Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,400
    Postimet në Bllog
    22

    Kryepiskopi Anastas i dhuron të dënuarve në burgun 325 një fushë sportive

    Kryepiskopi Anastas i dhuron të dënuarve në burgun 325 një fushë sportive

    Gjatë vizitës në periudhën e Krishtlindjeve 2006, në Institutin e Edukimit të të Dënuarve Penalë, në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, i njohur si Burgu 325, Kryepiskopi Anastas, pasi vizitoi mjediset e ndryshme shprehu dëshirën për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës të të dënuarve.

    Nga drejtuesit e Institutit iu kërkua, nëse do të ishte e mundur, që të financonte për ndërtimin e një fushe sportive, për rreth 160 burra, kryesisht të moshave të reja, që vuajnë aty dënimin.

    Kryepiskopi e pranoi me kënaqësi kërkesën dhe siguroi fondet e nevojshme për ndërtimin e saj. Shpejt, në një mjedis tërë gurë dhe që përmbytej nga uji kur binte shi, u ngrit një fushë bashkëkohore minifutbolli dhe për lojërat me dorë, me tapet të gjelbër, e rrethuar me rrjetë dhe me sistem ndriçimi, e cila mund të shërbejë edhe për sporte e veprimtari të tjera. Kostoja e saj shkoi rreth 20 mijë USD.

    Po kjo nuk ishte dhurata e parë e Kryepiskopit Anastas për këtë institucion. Në vitin 2001 ai kishte kontribuar edhe për ndërtimin e një serre lulesh dhe perimesh, në regjimin e grave. Prodhimet nga ajo kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndihmë për vetë të dënuarat. Serra është njëkohësisht edhe një ndihmë nga ana psikologjike, pasi kalojnë edhe një pjesë të programit ditor me punë, por kjo edhe i ndihmon të jetojnë më ndryshe çastet e vështira që kalojnë.

    Por, këto janë vetëm veprat më të dukshme që Kisha jonë, me nismën dhe kujdesin e vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë të Fortlumturisë së Tij, ka bërë për këta njerëz me liri të kufizuar. Vizitat dhe ndihmat për të dënuarit janë të vazhdueshme, të përmuajshme, sidomos nga Lidhja e Grave Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë”, Tiranë dhe Rinia Orthodhokse.

    Janë rreth 10 vjet që ka nisur bashkëpunimi me këtë Institut, ku Kisha jonë ka ndihmuar materialisht e shpirtërisht, duke bashkëpunuar me stafin dhe drejtorinë, bashkëpunim ky që ka qenë përherë dhe më i ngrohtë e rezultativ.

    Me rastin e përfundimit të punimeve, drejtoria e IEDP “Ali Demi” organizoi në një atmosferë festive ceremoninë e përurimit të fushës sportive në regjimin e burrave. Në të mori pjesë një përfaqësi me klerikë e laikë nga Kisha Orthodhokse, e kryesuar nga Hirësia e Tij Andoni, episkopi ndihmës i Kryepiskopit, Avokati i Popullit z. Ermir Dobjani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Arjan Shehri dhe përfaqësues të institucioneve që ndjekin problemet e të dënuarve.

    Drejtoresha e këtij instituti, znj. Marinela Sota, në fjalën e hapjes tha ndër të tjera: “Ne jemi shumë të kënaqur me këtë që është realizuar, sepse këtu vuajnë dënimin mosha të reja që kanë nevojë të lëvizin fizikisht. Gjatë vizitës që bëri Kryepiskopi Anastas për Krishtlindje në institucionin tonë, tek regjimi i grave dhe i burrave, ne i kërkuam të na mundësonte ndërtimin e një fushe, ku të dënuarit të mund të luanin dhe të kalonin kohën e lirë, duke pasur parasysh edhe veçantinë e këtij institucioni, ku të dënuarit mund të luajnë gjatë të gjithë ditës dhe të qëndrojnë në mjedise të hapura...”

