Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475

    Rasti Kurti: kokëçarje ligjore për OKB-në

    Rasti Kurti: kokëçarje ligjore për OKB-në

    02 tetor 2007 Qytetarët e Kosovës dhe administrata e OKB-së nuk e shohin me të njëjtin sy tretmanin juridik ndaj Albin Kurtit



    Albin Kurti rri i ulur në banesën e tij, në katin e katërt të një ndërtese në lagjen Dardania të Prishtinës. Çdo tetë orë, dy policë të ri nisin ndërrimin e tyre në hyrje të bllokut banesor. Ata qëndrojnë 24 orë në ditë aty, për të siguruar se Kurti nuk do të lëvizë.

    “Jam i burgosur politik,” thotë Kurti, duke qëndruar i qetë në një kolltuk para një rafti të madh librash të gjithfarshëm.

    “Ata [UNMIK-u] nuk duan kurrfarë kritike. Ata duan ta heshtin çfarëdo zëri kundërshtues”, shton ai.

    Për muaj të tërë, aktivitetet e përditshme të Kurtit janë të kufizuara në lexim dhe pritje të vizitorëve të shumtë që vijnë për ta takuar në banesën e tij.

    Fillimisht, Kurti arrestohej për aktivitete të ndryshme të Vetëvendosjes, por që nga protesta e 10 shkurtit në Prishtinë, ku humbën jetën 2 dhe u plagosën 80 persona si pasojë e përleshjeve me policinë, ai ka mbetur ose prapa grilave ose, së fundi, në arrest shtëpiak.

    Lëvizja Vetëvendosje kundërshton procesin e negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës, duke kërkuar pavarësi të plotë dhe të menjëhershme për territorin e administruar nga OKB-ja.

    Kurti, ish lider studentor, u arrestua në vitin 1999 dhe u dënua me 15 vite burg nga regjimi i Sllobodan Miloseviqit nën akuzat për vepra kriminale ndaj integritetit territorial të ish Jugosllavisë dhe përfshirjes në aktivitete terroriste. Ai u lirua nga burgu në vitin 2001.

    Lëvizja Vetëvendosje, që mblodhi rreth vetes me mijëra njerëz, u përfshi në shumë aksione, mes të cilave edhe protesta kundër misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, si dhe shkrimit të sloganit “jo negociata, vetëvendosje” nëpër muret e shumë ndërtesave publike.

    Tashmë që ai ndodhet nën arrest shtëpiak për muaj të tërë, në Kosovë po dalin në pah dy opinione të ndryshme lidhur me këtë rast. Përderisa shumica e kosovarëve besojnë se aktakuza që e ngarkon Kuritn është e motivuar politikisht, administrata ndërkombëtare është fuqishëm kundër këtij kategorizimi.

    Ndërkohë, një valë e re e kritikave nga ekspertë vendorë, analistë e qytetarë ka marr dhenë. Shumë prej tyre mendojnë se prokuroria dhe gjykatësit i takojnë të njëjtit departament të UNMIK-ut, gjë kjo që pengon pavarësinë e gjyqësorit.

    Aktakuza kundër Kurtit u ngrit nga një prokuror ndërkombëtar me 31 maj për “pjesëmarrje në turmë në rolin e organizatorit, kryerje të veprës kriminale, [dhe] pjesëmarrje si lider grupi në përpjekje për pengim të personave zyrtarë në detyre.”

    Akuzat ndërlidhen me protestën e 10 shkurtit, në të cilën dy persona u vranë pasi që forcat policore të OKB-së shkrepën plumba gome në drejtim të protestuesve, kur ata tentuan ta thyejnë barrikadën policore për të vazhduar drejt një ndërtese qeveritare.

    Një hetim i pavarur, i udhëhequr nga prokurori special Robert Dean, zbuloi se viktimat vdiqën pasi që u qëlluan në kokë me plumba gome nga oficerët rumunë të policisë së OKB-së dhe se vdekja e tyre ishte “e panevojshme dhe e shmangshme”.

    Sidoqoftë, në raportin final të 2 korrikut, Dean tha se ekzistonin dallime esenciale mes ligjit rumun, ligjit ndërkombëtarë dhe parimeve të OKB-së mbi përdorimin e plumbave të gomës dhe se asnjë oficerë policorë nuk mund të ngarkohet për vdekjet.

    Për më shumë rreth protestës, lexojeni raportin Hulumtues të BIRN-it në http://birn.eu.com/en/79/10/2548/

    Statusi i Kosovës, territor ky i administruar nga OKB-ja që nga viti 1999, është çështje që po negociohet mes politikanëve të Kosovës dhe Serbisë përmes ndërmjetësimit ndërkombëtarë.

