Festojnë me Thaçin
Lidhja Demokratike e Kosovës festoi përvjetorin e nëntëmbëdhjetë për të herë të parë me praninë e Hashim Thaçit, partnerit më të ri qeverisës. Ky i fundit, edhe me këtë rast, shmangu dorështrëngimin me Ramush Haradinajn i cili pretendon të rikthejë formulën e qeverisjes LDK-AAK.
Nga Shpend Limoni më 24.12.2008 8:58 CET
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar përvjetorin e nëntëmbëdhjetë të themelimit të saj të martën, për herë të parë me prezencën e Hashim Thaçit, dikur rival i ashpër i kësaj partie.
Kryeministri Hashim Thaçi, tashmë lider i partisë më të madhe në vend ( PDK), bashkë me Hajredin Kuçin dhe Fatmir Limajn, ka arritur me vonesë në përvjetorin e LDK’së partnere.
Thaçi i është bashkuar Sejdiut në rreshtin e parë, për të dëgjuar fjalimet e zyrtarëve të LDK’së, me të cilët edhe ka ngritur dolli duke ua uruar ditëlindjen e partisë.
Festës së LDK’së i ishte bashkuar edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga Blerim Shala.
Thaçi dhe Haradinaj edhe kësaj here i kanë ikur shtrëngimit të duarve duke u pozicionuar në anë të ndryshme të sallës ku mbahej manifestimi.
Nënkryetari i LDK’së Eqrem Kryeziu ka folur edhe për koalicionin PDK –LDK duke thënë se “koalicioni i tanishëm qeverisës i shërben Kosovës”.
Por zyrtarë të LDK’së para fillimit të ceremonisë ishin kujdesur që t’i kushtonin vëmendje edhe Ramush Haradinajt.
Sidoqë të jetë përvjetori i LDK’së ka kaluar në kornizën tashmë tradicionale.
Ibrahim Rugova, lideri i dikurshëm i kësaj partie vazhdon të mbetet figura që nxit më së shumti duartrokitjet e të pranishmëve përderisa zyrtarë të LDK’së edhe më tej vazhdojnë të gjejnë epitete të ndryshme për të.
I pari para të pranishmëve është paraqitur Sabri Hamiti duke lexuar një poezi e cila ka përfunduar me fjalët “Baba Rugova”.
Në njërën nga vargjet ai ka krahasuar Rugovën me Krishtin.
“Prej Betlehemit në Nazaret ti mbolle drurin që i thonë jetë dhe barte kryqin udhës përpjetë, trim o Ibrahim”.
Të pranishmit në sallë kanë mbajtur një minutë heshtje për Presidentin Rugova përderisa kësaj here kanë dëgjuar vetëm himnin e Kosovës dhe “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” e jo edhe himnin kombëtar.
Ndërsa në fjalën e tij, Presidenti Fatmir Sejdiu, LDK’në e ka quajtur “prijetare të rëndësishme në vizionin politik në mendimin politik dhe në aksionin politik në luftën për liri pavarësi dhe demokraci në Kosovë”
“ Dua të çmojë lartë ideatorët për themelimin e LDK’së dhe bartësin kryesor të proceseve më të vështira presidentin historik Ibrahim Rugova pa prezencën e të cilit sot shënojmë këtë përvjetor por gjithmonë me kujtim të madh për punën e palodhshme dhe të shkrirjes së tij për Kosovën” ka thënë ai.
Por Sejdiu më pas ka përmendur edhe Adem Jasharin.
“Duke iu falënderuar shkrirjes dhe sakrificës të këtyre dy personaliteteve të mëdha të Kosovës, ne kemi edhe këtë punë të tanishme dhe këto rezultate të rëndësishme që kemi” ka thënë ai.
I vetmi që ka folur për aktualitetin në LDK ka qenë nënkryetari i saj Eqrem Kryeziu.
Ai i ka vlerësuar të rëndësishme reformat që duhen të bëhen në këtë subjekt politik.
“Reformat në LDK kanë synim të dyfishtë: kualitetin dhe teknikën. Me kualitet kemi parasysh ndershmërinë dhe kreativitetin ndërsa me teknikë shumësinë e mekanizmave të partisë dhe hapjen e saj” ka thënë Kryeziu.
----------------------------------
qysh luen Thaqi qoke me ta haaaaaaaaa
Krijoni Kontakt