashkive, asaj të Tiranës dhe Torinos, jo vetëm për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera”. Përfaqësues të policisë së rendit të Tiranës kanë sqaruar se aktualisht pranë çdo komisariati është ngritur një grup në komunitet për të ulur krimet e vogla, dhunën në familje dhe për të respektuar rregullat e bashkëjetesës. Gjithashtu, policia e Tiranës aktualisht ka 31 policë të cilët janë nëpër shkolla të kryeqytetit për sigurinë e fëmijëve. Por sipas Softës, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi shkollave u mungojnë standardet për të qenë të sigurta. “Shkollat tona, përfshi edhe një shkollë në Kombinat që është përuruar vetëm një javë më parë, nuk plotësojnë standardet e sigurisë, dyert hapen nga jashtë-brenda dhe jo nga brenda–jashtë si vendet e Europiane, por mbi të gjitha, mungojnë shkallët e emergjencës, nëse ndodh ndonjë incident”, - ka përfunduar ai.
Krijoni Kontakt