    Por, përderisa shumë në Kosovë mund të mos pajtohen me veprimet e Kurtit, shumica besojnë se ai është duke u mbajtur i izoluar vetëm e vetëm që t’i pamundësohet vazhdimi i aktiviteteve të tija politike në këto momente kur po tentohet të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës.

    Aktakuza kundër Kurtit është në duar të prokurorëve ndërkombëtarë, gjersa po gjykohet, gjithashtu, nga gjykatës ndërkombëtarë për shkak se, sipas UNMIK-ut, rasti bart në vete ndjeshmëri të veçantë politike.

    Sistemi gjyqësor ndërkombëtarë në Kosovë, i menaxhuar nga Departamenti i Drejtësisë i UNMIK-ut, DOJ, vazhdon të ketë autoritet, falë kompetencave të rezervuara, mbi raste specifike që janë në duar të gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

    Ahmet Hasolli, avokati mbrojtës i caktuar nga gjykata, por i refuzuar nga Kurti, thotë se arsyetimi për mbajtjen e Kurtit nën arrest shtëpiak është i pa bazë.

    “E vetmja bazë ligjore mbi të cilën po e mbajnë nën arrest shtëpiak është frika e përsëritjes së shkeljeve të njëjta, duke supozuar se ai është i fajshëm për shkeljet që po i ngarkohen,” thotë Hasolli.
    Hasolli e ka kritikuar panelin prej tre gjykatësve të cilët ndodhen në krye te procesit gjyqësor për, siç thotë ai, mbështetje të pareshtur për prokurorinë duke aprovuar dhe riafirmuar kërkesën për vazhdimin e arrestit shtëpiak ndaj Kurtit.

    Avokati i njohur Tomë Gashi, i cili po punon ngushtë me Amnesty International, organizatë botërore për të drejtat e njeriut, thotë se “çdokush në Kosovë e di që Kurti është i burgosur politik”.

    Gashi tregon se ai dhe një grup avokatësh ndërkombëtarë po mbledhin fakte që mund të çojnë në shpalljen e Kurtit si i burgosur politik nga organizata siç është Amnesty International. “Kjo do të ndodhë së shpejti”, thotë ai.

    Organizata tjera për të drejtat e njeriut kanë reaguar gjithashtu. “Aktakuza kundër Albin Kurtit konsiderohet të jetë një vendim politik, kundër lirisë së shprehjes dhe së drejtës për të protestuar”, tha Behxhet Shala, drejtor i Këshillit Për Mbrojtjen e te Drejtave dhe Lirive të Njeriut, organizatë vendore për drejta të njeriut.

    Julie Chadbourne nga Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut tha në një nga debatet “Jeta në Kosovë” të BIRN-it, se organizatës së saj i është ndaluar të vizitoj Kurtin gjersa ishte nën arrest, pa një justifikim të mirëfilltë. Organizata tjera dhe zyrtarë politikë u lejuan ta vizitojnë Kurtin, tha ajo. “Kjo flet për aplikim arbitrar të ligjit”, tha Chadbourne.

    Ilir Mirena, analist nga Prishtina, i tha Balkan Insajtit se “motivet pse Kurti ndodhet nën arrest shtëpiak i japin atij të gjitha atributet e një të burgosuri politik”.

    Por zyrtarët e UNMIK-ut nuk pajtohen. “Ai [Kurti] nuk po persekutohet për bindjet e tij politike. Bindjet e tij politike janë për një Kosovë të pavarur, dhe kjo është çfarë do shumica këtu”, thotë Robert Dean, prokuror ndërkombëtar dhe ushtrues detyre i pozitës së udhëheqësit të Departamentit të Drejtësisë pranë UNMIK-ut.

    “Problemi me Kurtin ka të bëjë me mënyrën e shprehjes. Nuk është në pyetje mesazhi, por mënyra e përçimit të këtij mesazhi”, Dean i tha Balkan Insajtit, duke shtuar se Vetëvendosja ka synuar të hyj në ndërtesat qeveritare gjatë protestave të 10 shkurtit.

    Politikanët kosovarë ishin të shpejtë në dënimin e protestave dhe humbjen e dy jetëve, si dhe kritikuan lëvizjen Vetëvendosje për organizimin e demonstratës. Sidoqoftë, me kalimin e kohës disa politikanë kosovarë kanë akuzuar UNMIK-un për nisjen e një procesi politik gjyqësor kundër Kurtit

    Në një opinion të publikuar në të përditshmen “Koha Ditore”, Jakup Krasniqi, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, e cilësoi aktakuzën kundër Kurtit si absurde.

