Dashuri në kohë të krizës

Prej vdekjes së Rugovës, rrënimi i LDK’së vazhdon. Kjo i bënë Thaçin dhe Haradinajn ta llogarisin si mundësi për të rimarrë Qeverinë. Por, në një bisedë për Express, Nënkryetari Lutfi Haziri thotë se LDK po përgatitet të qeverisë vetë dhe se vendimet për qeveritë e ardhshme do t’i marrë me kohë. Mohon se në LDK ka një grup që do koalicion me PDK’në, e një tjetër me AAK’në.

Nga Artan Mustafa më 26.12.2008 8:33 CET

Dy rivalët e ashpër të tashmes, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, u shfaqen në ceremoninë e nëntëmbëdhjetë vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më herët gjatë kësaj jave. Shmangia e dorështrëngimit mes tyre, edhe më këtë rast, ishte sinjal po aq sa shikimi i tyre strategjik - që të dy duket se e shohin LDK’në partner potencial të qeverisjes, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Lideri i AAK’së, Haradinaj, tashmë e ka shpallur këtë synim edhe publikisht në kuadër të platformës së tij për t’u rikthyer në Zyrën e Kryeministrit. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka qenë numri dy në Qeverinë LDK-AAK.

Edhe më tej një prej liderëve kryesorë të LDK’së, Haziri, i përcolli të martën Ramush Haradinajn dhe Blerim Shalën kur ata po linin më herët se Thaçi ceremoninë. Në një bisedë për Express, Haziri ka thënë të enjten se Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron dhe do të punojë që t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme vet dhe që ajo të jetë përcaktuese e qeverisjes.

“Ky është synimi ynë kryesor që pretendohet të arrihet përmes reformimit të partisë, mobilizimit të plotë politik në të gjitha strukturat”, ka deklaruar Haziri. “Me angazhim dhe nëse mund të zbatojmë reformat, ne do të arrijmë vet t’i fitojmë zgjedhjet”. Ai ka shtuar se prej kohës së bashkëqeverisjes së gjerë nën Bajram Rexhepin, LDK asnjëherë nuk ka arritur t’i zbatojë rezultatet e saj elektorale në qeverisje.

“Kemi qenë tolerantë në ndërtimin e koalicioneve dhe gjithmonë kemi ofruar mundësi për të vendosur stabilitet”, ka elaboruar Haziri. “Në këtë fazë gjendemi edhe tash”.

Kuadrot për Parlament dhe Qeveri

Haziri ka shpalosur përgatitjet që po bën LDK për zgjedhjet e ardhshme partia, ndonëse vazhdon të mbetet e tronditur nga vdekja e liderit të saj historik Ibrahim Rugovës. Ai ka shpjeguar se është vendosur për gjetjen e kandidaturave për kryetarët e komunave, pas mesit të muajit mars të vitit të ardhshëm.

“Praktikisht, bëhet fjalë për një debat gjashtë muaj përpara zgjedhjeve lokale”, ka thënë ai. “Nominimet do të ndodhin përmes një debati krejt tjetër brenda LDK’së, që synon t’i përgatis kandidatët tanë për prefektë që ata të marrin detyrën, të marrin mbi vete udhëheqjen e shtabeve komunale punuese për zgjedhje, të fillojnë të ndërtojnë politika komunale në përputhje me kërkesat e qytetarëve dhe zbatimin e programit politik të LDK’së”.

Ndërkohë, sa i përket zgjedhjeve parlamentare, me që nuk ka datë dhe nuk ka synim që ato të mbahen shumë shpejt, LDK do të përgatitet në fushën e politikave programore.

“Besoj që edhe kuadri do të jetë i gatshëm dhe do t’i përputhet atyre programeve. Pra, njerëzit që do të konkurrojnë edhe për Parlament edhe për Qeveri do të jenë të ditur me kohë”, ka thënë Haziri.

Në zgjedhjet e mëhershme, LDK nuk ka pasur fare kandidat për Kryeministër, që është posti më i fuqishëm sipas rregullimit kushtetues të vendit.

Përvojat me AAK’në dhe PDK’në

Nënkryetari Lutfi Haziri thotë se LDK ka ndërtuar partneritet qeverisës edhe me AAK’në edhe me PDK’në. “Me AAK’në kemi qeverisur tri vjet”, ka rikujtuar ai. “Përkundër vështirësive të mëdha, është arritur që rezultatet kryesore të asaj Qeverie të jenë vendimi i Këshillit të Sigurimit për hapjen e procesit të statusit të Kosovës, procesi negociator për përmbylljen e procesit dhe është arritur të vihet deri tek 17 shkurti, me rezultat dhe qeverisje tjetër”.

