“Doktor Zhivagoja”, mjeku i inteligjencies ruse - në 50-vjetorin e botimit të parë
(18.11.2007)
Tregojnë se gjatë shtetrrethimeve të kohës së spastrimeve staliniste të viteve ’30, Boris Leonidoviç Pasternaku ishte ndër të paktit njerz që sfidonte ligjin tue dalë natën.
Rrezikonte jetën për me shkue me i ba vizitë në shtëpi Anna Ahmatovës, mike e tija e ngushtë e cila asokohe jetonte e veçueme për shkak se burrin ia kishin pushkatue, ndërsa i biri, Levi, gjindej në burg.
Shumica e shqiptarëve e ka njohtë kryeveprën e Pasternakut falë filmit të mrekullueshëm të regjisorit David Lean, fitues i pesë çmimeve Oskar për muzikën, fotografinë, skenat, kostumet dhe skenarin. Aktorët e mëdhaj Omar Sharif, Julie Christie, Rod Steiger, Geraldine Chaplin, Alec Guinness, Klaus Kinski i kanë dhanë jetë, falë talentit të tyne dhe regjisë së mjeshtrit Lean, personazheve që Pasternaku ka skalitë në romanin e tij.
Me 23 nandor mbushen plot 50 vjet prej botimit të parë të veprës së Pasternakut. Ndoshta ka prej atyne që s’e dijnë se kjo vepër ka pa së pari dritën e botimit jo në gjuhën ruse po në atë italiane.
Në fakt me 23 nandor 1957 botuesi italian Giangiacomo Feltrinelli qe i pari në botë që botoi «Doktor Zhivagon».
Vepra qarkullonte në Bashkimin Sovjetik në nji rreth të ngushtë personash si «samizdat» (vetëbotim), e kopjueme me dorë dhe e shpërndame në mirëbesim.
Ishte G. Feltrinelli – biznesmen dhe komunist italian, që në vitin 1972 do të vritej prej nji bombe që me shokë të vet po përgatiste për nji aksion sabotimi – i cili do t’i bante të njohun botës veprën e disidentit rus.
Boris Leonidoviçi ka lindë në Moskë me 10 shkurt 1890, i jati ishte piktor ndërsa e ama Roza Kaufmann ishte pianiste. Mbas përfundimit të liceut gjerman në Moskë shkruehet në fakultetin e filozofisë dhe mâ vonë ndjekë nji semestër edhe në Marburg, ku asokohe ishte mjaft i fortë ndikimi i filozofëve neokantianë.
Në vitin 1936 shkon me banue në Peredellkino, ku edhe do të vdesin me 30 maj 1960, i braktisun, i shamë, i prozhmuem dhe i lanun qëllimshëm në harresë.
Kryevepra e tij «Doktor Zhivagoja» (Доктор Живаго) asht i vetmi roman që ai ka shkrue, dhe e ka nisë menjiherë mbas Luftës botnore. Lidhja e shkrimtarëve të BRSS nuk e pranoi, mbasi ai roman denigronte Revolucionin e Tetorit dhe vetë regjimin sovjetik.
Nji gazetar italian i Radio Moskës: Sergio d’Angelo mbërriti me e shti dorëshkrimin mshehtas në Itali dhe me ia dorzue botuesit Feltrinelli.
Dalja e romanit qe nji sukses i vërtetë. N’ato vite regjimi sovjetik kishte ba hapa përpara falë politikës së Hrushovit drejt çmobilizmit të sistemit policor, ishin dënue Stalini dhe krimet e kryeme prej tij, por në fund të fundit vendi ishte në duer të forta bolshevike që mbanin ende fort nji sistem totalitar çnjerzor.
Në vitin 1958 «Doktor Zhivagoja» do të merrej në shqyrtim si vepër prej Akademisë suedeze për dhanjen e çmimit Nobel. Por kishte nji problem: libri ishte përkthye e botue në disa gjuhë, por nuk ekzistonte nji botim rusisht. Pak ditë përpara shpalljes së fituesit të çmimit Nobel, CIA dhe shërbimi sekret britanik ra në gjurmët e nji dorëshkrimi në gjuhën ruse që po fluturonte në nji avion të drejtuem për në Maltë. Menjiherë avioni u detyrue me ndërrue drejtim, u mor dorëshkrimi dhe u fotografue faqe për faqe dhe u shtyp në kohë rekord në letër të ngjashme me atë që përdorej në BRSS dhe me formatin dhe teknikat sovjetike që të dukej si botim sovjetik.