    “Nuk pajtohem në shumë pika me Vetëvendosjen e pikëpamjet politike të Albin Kurtit, por ai dhe çdokush tjetër në Kosovë duhet të ndjehet i lirë të shpreh pikëpamjet e veta”, shkroi Krasni i i cili kërkoi nga gjykata të mos e vonojë procesin, por t’i jap fund atij, dhe ta liroj Kurtin.

    Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj, pritet të vendos së shpejti nëse gjykimi ndaj Kurtit duhet të vazhdoj me të njëjtën përbërje gjykatësish, pasi që Maurizio Salustro, gjykatës ndërkombëtarë i kësaj Gjykate, e shtyu gjykimin për kohë të pacaktuar pas një seance që u mbajt me 19 shtator.

    “Kam pranuar sot një dosje dhe do të marr vendim sa më shpejtë që është e mundur”, Nokaj i tha Balkan Insajtit më 27 shtator.


    “Nuk e pranoj këtë panel gjykatësish...nuk e njoh këtë gjykatë”, tha Kurti në seancën e fundit. “Ju nuk jeni të paanashëm – siç do ta shpjegoj, procedimi i rastit tregon që ju e favorizoni prokurorinë dhe tashmë presupozoni që jam fajtor. Ju po e mbështetni diskriminimin dhe parregullsitë procedurale të cilat m’i shkelin të drejtat dhe liritë e mia fondamentale”, tha ai.

    “Të drejtat e mija elementare janë shkelur gjatë seancës së fundit”, thotë Kurti duke shtuar se Salustro ia ndërpreu fjalimin e tij vetëmbrojtës për shkak të, sipas tij, jorelevancës për gjykimin.

    Sipas transkriptit të seancës së 7 majit, “si përgjigje ndaj reagimit të gjykatës se është e drejtë e secilit qytetarë në vende demokratike të përfshihet në demonstrime paqësore pa e paragjykuar mirëqenien e të tjerëve, Prokurori Publik tentoi ta ndërlidh këtë me rrezikun që i pandehuri paraqiste për të ardhmen e statusit të Kosovës”.

    Hilmi Jashari, ushtrues i detyrës së Ombudspersonit të Kosovës, shprehi habi kur iu kërkua të komentonte në këto vërejtje të prokurorit. “Gjykatësi do të duhej ta kundërshtonte këtë fjali posa ta kishte dëgjuar”, tha ai.

    “Nuk mund të komentoj në këtë rast speficik. Por, mendoj se një gjë e tillë mund të interpretohet si politike”, tha Robert Dean, i cili është mbikëqyrës i gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

    Kurti gjithashtu vë në pikëpyetje paanshmërinë e gjykatësve për shkak të strukturimit organizativ të administratës ndërkombëtare në Kosovë.

    “Edhe prokurorët edhe gjykatësit emërohen dhe mbikëqyren nga UNMIK-u. Gjykatësit nuk mund të jenë të pavarur dhe të paanshëm kështu. Për më shumë, në rastin tim, UNMIK-u është gjithashtu palë e dëmtuar”, thotë ai, duke e zhvendosur vëmendjen te telefonata të shumta që i bëhen nga njerëz që duan të dinë si ia kalon.

    “ ‘Gjykatësi’ po e paditë, ‘gjykatësi’ po e gjykon, e për më shumë, ‘gjykatësi’ supozohet të jetë viktima e tij”, tha Tomë Gashi.
    Robert Dean thotë se, si ushtrues detyre i udhëheqësit të DOJ, ai u ka “premtuar gjykatësve pavarësi të plotë në punët e tyre”. Megjithatë, ai pranon një fakt të rëndësishëm: “Kur pash strukturën ku prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë ishin organizativisht përbrenda të njëjtit departament të drejtësisë, mu duk, nga përvoja ime amerikane, goxha problematike”.

    Sidoqoftë, Dean thotë se kjo është struktura që u themelua kur u nis i tërë misioni, dhe se ai po tregon kujdes të veçantë për të garantuar pavarësinë e nevojshme për gjykatësit. “Duhet të ndërmarrim masa shtesë për të siguruar që gjykatësit janë të pavarur. Edhe pse për strukturën organizative edhe më tutj kam rezerva”, tha ai.

    Hilmi Jashari tha se kjo ka qenë brengosëse për Ombudspersonin qysh nga fillimi. Jashari gjithashtu thekson se zyra e tij ka vërejtur shkelje të dukshme procedurale në rastin e Kurtit. “Ka pasur momente kur prokurori iu afrua gjykatësit dhe u konsultua me të pa praninë e avokatit mbrojtës”.

