
Postuar më parë nga
Lioness
(Nga Shekulli)
Banka Botërore: Infrastrukturë e dobët dhe procedura të rënduara në dogana
Raporti i fundit i Bankës Botërore e rendit Shqipërinë në vend të 139 ndër 150 vende
Ky është raporti i tretë i bërë publik nga ana e Bankës Botërore gjatë këtij viti që na rendit në nivele kaq të ulëta zhvillimi. E njëjta situatë në renditjen e vendit ishte edhe në raportin "Të bësh Biznes 2008" dhe në "Raportin Botëror të Zhvillimit 2007".
Shqipëria mbetet një nga vendet me zhvillimin më të dobët për sa i përket mundësive që ofron për lidhjen e tregut vendës me tregjet e tjerë në botë, ose thënë ndryshe tregtisë. Raporti i Fundit i Bankës Botërore e rendit vendin të 139-in në një studim që është bërë në 150 vende, ku përfshihen kategori të ndryshme zhvillimi. Në këtë raport merren në studim Procedurat Doganore, Kostot e Logjistikës, cilësia e infrastrukturës etj., që nevojiten për të realizuar tregtinë e mallrave. Banka Botërore bën të ditur se në rastin studimor të Shqipërisë janë marrë në studim nga ana e ekspertëve të dhënat e bizneseve të huaja dhe vendëse që realizojnë tregti në Shqipëri, si dhe një sërë agjentësh tregtarë që kanë në qendër të aktivitetit të tyre transportin e mallrave.
Sipas raportit bëhet e ditur se në vend vazhdon që të ketë një numër të madh procedurash doganore që vënë në vështirësi biznesin dhe vështirësojnë tregtinë, duke rritur ndjeshëm kostot. Sipas klasifikimit Shqipëria renditet në vend të 132 për sa i përket procedurave në dogana, nga 150 që është numri total i vendeve që janë marrë në këtë studim. Procedurat e tejzgjatura në dogana dhe shërbimi i ulët kanë qenë vërejtje të bëra edhe nga ana e raportit të fundit të Bashkimit Evropian. Tregues të tjerë që japin edhe rezultatin përfundimtar të këtij studimi janë cilësia e infrastrukturës, kostot e shërbimeve tregtare në vend, si edhe koha që duhet për të realizuar shërbime të ndryshme. Në raportin e saj për Shqipërinë, Banka Botërore bën të ditur se pas publikimit të këtij raporti do të realizojë takime me Institucionet Shqiptare për të diskutuar mbi projektet e mundshme për të ndihmuar vendin.
Raporti
Logjistika tregtare ose mundësia për të lidhur produktet me tregjet ndërkombëtare është thelbësore për vendet në zhvillim, duke ndikuar në përmirësimin e konkurrencës, për të përfituar nga të mirat e globalizimit, për të luftuar varfërinë me më shumë efektshmëri në një botë gjithnjë e më të integruar.
Kjo është edhe një nga pjesët më të rëndësishme të raportit të Grupit të Bankës Botërore i publikuar së fundmi. Shërbimet e logjistikës në tregti, tregojnë se lehtësimi i lidhjeve mes firmave, furnizuesve dhe konsumatorëve është e rëndësishme në një botë ku parashikueshmëria dhe besueshmëria po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme sesa kostot.
Renditja
Në 150 vendet e marra në studim, vendi e parë për sa i përket mundësive dhe kushteve për të bërë kredi është Singapori dhe pas tij vijnë, Hollanda, Gjermani, Suedia etj. Por studimi nuk merr parasysh vetëm vendet me të ardhura të larta, por edhe ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Nga sa dihet Shqipëria është një vend në zhvillim dhe nuk mund të konkurrojë me këto vende të zhvilluara, por renditja e këtij raporti na le në një grup vendesh që mund të quhen (referuar edhe statistikave) më të varfrat dhe të pazhvilluarat në botë. Kështu, referuar tabelës Shqipëria lë pas në këtë renditje prej 150 vendesh, Alegjerinë, Guyana, Chad, Niger, Sierra Leone, Djbouti, Tajkistan, Myanmar, Rëanda, Timor-Leste dhe Afganistan. Edhe nëse i referohemi vendeve që janë sipër në klasifikim por afër Shqipërisë, pjesa dërrmuese e tyre përfshihen në hartën e varfërisë. Sipas raportit bëhet e ditur se një nga shkaqet për nivelin e ulët të investimeve të huaja në vend, janë pikërisht kostot e larta logjistike të tregtisë së vendit, dhe njëkohësisht shërbimi në nivele tepër të ulëta që ofrohet.
Krijoni Kontakt