    Shiritin e përurimit, në emër të Kryepiskopit Anastas e preu Hirësia e Tij Andoni, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Shehri. Pas kësaj, z. Shehri tha, duke përshëndetur të pranishmit: “Falënderoj Kishën Orthodhokse dhe vetë Hirësinë e Tij, zotin Janullatos për këtë ndihmë të çmuar. Kjo hyn në kuadrin e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të lehtësuar sa më shumë jetesën e të dënuarve në burgjet shqiptare. Kjo është në kuadër të reformës që ne kemi ndërmarrë në sistemin penitenciar me fondet e qeverisë, me fondet e drejtorisë, por edhe me bashkëpunimin e ngushtë me donatorët, siç është rasti konkret. Edhe njëherë falënderoj Kishën Orthodhokse që ka bërë këtë dhuratë dhe ju ftoj që ta shfrytëzoni maksimalisht këtë ambient me të vërtetë shumë të bukur”.

    Pastaj e mori fjalën Episkop Andoni, i cili tha: “Sjell tek ju përshëndetjet dhe urimet e Kryepiskopit Anastas. Në këto çaste nuk mund të ndodhej me ju, por ashtu siç jua dha fjalën, ndërtimi i kësaj fushe u realizua. Gëzohemi që është e një cilësie të mirë. Kisha Orthodhokse dëshiron t’ju tregojë edhe me këtë investim tjetër këtu, se interesohet për ju. Ju nuk jeni vetëm në këtë ambient. Është detyra jonë dhe e çdo besimtari që të jenë pranë atyre që janë në kushte dhe situatë të vështirë.”

    Shefi i Kujdesit Social në këtë institut, z. Përparim Gjyshja, pyetjes sonë se sa i rëndësishëm është ky terren në punën tuaj, na u përgjigj: “Në fillim dua t`ju falënderoj për këtë investim që ka bërë Kisha Orthodhokse. Nuk është hera e parë që Kisha bën investime të këtij niveli. Ka bërë një investim tek regjimi i grave për ndërtimin e një serre dhe vazhdimisht na ndihmon me bazë materiale. Ky terren që është tani, me tapet të gjelbër, dikur ishte me gurë dhe me ujë, ku të dënuarit shkonin që të argëtoheshin dhe dëmtoheshin. Mjedisi do të na hyjë në punë, sepse këtu ka dënime të pakta dhe mosha përgjithësisht të reja dhe argëtimi kryesor i tyre janë aktivitetet sportive. Konkretisht, kemi filluar kampionatin e minifutbollit midis dhomave dhe në vazhdim do të përdoret edhe për volejboll dhe basketboll. Ju Faleminderit!”.

    Kisha jonë me anë të këtij investimi solli edhe një përfitim tjetër social për të dënuarit, sepse punësoi disa prej tyre, të cilët punuan me shumë përkushtim, duke zhvilluar më tepër edhe ndjenjën e ngrohtësisë e miqësisë midis tyre dhe njëkohësisht përfituan një pagë për punën e bërë.

    Ceremonia u mbyll me një kokteil dhe një ndeshje futbolli në fushën e re, midis një skuadre të këtij instituti, me skuadrën e një burgu tjetër.

    Çuditërisht, disa media televizive e të shkruara, të pranishme në ceremoni, të ftuara nga ky Institucion i Edukimit për të bërë të njohur në publikun shqiptar këtë risi investimi social bamirës joshtetëror, për këtë kategori njerëzish me liri të kufizuar dhe në një institucion shtetëror, e anashkaluan prezantimin e rëndësisë së këtij lajmi, duke u përqendruar vetëm tek mbipopullimi i burgut. Fatkeqësisht, ata lanë kështu jashtë vëmendjes së publikut edhe impulsin social, shpirtëror dhe human që duhet të transmetonin tek ai.

    Luljeta Pjetri
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

Tema të Ngjashme

  1. Presidenti dekoron viktimat punonjes te SHISH vrare ne Vlore ne 1997
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 91
    Postimi i Fundit: 14-06-2013, 10:35
  2. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 20-09-2012, 01:22
  3. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  4. Anton Mazreku
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 03-11-2008, 20:08
  5. Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 27-08-2007, 09:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •