Ministri Ruli: Praktikat e reja të koncesioneve, përvojë e sukseshme në zbatim
Është zhvilluar në Hotel Tirana Konferenca Rajonale për Koncesionet (Public – Private Partnership Reform in the Western Balkans). Në konferencën, e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, OECD/SIGMA dhe Komisioni Europian,kane marrë pjesë përfaqësues nga Kroacia, Mali i Zi, Bosnja, Kosova dhe Shqipëria. Konferenca dyditore është përshëndetur nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Genc Ruli, i cili i vlerësoi praktikat e reja të koncesioneve, një përvojë të suksesshme në zbatim.
Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast ministri Ruli ka thënë se:
”Qeveria Shqiptare, një vit më parë inicioi rishikimin e plote të kuadrit ligjor në fushën e koncesioneve si një domosdoshmëri të diktuar:
- së pari, nga problemet e rezultuara prej një monitorimi të kujdesshëm në zbatimin e kontratave koncesionare, prej nga rezultuan projekte të zbatuara në nivele jo të kënaqshme, si rezultat i kontratave të dobëta në parashikimin e detyrimeve kontraktuale dhe mungese penalitetesh në raste moszbatimi detyrimesh nga palët;
- së dyti, raportet e vlerësimet e bëra nga institucione ndërkombëtare në vend, shprehnin qartë se Ligji për Koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike, i vitit 1995, edhe pse i amenduar disa here, nuk siguronte detaje mbi rregullat lidhur me tenderimin e projekteve koncesionare; këto rregulla ishin shpesh të paqarta dhe jo komplete; ligji nuk parashikonte fazat parakualifikuese dhe shortlistimin e ofertuesve, publikimin e kritereve të kualifikimit, apo vlerësimin e propozimeve dhe njoftimin e fituesit. Për me tepër dhënia e koncesioneve si projekte të pakërkuara nga rast i veçante i ligjit, u kthye në të vetmen mënyre për dhënien me koncesion, pa konkurim, të shërbimeve publike investitorëve private.
Kështu, rishikimi në mënyre kritike i praktikes se vjetër ligjore “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e investitorëve private në shërbimet publike” rezultoi me hartimin e një ligji të ri, i cili në dhjetor 2006 u miratua nga Parlamenti Shqiptar dhe i hapi rrugën praktikave transparente dhe rritjes së eficencës në përzgjedhjen e partnerit privat për realizimin e një projekti koncesionar përmes garantimit të kompetivitetit dhe procedurave të garës.
Praktika e re koncesionare e hartuar edhe me konsulencën e IFC-së solli një ligj koncesionar të krahasueshëm me modelet më të përparuara që aplikohen në vende të ndryshme të botes, duke ofruar:
- rregulla të detajuara dhe të qarta për dhënien me koncesion të projekteve publike;
- procedura transparente;
- mundësi reale për rritjen e eficencës në shërbimet publike, duke mundësuar përzgjedhjen e investitorëve seriozë, të cilët jo vetëm plotësojnë kriteret kualifikuese juridike, teknike dhe ekonomike për të marrë pjesë në një investim publik, por edhe sjellin ofertën më të mirë sipas kritereve vlerësuese të parashikuara në terma të përgjithshme në ligj dhe të specifikuara sipas llojit te projektit në dokumentet standarde të publikuara me shpalljen e garës.
- të gjitha projektpropozimet, si ato të kërkuara nga qeveria, ashtu edhe ato të pakërkuara (të cilat nuk kanë ardhur në përgjigje të një kërkese të bërë nga Autoriteti Kontraktues) janë objekt i garës dhe procedurave tenderuese të rregulluara me ligj dhe akte nën-ligjore.
- krijimin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve si një strukture në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila ndihmon dhe këshillon Autoritetin Kontraktues për: (i) shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve koncesionare në fazën e identifikimit të tyre, (ii) hartimin e kërkesës për propozim, dokumenteve parakualifikuese dhe kualifikues të garës, (iii) vlerësimin e propozimeve, (iv) përcaktimin e ofertuesit më të mirë dhe negociimit të kontratës koncesionare;
- rregulla specifike mbi përmbajtjen e kontratës në terma të përgjithshme të saj, duke siguruar themelin mbi të cilin do të ngrihet rast pas rasti partneriteti publik privat.
Praktika ligjore për koncesionet, edhe pse ka vetëm 10 muaj që ka hyrë në fuqi po implementohet me sukses në:
- sektorin hidroenergjetik, i cili numëron afro 120 projektpropozime të pakërkuara, por që tashmë janë objekt i procedurave tenderuese, për ndërtimin me koncesion të hidrocentraleve të vegjël. Deri më tani numërohen: (i) 39 HEC-e të vegjël, të cilët do të ndërtohen dhe do te jenë gati për të prodhuar energji elektrike deri në fund të 2009-ës, me një investim total prej 195 milion Euro; me një fuqi mesatare të instaluar në 211 MË dhe energji të prodhuar 962 GWH/vit; (ii) 21 HEC-e të vegjël që do të jenë gati për të prodhuar 560 GWh/vit energji ne 2010 me një fuqi totale 111 MW dhe vlerë investimi 103 milion Euro.
- Shtojmë këtu se METE ka iniciuar edhe dy projekte koncesionare në lumenjtë më të mëdhenj të vendit, siç është hidrocentrali i Skavicës në Drin dhe gjithë kaskada e Devollit – të cilët janë respektivisht në fazë tenderimi dhe vlerësimi të ofertës, duke sjellë një fuqi totale të instaluar prej mbi 700 MË dhe investim total prej afro 1, 6 miliard Euro.
- në transport (përmendim këtu një propozim të pakërkuar për ndërtimin me koncesion të një parkimi publik; një projektpropozim të kërkuar nga qeveria, për dhënien me koncesion të terminalit të kontenierëve në portin e Durrësit, i cili është ende në fazë studimore dhe një projektpropozim të kërkuar nga qeveria për dhënien me koncesion të Kontrollit Teknik të detyrueshëm të automjeteve;
- në bujqësi (dhënien me koncesion të 1000 ha për kultivimin e ullirit);
- në prodhimin, shpërndarjen dhe administrimin e ujit ( 2 projekte koncesionare të iniciuara nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe dhënien me koncesion të Ujit të ftohtë në Vlorë); si dhe në
- kontrata të administrimit të shërbimeve publike ( si p.sh. dhënia me koncesion e shërbimit për pajisjen me pasaporta elektronike dhe karta identiteti të shtetasve shqiptarë, iniciuar nga Ministria e Punëve të Brendshme), etj.
11/12/2007
Krijoni Kontakt