• Kompania AET tërhiqet nga ndërtimi i parkut energjetik. Drejtori i AET (Azienda Elettrica Ticinese), Reto Brunett tha se zbatuesi nuk gjeti financim
Kemi ngurtësuar projektin e ndërtimit të impiantit të rigazifikimit të gazit metan në Shqipëri, si pjesë e një rishikimi të përgjithshëm të strategjisë sonë të investimeve”. Ka deklaruar kështu këto ditë për median zvicerane drejtori i AET (Azienda Elettrica Ticinese), Reto Brunett. Sipas rrjetit kombëtar televiziv të Zvicrës, Brunett shtoi edhe se javët e ardhshme pritet të merret vendimi përkatës lidhur me këtë ndryshim qendrimi. Në këtë mënyrë, ai ka konfirmuar zërat, e përhapura nga televizionet vendore të Luganos, se shoqëria ishte e pakënaqur nga fakti se ASG Power, kompani-bijë, ku AET zotëron 50% të aksioneve, nuk kishte arritur të gjente një partner serioz për financimin e projektit madhor energjetik në Shqipëri, ndërkohë që deri tani ka shpenzuar në dy vjet 9 milionë franga zvicerane për këtë qëllim. Duke qenë se AET është kompani publike, për investime të mëdha ajo është e detyruar të japë llogari para parlamentit vendor, që, kohët e fundit, ka shprehur dyshime për mënyrën se si dhe ku investohen paratë e taksapaguesve të kantonit italo-folës të Tiçinos.
Sipas televizionit Teleticino, “në Fier, vendi ku mendohet të ndërtohet impjanti gjigand, nuk kanë filluar as punimet e gërmimit. Në fakt, ASG ka arritur të marrë ekskluzivitetin nga qeveria shqiptare për këtë objekt, por gjatë gjithë 2007-ës nuk arriti të gjejë një partner që të ketë paratë e duhura për ta realizuar atë”. AET duket se ka hasur një projekt tepër të madh për të, “pa patur paratë, ka shpresuar të gjejë, pas marrjes së lejes nga shqiptarët, atë që do të ishte i interesuar për një punim të tillë”. Por, nuk e ka gjetur.
(GazetaShqiptare)
Krijoni Kontakt