    Robert Dean tha se nuk mund të komentonte për këtë rast të veçantë sepse nuk ishte në dijeni se çka ishte temë diskutimi.

    Në anën tjetër, të pakët janë ata që mund ta injorojnë faktin se pothuajse secili person në Kosovë ka një mendim të qartë për rastin e Kurtit. Edhe pse jo shumë do të dilnin me të në protesta kundër UNMIK-ut, shumica e kosovarëve besojnë se lideri i Vetëvendosjes po izolohet me qëllim.

    Fakti se Kurti po mbahet nën arrest shtëpiak “është fyerje për sistemin gjyqësor”, thotë Tomë Gashi. “Çdo gjë që ka bërë Albini, ishte publike. Nuk ka absolutisht asnjë arsye që ai të mbahet nën arrest”, tha ai duke shtuar se UNMIK-u dëshiron ta mbaj atë të izoluar deri sa të mbaron zgjidhja e statusit të Kosovës.

    Por ai thotë se “Kosovës Kurti i duhet tani, dhe jo pas statusit”.

    “Ajo çfarë po i bëjnë atij është e padrejtë. Që kur mbaj mend, Albini gjithmonë ka protestuar. Ai gjithmonë ngre zërin për çështje të ndryshme”, thotë Jetoni, një banakier19 vjeçar nga Prishtina.

    Një tjetër qytetar ndërhynë në bisedë. “Dikujt i shkon shumë për shtati mbajtja e tij në izolim. Nuk kanë kurrfarë dëshmie për ta dënuar, prandaj po e mbajnë të mbyllur”, tha ai.

    Në ndërkohë, Albin Kurti mbetet nën arrest në banesën e tij. “Rasti im do të jetë rast interesant për tu studiuar në të ardhmen”, thotë ai duke iu përgjigjur edhe një thirrjeje telefonike.

    “Po eja, në shtëpi jam. S’kam ku të jem tjetër”, thotë ai.
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  2. #2
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    SOT QENKA DITA E ALBIN KURTIT
    NA KISHTE HAPE NJERI NJE TEME


    http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=87444
    Zgjedhjet në kornizë 12 me 44!



    CILAT DO TË JENË BEFASITË E ZGJEDHJEVE TË SOTME
    (?!)

    Të gjitha partitë do të marrin më pakë se sa kanë pritur.- së paku njëra nga gjashtë partitë e mëdha nuk do ta kalojë pragun.- Ekziston mundësia reale që të ketë ankesa dhe dikund edhe të kontestohen rezultatet..- Pjesëmarrja në votime do të lë për të dëshiruar.



    Zgjedhjet e sotshme në Kosovë do të sjellin befasi të shumta. Gati se nuk ka rast në botë, mundet qe edhe Kosova të jetë i vetmi rast, që në një vend në të njëjtën ditë mbahen zgjedhjet parlamentare, mbahen zgjedhjet lokale dhe mbahen zgjedhjet për kryetar të komunave.



    Karakteristikë befasuese është se zgjedhjet mbahen me lista të hapura, kur secili votues i ka dhjetë vota për kandidatët e mundshëm, që e dhjetëfishon peshën e rreth një milion e gjysmë votuesve kosovarë. Kjo është e mirë sepse ndërmjet kandidatëve të ofruar qytetari e jo partia e bënë ranglistën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ose të këshilltarëve të asambleve komunale, dhe nuk e bënë partia apo udhëheqja e ngushtë e sajë. E keqe është se Kosova ende ka popullsi analfabete, dhe nevojitën suflerë për një pjesë të mirë të votuesve të gjinden në broshurat e përcaktimit të emrave dhe të shndërrimit të tyre në numra . Lehtë mund të ndodhë që i njëjti votues të përcaktohet për një subjekt në nivelin qendror, për një subjekt tjetër në komunën e tij dhe për një kandidat të tretë për kryetar komune.



    Befasia e parë


    Pjesëmarrja në zgjedhje nuk pritet të jetë e lartë, duke u konsideruar sukses nëse sillet te dyzet përqindëshi. Në daljen apo mos daljen në votim kanë ndikuar jo vetëm fushata zgjedhore, por edhe puna e deritashme e partive të cilat populli i njeh edhe sipas punës e jo vetëm sipas premtimeve. Mos dalja e pritur e qytetarëve në zgjedhje shprehet konkretisht në përqindjen që secila parti politike do ta fitojë, sepse me saktësi mund të llogaritet se cila parti ka elektorat më stabil, dhe cila parti ka elektorat të ri dhe cila parti ka elektorat të mëdyshur, dhe kjo atëherë i prishë të gjitha kalkulimet paraprake.