Ai ka rikujtuar se gjatë atyre tri vjetëve tre Kryeministra dhe dy Presidentë janë ndërruar.

“Kanë ndodhur zhvillime shumë të mëdha politike, që i atribuohen atij partneriteti qeverisës, duke mos mohuar rolin e opozitës së asaj kohe”, ka insistuar Haziri.

Sipas tij, me PDK’në është një histori tjetër e qeverisjes.

“Këtu formula e qeverisjes është diktuar nga lideri i PDK’së, z.Thaçi. Nuk është diktuar nga LDK’ja”, është shprehur ai. “Ne kemi pranuar që të jemi në qeverisje për motive që tashmë dihen - të shpalljes së deklaratës e cila kishte qenë proces i kryer, miratimit të Kushtetutës dhe akteve të mëdha”. Ai ka shtuar se dy partitë janë në partneritet të plotë dhe se partneriteti politik dhe institucional po zhvillohet edhe më tutje.

Nuk ka dy grupe në LDK

Nga perceptimet e jashtme, brenda LDK’së ekzistojnë dy grupe. Njëri i grumbulluar tek Presidenti Fatmir Sejdiu i cili shfaqet partner i lumtur i Kryeministrit aktual, dhe tjetri rreth “Grupit të Gorenjës” nostalgjik për Qeverinë me AAK’në. “Është e pasinqertë të ndahen këto grupe në LDK, me këto cilësime dhe me pro apo kundër koalicioneve”, ka thënë të enjten, nënkryetari Lutfi Haziri.

Ai ka insistuar se në LDK ekziston vetëm një LDK e cila ka dalë nga Kuvendi i fundit zgjedhor, i ‘rrëmujës’ brenda kësaj partie. “Rezultati final dhe legjitimiteti i strukturave është i tillë dhe ashtu ruhet. LDK nuk ka thyerje, nuk ka orientime të tilla”, është shprehur Haziri. “LDK ka respekt ndaj PDK’së si grup politik, ka respekt edhe ndaj AAK’së si grupim politik me të cilin kemi qeverisur më herët. Këtu, njerëzit disa kanë më tepër respekt disa më shumë - është çështje e tyre, e bindjeve të tyre”.

Haziri ka rikujtuar se ai vet, atëherë në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së partisë, ka kërkuar koalicion të gjerë me PDK’në edhe në kohën kur është zgjedhur AAK për partner kryesor. “Kam qenë njëri prej funksionarëve më të lartë të LDK’së i cili gjashtë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare e kam thyer heshtjen dhe kam filluar të flas për partneritetin e mundshëm me PDK’në dhe Hashim Thaçin si Kryeministër”, është shprehur Haziri. “Këto zhvillime në LDK’së nuk duhet të harrohen. LDK edhe në të ardhmen do të vlerësojë se cila është më e mira për vendin dhe cila është më e mira edhe për ne, sepse tash jemi në një ambient politik konkurrues”.

LDK si stabilizator

Kështu që, Lidhja Demokratike e Kosovës paraqitet si një subjekt i patejkalueshëm politik për qeverisjen e ardhshme, të paktën ashtu siç flasin sot matjet e opinionit.

Nënkryetari Haziri thotë se LDK ka qenë stabilizatori kryesor i jetës politike në çdo rrethanë.

“Gjithmonë kompromiset dhe marrëveshjet politike për vendin LDK i ka bërë në dëm të vetës. Jo pa vetëdije, jo me presione ngase mund të përmendet vazhdimisht se ky apo ai shtet e ka ndikuar”, ka nënvizuar Haziri. Por ai thotë se LDK për herë të parë në jetën politike të saj është parti e dytë në Kosovë dhe këtë rol e ka kuptuar, prandaj në të ardhmen synon të kthehet si parti lidere, kryesore.

“Ky është synimi ynë, i tërë udhëheqjes dhe anëtarësisë së LDK’së”. Pastaj - shton ai - vendimet e mëdha do të jenë të kohës që do të vjen. “LDK nuk është parti mohuese, nuk është parti që distancohet. Punon me të gjithë, bashkëpunon me të gjithë dhe çmon rolin e atyre që kanë peshë në jetën politike”.