Marrja e çmimit Nobel në vend që me ia lehtësue jetën Pasternakut, ia vështirësoj edhe ma tej, aq sa i shtërnguem prej autoriteteve sovjetike ai e refuzoi çmimin.
Romani do të botohej në atdheun e autorit vetëm në vitin 1988 dhe nji vit ma vonë, i biri, Jevgenij do të shkonte në Suedi me tërheqë çmimin që iu pat dhanë të jatit para 31 vjetësh.
Kohët e fundit janë ba të njohtuna prej Arkivit Feltrinelli letrat që Pasternaku i drejtonte botuesit të vet. Letra e 18 nandorit 1959 asht nji prej ma të shqetsuemeve:
18 nandor 1959
I dashun mik,
(...) më ka ra në vesh se dëshironi me ardhë në BRSS. Hiqni dorë ju lutem prej kësaj dëshirë, sakrifikojeni këtë ide për mue, mos ejani. Sado të mëdha e të randësishme të jenë çeshtjet tueja të punës me URSS, kujdesojini prej larg, në distancë, me anë të postës. Ju nuk përfytyroni se çfarë pasojash të dhimbshme, pabesueshmënisht përulëse dhe të rrezikshme, mund të ketë vizita juej mbas nisjes suej, edhe pse gjatë ndejtjes tuej të gjitha formalitetet do të respektohen.
Në qoftë se kambëngulni me e krye ketë udhtim, duhet të dini dhe të mos harroni: duhet të vini të më vizitoni në shtëpinë teme të Peredelkinos të dielen e ardhjes tuej, në ora tre (ora e drekës ruse) me gruen tuej (në qoftë se ju shoqnon), haptas, që të njihni gruen teme. Duhet të keni kujdes e të mos përmendni emna dhe gjana që nuk ju përkasin dhe s’duhet të thelloheni në çeshtjet mâ të zakonshme dhe objektive. Nji tjetër takim apo takime të tjera, mâ pak të dukshme prej së jashtmi, ma të thelluem në të gjitha detajet dhe veçantitë, do t’i kemi me Madamë O. Mos u zemroni. Duhet t’i bani këto sakrifica për mue.
Jueji
Boris Pasternak
Përveç kësaj letre me rastin e 50 vjetorit të botimit të «Doktor Zhivagos» shtëpia botuese Feltrinelli ka nxjerrë nji dokumentar të regjistruem në dvd ku bahet i dijtun nji prej debateve ma interesante që u zhvillue në Italinë e fundit të viteve ’50 rreth Pasternakut dhe veprës së tij.
Në debatin televiziv – të zhvilluem në nandorin e vitit 1958 - merrnin pjesë Ignazio Silone, Angelo Maria Ripellino, Vasco Pratolini e Italo Calvino.
Asht interesant reagimi i Calvino-s ndaj valës së persekutimit që ishte intensifikue në BRSS ndaj Pasternakut. Duhet dijtë se vetë Calvino-ja nji vit ma parë ishte largue prej PKI. Shkrimtari i madh italian ia mvesh fajin e persekutimit të Pasternakut jo vetëm autoriteteve komuniste por edhe Perëndimit që i ka dhanë çmimin Nobel tue i dhanë vetë çeshtjes nji ngjyrë të theksueme politike.
Ata që kanë jetue nën nji regjim komunist e dijnë mjaft mirë se Calvino-ja kësaj here nuk kishte të drejtë, mbasi edhe pa çmimin Nobel – autori i asaj vepër ishte në shenjestër të persekutimit komunist. Romani i Pasternakut nuk kishte anmiq në nomenklaturën sovjetike për shkaqe letrare por për arsye parimore politike.
Sot që arsyet parimore kanë mbarue përgjithmonë dhe çensorët e mvrejtun janë ba hi e pluhun, vlerat letrare dhe talenti i Pasternakut shkëlqejnë, ashtu si gjithë gjanat me vlerë.
Nga Ardian Ndreca
Krijoni Kontakt