    Befasia e dytë

    Mënyra e votimit që qytetari e përcakton kandidatin pavarësisht nga renditja partiake, do të sjellë befasi në faktin që disa figura të njohura, shumë të rënda në strukturat partiake nuk do ta kalojnë testin e përcaktuar nga vota e popullit. Disa nga këto figura do të marrin më pak vota se sa kanë llogaritur në mjediset e tyre naive. Kjo do të sjellë një lloj tërmeti brenda strukturave të partive.



    Befasia e tretë

    Disa nga kandidatët për kryetar të komunave do të marrin më pak e disa më shumë vota se sa ka fituar partia në nivelin komunal. Kjo do të ulë ose do të rritë autoritetin e tij karshi strukturave të partisë nga e cila vjen. Në disa mjedise kandidatët e pavarur do të marrin më shumë vota se sa një pjesë e mirë e partive në at komunë.



    Befasia e katërt


    Serbët me grishjen e qeverisë së Serbisë nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Ndokund nuk do të lënë të hapen vendvotimet dhe nuk do ti lënë banorët tjerë joserbë të realizojnë të drejtën e vet themelore për të votuar, për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur. Të gjitha gjasat janë që këtu do tu vazhdohet mandati legjislaturës dhe udhëheqjes së vjetër, duke shkelur dinjitetin e votuesve shqiptar.



    Befasia e pestë

    Votat me kusht dhe votat nëpërmjet postës së diasporës shqiptare të Kosovës do të rrisin përqindjen e një partie politike e cila e ka ndikimin më të madh atje. Kjo do të shkaktojë pakënaqësi të subjekteve të tjera gjatë pranimit të rezultateve përfundimtare.



    Befasia e gjashtë

    Rezultati do të tregojë rajonalizim dhe grupëzim krahinor të partive. Secila parti dot ketë nga një zonë të themi kushtimisht të veten.



    Befasia e shtatë

    Nuk do të ketë përputhje ndërmjet rezultateve qendrore dhe atyre komunale. Kjo nuk dot mundësoj që të bëhen koalicione parimore, në gjithë vijën. Tjera marrëveshje do të bëhen në nivelin komunal që gjithsesi ndikojnë në marrëveshjen për krijimin e qeverisë së Kosovës.



    Befasia e tetë.

    Në disa komuna do të ketë rast që kryetari të jetë i një partie tjetër ndërsa shumica e asamblesë komunale e partisë tjetër.Bashkëqeverisja në këto raste pa një marrëveshje në nivel qendror do të ishte një mjeshtri e rrallë.



    Befasia e nëntë

    Pritjet e partive nuk do të shpaguhet. Planifikimet ashtu si edhe premtimet ishin shumë të larta e të këtij niveli do të jenë edhe zhgënjimet. Në këtë bazë priten dorëheqjet shkarkimet dhe çarjet nëpër partitë politike.



    Befasi e dhjetë


    Statusi i Kosovës do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Kush del e para ka ndikim në Ekipin e Unitetit, në strukturën e tij si dhe në strukturën e tri funksioneve, president, kryeministër dhe kryeparlamentar.



    E mira e këtyre zgjedhjeve është se për të parën herë vota e qytetarit është e rëndësishme në përcaktimin e kandidatit, aniqë asnjë funksion nuk do ta ketë pavarësinë e vendimmarrjes, sipas mandatit të fituar nga populli, për shkak të mbikëqyrjes disavjeçare ndërkombëtare të Kosovës. Fituese në lojën e mandatit të kufizuar do ta ketë ajo parti politike e cila i ka duart e lira të zgjedhë partnerët e koalicionit, e jo që kjo të jetë e determinuar nga rezultati i ngushtë i zgjedhjeve, ku partneri i koalicionit imponohet e nuk zgjidhet.



    ---------------------------



    …EDHE “PAVARËSI” EDHE ME SERBI…!“
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

Tema të Ngjashme

  1. Autostrada Durrës-Kukës mbaron ne qershor 2009
    Nga ganoid në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 739
    Postimi i Fundit: 02-08-2010, 18:05
  2. Marrezi Ligjore Apo Cmenduri E Ligjshme
    Nga B U R R I në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 13-02-2009, 18:42
  3. Moisiu: Nuk nënshkruaj shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku
    Nga Antimafia në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 192
    Postimi i Fundit: 30-09-2007, 18:11
  4. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 06-10-2003, 14:21

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •